Nga Ermir HOXHA: Ku i ka rrënjët rebelizmi fëminor anti-shami në Malishevë?


Në betejën e ethshme anti-shami që prej vitesh mbahet e ndezur në shoqërinë kosovare, ka ndodhur së fundi një risi. Nuk është shteti që i përplas derën në surrat ndonjë nxënëseje a mësuesje, por janë nxënësit ata që nuk dëshirojnë që përballë tyre, për t’u dhënë dije, të jetë një grua që…nuk i duken flokët. Ka ndodhur kjo në shkollën e një fshati në Malishevë, për çka janë trazuar sërish ujrat e debatit mbi “laicizmin e shkollës”, por tani me një front shtesë: atë të vetë nxënësve që e kërkojnë të pacënuar “laicizmin e mësimdhënies”. Dhe gjërat shfaqen më të komplikuara nëse ata nuk janë cytur nga dikush për të bërë rebelin; për të provokuar pra krijimin e një precedenti që më pas do merrej si kampion nga ushtria e mbrojtësve të laicizmit. Kjo është vërtet e frikshme!

Por shumë më tepër është ajo nëse fëmijët e kanë bërë një akt të tillë në emër të ndërgjegjes së tyre, pastërtisht naive, ndonëse me deviacione të rënda etike, botëkuptimore dhe njerëzore. Në rastin e dytë ata janë viktima të një obskurantizmi të ushqyer prej vitesh nga zëra institucionalë, të ndihrë dhe nga ca mediatikë, deri aty sa u kanë shtirë tutkën të vegjëlve sapo ata të shohin një kokë femre të mbuluar me shami; dhe ta mendosh se kjo ndodh në një shoqëri ku prindërit e atyre fëmijëve, por dhe vetë ata sipas një përllogaritje moshe, janë rritur, mëkuar e edukuar nga nëna shamimbajtëse, afërmendsh në rolin e gjysheve.

E tani, a është e mundur që t’i marrësh ata fëmijë e t’u sqarosh shekullarizmin, laicizmin, të drejtat e njeriut, lirinë e besimit, precedentët botërore si funksionojnë të gjithë këto në harmoni – siç e vini re nuk përmendet këtu Islami, pasi lloji i debatit e përjashton tërësisht detyrimin për t’u folur për fe – ndërkohë që po bëhet më shumë se një dekadë ku mendjet e tyre të brishta tok-makohen me anti-shami në të gjitha format e mundshme? Kjo është e pamundur, pasi stadi i tyre jeton me klimën dhe jo arsyen e kulluar. Mirëpo kur këtë të fundit nuk e rezaton shteti, me një dallkauksi çmeritëse në të kuptuarit e vet sistemit të cilin e përfaqson, mos prit që ndërgjegjen e munguar të institucioneve ta gjesh tek vocërakët e mërdhihrë të një fshati në Malishevën që deri më tani, si hall më të madh kishte rriqrat; por që së këndejmi po u shfaqet edhe shamia në kokën e asaj që i mëson të ardhmes së atyshme që dy e dy bëjnë katër.

Pra, nuk është cështje fëmijësh por të rriturish, që ku për djallëzi, ku për injorancë, e ku për të dyja bashkë, ia bëjnë jetën më të vështirë vetes. Mjaft të thuhet se 17 vjet pas lufte, Kosova vërtet nuk ka më mbi kokë një armik fizik, por është zhytur në armiqësi të gjithëçfarëllojshme gërryese, të shoqërisë mes vedi, ku nuk ka NATO që e shpëton. Shenja e radhës është dhënë në Drenoc të Malishevës.

Nëse ata që sot e qeverisin Kosovën vërtet u dhimbset ky vend e jo thjesht një mësuese me shami që rrezikon të mbetet pa punë si pasojë një rebelimi fëminor; u dhimbset e nesërmja e Kosovës, ajo e brezave që do jua lënë, e kanë në dorë t’i thërrasin mendjes, të ftillohen dhe t’i hapin udhë arsyes laiciste bazuar në preambulën kushtetuese të të drejtave të njeriut, brenda së cilës është dhe e drejta e besimit, që përkundrazi, nuk e largon por e fton çdo shamimbajtëse për të gjitha arsyet që mund të mbahet ajo, që jetë pjesë integriale e shoqërisë pa asnjë lloj diferencimi. Kjo, derisa ajo figuron shtetase që pos të tjerash ka detyrimet e saja fiskale, e prej së cilave merr shërbimet, ashtu siç i afron ato në bazë të profesionit. Është thjesht çështje kontrate e jo shijesh estetike. Dhe po nuk u kuptua së pari në Prishtinë, në Malishevë nuk ka se si kuptohet!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)