2016-11-16

Koço Kokëdhima: Bushati t’i kërkojë llogari ambasadorit Lu për akuzat që bën në publik, Trump të na çlirojë nga kjo lloj diplomacie, ndikimi i Soros i rrezikshëm

Koço Kokëdhima: Bushati t’i kërkojë llogari ambasadorit Lu për akuzat që bën në publik, Trump të na çlirojë nga kjo lloj diplomacie, ndikimi i Soros i rrezikshëm

Ish-deputeti Koço Kokëdhima ka reaguar sërish për akuzat e pak ditëve më parë të ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili e futi në listën e njerëzve të korruptuar dhe të inkriminuar. Në një intervistë për Dritan Hilën në emisionin “Arena”, Kokëdhima e cilësoi të pahijshme deklaratat e tij, teksa i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme që të reagojë ndaj deklaratave që mban në publik ambasadori amerikan. Kokëdhima deklaroi se Donald Trump duhet të ndërhyjë në diplomaci dhe t’u japë fund veprimeve të tilla. Nga ana tjetër ai u ndal dhe te kanabisi. Ai deklaroi se nuk luftohet kanabisi me represion, ndërsa shtoi se mënyra më e mirë është legalizimi. Ish-deputeti tha se kanabisin në vend vetëm 5% e zotërojnë fshatarët, ndërsa pjesa tjetër është në kontrollin e mafies dhe njerëzve të rëndësishëm. Kokëdhima foli dhe për fitoren e Donald Trump ku vlerësoi figurën e tij, ndërsa kritikoi rolin e George Soros në vendin tonë.

Jemi 48 orë pas një ngjarje të madhe. Është zgjedhur një President kontrovers në SHBA. Keni qenë ndër të parët që e keni përgëzuar fitoren me një status në Facebook...

Për këtë çështje është folur shumë dhe do të flitet për shumë kohë. Unë nuk i jam përgjigjur kritikave tuaja. Z. Trump fitoi dhe kjo është diçka e pazakonshme në mënyrën se si ndodhi. Po të kemi parasysh rreshtimet, po të kemi parasysh që përballë tij ishte i gjithë establishmenti dhe përballë tyre ishte një person që anatemohej. Kam qenë shumë herë i vetëdijshëm për vlerat e veçanta të tij. Ai është një person i pazakontë. Me një vullnet të pathyeshëm. Ne e kemi bërë të njohur në Shqipëri me botimin e dy veprave të tij. Ai është i jashtëzakonshëm. Ai thotë: të jesh gjigant në biznes dhe në jetë! Ai ashtu është. Është mbresëlënëse e gjithë familja e tij.

Të gjithë ishim me zonjën Clinton. E majta u bë me zonjën Clinton.

Unë jam i majtë në formim, rreshtim, jam anëtar i Partisë Socialiste dhe kështu do të vazhdoj në të ardhmen. Mos harroni që mbështetja kryesore e Trump në këtë betejë ishin ushtria punëtore e Amerikës. Shtresa e mesme ishte ajo që ngjizi atë lloj bashkimi që arriti të dalë kundër establishmentit.

Z. Kokëdhima e besoni edhe ju që Trump kishte kundra një “rrjetës” të madh, nga një “merimangë” që ishte Sorosi? Akuzohet edhe këtu në Shqipëri se ka tentakulat e tij.

Unë nuk dua t’i japë rëndësi më shumë se çka çdo faktor. Fitorja e z.Trump është një fillesë për të kuptuar të gjitha ndryshimet e mëdha që do të ndodhin në të gjitha vendet. Në qoftë se vota për Trump ishte një votë refuzimi i establishmentit aktual kjo është e lidhur me shumë zhgënjime.

Kjo ngjarje është me shumë rëndësi të kuptohet edhe në Shqipëri. Në 6 dekadat e fundit, prodhimi kombëtar i Amerikës është rritur 6 herë. Paga mesatare në Amerikë është sot njësoj sa 60 vite më parë. Rregullat e ekonomisë janë shkruar në favor të korporatave. Zonja Clinton për sa i përket raporteve me Shqipërinë sigurisht që ka një ndjeshmëri të veçantë për shkak të luftës së Kosovës. Shqiptarët kudo që janë në botë i janë shumë mirënjohës. Kjo luftë e ka simbol familjen Clinton.

Ju e përmendni rrjetin Soro në Shqipëri se ka shtrirë tentakulat dhe po tenton kapjen e të gjitha sistemeve në Shqipëri. Vërtetë mendoni që është kaq i shtrirë dhe kaq frymëmarrës për politikën shqiptare?

Komenti im është ky: me fondacionin Soros nuk kam asnjë ngarkesë negative personale. Në fillim të viteve ’90 kam bërë një punë me këtë fondacion. Kemi qenë partnerë. Kemi bërë shkollën e Qeparoit dhe kemi qenë bashkë financues. Kam mbetur i nderuar dhe kam marrë një pllakatë nga Sorosi. Për sa i përket aktivitetit të Fondacionit Soros këto vitet e fundit që ka lidhje kryesisht me interesin e këtij fondacioni për të ndikuar në zhvillimet politike në Shqipëri, unë personalisht e çmoj si të padobishme për vendin tonë këtë gjë.

