KUSH JANË TERRORISTËT QË DEKORON QEVERIA SOT




Nga Fritz RADOVANI:

30 SHTATOR 1946  -  70 VJETORI
I  NJË  MASAKRES  TIPIKE  KOMUNISTE
muzafer pipa
DR.AV. MUZAFER PIPA
 (1914 – 1946)

HAPNI  DOSJEN  DR. AVOKAT  MUZAFER  PIPA !

DHE, SHIKONI KUSH JANË TERRORISTËT QË DEKORON QEVERIA SOT !
■Të gjitha Partitë Komuniste kanë “LEVEN E SKUQUN”: SIGURIMIN E SHTETIT !

■Libohova nëpërmjet avokat Mustafa Pipës i dhuroi qytetit të Shkodres një djalë me emnin e Nderuem Muzafer Pipa, që asht le në Shkoder në 1914. Studjoi në gjimnazin e Fretenve “Illyricum” të Shkodres, dhe perfundoi studimet per jurist në Padova të Italisë.
Okupacioni italian i 1939 u prit keq nga Françeskanët e Shqipnisë, e per pasojë edhe ata që kishin perfundue shkollen e tyne, nuk u pajtuen asnjëherë me veprimin e Italisë.
Në vitin 1943 Dr. Avokat Muzafer Pipa asht drejtor i Revistës “Fryma”, me pikpamje atdhetare dhe perparimtare, ku bashkpunonte me Qemal Draçinin, edhe ky një nga elementët e rij shumë të përgatitun e që, do të lanë mbresa në kulturen shkodrane.

1945. Gjyqet e zhvillueme në Tiranë kunder intelektualëve dhe të deputetëve, të drejtueme nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, kishin irritue qytetarët Atdhetarë dhe per këte, avokat Muzafer Pipa kishte thanë: “Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një “ish-teneqexhi” - ishte fjala për Koçi Xoxen - e për prokuror një “ish-kafexhi” - për Bedri Spahiun - të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?

28 JANAR 1946: Në kinema “Rozafat” të Shkodres ndigjohen brohoritjet e bishave të terbueme “plumbin ballit, plumbin ballit”... dhe, nuk mungojnë as virrmat e disa prej “nënave të dëshmorëve” “tradhtarët në litar”, per Klerikët e Pafajshëm nder bankat e të akuzuemëve me pjestarët e Organizatës së Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me trupin gjykues të perbamë nga terroristët: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela... Avokati Muzafer Pipa i bani kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor. Edhe Aranit Çela nga ana e tij kje i gatshëm buzagaz me cinizëm, ju përgjegjë Muzaferit: “E po, ç’të bësh, ky është populli!..”.

22 SHKURT 1946: U dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe nga Tirana vjen kjo përgjegje:  “Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946... Át Gjon Shllaku, Át Gjon Fausti, Át Daniel Dajani, dhe studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku u dënuen me pushkatim... Dhe, sa të tjerë me dhjetra vite burg e masakrime nder kampet e punës dhe të shfarosjes.

■Dokumenti i urdhnit të pushkatimit nenshkruhet nga Gjen. Kol. Enver Hoxha d.v.

■Në një nga seancat prokurori Aranit Çela deklaron: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”. Kerkesa e tij u pranue nga drejtuesit.
Trupi gjykues e përjashton Av. Pipen si përfaqësues i Mbrojtjes së të pandehurve tue emnue avokat Ranko Çerankoviq. Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit.

■Nuk shkoi gjatë dhe krimineli terrorist Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë tue hy në bar “Impero”: "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!"

SHTATOR 1946: Av. Muzafer Pipa u arrestue, u torturue në mënyren ma barbare tipike komuniste. Kryetari i Deges së Mbrendshme të Shkodres, terroristi Zoji Themeli mori persiper vetë me i ba hetimet, sigurisht ashtu ishte porosia nga nalt.

