Dhe me në fund nuk vura në dijeni shokët për fillimin e mbarimin e keq të këtij materiali?
Që unë merrem me përpunimin e një materiali që u ngritën në Pleniumin e 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Hysni ka qenë në dijeni si nga unë ashtu dhe nga aparati ushtarak i Komitetit Qëndror, sigurisht në formë të përgjithëshme pa asnjë hollësi, ndërsa shoku Enver dhe Mehmet nuk janë në dijeni, sepse kam menduar që t’ua dorëzoj materialin e gatshëm, si bëra me materialin e katërt, kjo është një shkelje e rëndë e rregullave, që në rastin konkret unë duhet ta shtroja problemin me shokët dhe të merrja autorizim për ta përpunuar apo jo një material të tillë. Po të kisha ndjekur këtë rrugë, sigurisht që edhe konceptet e mija të gabuara, do të ishin kapur dhe goditur me kohë. Pse nuk e kam bërë unë këtë gjë?
Unë këtë gjë nuk e kam bërë pse kam menduar se po përpunoj një temë i bazuar në mësimet e vijën e Partisë dhe se ky material mbasi të mbarohej, do t’u paraqitej për aprovim shokëve. Ndërsa për anullimin e tij nuk është në dijeni asnjë nga shokët, nga ana ime, pa folur për Petritin e Hiton. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur se unë këtë çështje e kam parë dhe trajtuar me sy liberali, pa u shqetësuar që të rrëmoj e shof shkaqet që më kanë çuar në këto gabime dhe faje.
Dua të theksoj se problemi kryesor që kam synuar të trajtoj në këtë material ka qenë formacioni i luftimit, d.m.th. zënia e mbulimit të brezit të parë në drejtime kryesore me forca art-mitraliere me fuqi të madhe zjarri dhe të siguruara me fortifikim të gjerë xhenier, ndërsa për aktivitetin në formën që përshkruhet nuk kam qenë entuziast dhe atë unë do e korigjoja në materialin e përfunduar. Në materialin e katërt këtyre problemeve unë u dhashë rrugën që dihet, d.m.th. forcat art-mitraliere janë në skalon të parë dhe forcat e këmbsorisë në skalon të dytë dhe aktiviteti është në përputhje me tezat. Pavarësisht nga ky qëndrim i imi ndaj këtyre materialeve që vijnë në kundërshtim me tezat dhe qëndrim i padenjë si komunist para Partisë, është qëndrim negativ dhe liberal ndaj gabimeve dhe fajeve të cilat duhet t’i zbulosh me kurajo dhe t’i dënosh e luftosh me rreptësi.
Tamam se nuk i kam pastruar pluhrat ditë për ditë ashtu siç na mëson Partia e shoku Enver, në kokën time kanë zënë vënd koncepte dhe botëkuptime të huaja borgjeze-revizioniste që më çuan në këto gabime dhe faje. Pra mbyllja e materialit të tretë në mënyrë të thjeshtë pa ndërrmarë një sulm të rreptë politik-ideologjik për çrrënjosjen e këtyre koncepteve, nuk e eksludon faktin që në të ardhmen këto materiale të përdoreshin nga unë spese plagës nuk i ishte vënë gishti, bota ime e brendëshme kishte mbetur e sëmurë.
Balluku: Kam cënuar unitetin Enver-Mehmet
Shtrimi dhe trajtimi i problemeve në materialin e tretë duke mbështetur për argumentim bazimin e tezave të tij të shtrembëra në mënyrë të gabuar e tendencioze, në fjalimin e shokut Enver, që theksoi se ai është një fjalim që afirmon dhe pasuron më tej tezat, në mënyrë të paevitueshme të çon në kundërvënie dhe në cënim të unitetit në byro në mes shokut Enver dhe Mehmet, këtë gjë nuk e reflekton vetëm libri i citateve që ka shoqëruar materialin, por tërë fryma e tij, që duke përdorur në mënyrë të gabuar shokun Enver dhe Mehmet, materiali të merrte peshë dhe të bazohej.
