Irsa Ruçi
Mund të dallgëdisesha në një tjetër lloj përsiatjeje reflektuese, duke u ndalur mbi at’ formë filozofie komunikimi që më ofron komoditetin e të menduarit me optimizëm dhe gjykim të ftohtë (domethënë arratisje prej realitetit, me qëllim metaforizimin e asaj çka aktualiteti riprodhon monotonisht e mekanikisht). Porse, e ndjeva të nevojshme që në këtë mot të nxehtë vere e fushate, të shkruaj disa rreshta për “virtualitetin” e fjalës dhe ligjëratat “pa autor”, që e përhapin fluksin e ndikimit të tyre në rrjet me të njëjtën shpejtësi virusesh. E mbase shkak për këtë u bë publikimi i një shkrimi tim në shtypin e para disa ditëve; dhe ndalesa është në efektin që artikulli prodhoi gjatë shpërndarjes online; e shkurtimisht mund ta përmbledh në këto pika: 1.Publikimi në rrjetet sociale (ku individi është i identifikuar dhe ka një profil të tijin të vërtetë), përmbante në thelb një komunikim të kulturuar, të strukturuar logjikisht, më tepër dashamirës dhe zbehtësisht shfaqur ndonjë kritikë; por që në kontekst qe vlerësim pozitiv e lajkatues. 2.Publikimi në portalet online (ngaku personi e përzgjedh vetë formën e prezantimit dhe i ofrohet mundësia e deklarimit të një identiteti të rremë) qe paksa i ndryshëm në formulim komentesh në raport me rastin e parë. Fjalitë e ndërthurura kishin agresivitet, fyerje, njerëz që nuk ndaleshin tek shkrimi, por që e përdornin hapësirën si “tabelë qitjeje” prej ngaku sulmonin opinionet e njëri-tjetrit. Mejtimi im u pat’ kthyer në objekt, ndërsa subjekt qenë thëniet dhe kundërthëniet mes aktorësh në privacinë e tyre, të maskuar publikisht. 3.Vërejtja më interesante qëndron tek emërtimet false që komentuesit vetëdeklaronin; dhe shumë prej tyre (përveç rasteve kur përdornin emra të përveçëm), ata që shfaqnin madje shkallën më të lartë të artikulimit agresiv, kishin preferuar të përdornin emërtime të tilla, si: hajduti, gjahtari, bishti qenit, nëpërka, ariu, gomari etj. Dhe ndërsa kjo fantazi të provokon të qeshura, natyrshëm lind pyetja: Pse mos kishte p.sh. thëllëza, lepurushë, çokollata, bletë punëtore etj. që t’i jepnin edhe pak larmishmëri gjuhës komunikative? Fjalët e “hajdutit” villnin shumë më tepër vrer, se fjalët e të “burgosurit”, të cilat përmbanin revoltë; ato të “princeshës” degdiseshin drejt romancash, në krahasim me fjalët e “pjeshkës” që hapërdahej nëpër imazhin fotografik shoqërues të opinionit, për t’u marrë me veshjen, sytë, flokët, këndin e rënies së diellit etj. Ndodhur përballë kësaj “krize identiteti” që është stimuluar kryesisht me zhvillimin e teknologjisë dhe shtimin e praktikave të reja komunikuese, gjen strehë ankthi i dyfishtë i individit brenda lirisë së pakufizuar; i vetëm në sfidë me botën e paezaurueshme dhe i lodhur në raport me veten dhe lirinë e pafre. Tej ftohtësisë së ekranit ndodhet një qenie e eksituar që ka nevojë të “çlirojë” gjithë energjitë negative të jetës, dështimet, mosgjetjen e rrugëdaljes për problemet të cilat e shqetësojnë, aq sa qëllimi i tij është shkëputja psikologjike mes tij – vepruesit online – veprimit, për të arritur balancën ndërmjet ndërgjegjes dhe të pandërgjegjshmes. Marrja e identiteteve të ndryshme, me qëllim zbulimin e personaliteteve të reja që kanë kreativitet e ngjyresa emocionale, vjen natyrshëm si rezultat i dëshirës për të përjetuar ndjesi të paprovuara. Nëse në përditshmëri karakteri ynë formësohet në raport me Tjetrin, në komunikimin online është vetë – krijimi dhe vetë – prezantimi që dominon psikologjinë e subjektit virtual (ndërtimi i profilit sipas konceptimit sesi dëshiron të jesh, ose sesi do që njerëzit të të shohin). Konstruktimi i vetes në vetë të dytë, duke e parë veten jo më në pasqyrë, por në formën e paprekshme të përtej ekranit, është metafora e “pritjes Godoniane”, efekti i një strukture që bazohet mbi asgjënë: asgjë nuk ndodh, asgjë nuk vjen përveç transformimit të normave dhe fshehjes së virtyteve, gjer në vetmi dhe dobësim të lidhjeve komunitare. Në epokën e komunikimit masiv ka ndodhur edhe “de-individualizimi” njerëzor, ku unit personal i mbivendoset karakteri shoqëror, që nënkupton shmangie të përgjegjësive për veprimet e kryera. Siç shkruan Le Bon “njeriu i veçuar mund të jetë i kultivuar; në turmë ai është barbar. Për shkak se anëtarët e turmës zhyten brenda masës dhe zhvillojnë ndjenjën e anonimitetit, ndërsa humbasin ndjenjën e tyre të përgjegjësisë”. Një çështje e rëndësishme që ndikon zhvillimin shoqëror është edhe kufiri fluid mes privates e publikes; mund të definohet sipas mënyrës sesi i kuptojmë e shpjegojmë fenomenet sociale. Habermas e të tjerë pas tij kanë theksuar se “çdo vend ka nevojë për sferën publike, që është në thelb një hapësirë sociale ku njerëzit diskutojnë idetë dhe formojnë mendimet”. Të cilat mund të jenë ofendime, shpifje përderisa autori nuk mban përgjegjësi ligjore, madje ndonjëherë as morale; mund të jenë devijim prej etikës; por që kanë pozitivitetin e promovimit të ndershmërisë (ndoshta për këtë arsye sondazhet janë anonime) e lirinë për të trajtuar edhe tema tabu. Si përfundim, komunikimi virtual mund të përmblidhet brenda kësaj skeme: Unë jam aty ku s’jam, por ku do dëshiroja të isha; dhe që po të isha, nuk mund të isha ky që jam. Prezenca e pasionit në thelbin e të qenurit, më bën të ndihem vetja e huaj, që artikuloj tej ndërgjegjes atë që prezenca e arsyes brenda qenies nuk do e shprehte. Në raport me veten si tjetri, unë jam tjetri që monitoroj veten në ndërveprimin me palë të treta. Dhe frika ime ekzistencialiste është: Po sikur prapa një komenti negativ për shkrimin tim të kem qenë unë vetë, e ndodhur nën trysninë e një fluksi vetesh që përplasen me mua deri në hipnotizim, për t’iu rebeluar virtualisht vetes së Tjetrit?!