Presidenti Fidel Castro kishte kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për involvimin e saj në Luftën e Kosovës, duke e quajtur atë një shembull tjetër të “imperializmit” amerikan.
Akcionin e NATO-s mbi Jugosllavinë e atëhershme, që ndaloi gjenocidin serb mbi popullatën civile shqiptare, 1999, ai e quajti bile “lufta më frikacake e bërë ndonjëherë,” dhe “luftë kolosale kundër pavarësisë, së një shteti” shkruante Castro në gazetën zyrtare kubaneze "Granma".
Ish-presidenti dhe udhëheqësi i revolucionit komunist në Kubë, vdiq në moshën 90-vjeçare. Fidel Castro ka ndërruar jetë në orën 22:30 minuta të së premtes me orën lokale.
Lajmi është konfirmuar nga Presidenti dhe i vëllai i tij, Raul Castro.
Fidel Castro u lind në jug të Kubës në vitin 1926. Në vitin 1953 burgoset pas përpjekjes së dështuar për të rrëzuar regjimin e Batistas. Dy vite më vonë lirohet falë një amnestie.
Pak muaj pasi doli nga burgu, bashkohet me Che Guevaran dhe nis një luftë guerrile kundër Qeverisë. Në vitin 1959 arrin të mposhtë Batistan dhe betohet si Kryeministri i ri i vendit.
Në vitin 1961 shtyp me dhunë kundërshtarët e mbështetur nga CIA në atë që njihet si Gjiri i Derrave në vendin ishullor.
Një vit pas kësaj ngjarjeje pranon vendosjen e raketave bërthamore sovjetike në Kubë, duke kontribuar në kulmimin e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit dhe bllokut komunist.
Në vitin 1976 zgjidhet President nga Asambleja Kombëtare. Me rënien e komunizmin në Europë, zbuten tonet me Uashingtonin dhe në vitin 1992 arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për refugjatët kubanë.
Fidel Castro do të mbahet mend gjithashtu si udhëheqësi jo monark më afatgjatë i shekullit të 20-të.