Prof.dr. Eshref
Ymeri
Një humnerë në shtegun e dashurisë
Analizë e
novelës “Një mall i pashuar” e shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj
Para pak kohësh, miku im i vjetër
vlonjat, zoti Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i shkrimtares së mirënjohur Vilhelme
Haxhiraj, erdhi në Tiranë dhe, në Kafe Evropa, në bisedë e sipër, nxori nga
çanta dhe më dhuroi me autograf novelën e zonjës Vilhelme, me titull “Një
mall i pashuar”.
Këtë novelë e kisha lexuar një vit e
gjysmë më parë, kur zonja Vilhelme ma pati dërguar me internet. Por tani e
lexova përsëri, meqenëse leximi i librit të dalë nga shtypi, në krahasim me
leximin e tij në kompjuter, të ngjall të tjera emocione, më të drejtpërdrejta
dhe më mbresëlënëse.
Shkrimtarët prandaj edhe na tërheqin me
krijimtarinë e tyre, se, në dallim nga njerëzit e zakonshëm, ata nuk e zbresin
përmbajtjen e tekstit deri në nivelin e lexuesit. Përkundrazi, ata e ngrenë lexuesin
deri në nivelin e letërsisë.
Shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari
Haxhiraj është mjeshtre e fjalës artistike dhe me krijimtarinë e saj në disa
gjini letrare, ajo përcjell me art jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Si
një shkrimtare me talent të spikatur, ajo bën që gjuha shqipe të shfaqet si një
zonjë hijerëndë nëpër faqet e veprave të saj letrare, në të cilat historia dhe
kultura shqiptare pasqyrohen me tërë forcën dhe larminë e identitetit tonë
kombëtar. Si një shkrimtare me një formim të admirueshëm intelektual, ajo
operon përsosmërisht me të gjitha regjistrat e gjuhës shqipe. Në veprën e saj,
si në tablonë e një mjeshtri të penelit, vijnë e ravijëzohen tiparet e veçanta
të karakterit shqiptar, veçoritë e vlerave të tij morale, përfytyrimet për
mirësinë, për bukurinë, për të vërtetën, për trimërinë, për dashurinë për
punën, për besnikërinë.
Kjo novelë dallohet për një subjekt
qendërsynues dhe për një vijë kompozicionale të mirëravijëzuar. Autorja, përmes
projektimit të një ngjarjeje dramatike nga jeta e dy të rinjve, e ngre
rrëfimtarinë deri në lartësinë e poetizmit dhe zbulon skajshmërisht bërthamën e
fabulës së novelës. Ajo e përmbledh materialin jetësor brenda fokusit të
marrëdhënieve të dy të rinjve, të cilëve dikush ua vrau keq ëndrrën e dashurisë.
Në këtë novelë, shkrimtarja ka nxjerrë
në plan të parë fakturën figurative të rrëfimit, në të cilin zbulohet arti i
fabulës në formën më të kulluar. Autorja ka pasqyruar mjeshtërisht kultin e
lojës tragjikoironike të fatit në jetën e këtyre të rinjve, i cili vjen e
shpërbën çuditërisht indin e përditshmërisë. Në këtë aspekt, kjo vepër të
kujton krijimtarinë novelistike të autorëve të tillë të mirënjohur në letërsinë
botërore, siErnest Hofman (Ernst Theodor Amadeus Hoffmann - 1776-1822), Prosper Merime (Mérimée - 1803-1870), Edgar Po (Edgar Allan Poe 1809-1849) etj.Kurse me kthesat e papritura të fatit të dy heronjve
kryesorë, me lojën e mistershme që luhet në jetën e tyre, autorja në këtë
novelë ndjek gjurmët e novelistëve të tillë, si Gi de Mopasanit (Guy de
Maupassant 1850-1893), të O. Henri (Olivier Henry
1862-1910), Luixhi Pirandelo (Luigi Pirandello - 1867-1936), Stefan
Cvajg (Stefan Zweig-
1881-1942), Akutagava (Ryunosuke Akutagawa - 1892-1927), Anton Çehov (1860-1904), Ivan Bunin (1870-1953) etj.
Në
rrjedhën e shekujve njerëzit kanë shkuar
në frontet e luftës, kanë lënë pas vendlindjen dhe kanë përballuar shumë stuhi
shpirtërore në emër të dashurisë. Kësaj ndjenje hyjnore i janë kushtuar këngë,
oda, vargje poetike, piktura, romane dhe filma artistikë. E megjithëse nuk ka
asgjë më të fuqishme sesa dashuria, prapëseprapë edhe atë mund ta vrasin.
