2014-07-27

TORONTO SUN: FËMIJËT SHQIPTARË QË PUNOJNË NË MINIERA SHFRYTËZOHEN ÇDO DITË PËR 80 LEKË


Punësimi i fëmijëve është një ndër problematikat kryesore në të gjithë botën, ku pjesë e tyre është edhe Shqipëria. Shpeshherë punësimi i fëmijëve shqiptarë në punë me kushte të vështira ka qenë në fokus edhe të mediave të ndryshme ndërkombëtare
Gazeta kanadeze “Toronto Sun”, në një reportazh të sajin ka vënë në qendër të vëmendjes punën dhe shfrytëzimin e fëmijëve shqiptarë si ajo në minierën e kromit në Bulqizë.
Theksohet se plot 85 milionë fëmijë në të gjithë botën punojnë në kushte të vështira, në mesin e tyre janë edhe fëmijët shqiptarë të cilët punojnë në minierën e kromit në Bulqizë, të pasiguruar e në fshehtësi si dhe me masa minimale për mbrojtjen e jetës së tyre.
Reportazhi i dedikuar fëmijëve shqiptarë sjell punën dhe shfrytëzimin e Kelit, një djaloshi 13-vjeçar, i cili tregon kushtet në të cilat nxjerr krom çdo ditë, rreth 2500 metra nën tokë. Edhe pse ai ka humbur nënën e tij e cila është shtypur nga një kamion që mblidhte metalin, apo dhe pse i ati e ka braktisur duke e lënë që të rritet nga vëllezërit, varfëria e ka bërë që ai të vijojë punën në këtë minierë nën kushtet më të vështira.
“Ëndërroj të shkoj poshtë dhe të gjej kromin më të mirë”, thotë 13-vjeçari. Nga ana tjetër, vëllai i tij Selimi 21 vjeç, tregon se gjatë mbrëmjes sheh ëndrra të këqija për vdekjen e së ëmës.
Sipas “Toronto Sun” kompani të mëdha ndërkombëtare, përfshirë edhe një firmë me bazë në Vankuver, që ka një histori në Bulqizë, kanë përfituar nga kjo gjendje në Bulqizë. Megjithatë fushata e qeverisë së re për të ndërmarrë reforma në mbrojtje të fëmijëve shihet si një shenjë progresi.
“Me kovat e tyre ata shesin gurët e gjetur te “bosët e kromit”, shkruan “Toronto Sun”. Sigurisht që edhe disa nga prodhuesit më të mëdhenj të çelikut në Amerikë kanë përfituar nga minierat e Bulqizës.
Zëdhënësi i “Columbus Copper Corporation”, Jorge Martinez është shprehur se tani janë duke hequr dorë plotësisht nga minierat shqiptare. Martinez nuk ka përmendur punën e fëmijëve, por vuri në dukje se “Shqipëria është një vend shumë i vështirë për të vepruar.”
Në reportazh theksohet gjithashtu se nuk ka ende një shifër zyrtare të personave që kanë humbur jetën në minierat e Bulqizës, por shton faktin se fëmijët shfrytëzohen çdo ditë për 80 lekë për kilogram, e mjaftueshme sa për të blerë miell.
Ndërsa Margarita, një grua e ve 27 vjeçe, tregon se si burri i saj humbi jetën në minierë dhe që nuk mori kurrë asistencën e jetimëve prej 60 dollarësh në muaj. Ajo tregon se si ka urdhëruar djalin e saj 10-vjeçar Mariglenin, dhe vajzën e saj 7-vjeçare Brikelën, që të ndërpresin punimet e tyre në minierën e kromit.
Megjithatë djali sërish shkonte fshehurazi në minierë për të punuar, dhe me lekët e fituara, i bleu mamasë së tij një trëndafil për festën e nënës. Nëna 27-vjeçare ka treguar se e refuzoi dhuratën pasi po mbante zi për vdekjen e burrit të saj, por kjo nuk e ndaloi djalin që të shkonte dhe të blinte një fustan të zi. Sipas saj, djalit nuk i bën më përshtypje kjo punë pasi ai sheh vetëm se çfarë mund të blejë me ato para.
Nuk është vetëm miniera vendstrehimi i fëmijëve të punësuar e të pasiguruar dhe që mbi të gjitha punojnë në kushte të vështira. Gazeta “Toronto Sun” sjell dhe dy vajza të moshës 14 dhe 15 vjeç nga malësitë e Shkodrës, të cilat punojnë një fabrikë këpucësh dhe nga ku marrin jo më shumë se 150 dollarë në muaj, ku 60 dollarë u kushton vetëm transporti.
Punësimi i fëmijëve është një ndër problematikat kryesore në të gjithë botën, ku pjesë e tyre është edhe Shqipëria. Shpeshherë punësimi i fëmijëve shqiptarë në punë me kushte të vështira ka qenë në fokus edhe të mediave të ndryshme ndërkombëtare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...