2014-07-21

NË HARRIM, S’DO TË TË LË!

                                                                       
POEZI NGA KOZETA NUSHI



 PËR LIBRIN E TRETË ME POEZI



Jeta, nga e para...

Kur shkreptin rrufeja,
Bubullima gjëmon.
Mbylli sytë
E rri e     qetë,
Se ky çast
Shpejt kalon.
Të mirat që ke bërë
Mos i numëro!
Jeta, nga e para,
Lind gjithmonë.
Jeta lind sot.
Mos e zbraz inatin
Shumë shpejt!
Qetësohu!
Lëje të kalojë!
Anashkaloje!
Rishiko mirësitë
Që i madhërishmi Zot
Të ka dhuruar,
Mbas çdo konflikti
Që ke pasur,
Dhe nuk ta ka shpërfillur
Të tëndin pasion.
Buzëqeshmë!
Më përqafo!
Vetëm,në harrim,
Kurrë s’do të të lë.

                             
  UNË DHE TI, TI DHE UNË, NË HAPËSIRË TË PAFUND

Veten,mike të besuar,
Kalitur nëpër vështirësi,
E vure përballë teje
Për ta pyetur, nëse ajo
Kishte frikë, vuante,
Apo sillte mërzi?
Vetja të pa të tjetërsuar
Dhe të tha se
Të simpatizon ty.
Po për të të vënë
Në provë
Të pyeti:-
Vallë çjemi ne të dy?
Në cilin skaj të botës
Ndodhemi tani?
Lule të bukura
Me gjemba
fshehur në petale,
u afruan,
duke u ndodhur
aty ku sduhet të ndodheshin.
- Ne jemi përjetësia,
- u përgjigje ti.
Lulet e bukura,
Me gjemba fshehur në petale,
Fort u turbulluan
Dhe shumë patën zili.
Duke thurrur komplote plot,
Me një marramendëse
Shpejtësi.
Është e kuptueshme
Dhe s’është e pranueshme,
Vetes i the ti.
- Kompleksitet i sëmur ndjenjash!
- vetja t’u përgjigj me qetësi.
Ty nuk të vë faj.
Për ty, keq, nuk mund
Të mendoj,
Edhe kur
Në shpirt
Ndjej acar,
Në këtë jetë
Trazarake,
Që ngjan si një lojë.
Unë dhe ti,
Ti dhe unë,
Jetojmë
Në një hapësirë
Të pafund.- vetja tha.
Po. Jemi njerëz
Të qytetëruar
Dhe s’pleksemi
Me harbutërinë
E shpirtrave të rebeluar.
Bashkë, të merremi vesh,
S’është e vështirë.
Kjo është
Gjëja më e mirë.
- u përgjigje ti.

                                  
  ME ËNDRRA TË BUKURA

E pashë ashtu,
Të qeshur, gjithë gaz.
Me shumë buzëqeshje,
I urova suksese,
Me më të sinqertin buzagaz.
Sdi çfarë e gjeti.
Buzëqeshja e tij,
U zvarrit
Për të parë pika loti.
Buzëqeshja e tij,
Iku si një lepur,
Me frikën të kallur
Nga një buzëqeshje tjetër.
Unë ngela me shpirtin tim
Ndër duar.
Prej tij,
S’kërkova asgjë.
Asnjë shpjegim.
Ai erdhi tek unë,
Para këmbëve,
Të më shtrihej me përgjërim.
Erdhi atëherë,
Kur s’e prisja.
Dhe unë gjeta kurajo,
Që ta ndiqja.
Për të uruar një njeri
Të mirë, me një
Buzëqeshje të çiltër,
Pa maçok në bark,
Edhe sikur me një mijë
Litarë të më kishin lidhur,
Do të gjeja forcë t’i
Këpusja, për mirësi,
Për mbarësi.
Po ai
S’e meritonte më
Urimin tim.
Kështu që për të,
as gishtin e vogël
nuk lëviza.
U duk sikur ai
U largua përgjithnjë.
Po në fakt,
Erdhi prapë,
atëherë kur s’e prisja.
Buzëqeshja e tij,
Kërkonte
rrënim shpirtrash,
zhdukje jete,
zhdukje buzëqeshjesh,
humbje optimizmi,
humbje shpresash.
Dhe iu rikthye atij,
Për fatin e keq të vet,
Në një mollë të helmuar.
Kujdes! I rithashë unë sërish.
Ndrysho! Sa ke kohë
Për të ndryshuar.
Jeta, jo me mllef
E helm,
Po me ëndrra të bukura,
Duhet shijuar!


