Një ndër faktorët që ka ndikuar në vetëvrasjet e pasluftës në Kosovë është edhe ndryshimi i rrethanave shoqërore dhe raporteve shoqërore. Kemi një individualizim shumë të theksuar, i cili po ndikon në zbehjen apo shthurjen e raporteve farefisnore apo shoqërore. Ndërsa raportet po ndërtohen vetëm në bazë të interesit reciprok
Dukuria e vetëvrasjeve është bërë shumë e pranishme në shoqërinë tonë sidomos pas përfundimit të luftës. Pas kësaj periudhe shoqëria kosovare u përball me ndryshime të shpejta, të cilat krijuan edhe pasoja të ndryshme. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 32 vetëvrasje dhe 182 tentim-vetëvrasje. Po ashtu gjatë analizimit të rasteve vërehet se meshkujt kanë kryer vetëvrasje tri herë më shumë se sa femrat, kjo për faktin se ata i zgjedhin edhe metodat më shumë vdekjeprurëse siç janë: varja në litar, vetëvrasje me armë zjarri, etj. Po sipas të dhënave të policisë bazuar në grupmosha, vërehet se vetëvrasje kanë kryer personat e grupmoshave prej 21-30 vjeç dhe 41-50 vjeç (moshë kur individi ballafaqohet direkt me jetën), ndërsa numri më i madh i personave të cilët kanë tentuar të vetëvriten i takon grupmoshës prej 21-30 vjeçare.
Faktorët e vetëvrasjeve
Ekzistojnë disa faktorë që i shtyjnë qytetarët e Kosovës të bëjnë vetëvrasje, që të atakojnë veten e tyre. Duke filluar nga aspekti ekonomik, gjendja e rendë ekonomike, sepse shumë njerëz kanë jetë të vështirë dhe zhyten në pesimizëm të thellë duke menduar se nuk kanë një të ardhme, se për ta çdo gjë është e keqe në Kosovë, dhe se nuk ia vlen për të jetuar.
Statistikat tregojnë se kemi një rritje enorme të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve pas luftës. Këtu duhet pasur parasysh traumat e qytetarëve të Kosovës të marra nga lufta, ku si pasojë kemi shumë njerëz me sëmundje mentale. Pra, një kategori njerëzish që kryejnë aktin e vetëvrasjes janë njerëz me sëmundje mentale, që nuk mund të kontrollojnë veprimet e tyre.
Kur jemi te vetëvrasjet pas luftës, një faktor që ka ndikuar në vetëvrasje, është ndryshimi i rrethanave shoqërore dhe raporteve shoqërore, sepse kemi një individualizim shumë të theksuar i cili ndikon në zbehjen apo shthurjen e raporteve farefisnore apo shoqërore. Ndërsa raportet po ndërtohen vetëm në bazë të interesit reciprok. Shikuar në aspektin sociologjik raportet shoqërore kanë një rëndësi të madhe në kryerjen e aktit të vetëvrasjes, përkatësisht parandalimin.
Në këtë kontekst duhet përmendur se vetëvrasja është në proporcion të zhdrejtë me inkuadrimin e individit në shoqëri. Ndërsa, dinamizmi i jetës, që ka karakteristikë individualizimin ka për pasojë mungesën e përkrahjes shoqërore. Pra, një njeri nëse është marrë me veprimtari biznesi apo veprimtari tjera dhe kësaj veprimtarie i ka kushtuar një rendësi të madhe, që si rezultat ka pasur zbehjen e raporteve shoqërore, kjo mund të shihet si rrezik, sepse në rast të dështimit të tij, ai nuk do të ketë përkrahje sociale apo emocionale dhe ky person i zhytur në stres me një gjendje të rëndë shpirtërore, pa përkrahjen e shoqërisë nuk do të mundë ta përballojë situatën në të cilën ndodhet dhe e sheh si zgjidhje të vetme vetëvrasjen.
Faktorët e përgjithshëm
Faktorë tjetër (pa hyrë në detaje) që shkaktojnë vetëvrasjet janë humbja e të afërmve, borxhet, konfliktet familjare, presionet e ndryshme, etj. Ndërsa, faktorë të përgjithshëm janë edhe humbja e anëtarëve të familjes në luftë, aksident apo forma tjera, sepse te personat përkatës shkaktohet një gjendje e papërballueshme emocionale dhe këta persona nuk shohin arsye që të jetojnë pa personin që e kanë humbur. Gjithashtu ndikim në kryerjen e aktit të vetëvrasjes ka edhe ndarja nga lidhjet e dashurisë apo shkurorëzimet. Prishja nga këto lidhje te njeri person shkakton gjendje të rendë shpirtërore, të papërballueshme dhe me perceptimin se nuk mund ta vazhdojë jetën i vetëm pa personin përkatës.
Një faktor tjetër që i shtyn njerëzit në Kosovë që të bëjnë vetëvrasje është ndjenja e turpit. Kjo ndodh në situata të ndryshme p.sh. sjelljet “amorale” nga anëtarët e familjes ndikojnë që ai të kalojë në një krizë të madhe shpirtërore dhe ndjen një turp të madh se çka mendojnë të tjerët për atë dhe nuk mund ta paramendojë të inkuadrohet përsëri në atë grup shoqëror që i ka takuar më parë, pra e percepton veten me një vetërespekt shumë të ulët. Personat në situata të tilla e shohin si të pamundur riinkuadrimin në shoqëri dhe zgjedh që t’i japë fund jetës. Ky rrezik i vetëvrasjeve mund të ndodh edhe tek adoleshentët, p.sh. shtatzënia e padëshiruar te vajzat adoleshente apo rrethana tjera që kanë të bëjnë me ndjenjën e turpit.
Probabilitet të madh që bëjnë vetëvrasje janë edhe njerëzit të cilët kanë përdorur drogë, dhe për pasojë kanë çrregullime shëndetësore përkatësisht mentale qoftë nga përdorimi i tepërt apo nga mungesa, dhe njerëzit e tillë zakonisht e përfundojnë jetën në mënyrë tragjike.
Parandalimi i vetëvrasjeve
Siç e cekëm edhe më lart vetëvrasja është në proporcion të zhdrejtë me inkuadrimin e individit në shoqëri. Kjo lë të kuptohet se një ndër mënyrat më të suksesshme për ta parandaluar aktin e vetëvrasjes është inkuadrimi i individit në shoqëri, përkatësisht komunikimi me ata persona, debatimi i problemeve të tyre, gjë që për personat që kanë krizë emocionale apo shpirtërore krijohet ndjenja së ai ka rëndësi për grupin apo rrethin shoqëror, të cilit i takon. Hap tjetër është që të shtohet kujdesi ndaj personave që kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje që të bisedojnë më shumë me ata persona apo të shtohet vëmendje dhe kujdesi ndaj personave që kanë ndryshuar shumë në veprimet e tyre si në mosinteresimin e për aktivitetet që janë marrë më parë.
Mundësi tjetër për ta parandaluar vetëvrasjet është që njerëzit që kanë krizë shpirtërore të stimulohen që të lidhen më shumë me religjionin, ku ata njerëz mund të gjenin qetësi shpirtërore dhe në anën tjetër do ta kuptonin së vetëvrasja është e dënueshme dhe nga religjioni. Gjithashtu, institucionet e vendit duhet të marrin masa për ta parandaluar këtë fenomen, të analizojnë faktorët në mënyrë të thuktë sidomos në rajonet ku ky fenomen është më shumë i pranishëm dhe të organizohen debate të ndryshme në mënyrë që të informohet opinioni për pasojat që shkaktojnë vetëvrasjet.