2016-11-16

Takim me një të vdekur ( tregim)

Image result for perparim hysi

Nga Përparim Hysi

Kur vdiq ai, unë kisha kohë në mërgim. Qe si befas vdekja e tij, se jo vetëm nuk kish moshën, por, ngaqë e njihja mirë, nuk vuante as nga ndonjë sëmundje. Ndieva dhimbje si për një mik të mirë e të dashur dhe, përmjet telefonit, ngushëllova të shoqen dhe fëmijët e tij, tashmë, të rritur. Sa e bëra këtë "detyrim" ( unë e bëj për çdo mik të njohur), zura dhe hamendësoja për vdekjen e tij të parakohshme dhe, përgjithësisht, për vdekjen, që rri me "kosë në dorë", sidomos për ne, të moshuarit, ku, domosdo, në "listë", duke pritur me "veshët bigë", jam dhe unë.
Ngaqë kohën e kisha me tepricë, ku nuk e çoja mendjen. E kisha liruar mendjen nga "burgjia" dhe e vura të "kulloste azat", në gjithë çahiret. Para sysh, më shfaqeshin, si në një "film pa zë", lloj-lloj vdekjesh që kishin ndodhur për arsye nga më të ndryshme: arsye moshe; të parakohshme; aksidentale dhe deri tek vdekje kobëzeza: vrasje të qëllimshme apo ato alla- mesjetë: për gjakmarrje. Tek ndiqja këto senkuenca të këtij "filmi pa zë", reflektoja sikur t'i përjetoja ato me gjithë densitetin e tyre. Natyrshëm, më shkonte mendja dhe në ato "vlerësime" apo "paragjykime" që i bën vdekjes, zakonisht, populli. Nëse vdekja merr një të moshuar, që, pothuaj, e ka jetuar shekullin e tij, në gjykimin popullor, i thonë "hanko vdekje", se të moshuarin e shpëton nga një vuajtje e mundimshme; nëse ndodh që vdekja merr një të ri a të re, e quajnë"vdekje e zezë" apo "mortajë" ( a mos je vdekje mortajë?-thuhet tek "Kënga e Dhoqinës") dhe "vdekje të lemerishme" quhen ato aksidentalet apo që ndodhin për shkaqe nga më banalet.
* * *
Tek përsiatesha kështu, po të kishe mundësi të më filmoje, do çuditeshe se në fizionominë time, do të vije re një reflektim që, ndonjëherë, do të ishte pak si "banal". Meditoja për vdekje nga më të ndryshme dhe në ndonjë nga "senkuencat e filmit pa zë", tak dhe më rrëshkiste, krejt pa dashje, një buzëqeshje.
Ju që kini durim dhe që më ndiqni në rrëfimin tim, menjëherë do më gjykoni ashpër. More është në "taketuke" ky apo e lëshoi mendjen azat dhe tani nuk është i zoti ta bjerë në gone. Epo kot nuk thonë që mendja sa një"kokërr gruri" është, doli nga burgjia, "krrej binanë", kur thonë në Labëri.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Nëse, tek meditoja për vdekjen, në buzë tak e rrëfehej një e qeshur, kjo ndodhte se kam parë me këta sy, njerëz që" vdesin" nga frika, tek dëgjojnë për vdekje.
* * *
Kishte vdekur Koli, një i moshuar, në lagjen tonë. Do shkonte për ngushëllim dhe Katja, gruaja e xha Taqos.
- Mëngjesin merre vet,- i tha Katja të shoqit,- se do iki tek Vara unë, se ka vdekur Koli, i shoqi.
Xha Taqoja, mbasi mbuloi mirë e mirë kokën me jorgan (ashtu mendonte që i ruhej më mirë vdekjes?!!!), bërtiti:
- Mos shko! Unë po vdes vet!!!
I shkreti, xha Taqo, sa merrte vesh që vdiste njeri, sidomos moshatar apo afër e gjatë me të, tak dhe shkonte e mbulohej me jorgan. U binte "borieve të alarmit", se po vdiste ai dhe gruaja dhe të afërmit, nuk kishin sy të shikonin.
I biri, tek dëgjoi "urdhërin" për ta ndaluar të shoqen, Katen, si për ta inkurajuar të atin, i thotë:- Baba, po do vdiste Koli se ka kohën. I ka kaluar me kohë të shtatëdhjetat.
- Po unë jam tetëdhjetë,- bërtiti xha Taqoja, pa e hequr jorganin nga koka.
Pas kësaj senkuence, m'u rrëfye një mik imi , i ndjerë tashmë, me origjinë nga Bosnja. Ky, tashmë i moshuar, pothuaj e kish ndërruar shtëpinë dhe e kish ngritur në spital. Nëse kish arritur të jetonte kaq gjatë, një meritë kish, veç tjerash, mjeku pathollog, një nga specialistët më të mirë, jo vetëm në Fier, po në tërë vendin. E kam fjalën për Dr.Thimi Melonashi. Doktori me pacientin e moshuar, u bënë miq. Miq nga halli dhe, mandej, nga malli. Sidoqoftë, unë boshnjakun e moshuar e kisha mik dhe, kur doli së fundi nga spitali, i shkova për vizitë
