Trump-i si triumf i frikës


12511612_10153443603029624_1768563702_n-1-1-1-1-1-1-1-1-1-1-1-347x233-1-1

Nga Redi SHEHU



Zgjedhjet për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të zhvilluara në fillimnëntorët e kohëve elektorale, u realizuan kësaj here nën një atmosferë jo të zakontë. Veçantia e kësaj gare përmblidhej më së shumti në ekzistencën e një kandidati si Donald Trump, i cili nuk përtoi fare të paraqitej si shumë kontrovers dhe “out of box”. Ai fitoi pavarësisht pritshmërive të pjesës më të madhe të perceptimit publik, që ishte i përgatitur për një fitore të Hillary Clinton-it, dhe njëkohësisht shënoi edhe një fazë të re të mënyrës se si amerikanët e konceptojnë veten, të mënyrës se si amerikanët mendojnë për vetveten në ditët e sotme.

Në zgjedhjen për herë të parë të presidentit Barak Obama, të parit njeri me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, pati një entuziazëm përveç shpresës për daljen nga recesioni. Një entuziazëm se zgjedhja e tij si president do të shënonte dhe fillimin e një epoke postraciste në SHBA, duke mbyllur kështu një kapitull të gjatë paragjykimesh, denigrimesh dhe persekutimesh racore që e kishin karakterizuar historinë e këtij shteti. Tetë vite më vonë, në të njëjtin nëntor, Donald Trump përveçse u konfirmua si presidenti i 45-të i SHBA-së, në të njëjtën kohë konfirmoi shterimin e shpresës për një shoqëri postraciste amerikane. Kjo për faktin se në qendër të të gjithë fushatës së tij, racizmi, ksenofobia, islamofobia, seksizmi dhe shumë prapësira të tjera sociale morën për të parën herë statusin publik dhe politik në zemrën e shoqërisë komplekse dhe kontradiktore amerikane.

Nga presidenca e parë e Obama-s dhe deri në ditën kur Trump-i u zgjodh president, është lehtësisht e konstatueshme se një zhvendosje kulturore kishte ndodhur në mesin e elektoratit të bardhë amerikan. Kjo zhvendosje më së shumti është zhvilluar në ndërgjegjen dhe mendimin e kësaj maxhorance të heshtur të bardhë, e cila gjatë këtyre tetë viteve diferencë, që kur presidenti Obama u ngjit në karrigen e presidentit, ka kultivuar brenda vetes një mori frikërash. Këto frikëra më së shumti përmblidhen në këto drejtime: frika se SHBA-ja po humb nga fuqia e saj ushtarake dhe ndikimi i saj në botë, frika nga terrorizmi brenda vendit, frika se situata ekonomike e amerikanëve do vazhdojë të stabilizohet në një rënie konstante, frika nga shtimi i të gjithë llojeve të emigrantëve, si dhe frika se në 2045-n amerikanët e bardhë nuk do të përbëjnë maxhorancën e këtij vendi.

Ky spostim kulturor, i përmbledhur kryesisht në këto lloje frikërash, i kishte dhënë sinjalet e veta në ambientin e përditshëm amerikan. Veçantia e Trump-it qëndron në aftësinë për ta lexuar këtë zhvendosje të ndërgjegjes dhe kulturës amerikane, dhe në ngritjen e të gjithë kësaj në një artikulim elektoral kontrovers dhe problematik aq sa edhe vetë frikërat si ekzistencë në vetvete. Pra, nuk është se elektorati prodhoi një Trump. Jo, ai aty kishte qenë! Ai nuk pati skrupuj që t’u jepte zë publik maktheve të brendshme të kësaj maxhorance të bardhë. Me pak fjalë, ai përfaqësoi triumfin e frikës në nivelin më të lartë politik amerikan. Ky fakt ka problemet e veta, sepse mentaliteti i masave shpesh, nëse nuk përpunohet apo drejtohet si duhet nga elitat politike, por përçohet me të njëjtin intensitet urrejtjeje, pa filtra dhe pjekuri, bën që e gjithë energjia negative tashmë t’i drejtohet po vetë SHBA-së, duke rrezikuar një implodim të brendshëm. Nëse në presidencën e Bush-it, pas ngjarjeve të 11 shtatorit, ne pamë që artikulimi i tij lidhur me ngjarjen u përqendrua në akuzën kundër boshtit të së keqes, i cili shtrihej jashtë SHBA-së, në rastin e Trump-it, me ligjërimet e tij politike gati në kufinjtë e paligjshmërisë, tashmë boshti i të keqes shihet brenda SHBA-së, i materializuar në “tjetrin”, bazuar në ndryshimet racore, fetare dhe kulturore. I gjithë ky proces, që u kurorëzua me një fitore të tij, rrezikon që sloganin për një Amerikë të madhe përsëri ta shndërrojë për një Amerikë që urren përsëri!

Orvatjet për ta lexuar tashmë presidentin Trump (ai kështu ka qejf të quhet) si përfaqësues të republikanëve amerikanë mendoj se nuk janë një përpjekje e saktë, sepse ai u bë president sidomos dhe veçanërisht pas divorcit të tij me përfaqësuesit kryesore të establishmentit republikan amerikan, duke nisur që nga Paul Rayan, Bush-ët, e deri tek Mitt Romney. Prandaj edhe mbështetja që të djathtët shqiptarë i japin Trump-it duket e pakuptimtë, pasi ai përfaqësoi spostimin kulturor amerikan, e jo idealet republikane amerikane në të gjithë tërësinë e tyre. Deklaratat e tij pas fitores shënojnë një farë tërheqjeje ndaj ligjërimit të tij elektoral. A vjen kjo nga pesha e karriges së presidentit të SHBA-së, apo se ai si njeri i biznesit e ka parë këtë si një “big deal” me elektoratin, data e skadencës së të cilës mund të ketë qenë 8 nëntori, kjo ngelet për t’u parë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)