2016-11-16

Besim Tula: Gjenden fonde për makina luksoze por jo për artin dhe Kulturën, Kumbaro nuk i njeh artistët



Besim Tula

Ekspozita “Nëntor” edicioni i 19 prezantohet për publikun në galerinë e artit FAB. Veprat e 30 piktorëve janë pjesë e saj, të cilët edhe pse vijnë me tematikë të lirë i bashkon zymtësia e realitetit ku jetojmë. Ironia me politikën që harron historinë dhe shtresat sociale vjen me gjuhë figurative në këtë ekspozitë. Piktori dhe kuratori Besim Tula pohon se 19 vjet tregojnë mjaft për këtë aktivitet, i cili prezanton për publikun disa nga krijimet më të mira të piktorëve. Në intervistën e tij piktori pohon se bëhet një punë e madhe për realizimin e ekspozitës, që prej vitesh nuk i mungon jetës artistike në Tiranë. Por edhe këtë vit “Nëntor 19” nuk ka gjetur mbështetjen financiare nga Ministria e Kulturës. Në këtë situatë janë vetë artistët që e organizojnë. Piktori Besim Tula ndalet dhe në problemet që po kalon sot arti dhe kultura, mungesa e vëmendjes për artistët, dhe sipas tij për artin jepen buxhetet minimale. Piktori flet dhe për Galerinë Kombëtare të Arteve duke kërkuar më shumë vëmendje nga Ministria e Kulturës, pasi sot ky institucion nuk blen dot as vepra për të pasuruar fondin, por mungojnë dhe botimet. Ekspozita vjetore e pikturës “Nëntor” është një veprimtari me histori pasi dhe vetë formimi i saj ka një domethënie. Ajo u ideua dhe u realizua nga artistët Llambi Blido, StefanTaçi dhe Besim Tula si thyerje e heshtjes artistike të vitit ‘97. Në fillimet e saj kanë qenë 12 pjesëmarrës dhe numri i tyre ka ardhur duke u rritur nga një edicion në tjetrin. Kanë debutuar me veprat e tyre mjeshtra si prof. Sadik Kaceli, Isuf Sulovari, Pandi Mele, Ismail Lulani, Niko Progri, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, etj, të cilët janë pjesë e kujtesës dhe historisë së artit dhe kulturës tonë.

-Ekspozita “Nëntor” erdhi në edicionin e 19 në galerinë FAB. Ju si kurator i ekspozitës ku mendoni se janë të veçantat e këtij viti?

19 vjet tregojnë mjaft për seriozitetin e aktivitetit, për angazhimin e piktorëve, dhe mendoj që ka dhënë dhe kjo rezultate, duke stimuluar ato pjesë të krijimtarisë që janë shumë interesante për publikun. Për secilin autor mund të ketë 3-4 vepra të tij, të cilat janë arritjet e tij më të mira, dhe kjo nuk është gjë e vogël për këtë ekspozitë. Përshembull kemi autoportretin dramatik të Sali Shijakut, kemi kompozimin “Ija” të Bashkim Dervishit ku qytetërimi vinte sëbashku i pakontrolluar, vinte me një degradim dhe kishte vënë një figurë të një nëne duke ujitur lulet në oborrin e saj ndërkohë ndërtesa të mëdha po i vinin nga pas. Pra humbja e identitetit, globalizmi. Mund të përmend dhe autorë të tjerë si Ksenfon Dilo me natyrat e tij të qeta shumë profesionale, profesor Vilson Kilica me tablonë prekëse “Takimi”, ku të rinjtë kanë takimin e tyre të parë, Stefan Taçi me “Mbesa” etj. Pra në secilin prej pjesëmarrësve kjo ka stimuluar që të arrijë veprën e tij më të mirë. Pse u themelua ekspozita “Nëntori”? Në vitin 1997 pushuan aktivitetet artistike. Në 1998 sapo filloi pak qetësia u organizua kjo ekspozitë. Arsye tjetër ishte sepse në atë kohë ishin hapur parullat që piktura është një gjë e tejkaluar, por që nuk ishte normale, sepse ne kemi pasur mjeshtra, që kanë derdhur talent dhe kanë bërë që arti ynë të ecë përpara. Kjo ekspozitë filloi me 12 piktorë, organizatorë Llambi Blido, StefanTaçi dhe unë. Ishte me kurajo, sepse nuk ishte e lehtë të organizoje ekspozitë në ato vite. Ekspozita në fillim u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Por dalëngadalë numri i piktorëve që mbledh “Nëntori” ka ardhur duke u shtuar dhe tani ne jemi 30 vetë, që nuk mundemi ta kalojmë dot këtë numër, kjo sepse është e pamundur që të menaxhosh më shumë.

