Milazim Krasniqi: Portalet tek ne, një gazetari siç nuk duhej të ishte


Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj


Sot, trojet shqiptare si kurrë më parë nuk kanë patur gazeta, portale, televizione nga më të ndryshmet. Të gjitha këtyre po t’u heqësh titujt gazetave apo logot televizioneve, të gjitha kronikat janë njëlloj, të gjitha lajmet janë njëlloj, merr nga njëra bart tek tjetra duke e mbuluar progamacionin me artikuj jo autorial, por duke marrë nga gazetat, portalet tjera.

Nuk është e tëra vetëm tek vjedhja e lajmit, por është edhe pushteti që ato kanë sot, ngase shumë nga to janë bërë edhe biznese të fuqishme edhe politikisht të forta. Ato sot janë bërë shantazhiste, ballinat e tyre janë me plotë gjuhë urrejtëse, thirrje për dhunë, të cilat edhe e kanë thyer etiken morale thjesht janë bërë degjeneruese.

Ndonëse dikur ka mundur të ketë patur media dhe gazetari cilësore, sot është e kundërta, më shumë gazetari bombastike, apo sensacionale, se sa një lajm cilësor që do ta informonin qytetarin mirë dhe drejtë.

Sot, media po luan rolin edhe të gjykatësit, të prokurorit, policit etj., duke i informuar të akuzuarit para se ai ta merr njoftimin nga gjykatësi, prokurori, polici etj.

Për të kuptuar me shumë rolin që kanë mediat dhe se kujt i shërbejnë ato dhe se a kemi sot media cilësore, tesheshi.com bisedoi me profesorin e gazetarisë dhe njohësin e mediave z. Milazim Krasniqi.

Milazim Krasniqi

Prof.Dr.Milazim Krasniqi



Prof. Krasniqi, si e shikoni të pozicionuar median në raport me politikën?

Nëse i referohemi gjendjes në Kosovë, supozoj që këtu do të jetë theksi në këtë bisedë, politika dhe media janë shndërruar në motra siameze, d.m.th janë të lidhura shpinë për shpinë me njëra tjetrën, për ç’arsye edhe janë duke e penguar njëra tjetrën.

Në fakt, situata është paradoksale për shkak të vetë statusit neokolonial që ka Kosova në raport me faktorët ndërkombëtarë. Faktori ndërkombëtar ka imponuar në Kosovë një elitë politike e cila nuk ka buruar nga vullneti i qytetarëve dhe nga projektet konkrete politike, por nga raportet që ka ndërtuar me faktorin ndërkombëtar.

Si e tillë kjo elitë nuk është e fortë, nuk është e fuqishme në kuptimin e fuqisë që buron nga populli, nga elektorati. Prandaj asaj i duhet ta kompensojë këtë mungesë fuqie, duke u mediatizuar, duke qenë gjithmonë në media, me çka krijon një mashtrim optik se gjoja është e fortë apo se gjoja është kompetente. Për të qenë gjithmonë prezentë në media, këta politikanë detyrohen të paguajnë shumë para. Paguajnë para në forma të ndryshme, që nga reklamat e deri tek format praktikisht ilegale dhe kriminale të financimit të mediave. Kështu është krijuar ky raport siamezik përkatësisht klientelist ndërmjet politikës dhe medias, në të cilën elita politike e shfrytëzon median për t’u mbajtur disi në këmbë, ndërsa media ushqehet makutërisht nga kjo lloj politike, nga paratë e saj, për shkak se tregu i reklamave në Kosovë është i varfër dhe për arsye se financuesi kryesor është shteti përkatësisht politika.

Pra kjo është gjendja, një gjendje e panatyrshme e një bashkëjetese siamezike dhe klienteliste, e cila në instancë të fundit prodhon një politikë, që nuk është në shërbim të qytetarëve dhe një gazetari të çoroditur, e cila është në shërbim të klientëve të vet e jo të publikut.

Përse mediume të ndryshme zgjedhin të thyejnë etikën në media? Cili është përfitimi i tyre në raste të tilla?