                                                   
DIMRIN, KTHEJE NË VERË!

Më kot insiston
Të ringjallësh të kaluarën.
E kaluara nuk vjen më.
Është e kotë të risjellësh
Të egrën diktaturë,
Ku trurit të artë të njeriut,
I ishte bërë lavazh.
Konsiderohej ky tru i çmuar,
Si një fletë e bardhë letre,
Ku në të mund të zhgarravisje
E njollosje mbarë e praptë.
Mos kërko të ngelesh
Gur i pagdhendur.
Latohu!
Në mur të futesh,
të ndërtosh.
E them me gjithë mend.
Mos ëndërro
Vitet e terrorit,
Ku s’mund të flisje
Asnjë fjalë.
Ku s’mund të bëje
Asnjë çap,
Nga ligjet e të tjerëve vënë.
Mos u kap pas së vjetrës!
Përqafo të renë!
Merr shembull nga rinia!
Nëse je vërtet i zoti,
Dimrin ktheje në verë,
Pa bërë armiq pa ndërprerë.

          
 NË KRAHËT E TË PËRDITSHMES

Gëzimi vjen tek unë
Me një trysni shumë të lartë.
Çdo qelizë e trupit
Mbingopet me të.
Duket, sikur në kokë
Janë montuar mijëra disqe
Të mahnitshme, melodioze,
Të gjallërueshme.
Sytë shkëlqejnë.
Shikojnë shumë gjëra
Që ngjallin gëzim.
Muzika labe
buçet nga të katër anët.
Të kumbon fort në zemër
Me stilin e saj karakteristik
Të fortë.
Më vonë truri mbingopet
Me tingujt e muzikës
E vetmja gjë e rëndësishme
Është njeriu.
Marrëdhëniet njerëzore.
Jeta e përditshme
Me surprizat e saj.
Qenia njerëzore ripërtërihet.
Rinohet, gjallërohet.
Duket sikur jeta i shtohet.

Tashmë është errur.
Dita s’duket gjëkundi.
Duket sikur
Është fshehur nëpër kujtime.
Realiteti duket ëndërr.
Ëndrra duket realitet.

                                                                      
GJËRA TË ZAKONSHME

Çadra duket e bukur
Në një kohë
Të lagësht me shi.
Shiu qëndron kryeneç.
Mendja ka nevojë
Për kthjelltësi.
Fundja dhe
Pikat e shiut janë
Të dobishme.
Të sjellin
Freski.
Shiu rrëshqet
Prej flokëve.
Bie nëpër
Qerpikë.
Akrepat lëvizin.
Pavarësisht
 nga dëshirat njerëzore
Ato smund ta ndalin kohën.
E nesërmja vjen
Si një ditë
E zbukuruar me mijëra
Gjëra të veçanta.
Jeta i rikthehet
Ritmit të saj
Normal.

                                                                                    
 SUKSESI

Të pashpjegueshmes,
Mos i kërko
Kuptim.
Të paarritshmes
Mos i kërko
Sqarim.
Përgjegjësive
Mos iu kthe kurrizin
Në agim.
Vështirësitë,
Priti
Pa shqetësim.
Gjërat e vogla
Të së përditshmes,
Gëzoji pambarim.
Ato
Janë
Vetë suksesi.