-Ju si piktor me veprat tuaja keni në vëmendje dhe problemet që kalon shoqëria. Prezantoni dy vepra në “Nëntor 19”, realizimi i tyre?

Unë në ekspozitë kam dy tablo pikture. Njëra quhet “Mahnitja”, ndërsa e dyta është “Pa titull”. E para është për situatën që kalojmë ne, ku njeriu duhet që të mbijetojë, duke u bërë gati një lloj vegle, dhe kam përdorur një shprehje të Vermatit ku na kanë bërë një përshkrim të tillë që jemi me tru të vogël, gjaknxehtë, dhe sigurisht edhe dembelë. Kjo është një gjë që dhe për mua është problem, dhe nuk di a kam unë një vërtetësi, por gjithë këto vite kanë treguar që nuk është një histori kaq interesante qoftë për ne si popull apo dhe për drejtuesit. Dhe zgjidhja vizuale e tyre është që të gjithë shikojnë në një krah si të mahnitur. Por kjo mahnitje është mjaft problem. Gjithmonë në krijimet e mia kam treguar që të shikoj këtë pjesë të realitetit, ku politika ndikon mbi ekonominë, jetën e njerëzve, drejtësinë, etj, dhe duke pasur këtë këto kanë qenë dhe karakteristika e saj. Tek vepra “Pa titull” nis nga fraza e një mikut tim shkrimtarit të vetëm disident tonin Kasem Trebeshina, i cili duke biseduar njëherë për situatën thotë: ne akoma nuk futemi në popull, jemi nën popull, nuk dimë të protestojmë, kërkojmë të drejtat tona. Duke u nisur nga kjo shprehje e tij kam realizuar krijimin “Pa titull”. Janë dy vepra që për herë të parë prezantohen për publikun në këtë ekspozitë.

-Ekspozita “Nëntor” çelet në galerinë FAB. Edicioni i 19 ju jeni shprehur se nuk është mbështetur nga Ministria e Kulturës?

Në vendin tonë Ministrja e Kulturës pranon me dinjitet pa njohur artin të drejtojë artin. Atëherë unë nuk kam pse të shkoj më tek ajo që t’i qahem, sepse nuk më njeh. Ajo nuk njeh kolegët e mi, nuk di të vendosë nëse unë kam të drejtë apo shkoj dhe i bie në qafë kot. Ndaj unë si artist nuk shkoj te ajo. Duke pasur këtë, sigurisht që ka një mijë argumente për të mos u bërë ekspozita, mungesë sponsorizimi, etj. Duhet t’u rrish nga pas institucioneve zyrtare, etj, dhe gjëja më e mirë mos të bëhet. Por ne jo, ne si piktorë e organizojmë ekspozitën “Nëntori”. Ne aplikuam për këtë projekt në Ministri të Kulturës dhe nuk morëm asgjë. Edhe vitin e kaluar, ne morëm një përshëndetje që ju falenderojmë për kërkesën që bëtë ndaj nesh. Ndaj për mua si artist tashmë ka më shumë rëndësi krijimtaria. Dhe këto janë pjesë që quhen kohë të humbura. Sa të bind unë drejtuesit e Ministrisë së Kulturës që do të bëj dhe këtë, unë si artist humb kohë shumë. Edhe ky vit vazhdon me shumë probleme me artin dhe kulturën.

-Për ju, ku vijojnë ato?

