2014-07-23

Së bashku me shqipet e këtyre anëve përqafove lartësitë...

Image result for MEHMET BISLIMI

Mehmet Bislimi u lind me 24 mars 1958 në fshatin Prekaz i Epërm, në Drenicë. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar shkencat e natyrore. Në vitin 1981, për shkak të veprimtarisë atdhetare arrestohet nga pushtuesi serb dhe dënohet me burg. Pas daljes nga burgu më 1986, veprimtarinë atdhetare e ka vazhduar në gjirin e LPK-ës. Në vitin 1994, për t'i shpëtuar arrestimit të serishëm, është strehuar në Zvicër, ku vepron dhe jeton me familjen e tij. Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë ka kryer detyra më përgjegjësi. Me krijimtari letrare ka filluar të merret që herët. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën ”Bota e re” në Prishtinë, më vonë në revistën ”Alternativa”, në Lubjanë dhe në disa numra të gazetës ”Rilindja”, që atë kohë botohej në Zvicër. Disa vjet ka shkruar për organin e LPK-së “Zëri i Kosovës” që botohej në Zvicër dhe për të përkohshmen “Rruga jonë”- që dilte në *Francë. Në "Zërin e Kosovës" dhe tek "Rruga jonë" me vite është paraqitur në këndin e humorit me nofkat “Ngucakeqi” dhe “Gjembi”. Kohë pas kohe shkrimet e tij kanë gjetur vend edhe në gazetën “Epoka e re”, "Kosova sot", "Gazeta Lajm", "Shekulli" etj. Shkrime të shumta të tij janë publikuar në dhjetëra faqe elektronike. Krijimtaria e tij letrare përfshin shkrime publicistike, anekdota, humor, satirë, poezi si dhe mendime të urta autoriale. Më vonë ka përfunduar edhe studimet në Fakultetin Ekonomik në Kolegjin "Biznesi" në Prishtinë me gradën akademike BACHELOR. Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Krijuesve Shqiptarë në Zvicër si dhe anëtarë i të persekutuar-ëve dhe dënuarve politik të Kosovës. Krijuesi Bislimi deri me tani ka botuar këto libra:
1. ”Anekdota popullore dhe satira autoriale”, Prishtinë 2002
2. ”Trëndafila maji” – poezi, Prishtinë 2002
3. ”Fjalë dhe gurë” – poezi, Prishtinë 2003
4. "KËTU I THONË DRENICË" - Tahir Meha – Monografi, Prishtinë 2004
5. "Ironi e verdhë" - poezi, Prishtinë 2005
6. "Stinë e vonuar" - poezi, Prishtinë 2008
7. "Shkrime publicistike", Prishtinë 2009
8. "Anekdota popullore dhe satira autoriale II" - Prishtinë 2010
9. "Mehmet Delia- alisa Mehmeti i Vogël"- Monografi, Prishtinë 2011
10. "Shpirtndrituri" - poezi, Prishtinë 2012
11. "Burrëri e lagur" - poezi satirike, Prishtinë 2012
12. "Lirikat e fjetura"- poezi lirike, Prishtinë 2013

Sonte do të shkruaj 

e habitshme 
me këta njerëz 
si nuk po mund të kuptohemi 
e dhëmbë e dhëmballë 
njëri-tjetrit 
ia njohim 

hiqemi se duhemi 
e prapa shpinës me fjalët më të pista 
elegji sharjesh 
thurim 

padiskutueshëm 
edhe mbretin 
edhe shërbëtorin 
edhe pushtetin 
një ditë 
lumi do t’i marrë 
me vete 

e megjithatë 
ne 
asgjë nuk flasim 
mendjen për asgjë nuk e vrasim 
se ngrëni gënjeshtra 
sa nuk plasim 
kur armiqtë na lavdërojnë 
ne brohorasim 
kur miqtë na qortojnë 
nga smira 
sa nuk pëlcasim 

për të qenë i sinqertë 
me veten 
me ju 
me ata 
që nuk po na dëgjojnë 
burrërisht duhet ta pranojmë 
se 
nuk u la asgjë pa u bë 
nuk u bë asgjë pa u thënë 
u bë 
a nuk u bë 
ajo që kishte për t’u bërë 
brenda një rrethi vicioz 
po sillet 
bota individuale 
mbi sfondin e kalldrëmeve 
në sheshin e kryeqytetit 
po sillet një rrotë 
pa histori 
që dogji veten e vet 
nën përthyerjen e rrezeve të pasqyrës 
kjo simetri rrote 
dikë do ta shtypë në kokë 
dikë në gjoks 
dikë do ta lëvizë 
dikë do ta ulë 
dikë do ta ngre 
dikë do ta shkulë 
dikë do ta ngulë 
dikë ... 

