Babai i një vajze 14-vjeçare, e cila u bë e para britanike, trupi i së cilës do futet në ngrirje kriogjenike, tha se druhet se kur ajo të zgjohet pas 200 vitesh, do jetë krejt e vetme në Amerikë, pa një kujtesë dhe pa familje.
Adoleshentja, emri i së cilës nuk bëhet publik, vdiq muajin e shkuar dhe tani trupi i saj është në një rezervuar ‘kriostat’ në Miçigan, në temperaturë -196 gradë Celsius.
Vajza ishte në qendër të një beteje të ashpër ligjore mes prindërve të saj të divorcuar.
Mamaja e saj ishte dakord që trupi i saj të futej në ngrirje, por babai i saj ishte kundër për shkak të kostos prej 37 mijë sterlinash dhe procesit brutal të ruajtjes së trupit.
“Edhe nëse trajtimi është i suksesshëm dhe atë mund ta risjellin në jetë pas 200 vitesh, ajo nuk do gjejë ndonjë të afërm dhe ndoshta nuk do mbajë mend asgjë. Nisur nga fakti se është 14 vjeç, ajo do mbetet në një situatë të dëshpëruar në SHBA”.
Por gjyqtari Peter Jackson pranoi që vajza të bëhet e para britanike që i nënshtrohet këtij procesi.
Vajza e quajti gjyqtarin ‘hero’ përpara se të vdiste.
Edhe gjyqtari tha se vajza ishte shumë e guximshme.
Përpara se të vdiste, vajza i shkroi gjyqtarit një letër, që ka prekur shumë njerëz.
“Më kanë pyetur të shpjegoj se përse dua që të bëj këtë gjë të pazakontë. Jam vetëm 14 vjeç dhe nuk dua të vdes, por e di se do të vdes. Mendoj se ruajtja e trupit do më japë një mundësi që të kurohem kur të zgjohem pas qindra vitesh. Nuk dua të më varrosin nëntokë. Dua të jetoj dhe të jetoj më gjatë, dhe mendoj se në të ardhmen do mund të jetë gjetur një kurë për kancerin dhe për të më zgjuar mua. Dua ta kem këtë shans. Kjo është dëshira ime”.
Në SHBA janë dy institute që bëjnë ruajtjen e trupit.
Qindra njerëz kanë shpenzuar shuma të mëdha për ruajtjen e trupit.
I pari prej tyre ishte Dr. James Bedford në vitin 1967.
Disa prej tyre kanë paguar deri në 150 mijë sterlina.
Një pajisje, e quajtur “resuskitatori i zemrës dhe mushkërisë” përdoret për të pompuar gjak në trup përsëri, kur kërkohet.
Një mjekim i posaçëm aplikohet për të parandaluar përkeqësimin e qelizave.
Gjaku dhe lëngjet trupore hiqen dhe zëvendësohen me një solucion si antifrizë.
Por procesi është shumë kontrovers, pasi shkencëtarët dhe mjekët thonë se nuk do jetë kurrë e mundur që të ringjallin me sukses një njeri të ngrirë në këtë mënyrë.