Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në një material me titull:
“Gjermani kërcënon: Du ju heqim statusin e vendit kandidat”.
Materiali ishte botuar në faqen e internetit të gazetës “Mapo” të datës 29 qershor 2016.
Menjëherë më bëri përshtypje shprehja në fillim të titullit “Gjermani kërcënon”, sepse ajo i kall drithërimën lexuesit se i kujton vitet e Luftës II Botërore, kur Hitleri gjithandej kërcënonte vendet e Evropës Perëndimore për t’i pushtuar
Por më e çuditshmja është se në vend të shprehjes “Do t’ju heqim statusin…”, është shkruar “Du ju heqim statusin…”. Kjo është e turpshme për një gazetë që e mban veten për serioze në raport me lexuesit e saj. Është e pahijshme për pronarin e gazetës, për kryeredaktorin, për redaktorin dhe për korrektorin, nëse një i tillë figuron ose jo si i punësuar në redaksinë e saj. Kjo është një mungesë e theksuar respekti për lexuesit dhe një shëmtim flagrant i gjuhës shqipe.
Në intervistën që i është marrë Kryetarit të Komisionit për Çështjet Evropiane në Bundestag, zotërisë Krichbaum, nuk thuhet absolutisht se kush është intervistuesi dhe kush është përkthyesi i kësaj interviste. Kjo duhet bërë e ditur, në mënyrë që lexuesit ta mësojnë se përkthyesi na paska qenë një copë injoranti që ka turpëruar faqen e gazetës “Mapo”. Por edhe nëse përkthimi ështe bërë përmes “Google”, situata bëhet edhe më e rëndë: kryeredaktori dhe redaktori e paskan marrë intervistën drejtpërdrejt nga përkthimi dhe, sikur të kishin të bënin me ndonjë bagazh hesapi, e paskan rrasur në faqet e gazetës, pa kurrfarë kontrolli.
Në përgjigjet që ka dhënë zotëria i nderuar Krichbaum, hasen mjaft fjali të shëmtuara, të cilat lexuesin e revoltojnë dhe e mbushin me maraz. Po citoj vetëm disa prej tyre:
Nese nuk gjendet kompromis reforma nuk do i jape drejtesine te pavaruar.
Kjo eshte e qarte per peicesurat e perzgjedhjes per keshillat e larte…
Ne ju mbeshtesim ne te gjitha ceshtjet, ne jete kuader moret statusin kandidat.
Zbatimit i ligjeve qe te vijne investitire dhe shqiperia te behet e besueshme.
Por, për çudi, po këtë titull të shëmtuar të intervistës në fjalë, e kanë të botuar edhe tri faqe interneti: “Piruni Media”, “Opinion”, “Opozita.Com”.
Vetvetiu lind pyetja:
Si është e mundur të lejohet botimi i një shëmtire të tillë në faqet e një gazete të njohur dhe të fyhet deri në këtë shkallë gjuha shqipe, të cilën e kemi pasuri me vlera të jashtëzakonshme kombëtare?
Botimi i kësaj shëmtire e ka burimin te tallja e politikës shqiptare me këtë pasuri kombëtare. Me sa kam informacion, në sirtarët e Kuvendit ka zënë myk Projektligji për Gjuhën Shqipe, i cili ka dhjetë vjet që prehet atje. Dhe kryetarët e Kuvendit, që hipin e zbresin nga kolltuku, nuk e kanë çarë kokën absolutisht ta shtrojnë për diskutim dhe ta kthejnë në ligj me kërkesa të rrepta për mbrojtjen e pastërtisë së gjuhës shqipe dhe të normave të saj si gjuhë e njësuar. Hesht Qendra e Studimeve Albanologjike, hesht Akademia e Shkencave për moskalimin në Kuvend të këtij Projektligji, heshtin profesorët, të cilët janë specialistë të gjuhës shqipe dhe atë e kanë lëndë mësimi për studentët në universitet. Heshtin politikanët-deputetë për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndotje të tilla flagrante, se jo pak syresh e bëjnë pis me fjalë të huaja, krejtësisht të panevojshme.
Gazeta “Mapo” duhet t’u kërkojë ndjesë publike lexuesve të saj pë fyerjen e rëndë që i ka bërë gjuhës shqipe me botimin e kësaj interviste me një leksik të përçudnuar.