botë me hile 
si nuk i ngritën atdhedashurisë një shtatore 
ku do të përkuleshin në shenjë pendimi 
vrasësit e atdheut 

në fakt 
kjo kohë e pakohë 
solli servilët 
tam - tamët 
debilët 
që sillen rreth boshtit të interesit 
vallë 
të kenë qenë kaq shumë 
ku fshiheshin 
e ne nuk i kishim vënë re 
si kërpudhat pas shiut 
mbinë 
sa shumë armiq 
që miq na hiqen 
derisa kushtet të piqen 
të piqen 
e të mos digjen shijet 
për ta ngrënë njeri-tjetrin 
me dhëmbë 
iku burrëria 
iku fjalë e dhënë 
për ideal 

tani ç’t’i themi babaçemos 
rrofshin hileqarët 
servilët dhe zagarët 
buka e ngrënë me hile 
në fyt kujt s’i mbet’ 
as sot ata 
buka nuk po i vret 
një shije e hidhur 
mbeti nga pas 
do të përpiqem me vargje 
sonte të të kujtoj 
do përpiqem me vargje 
sonte 
të të vras 
me këto vargje sonte 
botën do e thërras deri në kupë të qiellit 
si i marrë 
do të bërtas 
o njerëz 
me ndjeni që po shkruaj kaq rrallë 
për njerëzit e mirëfilltë 
malli më paska rënë 
sa shumë 
malli 
më paska marrë 

korrik 2013, CH 



Plakut 

(Xheladin Gashit)

vendosmërisht rrugëtoj
me këmbët e veta mbi tokën e lirisë
me vdekjen u mat sa herë
në kopshtin e atdheut mbolli
trëndafilat e kuq
për ty
për mua
për brezin e ri
për të nesërmen e lirë
që nuk do ta vrasin të merituarit
që nuk do të maten
të paburrat
me hijen e burrit

Plaku
gjurmët e tij la
kalldrëmeve të qytetit të vjetër
ku dikur kishte shkelur me këmbë
me peshën e tij
hequr rëndë
si as një gjurmë tjetër
gjurmë urtie
e plakut tonë
si ato kohë
edhe sot
i heshtur e pa zhurmë
më ballin lartë
më lartë se mali
një fjalë të ligë nuk e tha
dashuri atdheut
i fali

Plaku
para së të vepronte e fliste
mendohej mirë
nuk të vriste
as me të bëma
as me fjalë
as me besën e dhënë në mes të lëndinës
së lotëve të atdheut
vërshim lotësh i paparë
një shije e pështirë
mbi lëndinën e madhe
ku po matej burrëria në kandar
ku vallja jonë u përgjak
dje ishte po ai
dhe sot
i urti Plak

plaku i djeshëm më i ri se sot
si buka jonë e përditshme
që s’na ngopë
jo
me ju
me krenarinë tuaj
me admirimin për Dëshmorët e Kombit
nuk do të ngopemi kurrë
dje plak
sot i ri
nesër burrë

Mars 2013


Hyrje në pranverë 

pranë dritares sy hapur 
nga majë e pemës 
u ngrit zogu në fluturim 
me krahët e butë 
borën e bardhë shkundi 
pranvera po vjen 
më në fund 
edhe në qytetin tim

po 
po vjen marsi i trëndafilave 
afshi i ngrohtë tokën puthiti 
një lirikë 
për bisqet e pemës 
po ndihet frymëmarrja e blerimit 
ngrohtësi e stinës ripërtëritëse 
stinë e lulëkuqeve 
të marsit të parë 
Prishtinë kujto me dashuri 
kujto 
stinën e trëndafilave të kuq lirie 
Prishtinë ata ishin të rinj 
si trëndafilat 
që ranë në pranverën e vitit ’81

