Antisemitizmi duhet kërkuar nëpër Europë, e jo në Shqipëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët

13872352_10153784734017215_1706518926_n-1-e1470126054585

Nga Behxhet JASHARI:


 Antisemitizmi dhe besa e shqiptarit




S’do mend se fjala ose qëndrimi i prerë tek shqiptarët, i njohur si besë në historinë kombëtare, luajti rol mjaft pozitiv. Meqë rrotulla e historisë gjatë periudhave të ndryshme kohore ndryshon, që këtu ndodhitë në dekadat e fundit në botë bëjnë që historia në ndonjë mënyrë edhe të harrohet. Shqiptarët, si çdo herë në histori, u treguan humanë dhe mikpritës ndaj të gjithë atyre nevojtarëve dhe të ngratëve. Shqipëria vërtet ishte vend i sigurt për hebrenjtë, dhe jo vetëm për ta, e sot na duheshka të vijnë mbi dy mijë policë izraelitë në mbrojtje të futbollistëve të tyre!? Nëse diku larg dikujt i ka djegur qumështi, atëherë nuk është e thënë që të vijë në Elbasan e t’i fryjë edhe kosit!

Megjithatë, sipas mediave, gjatë ndeshjes së të shtunës në Elbasan nuk është vënë re asnjë banderolë apo parullë kundër Izraelit, dhe asnjë shenjë antisemite të asaj çfarë është trumbetuar gjatë këtyre ditëve. Sido që të jetë, ne si shqiptarë në asnjë rast gjatë historisë nuk kemi bërë punë apo akte të shëmtuara ndaj hebrenjve. Është me rëndësi ta përkujtojmë se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria para­qiste një vend të veçantë për hebrenjtë, të cilët ndërmjet viteve 1939-1945 gjetën strehim në këtë shtet. Pra, ata gjetën një atdhe të dytë të tyre, pikërisht në Ev­ropë, edhe atë vetëm për t’i shpëtuar politikës naziste të Adolf Hitlerit. Është me rëndësi të theksohet se qe­veria e atëhershme e Shqipërisë çështjen e vendosjes dhe mbrojtjes së hebrenjve nga ndjekjet naziste e konsideronte si çështje të brendshme të shtetit shqiptar.

Vër­te­t shqiptarët janë i vetmi komb që nuk ka­në dorëzuar asnjë hebre përpara autoriteteve të asaj periudhe gjatë Holokaustit, dhe për këtë shqiptarët mburren, edhe pse ekzistojnë pak shkrime ku flitet për këtë ndodhi. Autorja hebreje Ester Benbasa dhe prof. Aron Rodrig, në librin e tyre të përbashkët, “Histoire des Juifs sépharades – de Tolède à Salonique” (Historia e hebrenjve sefaridë – nga Toledo deri në Selanik), në fq. 378-381 paraqesin tabelat e vendeve nga të cilat janë deportuar hebrenjtë për në Aushvic dhe Jasenovac. Aty askund nuk figuron Shqipëria si vend prej ku do të ishin deportuar hebrenjtë; përkundrazi, pothuajse në të gjitha vendet ballkanike dhe ato evropiane një gjë e atillë ishte realizuar, ndërsa nga Shqipëria nuk ishte dorëzuar asnjë hebre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetëm nga Serbia në kampet e përqendrimit (Aushvic dhe Jasenovac) janë mbytur, helmuar dhe likuiduar, 14.800 hebrenj, nga Kroacia 20.000, nga Maqedonia 6.982, nga Greqia 62.573 hebrenj, etj., ndërsa nga Shqipëria asnjë. Ju lutem, më tregoni se ku qëndron antisemitizmi?

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në shumë qytete të Shqipërisë, si në Shkodër, Durrës, Vlorë, po edhe në Elbasan – pikërisht në këtë qytet ku të shtunën u zhvillua ndeshja e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit – u strehuan qindra familje hebrenjsh. Mbiem­rat e njohur elbasanas ishin edhe pritësit e familjeve hebreje që kërkonin t’i shpëto­nin gjenocidit nazist. Ndër familjet që strehu­an hebrenj përmenden edhe familja e madhe e Bi­ça­kçinjve, Shuteriqët, familja e Vasil Nosit, Adelina Nosi, Qemal Karaosmani, Destan Kurmaku, Besim Zyma, Niko Piluri, etj. Ba­no­rët e lagjes “Kala” i mirëpritën, pasi panë tek hebrenjtë besimin dhe respektin që kishin ata për shqiptarët. Edhe pse pushtuesit gjermanë ishin të rrezikshëm dhe mund t’i masakronin familjet e tyre, ata sërish ruajtën traditën shqiptare të besës. Gjatë periudhës së luftës, hebrenjtë kanë qëndruar brenda katër mureve të shtëpive ku strehoheshin. Jo vetëm familjet ku jetonin, por edhe familjet e tjera të kësaj la­gjeje ofronin ndihma materiale dhe ushqimore për hebrenjtë. Miqësia mes familjeve myslima­ne elbasanase dhe hebrenjve ka ekzistuar deri vonë. Hebrenjtë u vlerësuan si njerëz të zgjuar, të suksesshëm dhe të respektuar nga të gjithë.

