Nga Ksenofon Krisafi*
Pesë vjet më parë doli në qarkullim një libër, në ballinën e të cilit ishte një foto shumë e bukur e kështjellës unikale të Gjirokastrës, e shkrepur nga e ashtuquajtura “Qafa e Pazarit”. Një e katërta e saj zihet nga fotoja e një burri rreth të 60-ve. Poshtë tij shkruhet titulli “Njeriu, libràri e gàzet fisnike” dhe në krye – “Alizot Emiri”. Ky është kompozimi interesant i ballinës së librit që i kushtohet një personaliteti shumë të njohur, që, së paku për gati gjysmë shekulli, shërbeu si një ndër logot e gjalla të qytetit shumë të bukur të Gjirokastrës, Alizot Emirit, babait të miqve dhe shokëve të mi të shkollës, njëri prej të cilëve, Shpëtimi, është njëkohësisht bashkautori kryesor i tij. Kushdo që pati rastin ta merrte në dorë, veçanërisht gjirokastritët ose ata që e kishin njohur Alizotin, u mbushën me frymë freskie që buronte nga origjinaliteti, sinqeriteti, spontaniteti, bukuria dhe mençuria njerëzore e pasqyruar në disa dhjetëra episode që përbëjnë përmbajtjen e tij. Një pjesë “u shqye gazit”, kur duke u kthyer pas në kohë, gjeti copëza nga jeta e dikurshme në qytetin e çuditshëm dhe të pashembullt të Gjirokastrës. Shumë të tjerë, jo gjirokastritë, pasi bënë “stërvitjen” e nevojshme për mësimin e të folmes gjirokastrite, e përdorur gjerësisht në libër nga autorët, kuptuan dhe shijuan historitë e veçanta të këtij qyteti dhe të njerëzve të tij të mirë.
Libri i parë, që “u përpi” nga lexuesit, u “kritikua” sepse kishte “deficite” të shumta nga portreti i plotë i të zotit të tij, Alizot Emirit, filozofit, sociologut, eruditit, historianit, gjuhëtarit, shakaxhiut gjithë thumba miqësorë, njeriut “emblemë të një lloji të veçantë”, siç e cilëson me të drejtë Pëllumb Kulla. Kishin mbetur jashtë tij episode perla, që njerëzit e Gjirokastrës të atyre viteve, i kujtojnë gjithmonë. Prandaj Shpëtimi, miku im i fëmijërisë, që deri para pak vitesh njihej vetëm si inxhinier ndërtimi i talentuar, iu përvesh punës për të plotësuar ç’të mundej, duke gjetur rastin të zbulonte edhe një dhunti tjetër, talentin e shkrimtarit, tregimtarit, eseistit, historianit dhe u prezantua gjithashtu edhe si “i biri i babait”, shakaxhi hokatar. Ai solli librin e dytë të botimit “Alizot Emiri – Njeriu, libràri e gàzet fisnike”, i cili mbush një pjesë të boshllëkut të të parit për historitë, ndodhitë, jetën e gjirokastritëve të kohës së etërve tanë, materialisht të varfër e të mjeruar, por shpirtërisht të bukur, të pasur e të pastër. Ky libër sjell risi të tjera dhe të shumta. Nëpërmjet gjykimeve të gjirokastritëve dhe personaliteteve të kulturës, artit dhe jetës shoqërore në vend, që e kanë njohur, plotësohet portreti i Alizot Emirit, librarit kryesor të qytetit. Ai përkufizohet prej tyre si njeriu enciklopedi, patriot i ndershëm, iluminist, me takt pedagogu, që kishte nderim dhe dashuri për librin, njeri i dashur e hokatar, me humor të hollë e shpotitës, që i buronte së brendshmi, ironik, disa herë edhe i hidhur, por gjithsesi i qeshur dhe fin, njeri i respektuar dhe personazh i veçantë i jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, mendjekthjellët e zemërmadh, me një inteligjencë të rrallë etj.
Autori ka folur me admirim sublim dhe dashuri të përligjur për atin e vet, por edhe me kujdes të skajshëm, për të mbetur brenda hapësirave të modestisë së duhur. Libri nuk është vetëm i Alizotit dhe vetëm për të. Nëpërmjet shtjellimit të jetës së tij, historive, humorit, shakave të përhershme, ai ka bërë një historik sui generis të Gjirokastrës, qytetit tonë të dashur, duke e treguar atë nga një prizëm tjetër, i veçantë dhe shumë interesant. E bën historinë e saj nisur nga perceptimet, ndjesitë dhe përjetimet e një njeriu që ndodhej në qendër të qytetit, por edhe në qendër të vëmendjes së një pjese të njerëzve të tij dhe të tjerëve që takoheshin e bisedonin me të.