- E, Bacë,- i thashë. Çfarë të tha doktori?
Më pveti:- Sa vjeç je, Bacë?
- Tetëdhjetë,- i kam thanë.
Digjo,- po më thotë. Tetëdhjetë vjet ke që po e mban sëmundën mbi shpinë. 50-vjet ke ken i ri dhe i fuqishëm dhe e ke mbajt ti sëmundën mbi shpinë. As dhe hiç nuk ke ndie a je sëmund a jo. I ke kalue të pesëdhjetat dhe, tak, kini ndërrue "konak". Tash të ka marrë sëmundja "kaliboç" e, qebesa, boll asht "lodh", se kanë kalue plot tridhjetë mote dhe po ban vaki e po të shlon.
Dhe, pas kësaj "diagnoze", sëmundja e "shloi" mikun tim boshnjak.
* * *
Por le të kthehemi tek "takimi" im me mikun tim të vdekur. Nuk di, por një natë m'u shfaq si i gjallë. Jo vetëm m'u shfaq, por edhe e vura re mirë tek vinte ballë për ballë me mua. Natyrisht, as pesë para nuk vlen trimëria, por, me të vërtetë që u alarmova. Sado që mendjen e kisha top, se "të vdekurit nuk ngjallen më", prapë se prapë, u ballafaqova me fakt të kryer: ai ishte. Miku që kish vdekur. Kish vdekur, por ja tek bënte çapa si çdo i gjallë. Dhe hajde e mos beso që "Krishti u ngjallë!!!".
Sado ateist që nuk para u besoj dogmave, pashë që "miku", sa po vinte dhe po afrohej. Dhe jo vetëm kaq: kish vënë buzën në gaz siç bënte, sa herë që takoheshim. Tani kjo "buzëqeshje" e kish rritur amplitudën,se kisha kohë që kisha emigruar. Pata vërtet frikë ( epo paska patur hak Xha Taqoja) dhe dorën nuk ia zgjata. Po kushedi se ç'ndodh, po të takosh në dorë një të vdekur që , befas, ngjallet?! Se, në paragjykim të përgjithshëm, është tronditës fakti i një takimi me një të vdekur dhe, apriori, ka veç misterit edhe diçka të ligë a të keqe. Po nuk besoj që nga kjo mendësi pak e frikshme, vuaj vetëm unë. Malli më kish marrë, por e " mistershmja" e vuri poshtë mallin. Pse kot thonë që "frika ruan vreshtin". M'u duk sikur mbi zemër të kisha një pirg me dëborë dhe, sado që dorën nuk ia zgjata, me gjysëm zëri i thashë:
- Ti je?
- Unë. Pse?- pyeti. Kaq shumë paskam ndryshuar!!!
Nuk guxoja që ta shihja në sy, po ashtu si një pulë e lagur, si nën zë, i them:
- Jo. Jo. Po për ku je nisur?
- Në shtëpi. Pse ku do vete tjetër? Më ka marrë malli për nipin e vogël. Eh, ç'mall! Më bloi malli dhe , ndaj, ngaqë nuk durova dot, u ngrita dhe erdha.
Pashë që iu varën lot. Dhe unë , tanimë, u përlota. Më induktohet dhimbja e kujtdo. Tek u mata që të fshija lotët e mi, dëgjoj Brahushin ( i njohuri ynë i përbashkët. E dija që ky qe gjallë), që iu drejtua atij, të vdekurit.
- More, ti qenke gjallë, kurse unë për tri ditë me radhë i vura kyçin dyqanit dhe humba një mal me para. Pale, po nuk e paske për gjë fare, po vjen e shkoqesh me muhabet , sikur m'i paske punët në terezi.
Tani, me të vërtetë, po dridhesha se u bëmë dy (me gjithë Brahushin) që shihnim një të vdekur, të gjallë. Pastaj, kushedi se ç'ndodh nga një takim i tillë?!
Por i vdekuri ia priti Brahushit:
- Ore, po prapë nuk i kini lënë sherret ju, të gjallët? Unë kam tri vjet atje dhe, ndër ne, nuk ndodh kurrë që të ketë sherre. As edhe një sherr për be. Kurse ju, me sherre ju lashë dhe me sherre ju gjeta. Më mirë po kthehem andej nga erdha, se sherret më erdhën në majë të hundës dhe më dërguan, më shpejt, në atë botë.
Si tha kështu, iku dhe humbi mjegullash. Më nuk e pashë.
Tek më doli gjumi, zura të shkund kokën. Sidoqoftë, qëndrova pak më gjatë në krevat dhe, si për të përmblehur veten, thashë:- Aq sa ëndërr e çartur qe, aq dhe e la një mesazh të madh të të vdekurit, për ne, të gjallët.
- Vallë, a do t'i lëmë sherret donjëherë ne, të gjallët?!!!