Edhe njëri nga gjenitë më të mëdhenj të historisë së njerëzimit, Albert Ajnshtajni, në vitin 1935 migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një pa­saportë shqiptare; pra, as greke, as maqedonase, e as serbe, por me PASAPORTË SHQIPTARE, të cilën e kishte marrë pas një qëndrimi të shkurtër në Shqipëri. Kjo tregon se Shqipëria asnjëherë nuk kishte bashkëpu­nuar me fashizmin italian apo me nazizmin gjerman.

Në një shkrim, studiuesi anglez Adam Yamey, vizitues i Shqipërisë dhe i ven­deve të tjera ballkanike, shkruan se, “numri i hebrenjve në Shqipëri ishte jashtëzakonisht i madh, pavarësisht se vendi ishte pushtuar nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore”, ndërsa gazetari bri­tanik Leo Elton, i cili në vitin 1935 e vizitoi Shqipërinë, përshkruan realitetin shqip­tar dhe thotë: “Përveç faktit se në Shqipëri kemi një masë të gjerë njerëzish emigrantë me origjinë hebreje që përpiqen të largohen nga tmerret e kampeve naziste, ky vend ishte shtëpia dhe atdheu i dytë për heb­renjtë. Shqipëria ka një popullsi myslimane në shumicë dhe se nuk ishte një popullsi që besonte verbërisht në fe.” Leo thotë: “Vetëm një familje shqip­taro-hebreje u vra dhe u persekutua në Shqipëri, ndërsa të gjitha të tjerat arritën të mbroheshin nga popullata shqiptare myslimane”. Leo Elton përshkruan se harmonizimi ishte një veti ndër shqiptarët, e se hebrenjtë nuk e ki­shin aspak problem sikur të mund të jetonin në mesin e një popullsie prej një milion bano­rë të përzier në mes myslimanësh dhe kristia­nësh, në një vend krejtësisht të izoluar nga pjesa tjetër e industrializuar e Evropës së kohës… Çudia më e ma­dhe e izraelitëve ishte fakti se si kishte mun­dësi që të gjithë hebrenjtë të cilët u strehuan në Shqipëri u shpëtuan, e Shqipëria ishte një vend mysliman, ndërsa mikpritësit shqiptarë shpreheshin: “Shtëpia është e Zotit dhe e mi­kut!”

Në kohët tona, antisemitizmi përbën një ideologji që kërcënon paqen e përbotshme dhe si objektiv sulmues synon mirëqenien dhe si­gurinë e njerëzve të pafajshëm. Kjo është urrejtje raciste që disa e ndiejnë ndaj hebren­j­ve. Instituti izraelit “Roth” publikoi më 17 prill të vi­tit 2007 rezultatet e studimit të reali­zuar për vitin 2006 në lidhje me nivelin dhe përqindjen e antisemitizmit në Evropë, ku thuhej se në Angli u regjistruan 136 akte dhune që kishin karakter antisemit, ndërsa në Francë 97 akte dhune. Në vitin 2006, gjithsej ishin regjistruar 590 akte vandalizmi e dhune kundër hebrenjve dhe institucioneve hebraike. Hulumtuesi i lartë në Qendrën e Jerusalemit për Çështje Publike, Manfred Ger­stenfeld, në librin “Jews in a Rudderless Nether­lands” (Hebrenjtë në një Holandë pa timon) ci­ton politikanin e shquar holandez, ish-komisi­onar ev­ropian dhe ish-kryetar i partisë së djathtë në pushtet VVD, Frits Bolkestein, që kishte dek­laruar se, “hebrenjtë nuk kanë të ardhme këtu (në Holandë) dhe duhet të emig­rojnë për në SHBA ose Izrael”. Bolkestein-i e mbështeti dekla­ratën e tij duke theksuar se rritja e incidenteve antisemite në Holandë në dekadat e kaluara kishte bërë që të kishte besim të kufizuar në aftësinë e qeverisë për të luftuar anti­se­mi­tizmin. Siç dihet, Holanda ka një komunitet hebrenjsh prej rreth dyzet mijë pjesëtarësh. Si­pas një raporti të policisë holandeze, gjatë vitit 2009 janë vënë re 209 incidente me objektiv hebrenjtë; numër ky që përbën rritje me 48% krahasuar me vitin 2008.

Antisemitizmi duhet kërkuar nëpër Evropë, e jo në Shqipëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët, pasi ata vërtet janë me besë!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)