Ekzistojnë
shkaqe të ndryshme që çojnë në vrasjen e dashurisë së dy të rinjve. Të tilla mund
të jenë tradhtia apo pabesia, prishja e drejtpeshimit të varësisë nga
njëri-tjetri dhe mosrespektimi i caqeve të lirisë, pasioni i tepruar për të
rrëmuar në të kaluarën e njër-tjetrit, përshpejtimi i tepruar i ngjarjeve,
mania për ta jetuar të sotmen në nxitim e sipër. Kjo për faktin se dashuria që
ka në themel vetëm pasionet e çastit, nuk mund të ketë jetë të gjatë, sepse ua
largon të rinjve shijen e emocioneve të shenjtëruara. Dashurinë, po ashtu, mund
ta vrasin edhe huqet e dëmshme, dallimet e prioriteteve dhe të vlerave
jetësore. Prandaj, që dashuria të rrojë sa më gjatë, ajo duhet të fshehë në
vetvete diçka të pathënë deri në fund, diçka të magjishme deri në
misteriozitet.
Por
në këtë novelë, autorja ka zbuluar mjeshtërisht një tjetër shkak të vrasjes së
dashurisë: dallimet klasore në marrëdhëniet e dy të rinjve. Tragjizmi i pagjak
i jetës së dy të rinjve të dashuruar që shpaloset në faqet e kësaj novele,
është larg përfytyrimeve të pafajshme të brezit të ri të ditëve tona, të
painfektuar nga mikrobi i mallkuar i luftës së klasave. Fabula e novelës
bazohet në ngjarje reale. Historia e dy të rinjve vërtitet në vorbullën e
fantazisë krijuese të autores, por dy heronjtë kryesorë të novelës janë realë.
Autorja
zbërthen individualitetin e dy të rinjve, çiltërsinë e zemrës, pastërtinë e
shpirtit të tyre, vlerat e formimit rinor, pjekurinë e gjykimit mes emocioneve
në rritje të dashurisë që nis të flatërojë në gjokset e tyre të dallgëzuara.
Në
linjën e fabulës së vet, autorja na rrëfen një histori të dhimbshme për fatin e
një dashurie të vrarë, pa i idealizuar dy heronjtë e saj kryesorë dhe pa rënë
në prehrin e urrejtjes për vrasësin e asaj dashurie të prerë në mes. Se vrasësi
i asaj dashurie ishte duke kryer detyrën e vet, ishte duke kryer misionin e vet.
Prapa figurës së këtij vrasësi të dashurisë, gjallon frikshëm hija e
diktaturës. E asaj diktature mizore që pati hapur aq shumë humnera në monopatet
e dashurive që mbetën si kujtime të dhimbshme në zemrat e sa e sa të rinjve
fatgremisur.
Njeriu
në jetë nuk mund të marrë një vendim paraprak se kujt mund do t’ia falë zemrën
e vet. Se mund të qëllojë që ai, i cili sot të duket kundërshtar i betuar dhe
që mund edhe ta urresh me tërë qenien tënde, nesër, pa pritur e pa kujtuar,
mund të shndërrohet në njeriun e vetëm, për të cilin ty zemra të rreh me
dridhërimë. Se jo më kot, poeti i madh rus, Aleksandër Pushkini (1799-1837),
në romanin e tij në vargje “Evgjeni Onjegin”, thotë:
“Çdo
moshë i falet dashurisë”.
Dy të rinjve të kësaj novele u qëlloi të përjetonin një
tronditje të rëndë shpirtërore që
lexuesin e brengos thellë me dramatizmin e saj. Zemrat e tyre i kaplon
trishtimi dhe për një kohë të gjatë ata enden në vorbullën e hamendjeve dhe të
dyshimeve, për të cilat s’janë në gjendje të japin dot një shpjegim. E
megjithatë, ata vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin në heshtjen e tyre çiltërore,
pa e ditur dhe pa u shkuar mendja fare se letërkëmbimi i tyre kishte rënë në
kthetrat e diktaturës që rrinte në përgjim të jetës së çdo individi.
Kur
lexuesi, që ka jetuar vitet e luftës së klasave, e kthen kokën pas dhe ringjall
në kujtesë dramat e dashurive të vrara, ai rri e përsiat në qetësi: megjithëse
ato ngjarje, që mbartnin në vetvete paradoksin e një diktature absurde deri në
marrëzi, zhvendosen tutje në vite, drejt
mjegullnajës së historisë, prapëseprapë mbresat e njerëzve zemërplagosur që ato
i përjetuan me brenga aq të thella në shpirt, vazhdojnë të mbeten të
pashlyeshme deri në botën e amshuar.