Përfitimi i disa mediave nga thyerja e etikës profesionale është komercial, në disa raste është edhe ideologjik. Fjala vjen, komercial është kur ndonjë biznes ose grupim politik paguan para që të dëmtohet një grupim tjetër politik. Ndërsa ideologjik është kur financohet ose sponsorizohet një media, për ta luftuar ndonjë grupim tjetër politik, ose besim fetar siç është feja islame, në rastin konkret. Këto lloj mediash që pranojnë ta nëpërkëmbin etikën, e tradhtojnë misionin dhe praktikisht bëjnë punën e djallit.

Në një farë forme media është bërë biznes, çdo kush po ka mundësi të hap një portal. Cili është komenti i juaj?

Në fakt, mediat me definicion janë biznes, por mediat duhet të jenë biznese që funksionojnë në bazë të rregullave të caktuara ligjore, profesionale dhe etike. Në Kosovë nuk ka një ligj adekuat për këtë lloj biznesi. Fjala vjen, në Britani të Madhe, për të hap një gazetë ditore me shtrirje nacionale, pronari duhet paraprakisht të deponojë në bankë 20 milion funta, ndërsa tek ne një biznes i tillë mund të hapet me 5 euro përkatësisht 25 euro. Dhe kjo ka bërë që në këtë lloj biznesi të hyjë çdokush, gjithfarë profiterësh e gjithfarë aventurierësh. Këta tipa i përdorin mediat shumë herë si armë, praktikisht për t’u hapur rrugë bizneseve të tyre ose aventurave politike të tyre. Një herë Dritëro Agolli më ka thënë (në vitin 1992) se në Shqipëri nuk mund të mbijetoje në qoftë se nuk kishe një gazetë ose një kobure! Praktikisht tash në Kosovë jetojmë në një kohë kur secili përpiqet të krijoj një medium, ose për t’i sulmuar të tjerët, ose për t’u mbrojtur nga të tjerët. Është klimë hobsiane, vërtet! Pra, media është bërë një pikë e zezë e bizneseve, ndërsa në fakt do të duhej që media si biznes të ishte shembulli më i mirë i të bërit biznes.

Sa e ka dëmtuar kulturën komercializmi i mediave?

Në kushte normale, komercializmi është i domosdoshëm për median, për t’u çliruar nga ndikimi i shtetit dhe ndikimit të partive politike. Por edhe komercializmi i ka rregullat e veta. Fjala vjen, media komerciale duhet të zbatojë rregulla të caktuara ligjore për mënyrën se si i vjelë reklamat, se si ndërton infrastrukturën e bashkëpunimit me klientët e kështu me radhë. Në raste kur kjo nuk është transparente, atëherë ky lloj komercializmi shndërrohet në mafiozitet. Kjo është gjendja që shohim aktualisht në Kosovë dhe në Shqipëri, po edhe në dia vende të tjera të rajonit, në të cilat komercializmi është keqkuptuar dhe është shndërruar në një lloj mafioziteti.

A po e luan media apo më mirë me thënë gazetarët e portaleve të shumta rolin edhe të policit, prokurorit, gjykatësit, p.sh një i akuzuar së pari e kupton akuzën nga media se nga Gjykata apo Prokuroria?

Gazetarët janë pjesa më e dëmtuar e kësaj çoroditje të medias, sepse ata detyrohen të bëjnë punën e cila shumë herë është në kundërshtim me bindjet e tyre dhe me etikën e tyre profesionale. Gazetarët janë të pamëshirshëm të kushtëzuar nga punëdhënësit. Pra politikat editoriale, veçmas ato më të mbrapshtat, dirigjohen nga pronarët e mediave. Gazetarët janë thjesht dhe vetëm argatë të tyre, përveç rasteve kur ngritën në hierarki dhe shndërrohen në shefa, producent, redaktorë që pastaj fillojnë të marrin edhe ata pjesë të caktuara nga zhvatja që bënë pronari. Kështu që në këtë drejtim gazetarët marrin detyra paraprakisht nga pronari dhe prej shefave më pastaj i plasojnë. Burimet e vërteta të lajmeve sensacionale në të vërtet i kanë pronarët e mediave e më pak gazetarët. Në disa raste janë njerëz që kanë ambicie të shfrenuara politike, prandja shfrytëzojnë mediat që kanë për t’i futur hundët në politikë ose edhe për t’i shkatërruar kundërshtarët potencialë politik. Kjo është një lojë e ndyrë, të cilën e bëjnë ndër ne disa nga pronarët e mediave vizive dhe të shkruara.