Ky fondacion ka kundërshtuar Berishën…si papritmas u transformua në një vatër të së keqes?

Unë dua të shpjegoj pikëpamjen time për këtë gjë. Siç kam shprehur pikëpamjen time edhe për disa diplomatë të huaj në Shqipëri që nuk i përmbahen konventës së Vjenës që rregullon marrëdhëniet diplomatike mes vendeve. E kam shprehur pikëpamjen time dhe i qëndroj asaj pikëpamje. Shpresoj që Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta çlirojë diplomacinë ndërkombëtare nga ky ndikim në Shqipëri.

Ajo që më ka bërë përshtypje e them haptas ishte një deklaratë ku ju u cilësuar si kriminel. Vetëm kriminel nuk ma merrte mendja që mund të ishit. Mu duk diçka e ekzagjeruar. Kanë ndonjë informacion amerikanët që ju futën në këtë thes të madh?

Ju mendoni se mund të kenë ndonjë informacion? Mund të ketë ndonjë diplomat ndonjë informacion dhe ai del e bën gjëra të tilla? Ju mendoni se kjo është në sjelljen e një diplomati? Mendoni se kështu funksionojnë shoqëritë ligjore? Ministri i Jashtëm ti kërkojë shpjegime Donald Lu për deklaratat ndaj meje. Si mundet të bëjë akuza për një shtetas shqiptar?.

Ka edhe një akuzë të OSBE që ju cilëson si njeri të mafies ruse...

Ju i bëni gjysma të vërteta gjërat. Nuk ka një raport të OSBE-së dhe ajo ka dhënë përgjigje për këtë çështje. Ka një raport të shtypit shqiptar. Meroja shkruan sonte për mua…ka shkruar që jam njeri i Afganistanit, kinezëve, indianëve, i alienëve, apo të këtyre shërbimeve që imagjinojnë Merot e këtij vendi që nuk mbarojnë. Gjirizet e politikës të këtij vendi e kanë shumë të sofistikuar teknologjinë e përbaltjes të të gjithë njerëzve që i kualifikojnë si kundërshtarë. Nuk shpif dhe nuk e pranoj shpifjen si teknologji e botimit publik. Në shtypin tim nuk kam lejuar kurrë që të përdoren fakte që nuk janë të vërteta. Ka politikanë Shqipëria që gjirizet e tyre të paguara në shtyp, i thonë bëj këtë shpifje për Kokëdhimën. Si ka mundësi që një person si unë tre vjet deputet, 30 mijë publikime ka bërë shtypi, sajtet dhe portalet shqiptare. Në qoftë se ka një shkelje të vërtetohet. Në 20 vjet opozitë kam bërë në Shqipëri me gjithë kryeministrat e këtij vendi përjashto z.Majko. Gjithë këto vite, këto qeveri nuk gjetën asnjë shkelje për mua.

Çfarë mendimi keni për situatën e kanabisit pasi ju jeni të parët që keni kërkuar legalizimin?

Edhe në çështjen e kanabisit kam bërë predikimet e duhura dhe më vjen shumë keq që koha ka vërtetuar siç unë kam paralajmëruar që me represion, një Lazarat prishet, 10 Lazaratë ngrihen. Represioni nuk është instrument që zgjidh këtë problem në Shqipëri. Po ta zgjidhte represioni e kishim zgjidhur ne, por nuk e zgjidh dot.

Le të flasim pak për marrëdhënien me Greqinë. Së fundi ka pasur në Himarë një përplasje në Himarë për ndërtimet...

Projekti në fjalë është një ndër projektet e miratuara nga qeveria jonë për përmirësimin e qendrave urbane në jug të vendit. Është një projekt shumë i mirë dhe i drejtë. Është projekt shumë funksional dhe i shkëlqyer. Si i tillë është një gabim i rëndë që i kundërshtojmë këto projekte të qeverisë. Populli i Himarës i vlerëson këto investime. Zhurma e bërë për këtë çështje nga pikëpamja e reagimit atje është e padrejtë. Ka një projekt të vetëm atje në lidhje me prishjen. Jo të gjithë banorët përfitojnë shpronësim dhe pagesë. Ky nuk është problem vetëm për këtë projekt. Shumë banorë nuk shpronësohen sepse nuk kanë bërë legalizimin, nuk legalizohen sepse ka një projekt publik. Nuk marrin shtëpi të re, i bie që ata të shpronësohen me 20 mijë lekë metri katror. Me ato para nuk blesh shtëpi. E njëjta histori është edhe në Himarë. Kemi banorë që nuk shpronësohen. Kjo është e palejueshme. Të bësh një ndërtim pa leje në Himarë, në Vlorë, në Vermosh është e njëjta gjë. Çfarë janë ndërtime pa leje të bëra përpara 2013-s kur qeveria Rama erdhi në pushtet dhe vendosi realisht kontrollin e territorit, duhen shpronësuar njëlloj. Nuk mund të vazhdojë më kjo pabarazi kushtetuese. Disa t’i shpronësojmë, disa t’i legalizojmë. T’i japim mundësi që me çmim tregu të shpronësohet çdo banor që ka ndërtuar si të gjithë të tjerët.

Si e shihni koalicionin PS-PDIU?

Zgjerimi i koalicionit me PDIU është e panevojshme dhe i panatyrshëm.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...