Dua t’ju tregoj dhe diçka tjetër që më pezmatoi shumë dhe më bëri që të mos shkoj më në Ministri të Kulturës. Unë pata bërë një libër ndihmë për nxënësit. Ishte një punë 6 vjeçare, duke qenë se kam qenë mësues në Liceun Artistik dhe me këmbëngulje futa lëndën që quhet estetikë arti, sepse bota është transformuar dhe është shumë interesant dhe jo kaq i lehtë dhe për t’u kuptuar arti bashkohor. Unë për këtë duke parë që tek ne nuk vijnë artistë të famshëm, GKA është e vogël në diapazonin për të shpjeguar tërësinë e artit e metodave dhe prurjeve, që bota i ka vazhdimisht, Tirana nuk paraqet interes për artistë të mëdhenj në botë që të vijnë dhe të hapin ekspozita këtu sepse nuk ka interes. Duke parë këtë unë nuk mund të qëndroja kaq indiferent dhe bëra këtë material për librin. Aplikova jo këtë vit, por më herët në Ministrinë e Kulturës. Për të garantuar librin mora dhe dy referenca nga zërat më të dëgjuar të kritikës sonë. Kur shkova në Ministri të Kulturës çova dhe referencat një vajzë atje më thotë që nuk kanë vlerë. Por si mund ta dini ju i them që materiali im vlen apo jo kur ju nuk mbështeteni diku? Jo më tha, këto referenca nuk kanë vlerë. Që nga ajo kohë nuk shkova më në ministri për projektet e mia. Edhe “Nëntorin” nuk e ka mbështetur Ministria e Kulturës. Unë nuk kam asgjë për projektet e tjera, që mund të marrin nga ministria, sepse tek ne jeta e artistit është dramatike. Artistët e rinj janë po ashtu me shumë probleme për jetën artistike. Artistët në Shqipëri nuk kanë kushte. Dhe unë për asnjërin nuk them, që nuk e ka merituar ndihmën e ministrisë. Të gjithë e meritojnë, por mund të jepnin diçka ndihmë dhe për ekspozitën “Nëntori”.

-Ju përmendët institucionet e artit. Një piktor si ju si e shikon sot GKA?

Më vjen keq për institucionin e Galerisë Kombëtare të Arteve që merr minimumin e fondeve nga Ministria e Kulturës. Dhe ai institucion nuk mund të bëjë as botime. Është lënë pas dore GKA. Është një institucion që varet nga Ministria e Kulturës, por ministrja e Kulturës në plan të parë ka karrierën e saj, të gjitha të tjerat vijnë më poshtë në art dhe kulturë. Kjo sepse ajo nuk ka ndërmend të rrezikojë veten, që të japë dorëheqjen sepse nuk i dha fonde GKA. Por do vijë një kohë, që do të jetë një periudhë bosh në fondin e GKA, do të jetë bosh periudha e artit e asaj kohe që galeria nuk po mundet dot të blejë vepra. Por qeveritarët tanë siç gjejnë fond për makina luksoze, për vete, atëherë dy makina mos të blihen dhe besoj që GKA do të ishte në rregull me buxhet. Në këtë situatë problemi i politikës është si t’ia hedhim njëri-tjetrit. Normal që Ministria e Kulturës duhet të shtojë buxhetet për GKA. Mos harrojmë që stimujt dhe për artistët e rinj janë zero. Në këtë situatë ka artistë të pasionuar, një pjesë e tyre jemi ne tek “Nëntori”, që i kalojmë këto telashe për financime. Por pa mbështetje dhe vëmendje është gjynah për artistët. Si do ta provojë veten një artist i ri? Politikat dhe buxhetet për artin janë minimale, të pallogaritshme dhe secilit i takon të notojë vetë për të shpëtuar veten.

-Meqë po flasim për artin, pritet ekspozita “Onufri” në GKA?

Janë shumë pak aktivitete. Për çdo vit dalin me dhjetëra artistë nga universiteti. Aktivitetet për këtë grup artistësh që del duhet të ishin të shumta, por mungojnë. Edhe “Onufri” për 10-12 vetë bëhet ku ata mund të jenë dhe disa të huaj. Pra është kthyer në një aktivitet shumës specifik, i cili nuk stimulon gjerë mundësitë e krijuesve të artistëve të ndryshëm, sepse jo të gjithë mund të jenë të atij drejtimi. Ndaj duhet të kemi më shumë aktivitete shtetërore për artin.

Intervistoi: Julia Vrapi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...