Cikël poetik nga Avni Dehari

Image result for avni dehari


Avni Dehari lindi më 3.05.1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme, gjimnazin, e mbaroi në Preshevë, kurse u diplomua në Fakultetin e Filologjisë - gjuhë dhe letërsi shqipe, në vitin 1974, në Prishtinë.

Deri më tash i ka botuar këta libra: poemën për fëmijë “Dielli”, me pseudonimin Agim Vardari, monografinë “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, në bashkautorësi me Destan Hajdinin, përmbledhjen poetike për të rritur “Pas rrezes së diellit”, librin për fëmijë në prozë “Saja fluturuese”, përmbledhjen me poezi për fëmijë “Hëna në dritare”, “Kënga e Drerit Fjalëpak”, “Flokëhapareshuri” dhe “Gjergji i Arberisë”. “Nxin e qesh natyra” është libri i tij i nëntë.

Avni Dehari që nga viti 2001 jeton në Prishtinë.


SA LARG E SA AFËR SHQIPËRIA
(Frymëzuar nga udhëtimi për në Kërçovë, ku më 14, 15 dhe 16. 11. 2014 u mbajt manifestimi poetik “Takime nën Rrap)
Nga Prishtina në Kërçovë
Ec e ec..
Krejt bota Shqipëri
E Shqipëria kurrkund!

Ec e ec nëpër Shqipëri,
Sa më afër Kërçovës,
Shqipëria më afër Diellit!

Ec e ec…
Sa më afër Shqipërisë,
Shqipëria përtej fanitjes!

Shqipëria
Nën zhgan bajlozësh
Mbrun diellin e së nesërmes

Shqipëria sa larg,
Shqipëria sa afër!

Shqipëria
Më shumë se një pëllëmbë tokë,
Shqipëria
Më shumë se gjeografi dhembjeje,
Më shumë se një e qarë nëne.

Shqipëria
Më afër se këmisha e trupit,
E dashuruar në jetën tonë,
E dashuruar në tonën vdekje.

Shqipëria
Pjek dashurinë
E ne te këmbët e saj
Këndojmë baladën e Gjergj Elezit
E Motra të nesërmen qëndis në gjergjef.

Mall përvëlues

Nëntëmbëdhjetë vjet
Në dhe të huaj
Në mallin tënd u poqa,
U përcëllova,
Gati u treta,
Vendi im, oqean malli!
Nëntëmbëdhjetë vjet
Ballin nuk ma përkëdheli 

Rrezja e diellit
Në agimet e tua të trëndafilta,
Vendi im liqen lotësh!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa gurgullimën e krojeve të tua, 
Shekuj m’u bënë,
Vendi im,
Ujëvarë bjeshke! 
Nëntëmbëdhjetë vjet
Butësinë e ograjave,
Në dhe të huaj
Më kot ta kërkova,
Vendi im,
Ëndërr fëmijërie!
Nëntëmbëdhjetë vjet
Mezi i plaka
Pa urimin “Tungjatjeta!”
Rit i fisit tim,
Vendi im,
Gurrë jete!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa cicërimën e ëmbël
Të zogjve pranverorë,
Vendi im,
Vetull ylberi! 
Nëntëmbëdhjetë vjet
Pa mugullimin e marsit,
Dehje për kthim,
Etje për lirinë e shumëpritur!
Vendi im prehërngrohtë,
Vendi im krahëhapur,
Shekujt nuk po më dalkan,
Ta shuaj mallin
Në kraharorin tënd magjepsës!


Përgjërimi

(Frymëzuar nga protesta e organizuar 
në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, 
më 30 gusht 2010 në Prishtinë) 