Sot shumë gazetarë, politikanë e biznesmenë kanë hapur ose financojnë portale, po për promovime politike dhe atakime politike. Por, këto nuk janë medie medie cilësore. Sipas jush për të pasur një media cilësore çka do duhej bërë?

Për të pasur medie cilësore duhet rregullim i qartë ligjor i biznesit përkatësisht veprimtarisë mediale në vend. Edhe vendet më liberale dhe më demokratike, siç janë Britania e Madhe, Franca, Gjermania kanë rregullime shumëplanshe ligjore me të cilat mediet obligohen që të ushtrojnë veprimtarinë si biznese dhe ta ushtrojnë profesioninin brenda etikës profesionale. Fatkeqësisht te ne ka një kombinim të dhimbshëm ndërmjet pozitës neokoloniale që ka Kosova dhe të një gjendjeje neoliberale që është imponuar nga po këta protektorë ndërkombëtar dhe kjo ka shkaktuar çoroditjen e madhe të gazetarisë si profesion dhe mediave si biznes. Ideja neoliberale që kushdo mund të bëjë çfarë të dojë, nga pronarët e medieve shfrytëzohet që të zhvatin gjithandej, shantazhojnë biznese, shantazhojnë politikanët dhe në atë mënyrë i detyrojnë që t’u japin reklama ose favore të ndryshme. Pra kemi të bëjmë thjesht me një çoroditje, si mungesë e rregullimit ligjor në rend të parë e pasatj si produkt i çmoralizizmit që ka kapluar shoqërinë tonë postkomuniste, vendin tonë me status neokolonial dhe shoqërinë tonë të ngërthyer nga iluzioni konsumerist, dhe hedonist.

Në vendin tonë secili qytetar mund të jetë i goditur prej shpifjeve të ndryshme të medieve, por thjesht nuk keni ku të ankoheni. Prandaj jemi në ketë gjendje, ku ka shpërthyer si ujë kanalizimi gjuha e urrejtjese madje edhe thirrja për dhunë, sepse kurrkush nuk mendon se një ditë mund të ballafaqohet me drejtësinë.

Sistemi i drejtësisë tek ne është jo efikas, është klientelist në pjesën e vet më të madhe ashtu që thjesht nuk është aleat për të mbrojtur as etiken profesionale, as interesat e qytetarëve. Po jetojmë në një lloj kaosi në të cilin media bënë një punë bukur destruktive në promovimin e kaosit dhe në shkatërrimin e kohezionit social të shoqërisë.

A do të ishte mirë të zbatohet ligji për ruajtën e lajmit, kur kemi parasysh një vjedhje marramendëse në mes portalesh sot?

Në fakt mediat tona kanë një pirateri ekstremisht të përhapur, pra, vidhen produktet mediale prej një portali në tjetrin dhe nuk ka rregullim as për këtë çështje. Nuk ka asnjë mekanizëm me të cilin do të adresohej përgjegjësia për hajni. Prandaj edhe kjo lloj anarkie prodhon gazetari të çoroditur, sepse qytetarët mund të shfletojnë dhjetë portale dhe ta gjejnë të njëjtin lajm. Pra sasia e informatës që marrin është shumë e vogël në raport me mediet të cilat ata kërkojnë informacionet. Po të shikoni televizionet rajonale e kabllovike në Kosovë, ato janë po ashtu skandaloze në kuptimin e piraterisë, sepse vjedhin filma, dokumentare, spote, etj., i transmetojnë pa kurrfarë leje. Pra, jetojmë në një ambient, në të cilin ligji nuk vepron dhe si pasojë e kësaj hajnia përkatësisht pirateria është e kudondodhur.