11 mars, 2013


Kohë e pakohë
në kohë dimri
bora që nuk po bie
banalitet anakronik

në kohë vere
shiu harron tokën e vet
ndëshkim modern

gjithë ky zhvillim shkencor
qiellin hallakatin me zbulimin e galaktikave të reja
shpresë e njerëzimit për të gjetur shpëtimin e premtuar
këtu e pesëqind milion vite më vonë
ushqehemi me të arriturat e shkencës
botë fantastike
që të sotmen vret me helm e barot
me peshën e atomit
me ngjyrën e gjakut
me kripën e lotit

skelete të shkapërderdhura gjithandej
mbi dhe mbetur
kjo botë moderne
të ardhmen premton
premtim i tretur
për ta zhvendosur vëmendjen jashtë galaktikës sonë
atje ku mund të arrijmë
pesëqind milion vite më vonë
ku njerëzia shpëtimin do gjejnë
kokën do ta mbështesin mbi yllin polarë
gjumin rehat do bëjnë
do bëjnë pallë

bora që nuk po ngrin në kohën e vet
moti i thatë që shi nuk po sjell
lulja me buzët e plasaritura
në vend të aromës
tym po nxjerr

uroj që më në fund të shfaqet zoti
më tha miku im
të na dëshmojë ekzistencën e tij
për faktin se si lejon
që injoranca të çmohet si mençuri
makutëria si virtyt
grabitja si zotësi
cubnia si trimëri
anarkia si rregull
tirania si rend
imoraliteti si normë
pabesia si shkathtësi
hipokrizia si çiltërsi
mes hamendjes së ekzistimit të tij
e paça gabim
amen

Janar, 2013



Kënga ime 

(Taip Zekës)

me besimin e madh tek zoti dhe liria
ai
nuk u ankuan kurrë nga jeta e rëndë
jetën e çmonte
më shumë nga ne
mbi të gjitha e çmonte lirinë
të cilës iu përkushtua
përjetësisht

ai iku
mbase me të vetmen brengë
që nuk e arriti atë ditë
kur atdheu do të jetë më i mirë
më i bukur
më i çliruar
dhe
përfundimisht i bashkuar

aspirata e tij që nuk u përmbush
deri në përmbarimin e rrugës
që sot u sos
në heshtje të përhirtë
toka gjëmoi
Taipi me Kadriun sonte
gju me gju do bisedojnë
për ideal
vëllai me vëlla
për tokën e shtrenjtë
për tokën e shenjtë
për të papërgjegjshmit
që më përgjegjësi u ngarkuan
eh Shqipëri
kah po të shpien
Shqipëri
ku të shpuan

prehu i qetë Taip
nëse prehja të qetëson
sonte këngë ime
për ty zgjuar do rri
për të thënë fjalën e saj
fuqishëm
deri në kupën e qiellit
jo sonte gjumë nuk do të vë në sy
dua të dëshmoj
para robit e zotit
se kemi nga një copë këngë lirie
në gji
djegur përmallshëm
ndarë e shkapërderdhë
sonte do shkruaj vargje marshimi
me pendën e kanjushës së verdhë

nuk ishte dëshirë jona
rrethuar me emra njëjës
numra
më shumë se një
me shpresën nën dhëmbë
nuk u dhamë
nga një kafshore bukë
e hanin në këmbë
na përbuzën bukëshkalët
prapë
numra në ngritje
që atdheut kurrë
nuk i kanë hy në hak

ai nuk kërkoj asgjë nga ne
të vetmen fjalë që tha
luteni
mos më tjetërsoni
së tjetërsimi më fyen
të paktën
atje ku nuk jam
mos më kërkoni
mosni

7 shkurt, 2013


Legjendarit

kam pasur fatin
ta preku
ta shoh
ta njoh Komandantin
këtë burrë Shqiptarie
me shikimin lart
me zemër të madhe sa mali
ngrirë në bronz përjetësie
zemër trimi
zemër djali

pjesë e pandarë historie
atdheut kush më shumë i fali
dashuri
mustaqet varë deri në gushë
si lum për ty moj nënë Shqipëri

ndër yje
më i bukuri yll gjithësie
mbaje fort në gji birin tënd
kërthizë e atdheut lidhur nyje
si lum për ty Shqipëria nënë

më i bukuri bir i shqiptarisë
lis
më i larti ndër male
mustaqet varë deri në gushë
me syrin pishë
e gjoksin prush