Pavarësisht se në materialin e tretë ka probleme dhe inisiativa që nuk janë të mijat, kjo nuk ka rëndësi, përgjegjës për të gjitha jam unë. Përpunimi i këtij materiali është përshkuar nga fillimi e deri në fund nga metoda të huaja dhe të gabuara si mënjanimi i shokëve dhe aparateve, kjo ka ndodhur për dy arsye: së pari, unë duke u prirë nga mendimi se Petriti e përqafon me vështirësi të renë, kam qenë i bindur se ai nuk kontribuon në hartimin e këtij materiali që unë e konsideroja të drejtë, përveç kësaj unë kam menduar se përgjithësisht Petriti, nuk u futet studimit të problemeve thellë e me durim, dhe së dyti, faktori që përbën thelbin e problemit qëndron në faktin se unë duke qenë nën ndikimin e koncepteve të huaja më ka pushtuar ndjenja e mëndjemadhësisë dhe arrivizmit, se ja këtë përpunim shkencor, këtë temë siç e quaja unë, për zbërthimin e pasurimin e temave, grupi i punës e bëri nën drejtimin tim.
Por nga sa vura në dukje me lart, po theksoj prapë se edhe vetem revizionimi i parimeve të temës së parë të mbrojtjes, të çon në mënyrë të paevitueshme në prekjen e tërë tezave dhe në krijimin e një platforme të re, në rastin konkret antimarksiste dhe me pasoja të rënda për mbrojtjen tonë, llogjika e shëndoshë këtu të çon.
Në proçesin e këtij materiali sedra ime është prekur veçanërisht nga kundërshtimet e shokëve, por këtë çështje unë e kam quajtur normale dhe se në proçesin e punës diferencat do të rrafshohen.
Arsyeja e parë e largimit tim nga posti i ministrit është bërë për shkak të marrëdhënieve jo të mira në mes meje dhe Petritit, sidomos pas vitit 1966 kur çështja jonë u shtrua dy herë rradhazi në Byronë Politike për fajin tim. Mua kurdoherë më ka shqetësuar fakti se Petriti ndaj meje nuk është kurdoherë i hapët, ai akumulon dhe se qënien time përgjegjës mbi veten e tij nuk e tres, ai kërkon kompetenca të pakufizuara, d.m.th, fushëveprimi të gjërë, jashtë caqeve dhe kufijve të Shtatmadhorisë, unë disa herë i kam thënë që është mirë që t’i të propozosh që të dalësh zëvëndësministër i lirë dhe të marrësh nën drejtim sektorë që kam unë në lidhje, ai këtë nuk e ka pranuar. Por pas shtrimit të çështjes në Byro, shoku Petrit dhe Hito, përpunuan skemën e re, ku të gjitha armët dhe shërbimet u përqëndruan në Shtatmadhori. Unë atëhere me këtë skemë u shfaqa dakort. Kuptohet se në bazë të kësaj i gjithë aktiviteti i ministrisë u përqëndrua në Shtatmadhori dhe se edhe organet e tjera që mbetën jashtë saj, tërë aktivitetin e tyre duhet ta ndërtonin në harmoni me këtë organ, mbi bazën e kësaj metode pune, unë si ministër shpesh për shumë probleme të rëndësishme, isha i painformuar dhe në pamundësi që të ndihmoj e ngrej probleme para shokëve, këtë vërejtje ja kam bërë shpesh Petritit që ta vëj në vënd në kontaktet me mua.
Balluku: Dy herë të kërkova dorheqjen si ministër
Unë duke vërejtur difektet e kësaj strukture si dhe predispozicionin e shokëve, sidomos pas mbledhjes së Byrosë që Petriti të ngarkohet më shumë, dhe kritikat e vërejtjet në adresë time kalimin në strukturën e parë, e bëra duke kërkuar largimin tim dy herë rradhazi nga posti i Ministrit dhe ngritjen e Petritit, sepse kam menduar se qënia e tij në këtë post është më adapte se sa Shef i Shtatmadhorisë dhe në vëndin e tij të shkonte një shok i ri dhe me perspektivë, unë tashi shof se kjo çështje është ndoshta e parë, ndërsa motivimi që bëja unë në atë kohë, se këtë motivim e bëj për çështje shëndetësore, është jo i pari, por i fundit, këtë problem unë nuk e kam shtruar direkt sepse si i lidhur me mua, ky është gabim. Duke kërkuar largimin tim nga posti i Ministrit e them sinqerisht se nuk e kam menduar kurrë që të largohet Petriti, megjithë dualitetin që ka ekzistuar në mes nesh e të mbetem unë.
