2016-09-22

Cikël poetik nga Skënder Zogaj



Skënder Zogaj lindi më 23.01.1950 në katundin Lladroc të komunës së Malishevës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka mbaruar në Prizren, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë.
Punën e ka nisur si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën tetëvjeçare të Carrallukës dhe në gjimnazin “Naim Frashëri” të Malishevës (1972-1974). Në shtator të vitit 1974 kalon në Prishtinë dhe i përkushtohet gazetarisë: redaktor përgjegjës në gazetën e studentëve “Bota e re” (1974-1978); gazetar e redaktor në gazetën “Rilindja” në Prishtinë dhe në Tiranë (1987-1997).
Skënder Zogaj është ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe bartës i shumë detyrave me përgjegjësi të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror: Themelues i Degës së Parë të LDK-së në Kosovë ( Degës së LDK-së në Fushë Kosovë) dhe kryetari i parë i saj (1990-93), përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë (1993-1995). Në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike në Kosovën e pasluftës, që mbahen në vitin 2000, për dy mandate radhazi u zgjodh kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), e pastaj Këshilltar Politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Prishtinë (2008-2010).
Krahas gazetarisë dhe angazhimeve politike, intensivisht është marrë edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka të botuara librat:
“Zogu i ekspozitës” – poezi për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1983
“Merrmë vëlla përdore” – vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994
“Ora e qoftëlargut” – poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë 1996
“Adresa e dallëndyshes”- vjersha për fëmijë, botoi “Eurorilindja”, 1999.
“ Jusuf Uka Bregu” – monografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004.
“Mali i tejdukshëm” – poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005.
“Puthjet e puhisë” – vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007.
“Lacrima durerii” (Loti i dhembjes), poezi në gjuhën rumune,”Albanezul”, Bukuresht, 2011.
Krijimet poetike të Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë botërore, dhe është përfshirë në 18 antologji të poezisë bashkëkohore shqipe.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë.




EKLIPSI

Përsëri në shpatull të dashit
hëna e përgjakur
dhe Gjeli me drapër në qafë
në gosti zvarranikësh...

Lavjerrësi lëviz me mëri
Nëpër hieroglife.

Nofulla profane
Në boshllëkun e relikteve
Shqyen mish dallëndyshesh.

Të kalbur akrepat e orës
Sillen mbrapsht
Na vraftë Zoti!
U bëmë gazi i kërmijve.


ASGJËSIMI I SHPIRTIT

Më zuri nata
duke i numëruar yjet,
këta çiliminj të uritur
të moshës sime -
dymijë vjet drite në pritje
nën degët e ullirit
të pikëlluar...

Në forcën e syve
është skamja e fjalëve
që s’kanë ku ta zbrazin vrerin.

Të mjerët ne,
u mbushëm me zbrazëti formash
e trajtash të çrregullta
dyshimi e makthi.

Pluhuri i verdhë nga qepallat
frekuenton harkun e tehut të thikës
në drejtim të syve.

Zogjtë të uritur bien në gjumë
në gojë zvarranikësh
duke mallkuar
në emër t’atit e t’birit e t’shpirtit
të djallit.


PENGU I VARREVE

Po lëvizin gurët e varreve,
frymën e kohës së keqe
e nxjerrin përjashta
palcës.

Të vdekurit flasin
për orën
të kurdisur mbrapsht
brenda zemrës.

Vetulla e thinjur e Kosovës
bisht sorre
mbi varre dëshmorësh anonimë.


EROZIONI

Gjithçka në rrëshqitje
brenda nesh bërlyket thiu i egër
dhe s’gjendet i’ djalë s’ame
me na e nxjerrë nga gjaku
t’birin e kurvës.

O Zot,
sa larg nesh qëndron ti
dhe na shikon me habi -
nën këmbë -
si na tkurret toka,
mbi kokë -
si na nxihet qielli.

Oi, oi, oi...!


REFUZIMI

Ika se po më zihej fryma
prej gomarësh jeshilë.

O Zot, ç’groteskë e ndyrë!
Nga palljet në erë
Toka kundërmon erëbajgë.

Mbajeni vath në vesh!

Janë të farës së magjupit,
që kur u bë mbret
vrau babën e vet.


POROSIA

Në kurorën e lules
koka e gjarprit
ligjëron për mëkatet
e pjalmit...

Nuk është mirë
kaq pamëshirshëm
ta vrasim vetveten.

Hija e trupit
aq e heshtur e gazmore
rreth qafës
po na e ngushton lakun.

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...