2016-11-17

Demonët e hakmarrjes që përndjekin Blushin!


Libri “Kryeministri” i Ben Blushit i përket realisht zhanrit të publicistikës, se sa një romani apo novele të gjatë, sepse në fakt mënyra e të shkruarit nuk është një krijimtari artistike e pastër por në fakt i përket siç e thashë më lart publicistikës, sepse ashtu si e ka përmendur një kritik i njohur; “Publicistika është një krijimtari artistike e nxituar”. Po kështu është dhe “KM” i Ben Blushit, i cili është ngutur dhe ka nxituar të blasfemojë sipas mënyrës së tij ata që e kanë penguar të ngjisë shkallët e politikës dhe të bëhet një lider i madh politik i vegjëlisë, apo fundja të jetë lider i madh pavarësisht se i kujt klase, rëndësi ka të jetë lider me çdo kusht...

Dhe këtë, ai mund ta kishte arritur nëse nuk do të ishte vetëm hipokrit, por nëse do të ishte edhe servil deri në momentet e fundit; ai mund t`ja kishte arritur qëllimit duke ia hedhur kryeministrit aktual. Meqenëse nuk arriti dot, atëhere... fap doli libri “KM”, si një model alternativë për t’u bërë lider... dhe nuk qenka nevoja të bëhesh lider politik. Mund të bëhesh edhe lider në letërsinë që e lexojnë po ata njerëz, që i kanë hyrë politikës por që kanë problem në ngjitjen e shpejtë të hierarkisë politike.

Dhe nuk janë vetëm njerëzit e interesuar për politikën, as politikanët amatorë dhe as ata të kafeneve. Jo! Simpatizantë të zhanrit të çuditshëm të një letërsie që po lind dhe për këtë ka merita vetë Ben Blushi janë edhe katundaria e qytetarizuar këto vitet e fundit. Këta janë turma (turma ka dallim rrënjësor nga populli), që duartroket çdo politikan, parlamentar apo dhe VIP, i cili kundërshton qeverisjen apo shtetin por... që pas tij është Media... Pra duan të dalin dhe ata në TV e media, për të treguar... injorancën e tyre.

Dhe këtu hyjmë në artificialitetin e bërjes se njerëzve mediatikë edhe kur nuk e meritojnë por që kundërshtojnë njëshin, apo dyshin apo flasin ç’ti vijë në mendje por në të cilën elementi kryesor është popullariteti. Kështu, Shqipëria po vuan populizmin dhe liderët e saj, duke lënë mënjanë shtresën e intelektualëve, të cilët duhet të drejtojnë vendin, por që nuk kanë akses në Media. Median e kanë zënë një grup i caktuar me detyra të caktuara për të mbrojtur pushtetin apo për ta kundërshtuar sipas `His Master Voice`. Një nga këta është dhe Ben Blushi, por ka dhe plot të tjerë. Interesant është fakti që personat mediatikë, të cilët dalin në TV pothuajse çdo ditë kanë dhe interesin më të madh edhe në panairin e librit, që u mbajt në Tiranë këto ditë me librat e tyre përkatës “Pushteti” i B. Fevziut dhe “KM” i B. Blushit.

Mesa duket shijet artistike letrare kanë ndryshuar pas viteve `90 dhe vazhdojnë të priren ndaj literaturës gjysmë artistike të publicistikës. Me përpjekje më të mëdha, por pa dalë nga korniza e publicistikës, del rrëfenja haluçinante e B. Blushit, e cila tregon një histori të pabesueshme që ndodh në të ardhmen, por që në fakt ka ndodhur edhe në të kaluarën (kujtoni vrasjen –vetëvrasjen e ish kryeministrit komunist M. Shehu), e ndërthurur me problematikën e sotme të drogës dhe të ekstremizmit islamik. E gjithë kjo i shërben Blushit për t’u hakmarrë virtualisht ndaj kryeministrit të sotëm, i cili e shmangu nga ambicia e tij politike për t’u bërë udhëheqës dhe drejtues politik në Shqipëri.

