Raportet e Policisë së Kosovës flasin për rritje të ndjeshme të numrit të tentim vetëvrasjeve dhe vetëvrasjeve në Kosovë. Kjo rritje, sipas psikiatërve dhe sociologëve, vjen si pasojë traumave të luftës së fundit, por ka raste edhe për shkak të mungesës së kujdesit shpirtëror në planin individual dhe në atë institucional.
Përderisa në vitin 2001 statistikat flisnin për 74 vetëvrasje dhe 41 tentim vetëvrasje, në vitin 2014 numri vetëvrasjeve arrin 79, ndërsa 246 raste janë regjistruar si tentim vrasje. Ndërsa, prej vitit 2001 deri në vitin 2014, janë evidentuar 855 raste të vetëvrasjeve dhe 2967 vetëvrasje në tentativë. Ky fenomen, sipas Policisë së Kosovës, po merr përmasa të gjera nga viti në vit. Psikologët dhe sociologët sugjerojnë se kjo dukuri nuk ka qenë pjesë e traditës kosovare.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për Tribuna Channel ka thënë se Policia është duke i hetuar të gjitha rastet e raportuara të vetëvrasjeve dhe tentim vetëvrasjeve.
Ndërkaq, psikiatri Agim Selimi ka thënë se vetëvrasja si fenomen nuk kursen asnjë shoqëri. Ai thotë se përveç mungesës së përkujdesjes së kosovarëve ndaj aspektit shpirtëror, si një ndër shkaqet kryesore që po ndikon në rritjen e numrit të vetëvrasjeve sipas tij është edhe pasojat e luftës, si dhe kushtet e rënda ekonomike.
Kurse, sociologu Artan Muhaxhiri, lidhur me këtë temë ka thënë se këto akte po rriten si pasojë e mos-trajtimit institucional. Për këtë arsye ai porosit që institucionet përkatëse të merren në mënyrë serioze me këto raste.
Sipas hulumtimeve shkencore, është vërtetuar se të rinjtë deri në moshën 35-vjeçare më së shpeshti bëjnë tentim vetëvrasje, ndërsa të moshuarit nga 50 vjeç e tutje, më shpesh bëjnë vetëvrasje. /Tribuna Channel/