Në të dy librat gumëzhin e zhurmon fuqishëm jeta e kuptimtë e një qyteti hijerëndë, ndërtuar mbi masivin e gurtë në gjithë gjerësinë e një faqeje mali, me rrugë guri, mure guri, çati guri, ujësjellës guri, stera guri, ornamente guri dhe skulptura guri. Aty gjendet kronika e gurtë e jetës ekonomike, politike, sociale, kulturore, artistike, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja, e një qyteti me shkëlqimin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe me zymtësinë e natyrshme të kohës, me arritjet dhe dështimet, me njerëzit e vet të mirë, të ditur, të mençur, të matur e punëtorë, me heronjtë, por edhe me aventurierët dhe delenxhinjtë, me humorin, gazin, gëzimet, por edhe me fatkeqësitë, vuajtjet, mundimet e dhimbjet, me krijimet brilante në art, arkitekturë, urbanistikë, zhvillim ekonomik etj., me urimet dhe kënaqësitë që sillnin, si dhe me shpotitë dhe sajimet e çastit.
Libri është gjithashtu një lloj enciklopedie e koncentruar, “e stampuar” në humor e shaka, e një qyteti karakteristik, e Gjirokastrës dhe e njerëzve të saj, të hapur e miqësorë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj mikut, por të ftohtë dhe armiqësorë ndaj tmerrit të politikës së kohës. Ata i qëndronin asaj mënjanë, me një distancë të kujdesshme për t’i shpëtuar “shtatë penxhereve”, burgut në majë të kalasë.
Shpëtim Emiri sjell në libër një epokë të tërë, në të gjitha dimensionet, epokë që është ngurtësuar në memorien e disa brezave. Për faktet dhe të dhënat e shumta si dhe për vlerat që ka, ai duket si një dokument i pakontestueshëm, që nuk ka nevojë për mbështetje burimore dokumentare, arkivore a bibliografike. Atë ia japin pa kursim njerëzit e shumtë që flasin thjesht, bukur, qartë, “pa doreza”, për atë që ka ndodhur vite të shkuara, që kanë parë e përjetuar në “botën” e tyre, brenda hapësirave të qytetit prej guri, ia japin natyrisht edhe analizat dhe vlerësimet e gjithanshme të autorit.
Ai ngjan me një skenë lëvizëse ku populli vital i një qyteti të magjishëm, njerëzit e Gjirokastrës fisnike, punojnë, rropaten, mundohen, përpiqen, por edhe takohen, argëtohen, shijojnë jetën, këndojnë e kërcejnë, shfaqin dhuntitë dhe krijimet e tyre, ecin e vrapojnë, gremisen e ngrihen, hanë e pinë, lindin e vdesin.
Libri “Alizot Emiri – Njeriu, libràri e gàzet fisnike” është gjithashtu një studim me tipare historike, sociologjike e filozofike. Ngjarjet e përshkruara, meditimet dhe esetë, të përshkuara nga gjykimet e thella të autorit, rrjedhin natyrshëm, përmes një gjuhe të thjeshtë, të kuptueshme, të pasur, të përpunuar me skrupulozitet. Kur është rasti, ai përdor edhe të folmen karakteristike gjirokastrite, që tingëllon veçanërisht e bukur për gjirokastritët. Shkruan me një stil të zhdërvjellët, interesant, tërheqës që ia ka shumëfishuar së tepërmi vlerat, duke e shndërruar gati-gati në një vepër artistike, në të cilën autori zhvendoset nga arti i zakonshëm te analizat sociologjike e filozofike, në gjykimet rreth zhvillimeve e realiteteve dhe në vlerësimet që karakterizojnë epokën.
Libri i shokut dhe mikut tim, Shpëtimit, është një himn për qytetarinë dhe fisnikërinë gjirokastrite, që i shtohet botimeve të jo pak autorëve të tjerë, të cilët kanë shkruar për të gjithashtu me dashuri të pafundme.
*Autori është dekan i Fakultetit Juridik në UET
No comments:
Post a Comment