Remzi Ademit

(Komandant Petrit Kodrës)

në pafundësinë e hapësirave shqiptare
shkëndija po i nxirrnin sytë
toka po digjej zjarr
ti në të parin fluturim
së bashku me shqipet e këtyre anëve
përqafove lartësitë
përjetësisht
flakadan lirie
tokës shqiptare po i bën dritë

mbi ty
mbi emrin tënd
mbi rrënjën tënde të lashtë
kurrë drita e krenaria mos u shoftë
përjetësisht rrënja e nderi t’u shtoftë
deri atje në majat e Pashtrikut
atje
ku është foleja e shqipeve
dhe streha e mikut
emri yt
Petrit
tokës sonë arbërore
përjetësisht
po i bën dritë


Luanit

me Shkëlzenin po rrugëtonin
nga moti në mot
kaltërsi qielli
rreze dielli
hapësirave shqiptare shpërndarë
për botën liridashëse
mbi Shkëlzen e mbi Sharr

lulëkuqe të këputura
Shkëlzeni, Hakifi, Edi, Zahiri, Muji, Adriani...
pas kushtrimit gjithë një zëri
Luan ishte
vetëm njëri


Vatër krenare

krenari e gjallë
gjaku im
Preshevë
Medvegjë
Bujanoc
Çamëri
Ulqin

atje ku këngës ia thotë shqiptari
atje ku kam jetuar unë
atje ku ka jetuar i pari
i rrënjës sonë të patretur
i rrënjës sonë të vjetër
nga Ulqini në Janinë
nga Medvegja në Prishtinë
veç shqiptarit nuk ka tjetër
në këto troje
më të vjetër


Gënjeva

ah
më duhet të të gënjej
se i lumtur jam
se me lumturinë ngrysem dhe agoj
më duhet të të gënjej se pa ty atdhe
jeta gjallëron njësoj
më duhet të të gënjej
dhe për këtë
peshë e pendimit mbi supe do më rëndojë

në fakt
të vërtetën ndryva
në gjoksin tim përgjithmonë
e nuk ta thashë dot
të vërtetën e madhe e di
vetëm shpirti im
dhe i madhi zot


Gjithmonë

gjithmonë do të kthehem tek ti
edhe pas vdekjes
toka brenda nuk do më lërë të qetë
nuk e di nëse unë ju mungoj
aq sa më mungoni ju mua
nuk e di nëse më doni
aq sa unë ju dua
nuk e di

peizazhe të atdheut
më çoni shpirtin peshë
më trazoni kaq shumë
unë shpirttrazuar
si hije
fundosur në humbëtirat e kohës
as zgjuar 
as në gjumë


Pika loti
a thua kështu paska thënë zoti
të degdisur anembanë
pika gjaku
pika loti
na mbeti pa emër konaku
me peshën e vuajtjeve mbi shpinë
na mbeti shkret oxhaku

me zemër në plasje
Çamëri
Ulqin
Janinë
me lot e trishtim
dot nuk ju kthyem
pika loti
pika gjaku
na mbiu ferra te pragu


Çamëri

gjymtyrë e trupit tim
me plagët e ndarjes mbi shtat
që nga dëbimi i parë
dhembje e gjatë
pengu i shpirtit mbetur varë
Çamëri
mos vdeksha i ri
pa hequr vetë me dorën time
në arat tona
brazdën e parë
në tokën boshatisur
parmendë e vjetër
shenjë gjallërie e një kohe tjetër
zotin e madh e kemi dëshmitar
Çamëri
mos vdeksha i ri
pa ardhur tek ti
tek porta jonë e vjetër
tek të parët tanë
tek foleja jonë
nën atë çati
ah
Çamëri
pengu ynë i përjetshëm
plagë që djeg në gji


Nëntori

nga qielli
zbritën legjendat
lindën kuçedrat
zbardhi dita jonë
në palë të flamurit
erdhi djali
në nëntor u gëzua mali
për tokë e qiell
për Shqipëri
nëntor ka
vetëm një


Ndër shekuj

hallakatjet e erërave
rrugët tonë të madha
ndër shekuj
trazuan

të parët historinë bëmë
Millesh Kopiliqi
i pari
me dorën e vet
vrau ëndrrën e pushtuesve
sulltanin e mbuloi bari
tokë e mbushur me kocka
tokë shqiptari

kokën e vet
pushtuesit kanë ngrënë
këtu zot
vetë
shqiptarët janë 


Dëshmitarë

( Na ishte njëherë )

dëshmitarë të kohës ishim 
kur zagarë në pikë të ditës
mu në jakën e xhaketës
mbanin firmën e Titos...