Unë e kam menduar e jam shqetësuar kurdoherë nëse po e kryej detyrën, sepse shëndeti më ka penguar që të ndjek në praktikë stërvitjet e detyrat e ushtrisë në stina të ndryshme të vitit e veçanërisht ato me karakter fushor.
Megjithë pikëpamjet e kritikat që i kam bërë Petritit, unë nuk kam mohuar kurrë aftësitë e tij, eksperiencën e stazhin e gjatë në ushtri, pra duke bërë këtë propozim unë kam bërë me ndërgjegjie të plotë se si për moshën, gjëndjen e tij shëndetësore dhe stazhin e gjatë në Shtatmadhori, ai është adapt për postin e Ministrit. Për sa i përket sektorit të punës ku mund të punoja unë, i kam thënë shokut Hysni se unë jam i gatshëm që të mendoj Partia, por personalisht kam menduar se mund të shërbej në aparatin e Kryeministrisë ku mund të merresha me sektorin ushtarak MCR, sigurisht mendoja se në këtë rast ky sektor mund të riorganizohej e plotësohej për të përballuar drejtimin e punës dhe përgatitjen e organeve shtetërore.
Në përfundim të kësaj letre unë i drejtohem Partisë dhe shokut Enver me ndjenjën e ndërgjegjie e plotë e të pendesës, për gabimet e fajet e rënda që kam bërë, i bindur plotësisht për drejtësinë e masave ndëshkimore të marra ndaj meje, dhe i lutem asaj nxehtësisht të më fali për dëmet që i kam sjellë.
Partia dhe shoku Enver qysh në moshën 24 vjecare më dhanë dorën, më edukuan dhe më udhëhoqën në luftën fisnike për çlirimin, ndërtimin dhe mbrojtjen e atdheut tonë socialist, dhe sot e gjithë moshën time të pjekur dhe stazhin e gjatë në gjirin e Partisë, unë rashë viktimë e presionit të ideologjisë borgjeze-revizioiniste, dhe në këtë moment tragjik të jetës sime ajo bëri të gjitha përpjekjet për të më korigjuar nga kjo sëmundje e rendë, ky qëllim nuk u arrit për fajin tim.
Balluku: I kam kuptuar gabimet, ju lutem më falni
Megjithse unë tani nuk kam asnjë të drejtë morale t’i bëj Partisë edhe kërkesën më të vogël, por megjithatë po i drejtohem me lutje zëmrës së madhe të kësaj nëne fisnike, që të më fali për gabimet dhe fajet e rënda që kam bërë, dhe të mos më rreshtoj në rradhët e armiqve të saj, por të më konsideroj si ish birin që ka gabuar rëndë dhe që kërkon dorën e fuqishme të saj, për të dalë nga bataku i urryer i botës borgjezo-revizioniste dhe të eci deri në fundin e jetës sime me kauzën e saj si patriot.
Unë i lutem nxehtësisht Partisë që këtë pjesë të shkurtër të jetës sime ta kaloj me qëllim në jetë, për këtë arsye të më japi mundësinë që atë ta kaloj në gjirin e shoqërisë tonë socialiste, me dëshirën e gatishmërisë së zjarrtë që edhe unë të jap një kontribut të vogël në betejën për ndërtimin socialist të vëndit kudo që të shikohet e arsyeshme. Bile megjithë moshën dhe gjëndjen shëndetësore jam i gatshëm edhe në punë krahu me qëllim që edhe këtë pjesë të jetës ta ngrys jo në anën tjetër të barrikadës, por në anën e Partisë dhe të popullit, sepse nga interesat dhe kauza e tyre, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë motiv që të më ndaloj, unë nga rrëzimi dhe paralizimi i ideologjisë së huaj dua të ngrihem të mos qëndroj në llumin e saj, por të eci përpara si qytetar i thjeshtë e patriot në rrugën e lavdishme që udhëhoqi Partia dhe shoku Enver, kjo është kërkesa ime e vetme në këtë moment tragjik të jetës sime. E siguroj Partinë dhe shokun Enver, se megjithë gabimet dhe fajet që kam bërë për shkaqet që shtjellova më lart të cilat i dënoj me ndërgjegjie të plotë, se në zemrën dhe në mëndjen time nuk është shuar dhe nuk do të shuhet kurrë dashuria ndaj Partisë dhe shokut Enver.