                     
 MIRËSI KE MBJELLË

Nëse vdekja
Do të të vijë afër
E zemra
Do të të pushojë një ditë
I trishtuar nuk do të vdesësh
Se mirësi ke mbjellë
E mirësi i ke dhuruar
Vetes, atdheut,
Familjes, shoqërisë.

                                                                
ZEMRAT E PASTRA

Nëse gjith mëkate e botës
Të mblidhen bashk
Dhe rreth e rrotull
Sheh njerëz
Që qajnë pa ndërprerë
Ti me guxim thuaju
Mos të dëshpërohen
E paqe në shpirt
Sillu menjëherë.
Sepse zemrat e pastra
I mundin gjithmonë
Shpirtrat e zhytur
Në mëkate, helm e vrer.

                                                      
  PËR LAVDINË

Nuk ka lavdi,
Nuk ka forcë
Nuk ka pasuri
Pa kujtuar
Se dikur
Ke qenë fëmijë.

   PËR PAQEN

Nuk ka paqe
Për atë që s’ka dashuruar,
Për atë që
S’ka derdhur dypika loti,
Për atë që s’ka vuajtur,
Për atë që jetën kalon
Duke marrë në xhiro
Njeriun e sinqertë, duke
I krijuar probleme plot.


NËSE UNË VALLËZOJ E KËNDOJ...

Nëse unë
vallëzoj e këndoj
dhe shijoj
të bukurat çaste
të mia
hajde dhe ti
bashkë me mua.
Këndo e vallëzo
Pa fund
Se shumë të dua.
Nëse litarët
E largësisë
Janë të gjatë
Dhe heshtja
Të ka mbuluar
Këputi ata
Të uruar litarë
Se si veten
Dua të të shoh
Të lumturuar.

MBROMË NË DHEMBJE E GËZIM

Mbromë në dhembje
E në gëzim!
Më jep paqe
E guxim!
Bëmë të besoj
Në mrekullinë
E jetës njerëzore.

                                               
LIND E RILIND

E hedh diku zemërimin,
E hedh diku trishtimin.
I hedh diku vuajtjet,
Fal ata që
Me trishtim,
Vuajtje e
Zemërim
Duan të më shohin
Sepse në fund të fundit
Unë dua
Të lind e rilind
Përditë
Ashtu si lindin e
Rilindin
Mendimet e mia.
Unë edhe mund të qaj
Edhe mund të
Gëzoj brenda
Në shpirt,
Po gjithmonë
Duke dëgjuar
Kambanat e mia....

JETA NUK MË PYETI....

Jeta nuk më pyeti
Nëse doja të lindja.
Jeta me gojën e vet
Asgjë s’më tha.
Më la të lufoja
Qysh nga lindja,
Asaj ,
Për t’iu bërë krah.

                                                                              
 DËGJOMË!

Dëgjomë!
Paqe të dhuroj
Kur të kam afër.
Gëzim të dhuroj
Pa të pasur pranë.
Pra , dyshimin zhduke
Hidhe tutje!
Është farë e keqe
Që s’duhet mbjellë
Në arë.

                                               
  KUJTIMET E TUA

Mes pyjeve,
Mes maleve
Rrinë bukur
Kujtimet e tua.
Mes kuajve,
Mushkave
Fëmijëria jote
Kaluar.
Mes njerëzve
Është zemra jote
Duke festuar
O njeri shpirtgjerë
E zemërmadh
Që veç dashuri
Mbjell,
Dashuri korr
E dashuri fal.

                                                  
   FORCË

Të jesh i mirë,
I urtë, i duruar.
Urrejtjes
T’i përgjigjesh
Me dashuri,
dyshimit
t’i kthesh besimin,
gabimit
t’i vësh përballë
të vërtetën,
dëshpërimit
t’i servirësh shpresën,
trishtimit
t’i dhurosh gëzimin,
nuk është dobësi,
është forcë.
Dhe kur
Mendon për bashkimin
E SHQIPËRISË ME KOSOVËN
Kjo forcë bëhet
E fortë si çelik
Dhe të mbron
Nga kurthet njerëzore.