atëbotë kolera kishte rënë në Kosovë
ndërgjegje në peshojë
para atdheut
më thuaj
sa t’hoqi kandari he burrë
a vdiq kush nga turpi
më thuaj
shpenzimet e varrimit
t’ia heq unë
unë
dëshmitari


Dy të marrë

u takuan dy të marrë
si të marrë që ishin
bënë shamatë në pazar
në pazarin e Prishtinës

lajmin shënuan gazetat
e bënë gjellë e sallatë
sonte kryeqytetasit
nuk do hanë darkën thatë

dy të marrë bënë shamatë
gurin në pus e kishin hedhë
do të duhet kohë e gjatë
gurin e të marrëve për ta nxjerrë


Bythë e kusisë

nuk ndenjen duarkryq intelektualët
sfidë serioze i bënë Serbisë
me vizionin filozofik të avancuar
rrahën me shkop bythën e kusisë

bythë e kusisë rënë nga ndryshku
lënë në mezhdë me një anë
ai shpiku strategji të re
të artit luftarak në Ballkan

rrethi i kusisë po krekoset
me bythën që boja po i del
eh sikur të realizohej kjo filozofi
do konkurronte çmimin Nobel


Telefoni

lajmi se
tiranin e vranë
më erdhi nga zëri andej telefoni
u gëzova më kot
gëzimi mu fik në çast
po tiraninë që mbolli ai
kush do ta vrasë
për sihariqin
kush do të më thërrasë


Lajm i vonuar

do shtypur të urryerit si kokrrën e grurit
më gurë të rëndë mulliri
që ta shpëtojmë dashurinë
të mblidhet Parlamenti pastaj
për të parë
kush mbolli urrejtje


Rënie

me duar të përgjakura
ju ngritën
në majat më të larta
kujdes nga rënia
më lart nuk ka

panë tmerrin ata
nga mundimi i ngritjes
me duar të këputura në bërryl
kujdes
bërrylin atyre mos ua tregoni
kujdes


Të gjithë

pranë oxhakut
hanim patate të ziera
me kripë
që moti

rreth oxhakut
ngroheshim të gjithë nga pak
nga gjyshi dëgjonim historira
dhe
shprushnim me mashë zjarrin në oxhak

pranë oxhakut tani
hanë gënjeshtra njerëzia
pa kripë
të paziera
nëpër këmbë me zorrë
dialogun vazhdojmë 
s’para se u bëmë horë
në krahët e kotësisë dremitur
me shpresa të thyera drobitur

disa ende dëgjojnë përralla
disa marrëzira
disa shprushin me mashë zjarrin
disa shprushin ndyrësira
disa e bëjnë historinë
disa nuk marrin erë nga historia
disa i përjetëson
disa i mallkon përjetësisht
historia


Bojën kursejmë
kur isha i ri më kujtohet
delet i bënim me bojë
që të dallohej e jona

tani nuk i bëjmë me bojë
nga zëri i njohim
bojën kursejmë
se boja iu doli
një jetë të tërë vetëm pallën
një fjalë me peshë
nuk e folën
atje ku kishin aderuar
kot hynë
dhe dolën prej loje
dolën boje


Klasë e dështuar
mirë
ta zëmë se ata do të përmirësohen
dhe
injoranca do të zhduket ngadalë
po bota
me se do merret më pastaj
politika ditore si do t’ia dalë

Shprehi

me një vendim të pashkruar
i vranë ata
të zot e votës së lirë

tallja me votën e lirë
kaloi në shprehi
deri në përçudnim
secili- secilit gishtin ia drejton
ti je hajni
e hajnin dot s’e zënë

sot
kur ligjin kanë tredhur
barrës kush s’mbeti
votë e vrarë e popullit
apo
populli i votës së vrarë
hedhur në kuti
rutinë e kotë
paturpësisht
kaloi në shprehi


Djallëzi e mbarë

mbaja kokën fort
ka zjarrmi dhe vrer
të përziera në stomak
mbase ka ardhur koha
t’i nxjerrë
t’i nxjerrë të palarat
nga para e nga pas
mbaje fort


Robërit

kanë përvetësuar rolin
e të qenit rob
kanë bërë përvojë
ata
nuk janë më amatorë


Mitrovicë

mat e ç’mat
ndaj e bashko
ajo aty mbeti
mbi Ibrin e lashtë
as e ndanë
as e bashkuan
mbase dikujt po ia shalojmë
pse nuk mbytemi të gjithë në lumë
përderisa Ibrin dot se kalojmë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...