2014-07-07

Mesazhet feministe në vëllimin poetik “Post scriptum” - Tini Qerragjija

Foto

Tini Qerragjija percjell per tek lexuesit nepermjet Shtepise botuese "ADA" vellimin e saj poetik "POST SCRIPTUM" me nje parathenie nga Dr . Zejnepe Alili Rexhepi dhe nje ese te bukur nga Agron Shele qe se bashku me poezite interesante perbejne nje liber qe duhet lexuar.


Zejnepe Alili-Rexhepi


Nga Dr . Zejnepe Alili Rexhepi

Tini Qerragjija, e lindur dhe arsimuar në Shkodër, por që jeton dhe vepron në Itali, synon që të tërheqë opinionin letrar me vëllimin poetik “Post scriptum”, megjithëse përmbledhja e parë e saj, dukshëm në të, vihet re pasioni dhe lirizmi i theksuar mbi përkapjen dhe interpretimin e realitetit të ngjarjeve. Një poete, relativisht e re në krijimtarinë poetike, edhe pse botimi i këtij libri do të jetë shpalosje e një pasioni të fjetur..., diku që nga fëmijëria e saj, Tini Qeragjija përmes poezive vjen më ndryshe, ndoshta dhe nga poete tani më, të afirmuara.



Reflekset e perceptimi shoqëror

Poetja, manovron përmes vargut të thellë ideor, artistikisht të arrirë, në të cilin ndeshim arsyen mjaft origjinale: “Realiteti m’u rishfaq me peshën artizanale të çastit!”, pra unin e saj e prezanton ndryshe nga e përditshmja ngacmuese, me pritshmërinë e kritikës. Në poezitë e saj nuk shprehet haptazi dhe thjesht, rebelizmi dhe pezmatimi i padrejtësive që ajo ndien, qoftë si femër intelektuale, qoftë si qenie e nënqiellit shqiptar, ku ndihet parimi krijues, i plotësuar nga detajet periferike..., përderisa boshti jetësor kornizon atë të njohurën, konceptin universal të njohjes mbi femrën: “Në çdo vend që ta vësh gruan (femrën) ajo është një stoli e shoqërisë dhe një thesar për të gjithë”, Mark Tuen.



Librin “Post scriptum” e përbëjnë poezi të disa motiveve. Poezitë e fillimit i përshkon konflikti ndaj normave të pandryshueshme shoqërore, rutinës e monotisë të së përditshmes e të pandryshueshmes. Spikatet edhe ironia therrëse për trazimet dhe kaosin politik, që madje ka dorë, jo vetëm në zhbërjen e individit, por edhe në tërë fatin kombëtar e gjithënjerëzor. Në poezinë e parë “Curriculum Vitae”, si në një prolog vargëzohen mendimet: “E bindur për rolin themeltar të frymorëve,/trafikoja mundimet në ankandet primitive të kryqit,/ku gjykimet më mbanin lidhur pas formulash racionale të ideve/Aty…, ku hijet tundonin konçesionet kolektive/të kurmit…, përtej gramatikave qënie”. Janë këto imazhe të irnosura që të krijon poezia, për shoqërinë, moskokëçarëse për proceset!



Erotikë apo koshiencë e vlerave femërore

Preokupimi qendror i poetes është ruajtja e vlerave universale. Ajo i vë vetes për qëllim që të hedh shikimin PËRTEJ, jo gjithherë me gjuhë transparente, por mjeshtërisht të mbështjellë me figuracion..., mirëpo ky qëllim zbulohet si rezultat i rrethanave kohore e sociale, madje kur mirëfilli dihet, pozita e gruas, edhe në kohë të sotme. Një përfshirje të tillë ideore e gjejmë në poezinë “Nëna” (16): “Errësira përgjysmonte hijet kurrizdrapër/mbi linjat konvencionale të horizontit./Kometë porcelani përtej grazhdit nënë…”, ku vihet në pah monologu i brendshëm i gruas së guximshme - poete, pastaj shndërrohet në mesazh për botën e jashtme, thjesht një abstragim i jetës prej guaske, si një tharm i patjetërsueshëm për emancipimin e femrës.
Poezia “Grua” përmes vargjeve: “Ajo…/Shtrëngonte linjat/me tiparin e purpurtë/dantellë./E mavijosur/rrëshqiste mes bordurës/larvë./Përderisa,/skanonte shkakun “Ave”/thërriste:/Mallkuar skeletit qytetar!” (24) e shpalos gërshetimin e motiveve dhe interpretimin e ndjeshmërisë përmes fjalës së duhur, e cila shpreh mendimin e konsoliduar të poetes, koshiente për rrugën që duhet ndjekur. Ajo e njeh fuqinë e fjalës dhe përgjegjësinë e misionit edukues përmes artit poetik.

Në “Post scriptum” shpejt ndeshemi me ndjenjën e trazuar, si personalizim poetik. Dashuria, në realitetin e shthurur shoqëror dhe vargëzimi me çiltërsi ndjesore, siç duket e njohin poeten me qëndrime dualiste, për faktin se këtu çdo gjë vjen në forma “të të kundërtave”. Ajo e ruan pathyeshmërinë, sinqeritetin...! Po nëse, në të vërtetë, ka çaste dëshpërimi për të..., dhe groteske, të njohura bashkë si “shtresë e ideve”, femra-poete duhet të vijë e fortë dhe e pathyeshme ndaj ngjyrosjes epshore. Ajo është ndjellëse si liria:
“Mrekullitë rriten me përqindje perëndie,/në arenat olimpike të luaneshave./Liria pagëzon pishtarët./Ajo!/Frymëzon,/rikrijon,/thyen...” (59).

Poezitë e Tini Qerragjijës, janë formësuar me kthjelltësi mendimesh, pra përmbajnë qartësinë e duhur për të kuptuar se poetja ka diapazon të gjerë përsiatës e gjykues, në përmasat e demitizimit të femrës shqiptare. Ta zbresësh atë nga qiellorja e dikurshme kërkon një punë të vëmendshme, përjetim dhe shprehje të ndjenjës e shpalosjes së arsyes, kjo do të thotë, të largosh figurën e femrës nga konvencat e prera për të, me masën e patriarkalizmit, për ta vendosur në një personalitet të dinjitetshëm, sot të modernizuar. Tek poetja, dukshëm ndihet vizioni i hapur ndaj së nesërmes, si kontinuitet ekzistencial i qenies.

--------------------------

http://floripress.blogspot.com/2013/10/nga-tini-qerragjija-pertej.html

http://floripress.blogspot.com/2013/10/poezi-nga-tini-qerragjija-olimpet.html

http://floripress.blogspot.com/2013/11/cikel-poetik-nga-tini-qerragjija.html


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...