Nga Prof.Dr.Eshref Ymeri
I dashur Flori,
Në faqen internetike VOAL, të datës 19 shtator, me moderatorë dy publicistë me emër të kombit shqiptar - Elida dhe Skënder Buçpapaj - lexova poezinë e zotërisë Dritero Agolli, me titull: "Sikur s'jetoj në vendin tim".
Kjo poezi, të cilën besoj se e keni lexuar, përbëhet prej pesë strofash. Po ju citoj vetëm strofën e fundit:
I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz,
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish,
Më bën të qaj si nxënës prapa derës.
Poezia është mjaft prekëse dhe dëshmon për një zhgënjim tepër të madh të zotërisë Dritëro Agolli në këtë moshë të nderuar.
Por në këtë mes nuk ka asgjë për t'u habitur. Të gjithë e dimë që rezultati i "veprës së ndritur" të Enver Hoxhës u duk qartë gjatë viteve '80 të shekullit që kaloi.
Për pasojë, të gjithë shqiptarët ai i bëri të huaj në vendin e vet, prandaj edhe eksodi i fillimit të viteve '90 ishte i përmasave biblike. Pasardhësit e tij që janë në pushtet, po ndjekin me besnikëri veprën e Enver Hoxhës: vetëm që nga fillimi i vitit 2015, vendin e kanë braktisur mbi 150 mijë veta.
Zotëria Dritëro bën mirë që shkruan një poezi të tillë, por do të bënte më mirë sikur atyre që kanë shpallur të ashtuquajturën "Rilindje të Shqipërisë", t'u drejtohej me një Përkujtesë të posaçme dhe t'u kujtonte se popullit shqiptar po i bëjnë gjëmën, po e kthejnë në mercenar në pazarin e shitblerjes së votës, duke e bërë argat të drogës. Këto janë rezultatet e politikës majtise në Shqipëri.
Dihet që djathtizmi tradicional në Shqipëri nuk ekziston, se atë Enver Hoxha e zhduku me rrënjë e me degë. Kurse majtizmi ka për mision vetëm varfërimin e popullit shqiptar.
Domosdo, varfëria është aleati më i ngushtë i pushtetit majtist.
Prof.Dr.Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
21 shtator 2016
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Nga Dritero Agolli
Sikur S’jetoj në Vendin Tim
Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim
Po në një vend të huaj dhe të largët
Në një qyetet me buba dhe me minj
Mes mureve të rrjepur dhe të lagët.
Çuditem pse kështu më duket shpesh
Kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm
Helmohemi ato çaste me njëri-tjetrin
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin
Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet
I huaj jam në vendin tim mjerisht
Dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz
Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.
https://www.voal.ch/sikur-sjetoj-ne-vendin-tim-nga-dritero-agolli/
Nga Prof.Dr.Vedat Shehu
Nga Prof.Dr.Vedat Shehu
Ju lumtë Profesor Ymeri.
Ne brezi i Driteroit dhe shumë individeve të ndritur në fusha të veçanta Enver Hoxha na la pa Atdhe.Ne si brez vajtëm demë. Mëgjithatë kemi besimin se Kombi ynë vital do të Rilind më një shkelqim të ri, mbi gërmadhat e shkatrrimit nga themelet që i bëri, jo komunizmi, por aventurieri sadist Enver Hoxha, shokë-ngrenës.
Me respekt
Prof.Dr.Vedat Shehu
______________________________
Nga Prof.Dr.Eshref Ymeri
I dashur Profesor Vedati,
Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj. Fjalët tuaja "megjithatë, kemi besim se Kombi ynë vital do të rilindë me një shkëlqim të ri", unë i vlerësoj si fjalë profetike. Këto fjalë më sjellin ndër mend një artikull të gazetës franceze "La Croix", me titull "Shqipëria është më e lashtë se vetë Evropa", të botuar më 19 dhjetor 1912 dhe të ribotuar në faqen e internetit "Koha.net", 25 maj 2015.
Me shumë respekt dhe mirënjohje.
Prof.Dr.Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
21 shtator 2016
No comments:
Post a Comment