ISIS: Sot Iraku, nesër Jordania?


Kombet e Bashkuara thonë se së paku 1,075 njerëz janë vrarë në Irak në periudhën 5 qershor – 22 qershor, derisa militantët sunitë kanë pushtuar territore në provincën Anbar dhe në veri të Bagdadit.

OKB thotë se shumica e viktimave janë civilë, të cilët kanë pësuar nga shpërthimet dhe ekzekutimet. Zëdhënësi i OKB-së, Rupert Colville, ka thënë se shifrat duhet të shihen si minimum. Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti, grup i lidhur me Al Kaidën, ka thënë se ka ekzekutuar mbi 1,700 rekrutë shiitë të ushtirsë, pasi ka marrë kontrollin e qytetit Mosul, pak javë më parë.

Në qytetin verior të Irakut, Irbil, të martën ka qëndruar sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. Ai ka takuar atje presidentin e rajonit autonom kurd, Masud Berzani, në përpjekje për të inkurajuar formimin e një qeverie të re, më gjithëpërfshirëse.

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki, një shiit i cili është kritikuar për nxitjen e tensioneve sektare, pasi nuk u ka ofruar pozita adekuate përfaqësuesve sunitë dhe kurdë, i ka thënë Kerryt të hënën se do të japë dorëheqje nga posti më 5 korrik.

Kerry, gjatë bisedimeve me Berzanin dhe zyrtarët e tjerë kurdë, ka thënë se sfida e formimit të qeverisë është sfida kryesore në Irak. Ai po ashtu ka lavdëruar bashkëpunimin e forcave kurde në siguri, duke thënë se ka qenë vërtet e rëndësishme që t’iu ofrohet ndihmë forcave irakiane të sigurisë, në luftën kundër militantëve. “Sfida e formimit të qeverisë është sfida kryesore me të cilën përballemi. Në ditët e fundit, bashkëpunimi në siguri midis forcave këtu, në rajonin kurd, ka qenë vërtet i rëndësishëm”, ka thënë Kerry.

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe milicitë finsore kanë vazhduar edhe sot luftimet në përpjekje për të konsoliduar kontrollin në territoret që kanë uzurpuar së fundmi, në perëndim të provincës Anbar dhe në veri të Bagdadit. Zyrtarët e ushtrisë irakiane kanë hedhur poshtë pohimet e militantëve se kanë marrë nën kontroll të plotë rafinerinë më të madhe në vend, Baiji, e cila ndodhet pranë Mosulit.

Kjo rafineri është nën rrethimin e militantëve që dhjetë ditë. Forcat qeveritare kanë thënë sot se kanë kryer një seri sulmesh ajrore kundër militantëve, duke pretenduar se kanë vrarë disa prej tyre. Por, këto informacione nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.



Grupi terrorist ISIS dhe milicitë aleate po zgjerojnë sferën e tyre të ndikimit në Irak. Ndërkohë ata kanë nën kontrollin dhe kalimin e vetëm kufitar për në Jordani. 

Iraq_ISIL_11_june__2938342b

Kufiri jordanezo-irakian është një vendkalim i vetmuar diku në shkretëtirën e pafund të verdhë-kafe në mes të kryeqytetit jordanez Aman dhe Bagdadit. Në fakt këtu duhet të gjendeshin doganierët e qeverisë qendrore të Irakut dhe të kontrollonin hyrjet dhe daljet. Por qeveria qendrore e Irakut nuk e ka më nën kontroll kufirin jordanezo-irakian. Milicë sunitë, aleatë të grupit terrorist ISIS e kanë vënë nën kontroll postën kufitare.

Ky është vetëm një tjetër hap tjetër në marshimin e ISIS në Irak. Në Aman lajmi për pushtimin e postës kufitare shkaktoi shqetësim të madh. Ministri i Brendshëm jordanez tha se vendi i tij është “i rrethuar nga ekstremistët.” Qeveria i vuri trupat e saj në kufi me Irakun në gatishmëri. Mbretëria ka mobilizuar dhjetëra organizata përgjatë kufirit, u tha nga burime ushtarake.

Edhe SHBA është e shqetësuar. Presidenti Barack Obama paralajmëroi se ofensiva e xhihadistëve nga Iraku mund “të përhapet në Jordan.” Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha, ISIS është “një kërcënim për të gjithë rajonin.” Asnjë vend nuk është i sigurt nga ky lloj terrori. Jordania është një aleat kyç i SHBA-së në rajon.
Irak: Mbi 1,000 të vrarë në qershor
Aparat i fortë sigurie

André Bank ekspert i Lindjes së Mesme në Institutin Giga të Hamburgut mendon se qëllimi i ISIS është që të krijojë një shtet islamik në Irak dhe të ashtuquajturin Siri e Madhe. “Kjo do të thotë jo vetëm Siria e sotme por edhe pjesë të mëdha pjesë të Irakut, Libanit, të Palestinës dhe të Jordanisë.”
Ky pretendim reflektohet në një video propagandistike që ISIS përhapi javën e kaluar në internet. Në të shihen pesë luftëtarë, gjoja nga Britania e Madhe dhe Australia. “Ne nuk njohim kufij,” deklaron njëri nga burrat. “Ne kemi luftuar në Siri, për pak ditë do të shkojnë në Irak, dhe do të shkojnë në Jordani dhe Liban. Kudo që na dërgon udhëheqësi ynë.”
Por ndoshta të paktën tani për tani kjo është vetëm propagandë. André Bank mendon se për momentin nuk ka gjasa që luftëtarët e ISIS të depërtojnë në Jordani. Sepse ndërsa në Irak ata kanë përballë një ushtri të demoralizuar, e cila i dërëzoi thuajse pa luftë pjesë të tëra të vendit, ushtria jordaneze konsiderohet si aftë për të luftuar. “Aparati jordanez i sigurisë është një nga më të fortët në rajon. Pikëkalimet kufirtare ruhen shumë fort.”

Kërcënim i shtuar prej terrorit

Por ISIS mund të përpiqet ta destabilizojë Jordaninë përmes sulmeve terroriste. Nuk është hera e parë që Jordania është objekt i sulmeve terroriste. Në vitin 2005 prej tri sulmeve në hotele luksoze, gjetën vdekjen më shumë se 50 vetë. Pas këtyre sulemeve ishte grupi terrorist “Al-Qaida në Irak”, paraardhësi i ISIS. Udhëheqësi i tyre: jordanezi Abu Musab al-Zarkaui.
Ramzy Mardini është një ekspert për sigurinë në Këshillin Atlantik dhe jeton në Aman. Ai beson se grupet radikale mund të kenë ndërtuar tashmë celula terroriste në Jordani. Në Jordani ka një numër në rritje xhihadistësh, thotë Mardini. Kjo u duk të premten e kaluar (20.06.2014), kur rreth 200 përkrahës të ISIS dolën në rrugë në qytetin e Maan në jug të Jordanisë. Në parullat që mbanin në dorë ata e deklaruan qytetin e tyre “Falluxhën e Jordanit”. Qyteti irakian Falluxha është bastion i islamistëve radikalë.
Por shumica e popullsisë është kundër ekstremistëve të ISIS, beson Marvan Muasher, ish-ministër i Jashtëm i Jordanit, sot zëvendëspresident i institutit Carnegie Endowment. Sipas tij “rreziku që paraqet ISIS për Jordaninë nuk mund të krahasohet me rrezikun që përbën kjo organizatë për Sirinë apo Irakun.” ISIS është një kërcënim për sigurinë, por jo “kërcënim ekzistencial”.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)