Në zemër të Prishtinës
Mbi pllaka mermeri,
Si mbi rrasa të ftohta varresh,
1837 palë këpucë, 
Të vogla, 
Të mesme, Të mëdha.
Këpucë fëmijësh,
Nxënësish,
Studentësh,
Punëtorësh; 
Këpucë malësorësh,
Këpucë të grisura udhëtarësh, 
Këpucë nusesh me vel, 
Këpucë dhëndurësh, 
Festash e dasmash,
Vëllezërish, 
Motrash, 
Nënash, 
Etërish;
Këpucë që mbi pllaka mermeri,
Si një det i thellë dhembjeje,
Si një oqean i pafund malli,
Me nga një pikëpyetje,
Kordele në qafë,
Me nga një fjali:
“Ku janë?”,
Pyesin: 
Ku është njomëzaku im,
Ku është babai im bujar,
Nëna ime diell dashurie,
Gjyshi im përrallëtar i rrallë,
Gjyshja ime zemërbardhë,
Vëllai im me yll në ballë,
Motra ime sypërlotur?...
Pyesin:
Pse na shikoni si të huaj?
Nuk na njihni!?
Nuk na keni parë!?
Fotografitë tona në kangjella 
Para Kuvendit të Kosovës,
Që dhjetë vjet,
Si gjethe pemësh,
I tund era në pranverë,
Në verë, në vjeshtë, në dimër. 
Që dhjetë vjet
Fotografitë tona,
Me sy – liqene pikëllimi,
Buzëplasur përgjërohen:
Na ktheni në vendin tonë!
Që dhjetë vjet 
Fotografitë tona zverdhen
Por nuk bien,
Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.
Që dhjetë vjet
Zbehen fotografitë tona
Nga dielli, shiu,
Acari, veriu, koha, 
Por malli nuk zbehet,
Çdo ditë më shumë shtohet,
Bëhet vullkan, 
Zemra nënash përvëlon,
Zemra fëmijësh sëmbon,
Zemra motrash shkrumbon,
Zemra të dashurish 
Me afsh i përcëllon.
Zbehen fotografitë, 
Por jo shpresa për kthim 
Shtatë pashë në zemër palosur.
Nuk zbehet malli i nënave, 
Det i thellë, oqean i pafund. 
Nuk zbehet 
Dashuri e brishtë, 
Malli i fëmijëve njomëzakë,
Që çdo ditë 
Me rrezen e parë të diellit
Mirëmëngjesi 
Dhe në të ngrysur 
Natën e mirë na thonë;
Na njomin me lot, 
Me doçka na ledhatojnë.
Që dhjet vjet
Në fotografitë tona 
Sytë thellohen,
Buzët përgjërohen, 
Vendlindjen mëtojnë.
Zbehen fotografitë,
E humbin shkëlqimin, 
Bashkë me eshtrat tona,
Që në dhe të huaj mërdhijnë,
Nuk gjejnë qetësi,
Nuk pushojnë.
Njerëz,
Mos na harroni,
Kërkoni kthimin tonë!
Pushtetarë,
Bëni urëvarë,
Me eshtrat tona
Që nëpër të,
Si në legjendë,
T’ia mësyjmë vendit tonë.
Bashkohuni me nënat,
Syburim pashterur,
Me etërit, 
Që gulçimin nyjë 
Në fyt shtrëngojnë,
Me fëmijët, 
Që shpresën,
Bashkë me lotin,
Në qerpik mbajnë,
Me motrat,
Që qëndismat me lot i lajnë!
Bashkohuni me mallin tonë,
Që nuk tretet
Për një copë tokë vendlindjeje,
Sa për një varr,
Shtrat për eshtrat tona,
Për diell Kosove,
Për një grusht dhe të shkriftë
Mbi trupin tonë,
Për një vizitë,
Për një lulenuse,
Për një lutje shqip
Mbi varrin tonë!
Bashkohuni me lutjen tonë 
Për kthim
Pranë nënave,
Fëmijëve,
Motrave,
Vëllezërve,
Pranë nuseve tona,
Pranë të dashurve tanë.
Njerëz,
Mos na harroni!


Barletit

Hap fletët e kronikave 
si derën e përrallave magjike
Barleti ngeshëm më flet:
për krahun, 
për shpatën,
për mburojën,
përkrenaren,
e kalin e Gjergjit.
A do ta njihnim
krahun e trimit 
pa ty Barlet?
Shpatën,
ndryshku
dhe dhëmbët e kohës
ndoshta do ta brenin 
deri në harrim.
Mburojën ,
gjoks për Arbërinë,
kot do ta kërkonim
në muzetë e botës
e përkrenares 
edhe ditën me diell
cubat 
do t’ia vidhnin 
krenarinë.
Kalin
nuk do ta gjenim 
shesheve të qyteteve
me Gjergjin kalëruar
e shpatëzhveshur 
për Shqipërinë.

Hap fletët e kronikave 
si derën e përrallave magjike,
kronikani ngeshëm më flet
për Nëntorin e Parë,
për Motin e Madh
e unë me lapsin në dorë 
përgëzoj Barletin.

Çamëri, dhembja ime
Çdo mbrëmje vdesim,
Nga plagët e tua,
Çdo mëngjes lindim
Me mallin për ty,
Çamëri!

Midis stuhish,
Në udhëkryq të takova,
Çarlat e gjoksit tënd
Ma vranë shikimin,
Memec mbeta,
E baladën e Mollës së Kuqe
Në vargun e përgjakur ta fsheha!