Tiranë, 16 nëntor 2016


*******

Subject:Re: Takim me një të vdekur (tregim)
From:Eshref Ymeri (ymerieshref@gmail.com)
To:perparimh@gmail.com;
Cc:bardhylgolemi@live.com; hoxha.jame@hotmail.com; axhemgjonaj@hotmail.com; cipiluan@yahoo.com; gazetahora@yahoo.com; nanushirini@yahoo.com; naunkule@gmail.com; nikogjyzari@gmail.com; qerim.skenderaj@hotmail.it; fiqri45@hotmail.com; fatmirax@yahoo.it; ndreu.aurora@gmail.com; fasllihaliti@yahoo.com; gazetadeshnica@hotmail.com; kujtimrametaj@gmail.com; piroveshi@yahoo.com; fsllcanaj@yahoo.com; qatipmara1@gmail.com; mystehakxhemali@yahoo.com; hoxhaviktor@gmail.com; vlashgjeci@yahoo.gr; kotepetraq@hotmail.com; eli.kanina@hotmail.com; a_gudha@hotmail.com; gjeralb@ymail.com; lamefandi@gmail.com; gtoto@hotmail.co.uk; idikadare@yahoo.com; ilospasse@yahoo.com; mgecaj@hotmail.com; viktorbakillari@yahoo.com; konaviron@yahoo.com; merilalaj@yahoo.com; veraistrefi@yahoo.com; memelifuat@yahoo.com; myrabej@yahoo.com; myveladervishaj@gmail.com; lidalazaj@gmail.com; goricapellumb@yahoo.com; gogathoma@yahoo.com; myslimpasha@gmail.com; fatoshvoshtina@gmail.com; alekolikaj1@yahoo.fr; almaferuni@hotmail.com; dalip.greca@gmail.com; durimlekdushi@hotmail.com; ekipe1@comcast.net; gjivlashi@aol.com; ialibali@yahoo.com; koci_tahiri@hotmail.com; ligorprifti@gmail.com; majlindabufi@gmail.com; lavdurinanaj@gmail.com; sefedincela@ymail.com; sejdoharka@gmail.com; Gjergji.qafoku@hotmail.com; albinash24@gmail.com; luvionasinaj@gmail.com; tlibohova@yahoo.com; floribruqi@live.com; floribruqi@yahoo.com; rexhep_shahu@yahoo.com;
Date:Wednesday, 16 November 2016, 14:54


I dashur Përparim,
Fondin e shprehjeve frazeologjike e ke thesar. Po ç'është ajo pyetje, ore i bekuar, që ke shtruar në fund:
- Vallë, a  do t'i lëmë sherret donjëherë ne, të gjallët?
Kjo pyetje është krejt pa vend. Sepse ne shqiptarët nuk i lëmë kurrë sherret ndonjëherë. Se pa bukë bëjmë si bëjmë, por pa sherre nuk bëjmë dot. Se i kemi trashëgim që nga lashtësia. A nuk bënin sherre pellazgët me njëri-tjetrin, ndërkohë që jevgjit e Nilit dhe të Sinait erdhën dhe u pushtuan tokat, u mohuan historinë dhe krijuan një tjetër histori të ashtuquajtur greke? A nuk bënin sherre me njëri-tjetrin ilirët, ndërkohë që tributë sllave kaluan Danubin dhe u morën tokat, u mohuan historinë dhe arritën deri aty, sa të krijojnë edhe perandorinë e Stefan Dushanit në tokat ilire? A nuk ishin të përçarë shqiptarët deri në nivelet e tragjizmit, kur grekosllavët u rrëmbyen trojet etnike dhe ua katandisën sa një "kotec pulash"?
Prandaj, i dashur Paro, herë tjetër mos shtro pyetje të tilla, "të pamenduara", se ato nuk i kanë hije penës tënde të artë. Kështu, të paça.
Eshrefi
Kolumbus, Ohajo
16 nëntor 2016

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...