Prof. Krasniqi, a besoni që një ditë do të zhduket gazeta e shtypur, apo shpresoni që prapë do ta kemi në duar?

Dijetarë si Umberto Eko kanë thënë në raste të ndryshme që gazetat kanë të ardhme, dhe do të vije dita kur do të konsumohet kjo lloj pseudogazetarie e portaleve, kjo lloj gazetarie senzacionaliste, e cila prodhon efekte, por jo edhe informacion.

Rasti me “Letrat e Panamasë”, të cilat u zbuluan nga gazeta “Süddeutsche Zeitung” dhe partnerët e saj, tregon që gazetaria e shtypur është shumë e rëndësishme dhe si e tillë ajo është e pazëvendësueshme, sepse ajo e mundëson gazetarinë hulumtuese etj. Në Kosovë e në Shqipëri gazetat janë në një krizë totale. Në kuadër të projekteve të mia akademike kam bërë disa hulumtime lidhur me gjendjen e gazetave ditore në Kosovë dhe kam konstatura se janë para kolapsit të plotë. Në shumicën e kioskave në kryeqytet, gazetat ditore shiten nga dy-tre ekzemplarë. Me çmimin dhe tirazhin e ulët, asnjëra nuk do të mbijtojnë. Prandaj, edhe kam rekomanduar që shteti do të duhej të gjente mënyra të financimit diskret dhe alternativ të gazetave ditore, siç është modeli belg ose edhe ai francez, të cilat e përdorin financimin mbi përkatësinë gjuhësore apo blerjen e hapësirave reklamuese për t’i mbajtur gazetat në qarkullim. Nëse vazhdohet kështu si është, një ditë ne do të gdhihemi në mëngjes dhe në kioska nuk do të ketë asnjë gazetë. Kjo do të ishte gjëma e gazetarisë, sepse nëse informimi mbetet vetëm në portale, njerëzit një ditë ka rrezik që do të fillojnë të komunikojnë me grimasa e gishta, sepse do ta harrojnë thjesht gjuhën e vërtet të gazetarisë.



Një pjesë e mirëfilltë e gazetarëve të Kosovës nuk e praktikojnë zanatin e gazetarisë, koha në të cilën jetojmë apo çfarë e ka bërë të padashur këtë profesion?

Një pjesë e gazetarëve mbasi afirmohen krijojnë karrierë, kanë ambicie dhe kalojnë në politikë. Këtu është një numër goxha i madh ish-gazetarëve që janë bërë politikanë, ose e pakta zëdhënës të partive ose të ministrive. Nga ky aspekt, ata vetëm e finalizojnë raportin klientelist që kanë pasur më herët me partitë a me qeveritë. Në anën tjetër, gjendja e marrëdhënies së punës në medie është shumë e keqe, sepse një numër i madh veçmas i portaleve nuk ofrojnë as kontrata pune, as sigurime dhe imponojnë orare të tej zgjatura. Kështu që një numër i madh i gazetarëve përpiqen që të gjejnë punë në sektorët e tjerë. Pra edhe për këtë problem, duhet rregullim ligjior e sindikal, në mënyrë që këto medie të futën në kuadrin ligjor, ku të paktën do të respektohen punëtorët, oraret e punës dhe ku mediet do të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes dhe nga thirrja për dhunë, gjë që janë duke e bërë masivisht një pjesë e tyre, veçmas portalet. Në departamentin e gazetarisë të UP-së, tash tre vjet bëjmë matjen periodike të gjuhës së urrejtjes së portaleve. Jemi të shokuar nga ajo që rezulton nga hulumtimet. Dhe e dimë se kjo tashmë e ka kontaminuar rëndë komunikimin dhe e ka çoroditur shijen e publikut. Do të duhen vite që të rehabilitohet deri diku komunikimi medial në këtë vend.


http://tesheshi.com/milazim-krasniqi-portalet-tek-ne-nje-gazetari-sic-nuk-duhej-te-ishte/

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)