Memli Krasniqi: Dritare e re që bota ta njoh më mirë Kosovën
Kosova dhe trashëgimia e saj kulturore do të mund të njihen edhe më shumë nga dita e sotme. Kjo, përmes një databaze që ka krijuar Muzeu i Kosovës.
Të gjithë qytetarët dhe vizitorët të cilët vinë për herë të parë në vendin tonë, përmes kësaj databaze do të mund të informohen me të dhënat se çka ofron Kosova për trashëgiminë kulturore.
Në këtë databazë, vizitorët do të informohen për vendet historike dhe monumentet e ndryshme fetare e kulturore. Informacione do të ketë gjithashtu edhe për traditat, zakonet dhe veshjet.
267 monumente, do të jenë të shfaqura në këtë faqe interneti.
E kjo databazë, përpos informacioneve, sipas ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi do ta njoh Kosovën me të gjitha vendet e botës.
Memli Krasniqi: Dritare e re që bota ta njoh më mirë Kosovën
“Kosova në vitet e veta si shtet në forma të ndryshme i ka prezantuar vlerat e veta para botës. Nga sot ne po hapim edhe një dritare të re që bota ta njoh më mirë Kosovën, vendin tonë ashtu edhe siç është. Shumë njerëz që vinë për herë të parë në Kosovë, e dini që thonë se kanë pritur diçka tjetër por që shohin një vend shumë më të mirë që u lenë mbresa që nuk i kanë pritur.
Databaza e trashëgimisë kulturore që sot po lansohet edhe për publikun, përveç një mundësi informimi për monumentet tona historike, kulturore, fetare dhe të tjera, për traditat, zakonet, zejet, veshjet dhe shumë gjëra të tjera, është dhe një mundësi më shumë që qytetarët jo vetëm të Kosovës por edhe nga mbarë bota, ta njohin më mirë trashëgiminë tonë kulturore, të larmishme, por edhe të vizitojnë në të ardhmen këto monumente që do të prezantohen këtu”, ka thënë Krasniqi.
Përpos Ministrisë së Kulturës, funksionimin e kësaj databaze e ka mundësuar edhe ambasada e Britanisë në Kosovës. Jan Cliff, ambasadori i kësaj të fundit, e ka vlerësuar ndër të tjera edhe si ndryshim përshtypjesh për Kosovën.
Jan Cliff: Kosova ka një dritare për atë se çka ofron trashëgimia kulturore
“Mendoj që gjëja më e madhe për hapin që ne kemi marrë për Bazën e të dhënave është se Kosova tani, siç tha dhe ministri, ka një dritare për atë se çka ofron Kosova sa i përket trashëgimisë kulturore. Kam pasur vizitor nga Britania e Madhe këtu dhe ata janë të mahnitur me atë çka shohin sa i përket objekteve historike, dhe më një përzierje të tille të objekteve historike, objekteve fetare të ndryshme dhe kjo vërtetë ndihmon në ndryshimin e perceptimit për Kosovën. Kjo bazë e të dhënave si një lloj dritare publike për atë se çka ka të ofroje Kosova është vërtetë me rëndësi”, ka thënë Cliff.
Projekti i kësaj databaze është i shfaqur në tri gjuhë, në atë shqipe, angleze dhe serbe. Databaza përfshin tri kategori të trashëgimisë, atë arkitekturale, arkeologjike dhe trashëgiminë e luajtshme.
Databaza për qasje më të lehtë të qytetarëve është e ndarë në bazë të regjioneve të cilave u përkasin monumente, si ajo e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt. E të interesuarit për të dhënat e trashëgimisë së Kosovës mund të qasen në këtë webfaqe, www.trashëgimia.org