■LEGJENDA: Kam shkrue: Në mëngjesin e 30 Shtatorit 1946, gjoja Muzaferi vendosi me ikë nga hetuesia... U dëgjuen krisma armësh! Kryetari i Degës Zoji, dergoi Elez Mesin me marrë një pulë, i këputën kokën... dhe shperndanë gjakun e saj tek hetuesia, në çimenton rrethuese të saj... Pra, “Muzaferi u vra nga rojet e hetuesisë tue ikë”...

30 SHTATOR 1946, Dy nga vrasësit ma barbar Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine... Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë...nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue... Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator 1946, u perhap edhe “Legjenda” nga agjentët e Sigurimit shtetit në gjithë Shkodren!..

■Edhe “shokun komandant” e njoftuen “për zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes?”

***

■HAPNI DOSJEN “KLERI KATOLIK SHQIPTAR”! Aty do të gjeni porosinë që i dha Enver Hoxhës ambasadori jugosllav me 20 shkurt 1946: “...Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” - vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”... E pikrisht nga kjo çerdhe kishte dalë: Av. Muzafer Pipa, Prof. Qemal Draçini, Prof. Arshi Pipa, Martiri Osman Kazazi e sa të tjerë Atdhetarë Shqiptarë, që u perfshinë në GJENOCIDIN KOMUNIST në Shqipni.

■Në çdo pllamë të Saj, Shqipnia asht e mbushun me Eshtna të varrosun nder gropa e zallishta pa Emen... Zalli i Kirit, dikur i bardhë si biluri, në darkë vezullon me rrezatime të skuquna që perzihen me lotët e mija e mija Nanave e Motrave që derdhen aty nder kaçuba me vite e vite mbi ato gurë, tue i lmue me Fëtyren e vet të “vrashtë” nga vuejtjet e lodhja që ua mori Shpirtin 50 vjetë, sikur t’ ishin të dënueme nga vetë Dora e Zotit!

Kiri, Drinaza, Drini, Buna e Liqeni... të harlisun edhe sot me tallazet e veta shkapeten per Token Arbnore, tue veshtrue: “Deri kur Shqiptarë, doni me na lanë pa Varre?!”

■Në këte 70 vjetor të kësaj mbytje barbare të Dr. Avokat Muzafer Pipës Shqipnia, që Ai e ka dashtë aq shumë nuk duhet t’a vajtojë... Po, perballë Një Monumenti të Muzaferit, shka janë Shkodranë e Libohovitë, të gjithë bashkë të këndojnë “Hymnin e Flamurit”!

■Shqiptarë, “Per Flamurin e Gjergj Kastriotit Ata dhane jeten!”


            Melbourne, Shtator 2016.


************




Nga Prof. Arshi PIPA: 

arshi pipa i ri1
Elegjia Vllaznore 


Ma thonte zemra e ngrâta
se jeta t’kishte lânë,
edhe pse miqt’ e shokët
nuk dojshin me ma thânë.
Der’sa mbi krye mandata,
kur s’e pritsha më ra,
dhe mora vesh çka në andërr
prej kohe m’ishte g’jâ.
E pau epileptiku
qi s’njifte mue as ty.
Po kapërcejshim lumin
kur befas ura u thye…
Un rashë… m’u turr vërtiku…
humba! Uluroi nji zâ…
Ti u hodhe, m’kape, m’qite…
por vetë nuk dole mâ!
Ti vuajte, ti rreziqe
durove simbas stinës
nga ishulli i Ventottenes
ndër telat e Prishtinës.
E pse përbuze vdiqe
terrorin bolshevik,
gjithmonë armik i shtypjes
e Bir’i Atdheut besnik.
Sot qi nga dita e mortit
Ka rrjedhë mâ se nji mot,
tue t’a nderue kujtimin,
o vlla, nuk derdhi lot.
Pse për vdekjen e t’fortit
i fortë duhet me u bâmë.
As i përmendi fajtorët:
nuk kam mâ çka me i nâmë…
Kur ndofta nga mizori
Po përgatitet ura
për mue kët herë e, kânga
e mbramë âsht kjo qi thura,
me gjakun tând Dëshmori
vulosi sot nji bè:
Përbuzi komunizmin
e truhem për Atdhè!..

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)