I lutem Partisë që të më japi mundësinë që të filloj jetën rishtazi, i lutem që me shpatën e saj të mprehtë të presi nga rrënjët pjesën e keqe të jetës sime, që të vete në varr jo si armiku i Partisë e popullit, por si qytetar i thjeshtë dhe patriot dhe që fëmijët e mi dhe tërë rrethi i im familjar që janë të lidhur si mishi me kockën me Partinë dhe që dënojnë me ashpërsi gabimet dhe fajet e mia, të ecin në rrugën e jetës si bij dhe bija të saj dhe jo si armiq klasor.
E përfundoj këtë letër me ndërgjegjie të tronditur dhe i penduar për gabimet dhe fajet që kam bërë, i bindur se dëmet që i kam sjellë Partisë nuk lahen as me jetën time, e cila është në dispozicioin të Partisë në çdo moment. Afirmoj solemnisht para Partisë dhe shokut Enver se me gjithë gabimet dhe fajet që kam bërë, në mëndjen dhe zëmrën time aktualisht jo vetëm që nuk është shuar, por në të kundërtën, është shtuar urrejtja kundër armiqëve imperialistë-revizionistë dhe besimi e vendosmëria për të luftuar e fituar kundër tyre, si në fushën politike, ideologjike dhe për t’i dërrmuar dhe asgjesuar në luftën e armatosur.
Rroftë Partia
Rroftë shoku Enver
Me respekt të thellë ndaj Partisë, K.Q dhe shokut Enver
Roskovec, më 18.9.1974
Ish-anëtari i Partisë
(Beqir Balluku)
SHENIMET E MEHMET SHEHUT TE LETRA E BEQIRIT
Sipas këtyre dokumenteve arkivore që disponojmë, pasi Enveri e ka parë dhe lexuar letrën, ja ka dërguar atë dhe Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Ramiz Alisë, Rita Markos dhe Haki Toskës. Kjo gjë konfirmohet edhe nga shënimi i shefit të kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, i cili në letrën përcjellëse ka shënuar: “Letra e Beqir Ballukut datë 18.9.1974, ku përpiqet të shpjegojë fajet e tij për punën armiqësore dhe kërkon që t’i jepet mundësia që të punojë si qytetar i thjeshtë në këto vitet e fundit të jetës së tij.
Kanë marrë dijeni shokët Enver, Mehmet, Hysni, Haki, Ramiz dhe Rita. (Haxhi Kroi)
Ndërsa nuk dihet, të paktën zyrtarisht se si kanë reaguar Hysniu, Ramizi, Hakiu dhe Rita Marko për letrën e Ballukut, Mehmet Shehu mbi atë letër ka bërë shumë shënime gati në cdo faqe të saj ku ka shkruar:
1. Demagogji, hipokrizi, llafollogji, frikë, mbrojtje e trashë. (Këto janë shkruar me shkrimin e Mehmetit në krye të letrës) 2. Si, pse? 3. Cilat koncepte? 4. Përciptësi apo punë armiqësore? 5. Nuk është punë armiqësore kjo? 6. Ku kërkoje të shkoje si arrivist? 7. Gënjen. Beqiri në aktiv (Qershor 1974), as që përmënd fare ekzistencën e materialit të fshehtë. 8. Përse ky tendeciozitet i Beqirit, frikacak në këtë rast. Ku ka qenë që i druhet këtij…?! 9. Ku doje të arrije. 10. Ç’na mbushe mëndjen, viktimë bie një i paditur dhe jo Beqir Balluku. 11. Po, në qoftë se ne e hamë sapunin për djathë?! Po Partia jonë këtë se ka bërë kurrë. 12.Po fajet e tjera, abuzimet me pozitën zyrtare, përfitimet nga pasuria e shtetit etj?
Për shokun Enver
Këto dy relacione i kanë bërë dy ish-zv/drejtorë politikë të ushtrisë që kanë punuar për një kohë të gjatë në Drejtorinë Politike.
Unë porosita Dilaverin t’i thërriste dhe të shpjegonin se si qëndron puna e literaturës revizioiniste sovjetike që është dërguar me shumicë në ushtri dhe përdorur për edukimin politik, ideologjik dhe ushtarak.
7.X.1974 Hysni Kapo
No comments:
Post a Comment