2016-11-20

Cikël poetik nga Sejdi Bajram Berisha


Sejdi (Bajram) BERISHA u lind me 10 qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën student...ore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.

Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së(Radiotelevizionit të Prishtinës).

Sejdi BERISHA, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lartë, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë.

Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës.

 Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.

Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.

Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.


Deri me tash ka botuar këto vepra:

1.-Kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë (monografi, 1984)
2.- Tronditje (poezi, 19991)
3.- Çmendia në rreth (prozë, 1993)
4.- Feniksi (poezi, 1993)
5.- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)
6.- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)
7.- Gabim stinësh (poezi, 1996)
8.- Në cep koha (poezi, 1997)
9.- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)
10.- Heraldika (poezi, 2000)
11.- Lumturia e dhembjes (eseistikë, 2002)
12.- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)
13.- Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)
14.- Plagë në pikturë (poezi, 2005)
15.- Fjala e gjakut (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006)
16.- Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete, 2006)
17.- Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-2007)
18.- Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)
19.- Homazhe tek mendja (eseje-2008)
20.-E bukura e rrugëtimit (këndvështrime letrare-2008)
21.-Fjalë e pathënë (poezi - 2009)
22.-Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë - 2010)
23.-Kërkoj dhembjen time (poezi - 2011)
24.-Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive-2011)
25.-Teatri i Pejës (monografi-2012)
26.-Vargje të këputura (poezi-2012)
27.- Përtej shkrimit (Shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua) - 2013


Në valët e Radio-Prishtinës i janë emetuar radio-dramat:

28.- Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë është përgatitur dhe shfaqur edhe në Teatrin Popullor të Pejës-premiera është shfaqur me 20.03.1976).
29.- Vdekja e bardhë (1985)
20.- Misteria (1987)
31.- Obelisku pa adresë (2005)

Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi. Ndërsa, në prill të vitit 2013, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës.

Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002 ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë edhe anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.

Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar”.

Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.

Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.









KTHIM NË SHTËPINË QË NUK EKZISTON

1.
Tash...
Dua të kthehem
Në shtëpinë e babait
Ka mbi gjysmë shekulli
Nuk e gjej dot...
Oborr as dyer oborri nuk ka
Shtëpia që nuk ekziston

2.
Brenda
Pak mure e do shenja të vjetra
Por pa gjurmë të plakut tim
Përveç ngjyrave të shokës
Me të cilën brezin e trupit e ngrohte
Edhe hijes së kamishit prej qelibari

3.
Në katin e sipërm të kullës
Dritaret e vogla si etje drite
Edhe do rrjetë merimangash
Për të krijuar imazh lashtësie

4.
Në ballë oxhaku
Në gozhdën e raftit
Ku qëndronte kafja për mysafirë
Tufë e çiftelisë kishte ngelur kacavjerrë
Edhe një copë cerge me lesh dhie
E plisi i bardhë pa asnjë gjurmë
Merrnin frymë pavdekësie

5.
Dal në divanhane
Plot krande
Me to sorrat çerdhe kishin bërë
Zbres më poshtë
Magjja e miellit
Nga minjtë e bërë blozhdë
Duart e nënës m[u kujtuan
Bukë duke gatuar
Ndonjëherë
Edhe ndonjë leqenik apo përpeq
Me kulloshtrën e lopës Kuqeshë

6.
Asgjë nga shtëpia e babait nuk gjeta
Asgjë nga ato kujtimet
Të cilat
Në pika gjaku mendoja t’i shndërroj
E të qarkullojnë në mua
Si rrugëtim i pambarim

7.
Diku te dollapi i bukës
Një copë sofre kish ngelur
Por troha buke askund
8.
Zbrita poshtë në ahur
Te grazhdi i kalit pullali
Më kujtohet
Hingëllonte pas tagjisë
Me misër të bardhë
Asnjë trohë shenje
As për plehun
Me të cilin
Tokën e bënim më pjellore

9.
Edhe në natën me terr
Diçka duke kërkuar
Në shtëpinë që nuk ekziston...
Vetëm hëna
Një cep të trapazanit e ndriçonte
Në ato dërrasa pishe
Ku babai përherë i pushonte kocat
Po edhe gjumë të mirë bënte

10.
Sillesha e sillesha
Nëpër shtëpinë që kurrë nuk e pashë
Rrapëllima e derës së odës
Nga era e fuqishme e moteve
Frymën e babait ma kujtonte
Me të cilën edhe lagjes i jepte gjallëri