Dy heronjve
të rinj që përkrkëdhelnin endrrat e tyre dashurore, u qe taksur të përballonin
një provë të rëndë - ndarjen mizore, shkaku i së cilës ishte jo lufta
jetëvrasëse apo vdekja tinëzare, por lufta e klasave, ky përbindësh
gjëmëndjellës që hapi plagë aq të rënda në jetën e sa e sa njerëzve që s’gjetën
dot kurrë përdëllim. Kjo është edhe arsyeja që përmbajtja e novelës përbën
modelin e një përgjithësimi artistik.
Pra, njëri
nga tiparet karakteristike që mishërohet në figurën e Aurelit, si heroit
kryesor të novelës, është vlera e saj përgjithësuese. Ky tipar i figurës
artistike lidhet me faktin se ai mishëron në vetvete disa cilësi që janë
karakteristike dhe që luajnë një rol të rëndësishëm në përshkrimin e elementit
individual në jetën e tij. Dhe si vlerë domethënëse e figurave artistike të
kësaj novele shërben fakti që emrat e dy heronjve kryesorë, të Aurelit dhe të
Brikenës, nga të përveçëm, vijnë e kthehen në emra të përgjithshëm. Dhe sapo
lexuesi njihet me ta, si dy heronj kryesorë të kësaj vepre, ata i sjellin në
kujtesë menjëherë fatin e një morie aurelësh dhe brikenash, dashuria e të
cilëve pati rënë viktimë e një lufte të marrë klasash që vazhdoi për disa
dhjetëvjeçarë me radhë.
Prandaj e
tërë novela mishërohet në sinekdokën, si mjet artistik. Pra, përmes së
veçantës, autorja, tërthorazi, e bën lexuesin të nënkuptojë të përgjithshmen.
Në fatkeqësinë e dashurisë së Aurelit dhe të Brikenës, zbulohen brengat
dashurore e të gjithë atyre brezave të rinjsh që lufta e klasave ëndrrat ua
preu në mes.
Fort
prekëse janë faqet e librit ku skalitet bota e brendshme e nënës së Aurelit, e
cila e mahnit lexuesin me ngrohtësinë e shpirtit të saj fisnik.
Për
babain e Aurelit shkrimtarja mjaftohet vetëm me heqjen e një peneli në tablonë
e jetës së të rinjve. Ajo nuk e bën fajtor atë për ato që thotë e bën kundër
dashurisë së të birit. Se ajo ia lë në dorë lexuesit të gjykojë për formimin e
tij: ai është viktimë e indoktrinimit me luftën e klasave.
Kjo
novelë lexohet me frymën pezull për bukurinë e përshkrimeve lirike, në të cilat
heroi kryesor i saj shtegton drejt botës së tij të brendshme. Në këto
përshkrime ndihet aroma e lirizmit të prozës novelistike të Turgenjevit
(1818-1883), të krijimtarisë së Ernest Hemingueit (Ernest Miller
Hemingway-1899-1961), të Uiliam Follknerit (William Cuthbert
Faulkner - 1897-1962), të Alberto
Moravisë (1907-1990), sidomos në romanin e
tij të parë me titull “Një banore nga Roma”,të botuar në
vitin 1929.
Përshkrimet
lirike autorja i përdor për të nxjerrë në spikamë furtunat shpirtërore të
Aurelit në çastet kur zemra e tij e ndien nga afër stuhinë e afsheve të
dashurisë së parë që po ia pushtojnë zemrën cep më cep.
Veçoria e përshkrimeve lirike qëndron në faktin se autorja i jep
ato në formën e fluturimeve lirike, duke bërë kësisoj një ndryshim sa
interesant, aq edhe të papritur në vijën kompozicionale të novelës.Por nuk mund të mos theksohet edhe fakti
tjetër që përshkrimet lirike, për autoren e kësaj novele, përbëjnë një provë të
vërtetë të shpërfaqjes së talentit të saj.
Autorja e mbyll novelën me një paragraf
me domëthënie filozofike:
“Dashuria
e vërtetë, me gjithë ngjyrat, zërat dhe forcën vitale të saj, jetohet vetëm një
herë. Kjo është dashuria e pavdekshme që nuk shlyhet kurrë nga kujtesa, e cila
lë pas veç brenga dhe mall… Një mall i pashuar!
Kjo domethënie filozofike,
me solli nëkujtesë një aforizëm të shkëlqyer të pedagogut të shquar ukrainasVasil
Suhomlinski (1918-1970), në të cilën ai thotë:
“Dashuria
është më e madhe se Hyjnia. Ajo është bukuria dhe pavdekësia e amshuar e
njeriut. Ne shndërrohemi në një grusht eshtrash, kurse dashuria mbetet e
përjetshme”.
Tiranë, 06 qershor 2013