2016-11-20

Cikël poetik nga Sabit Bicaj


Sadik Bicaj u lind në Vrellë të Istogut, më 21.10.1958.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Pejë, SHLP në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë.
Përveç poezisë merret edhe me gjuhësi, kritikë letrare dhe publicistikë. Para lufte ka bashkëpunua me të gjitha revista dhe gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në Kosovë, ndërsa, krahas punës në arsim, ka qenë edhe korrespondent i rregullt i gazetës ”Rilindja”, “Koha ditore” she revistës arsimore ”Shkëndija”.

Sadik Bicaj është anëtar i Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës, bashkëpunëtor i Institutit Albanologji të Prishtinës dhe kryetar i Klubit letrar ”Podguri” në Istog, si pjesëmarrës i shumë simpoziumeve shkencore nga fusha e gjuhësisë të organizuara në Kosovë.

Një kohë të gjatë punoi në shkollën fillore “Fazli Graiçevci” të Hades, komuna e Obiliqit, në gjimnazin ”Haxhi Zeka” në Istog, ndërsa tash e disa vjet është drejtor në shkollën fillore e të mesme të ulët “ Hysni Zajmi” në Vrellë.

Ka botuar këta libra:

“ Plaga e kurbetit” ( dramë, 1992)
“ Zëri i pikëllimit” ( poezi, 1994)
“Artikuj gjuhësorë praktikë” ( artikuj gjuhësorë, 1996)
“ Historiku i shkolla fillore shqipet të komunës së Istogut” ( 1997)
“Vështrime letrare” ( lekturë shkollore, 2000)
“ Rrugët drejt lirisë” ( ditar nga lufta, 2002)
“ Sylë Vrella, mjek i njohur popullor” ( monografi, 2006)
“ Teste nga Gjuha Shqipe dhe Letërsia” ( 2008)
“ Fadil Ferati, veprimtar i denjë i lirisë dhe pavarësisë” ( monografi, 2014), etj.

Jeton dhe vepron në vendlindje.



AUTOPORTRET

Unë jam ai që më njihni
Gur i shpuar mijëra vjet
Jam ai si ju i gjallë
Gjaku juaj
Dhe askush tjetër


EPISOD EKZILI

Ikën të ikurit të ndjekurit
Jetën ta bëjnë më të kuptimtë

Duhen pak shtegtojnë shumë
Me këngët e tyre të hidhura
Gjuhë vështrimi e heshtjeje

Kurrë mbase nuk do të harrohen

Të vetmuar janë të vetmuar
Fytyra të lagura në shi të Evropës
S, mund të rri dot pa dashurinë time

Mërgimtarët kthejnë kokën kah guri
Dhe vetëm gur e gjak mbeten
Mbi tokën e shenjtë të pikëllimit

Ecin nëpër errësirën e natës
Kujtojnë të afërmit
Dhe në vete ia thonë Himnit të Flamurit


KULLA

Mbi malin e thatë
Ngre syrin pishë
Midis zemrash gjallëron
Qëndron

Majë akullnajash
Ngrihet Kullë e Bardhë
Në largësi mes krismash
Sikur ndien amshimin e vet

Mes fjalëve e heshtjeve
Fjala gur
Asht i fortë i etërve të mi


PAMJE

Unë jam zë i vetmuar
As në dhomë s’ rri dot i qetë

Nga sytë e mi
Depërton dritë që nuk fiket
Dhe krahasimi i pabarabartë
Moshat janë të ndryshme me yjet

Kudo zëra fëmijësh kudo
Tinguj në dritën e vallëzimit
Dhe ftesa për të dashurit në darkë magjish
Kur dru i kallur nuk bëhem

Dashuria ime
Ditë e vrarë në ikje


FJALË NË GUR

Hap pas hapi
Të gjitha i zë
Kap rrënjët e fjalës

Në rrasë të purpurt
Në shkallët e rrëzuara të jetës
Çaj ankthin në Grykë të Lugetërve

Dhe më besoni
Nga Skila në Grykë
Në sytë e natës skëterrë
Fytyra djajsh shoh në përftim

Tek ndjej fjalë në gur
Njerëzit po vijnë
Njerëzit po shkojnë
Tani sikur u zhduken largësitë
Të bëhen legjendë

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...