Vajtoret
Flokëthinjura,
Faqeçjerra,
Mbi kurmin tënd,
Një grusht dhe në cep shamie,
Natë e ditë ta bëjnë gjëmën!

Buzëplasura, Çamëri,
S’paska varg që t’i numëron plagët!
Ku të gjej atë varg që t’i mëlcon dhembjet!

Në balljen ngjyrë deti,
Në jelekun fletë shqiponje,
Në palë fustanelle,
Palë flamuri,
Mallkimi,
Mallkthimi,
Lëmashk të kanë zënë!

Çamëri,
Dhembja ime,
Altar t’u bëfsha
Për nusërimin tënd,
Përkrah Tesprotit
Në amfiteatrin e Dodonës.

Vetëm atëherë Çamëri,
Në qiell e në tokë,
Diellit pellazg do t’i falem
Për tri ditët e afshit të zemrës,
Për të cilat kemi rënë në cikna dimrash
Dhe jemi ngritur në bulim pranverash.

Atëherë, Çamëri,
Ditën e parë,
Si marsi trillan në legjendë,
Zervën do ta nguros me gjithë lukuni,
Ditën e dytë,
Me nimfat do të lahem në Thyamis,
Që ditën e tretë
Në buzëqeshjen tënde të trëndafiltë
Të vdesim e të lindim
Pa plagët e tua, pa mallin për ty!

Prishtinë, 28 nëntor 2013
Mall përvëlues
Riti i fisit tim
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Në afshin tënd u poqa,
U përcëllova,
Gati u treta,
Vendi im, oqean malli!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Rrezja e diellit tënd,
Agimeve të trëndafilta,
Nuk ma puthi ballin,
Vendi im liqen lotësh!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa gurgullimën e krojeve të tua,
Shekuj m’u bënë,
Vendi im,
Ujëvarë bjeshke!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Butësinë e ograjave,
Më kot ta kërkova,
Vendi im,
Ëndërr fëmijërie!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Mezi i plaka
Pa urimin “Tungjatjeta!”
Rit i fisit itm,
Vendi im,
Gurrë jete!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Pa cicërimën e ëmbël
Të zogjve pranverorë,
Vendi im,
Vetull ylberi!
Nëntëmbëdhjetë vjet,
Në dhe të huaj,
Pa mugullimin e marsit,
Dehje për kthim,
Etje për lirinë e shumëpritur!
Vendi im krahëhapur,
Vendi im prehërngrohtë,
Shekujt nuk më dalkan,
Ta shuaj mallin përvëlues
Në gjirin tënd magjepsës!

Dielli lot në Vlorë

Para llucë e shi,
Prapa ngricë e borë,
Fërfëllizë e llucë,
Isa për në Vlorë.

Llucë e shi përpara,
Prapa ngricë e borë,
Nëpër zhgan ujqish 
Rrugës për në Vlorë.

Vit bëhej dita,
Shekull një natë,
Llucë, acar e shi,
Breshër e shtrëngatë.

Shqipëria në Vlorë
Shkrifej në Diell të ri,
Prapa ngricë e borë,
Para llucë e shi. 

Isën nuk e çeli
Ditë e parë në Vlorë,
Çante rrugën trimi,
Si ortek me borë.

Ditën e dytë Dielli
Ndiqte retë në Vlorë,
Bubullimë prapa,
Fërfëllizë e borë.

Plaku i Pavarësisë
Me Flamur në dorë,
Biri i Kosovës
Plisin Sharr me borë.

Shkrihen në përqafim
Si vëllezër të vërtetë,
Zjarr e afsh në gji,
Zhdavaritin retë.

Afshin e Kosovës
Isa derdh në Flamur,
Shteg mali ballin,
Gjoksin sikur furrë.

Afshin e Shqipërisë 
Ai e derdh në Vlorë,
Edhe njëqind vjet
Prapa ngricë e borë.

Njëqind vjet dimër,
Njëqind vjet verë,
Diell Vlore andej,
Këndej zi e terr.

Afshi i Shqipërisë,
Dielli lot në Vlorë,
Shkrinin në Kosovë
Akull shekullor.

Faqe ndërroi moti,
Fryu një erë tjetër,
Acar, llucë e shi,
Një kujtim i vjetër.

Rruga për në Vlorë
Pa llucë e pa shi,
Shend e verë përpara,
Prapa Diell i ri.



Letra e reve

Me rrufe dërguan,
Retë letër për ne, 
Ashpër kërcënuan:
Njerëz, vini re!