Së dyti, kjo ngjarje nuk mund të mos tregojë dhe realitetin se sa hipokrizi ka në këtë luftë politike të sotme në raport me pamundësinë e politikanëve të rinj dhe atyre me eksperiencë por pa miq e rekomandime, se sa mllefe dhe inate mbajnë në psikikën e tyre hipokritët, të cilët duan të bëhen drejtues, por që në fakt nuk kanë kapacitete për të drejtuar (por që në Shqipëri këto realizohen), dhe se sa seriozë janë politikanët e ndershëm, të cilët respektojnë ligjet madje dhe largohen nga Parlamenti kur shohin se ata janë vetëm për numër. Kujtoni dhe krahasoni rastin e deputetit brilant Sabit Brokaj, i cili dha dorëheqjen sepse nuk dëshironte të ishte një votë në Parlament me hipokritin Ben Blushi, i cili largohet nga partia që e mikloi dhe e bëri deputet, por nuk u largua nga deputetllëku...

Fantazia ose më mirë marrëzia e shkrimtarit Blushi, i cili vendos një histori fiktive të vitit 2021, nuk ka kufi dhe pasqyron më së miri mllefin patologjik ndaj atyre që e penguan dhe për më tepër ta ndërpresin ngjitjen e tij të shkallëve të madhështisë së politikës në Shqipëri.

Historia është e komandos (gardistit) shqiptar në Afganistan, i cili bie në kontakt me islamin radikal dhe frymën anti-amerikane nëpërmjet një bashkatdhetari të tij të quajtur Uinston Harasani, anëtar i Otzit, dhe merret peng nga kjo organizatë. Atij i është vënë kusht që nëse do të shpëtojë, duhet të tregojë komandot që kanë vrarë fshatarët që kultivojnë drogën, por që në fund do të plagosë por “padashje” vret kryeministrin. Paralelet që heq Blushi midis Shqipërisë dhe Afganistanit përsa i përket drogës dhe islamit radikal, të cilat ai i tregon në libër sidomos kur gardisti i rekrutuar nga organizata islamike OTZ, nuk janë aspak paralele, por thjesht për të justifikuar konfliktin që lind në familjen e gardistit, kur ai kthehet në Shqipëri.

Konflikti lind sepse familja mbjell kanabis pra drogë, kundër të cilës ai luftoi në Afganistan po aq sa dhe kundër islamistëve radikalistë, aty ku ai me shokët e tij vranë fshatarët që mbillnin drogë, dhe më vonë ky gardist vrau shokët e tij për të shpëtuar veten. Shantazhi i këshilltarit të kryeministrit për të plagosur kryeministrin në mënyrë që të shmanget nga zgjedhjet e ardhshme- sepse ndryshe do të futej në burg për `bëmat` që ai kishte bërë në Afganistan, e detyron gardistin të qëllojë për ta plagosur kryeministrin, por në fakt e vret atë. Ishte vetëvrasje apo vrasje- duke bërë një reminishencë edhe për ish kryeministrin Mehmet Shehu?! Në fakt, duket sikur këshilltari i kryeministrit, gazetari Kim Kurani, i cili i bëri shantazh gardistit ka shumë mundësi të jetë vetë ego-ja e Ben Blushit apo më mirë vetë shkrimtari.

Përse është një roman që anon tërësisht nga publicistika e tipit alla shqiptarçe huamarrëse? Sepse nuk ka asnjë mundësi krahasimi midis Shqipërisë dhe Afganistanit përveçse në halucinacionet e shkrimtarit! Sepse nuk ka ekstremizëm islamik në Shqipëri në raport me Afganistanin! Sepse droga e mbjellë në Shqipëri (kanabisi), është në vëmendjen e qeverisë dhe të BE dhe po luftohet me sukses në raport më Opiumin afgan, i cili ka rekorde mbjelljeje dhe korrjeje e shitjeje prej vitesh në të gjithë botën!

Dhe së fundi, mllefi ndaj kryeministrit shfryhet nëpërmjet vrasjes së kryeministrit imagjinar! Urrejtja ndaj kryeministrit që e bëri deputet dhe jo ministër apo zv/kryeministër, vlon përbrenda koshiencës së tij dhe shprehet me një `letërsi artistike të nxituar` ashtu siç është publicistika e transformuar në roman nga Blushi.

Ky fenomen i vrasjes apo i vetëvrasjes ose i plagosjes, pra idea e vdekjes së kundërshtarit është një fenomen i përsëritur në letërsinë paranojake blushiste. Kujtoni dhe romanin e para dy viteve që fliste për një pretendent bashkiak të vdekur.

Dominimi i vdekjes së kundërshtarëve nëse është një risi në këtë tip letërsie absurde, mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm në letërsinë e sotme të deformuar dhe të asfiksuar nga pseudo-shkrimtarët e rritur në përmasa, nga mediat shqiptare.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...