                                           
  SIKUR TË JETOSH PARAJSËN.

Të jetosh jetën,
Të falësh dashuri,
Të përballosh
Dhembjet,
Të shërosh plagët.
Të lësh të tjerët
Të jetojnë
Është sikur
Të jetosh parajsën.

                                                             
    FJALA MAGJIKE

Pak ditë,
Pak orë që jemi larg
Dhe unë
Dëshirë të të shkruaj
Kam.
Edhe pse fjalët
Forcë shumë
Nuk kanë.
Kujdesu për shëndetin!
Gjithçka dua
Të të vejë mbarë.
Mbas gjith atyre
Vetëtimave të njëpasnjëshme
Dielli sot
Bukur ka dalë.
Ardhja jote
Surprizë është për mua.
Po hajde shpejt
Që dera të të hapet vetë,
Pa përdorur
Fjalën magjike:
“ HAPU DERË!”

GJETHET E VJESHTËS

Gjethet e ndezura
të vjeshtës
arit të kuq i ngjajnë
dhe dukshëm
përskuqin faqet
e mia.
Eh, po dhe ç’përjetime
Ç’parajsë
Që më sjellin
Dhe për çdo gjethe
Vjeshte një fotografi
Duhet të kem në duar.
Ky peisazh vjeshtor
Është thjesht një natyrë
E qetë, e brishtë,
Që zemrën ma ka zaptuar.
Dhe thërret fjalët e bukura
Të shqipes, të vijnë
E të lodrojnë me ojna
Duke krijuar një
Natyrë më të gëzuar.

 DEHJE ME KUPA VARGJESH

Dhe s’e kuptoj
Se si më lind
Kjo ndjenjë,
Kjo dehje
Me kupa vargjesh
Nga vjeshta dhuruar.
Dhe të ëndërroj
 në shpirtin e saj
të përjetoj
çaste magjike dua.
Dhe të dremis
Nën shkëlqimin
E yjeve
Me pelerinën e natës
Mbuluar,
 e më pas
Të zgjohem
Me vargje  eksploziv
E të rinis një
Ditë të paharruar dua.

                                         
PAQE ME GJITHÇKA E PËR GJITHÇKA

Të shoh kështu
Të shqetësuar
E nuk më vjen
Hiç mirë.
Je ti i pari
Që duhet
Të luftosh,
Të çlirohesh
Nga çdo dyshim,
Nga çdo shqetësim,
Nga çdo dhembje,
Nga çdo dëshpërim,
Nga çdo fantazi,
Nga çdo frikë,
Nga çdo shkretëtirë
Që të krijohet
Në shpirt.
Kur paqe të bësh
Me gjithçka
E për gjithçka,
Rinis e shkruaj poezi.

                                                           
  ME RREZE DRITE

Eh!
E dobët jam
Pa besim
Pa përkrahje
Pa shpresë
Pa liri
Pa të
Vërtetën.
Po e mjerë
E fundosur
Në errësirë
Do të isha
Pa Zotin
Që,kur
Më sheh në rrezik
Me rreze drite
Hedh drejt meje
Gomën e shpëtimit.

                                                         
 JETA NUK VDES

Jeta nuk vdes.
Jeta ringjallet,
Duke mësuar
Të shpresosh,
Të duash gjithçka
Të evitosh grindjet
Të sjellësh bashkim
Dhe paqe.

Korrik 2014

------------------------------------------

Falenderojmë shkrimtarën , përkthyesen,studiuesën shqiptare Kozeta Nushi,për postimin e poezive për botim për herë të parë në Agjencionin Floripress,Prishtinë.

Redaksia Floripress

Flori Bruqi,editor




Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...