Përditë ndotet ajri,
Dheu bëhet trokë,
Thahet pema, bari,

Rënkon qiell e tokë.

Dëmtohet fusha,
S’do të kemi grurë,
As dimri, as vera,
Nuk janë si dikur.

Tym e gazra plot
Ndotet atmosfera,
Gjithnjë e më fort,
Po tërbohet era.

Çdo anë blozëri,
Qiellin e mbulon,
Dielli në gjithësi,
Më pak ndriçon.

Po zymtohen yjet,
Ujërat bëhen pis,
Po zhbëhen pyjet,
Po ndotet çdo vis. 

Na zihet fryma,
Zemra na gulçon,
Na buçet koka,
Ndotja përparon.

Po vazhdoi ndotja,
Na humb durimi,
Dysh ndahet zemra,
Na kap tërbimi.

Me breshër e stuhi,
Ne ju sulmojmë,
Nuk bëjmë mahi,
Botën e trazojmë.

Akullnajat në veri,
Shkrijnë, vërshojnë,
Vullkanet me furi,
Djegin, përvëlojnë.

Nëse ndalet ndotja,
Nuk mbajmë mëri,
Na zbutet zemra,
Ju falim kënaqësi.

E zbutim motin,
Diellit i ndrit fytyra,
Shiu njom mjedisin,
Ëmbël qesh natyra.



Amaneti i shokëve

(Dëshmorëve: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka)

Të dashuruar pas rrezes së diellit,
Në udhën e rrahur ndër shekuj,
Ranë shokët tanë, 
Vdekjen me vdekje e mundën,
Ditë e natë pranë nesh qëndrojnë 
Si yj që nuk shuhen kurrë.Nderim e lavdi 
Ata paçin përjetë,
Se amanet na i lanë:
Gjakun, 
Kurrë të mos na ndalet hovi rinor,
Gjuhën,
Zemrat të na i zbutë e të na i forcojë,
Sytë,
Horizonteve ta hedhim vështrimin,
Këmbët,
Hapin ta kemi të gatshëm për marshim,
Grushtin,
Shtrigat t’i shkallmojmë,
Krahët,
Agimet e kuqërremta t’i përqafojmë,
Zemrat, oh zemrat,
Kambanë për ditën e madhe.
Heu, kush shkel mbi gjakun e tyre,
Dritë e diellit e verboftë,
Mallkimi i tokës nënë e zëntë!



Lumi

Është gjëegjëzë,
Nuk bëj mahi.
Lumë është,
Lumë nuk është!
Le ta gjejë,
Kush e di.
Pi qumësht,
Ha nga pak,

Dysheku i butë, 
E pret në krevat!
Shihni, shihni,
Sa çudi,
Vu andej, vu këndej,
Hipur në rreth,
Si në makinë,
Ta bën Lumi,
Rrëmujë shtëpinë!
S’rrjedh në shtrat, 
Por zhargitet,
Në prehër të nënës 
Lumi rritet!
Del në shëtitje
Me kënaqësi,
Ikën brenda 
Kur bie shi!
Kthjellet moti,
Prapë gjallërohet,
Po nga dielli s’avullohet!
Çupa-çupa mu si patë,
Lahet Lumi në govatë!
Luan me lodra, 
Me qumësht ngihet,
Po kur lodhet,
Në gjumë shkrihet!
Nuk përmbyt,
Nuk vërshon,
Me doçka të buta
Lehtë të lëmon,
Hopa hidhet,
Të përqafon!
Kur qesh Lumi: glu-glu,
Krua mali, gurgullimë,
Hapet qielli më besoni,
Plot me gëzim
E mbush shtëpinë!
I bërtite, 
Fort hidhërohet,
S’e afrove, 
Nuk pajtohet! 
Me ata sy rrush të zi,
Kur qan Lumi gurron shi!
Qesh Lumi, qesh natyra,
Hënë e diell i ndrit fytyra!
Sytë e tij 
Plot shkëlqim
Shporrin terrin,
Derdhin gëzim!
Një ninullë
Në qerpik i ngjitet,
Sa më shpejt
E uron të rritet:
Lum, o Lum, 
Qafëllokum,
Rritu, rritu, 
Pak më shumë!
Gjëegjëza 
Tash u zgjidh
Krejt e dini 
Sikur unë: 
Kush pi qumësht 
Dhe bën gjumë,
Nuk është lumë, 
Shtrat-ujëshumë, 
Është fëmijë
(Nipi i gjyshit)
Me emrin Lum!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)