11.
Në arë krye fshatit
Varri i gjyshit
Vetëm dy gurë shekullorë
I jepnin shenjë
Ani
Eshtrat e tij i bënin mirë tokës...

12.
U ktheva tek dhoma e çerepit
Edhe aty
Asnjë shenjë djerse e sime nënë
E lypa edhe atë vendin
Ku djepi me trupin tim përkundej
Sa vështirë pa gjumë
Çdo gjë dukej bosh
Edhe ajri që përftonte andejpari

13.
Po, sa lotët më tradhtuan
Duke kujtuar ninullat e nënës
Mbi shtatin tim të njomë
E, unë...
Asnjë nga ëndrrat e saj për mua
Sikur nuk ia kam plotësuar
Në kullë vetëm veriu frynte
Të thante acari
Kurse trupin tim
Ngadalë diçka ma shkrinte ma digjte


14.
Tash dua të kthehem
Po, ku...
Sa herë kam pyetur kështu
Sa herë vargje për të km shkruar
Që, pa mbaruar fjalën e fundit
Ato digjeshin e përcëlloheshin...

15.
Tash, kah t’ia mbaj
Kurrë nuk e gjeta
Kurrë nuk e përjetova
Kurrë nuk e preka shtëpinë e babait
Me rrënjë e kishin zhbi...

16.
Pushova pak
Pastaj preka veten
Po,për fjalë të nderit
Unë qenkam vetë babai
Preka xhamadanin
Vetë i babait është
Edhe plisi e kamishi prej qelibari
Edhe tirqit me gajtanë dymbëdhjetë fijesh
Por prapë përcëllim
Vetëm fytyrën nuk ia shoh babait
As buzëqeshjen e shikimin e tij plotë jetë

17.
Kthehem prapa
Prek trupin
Tash, prapë unë
Duke u dridhur si thupra në ujë

18.
Ku tash...
Ku është babai
Shtëpia e tij ku është
Ani
Ndoshta është në gjakun tim
Ajo kulla e babait

19.
Një zë ma trembi gjumin
Bri varrit të babait
Duke fjetur kisha qenë
Kurrë më ëmbël e rehat se tash
Sipër varrit ia kisha vënë dorën
Si kur ia vënë trupit më të dashur
Kur e kapërthen në gjumë pa brenga
Në shtratin e jetës
Në shtratin e ëndrrave
Që të lënë pa gjumë

20.
E tash
Kah t’ia mbajë
Ju më tregoni
Se diçka mendjen ma ka ngatërruar
Diçka shpirtin ma ka ligështuar
Diçka këmbët m’i ka rënduar...

21.
E tash
Tërë këto vargje që i shkrova
A janë poemë
Ndoshta elegji
A janë simfoni
Apo janë shikim i përbiruar
Nëpër birë të gjilpërës...

22.
Asgjë nuk janë
Veçse trembje shpirti
Që tmerrësisht më dhemb
Për shtëpinë e babait tim
Për jetën time...


NDOSHTA NË JUG...

(Brenda hidhërimit të Sarandës)

1.
Atje diku në fund të Sarandës
Aty ku deti ka aromë toke
Aty ku ka ngrohtësi dielli
Atje buzë detit
Me pak valë dhembjeje
Mu buzë dallgëve të serta
E gjeta një shishe të vjetër
Të përlarë shekujsh
Të mbyllur me tapë
Që marinarët
Kushedi
Në luftëra të pakuptimta
Në det e kishin hedhur
Ndoshta atje diku
Në veri të tokës
Ndoshta në oqeanet e mëdha
Ndoshta edhe në jug të globit
Në jug të atdheut

2.
E mora atë shishe
I lakmoja madhështisë së saj
Edhe errësirës në te
Që i ishte shtresuar ndër mote
Edhe misterit që e mbante brenda
Të fshehur e të ndrydhur
Ia hoqa tapën
Nga shishja doli një zë
Jemi eshtra njerëzish
Tha duke fluturuar si zog në qiell
Nuk di se nga jemi
E shikova shishen
Si mallin e njeriut pa atdhe
Si lotin në syrin e vashës
Si hartën e moçme
Të historisë pa data

3.
Sërish ai zë
Si dihamë u kthye
Qëndronte pranë grykës së shishes
Ngujohu  brenda i thash
Furishëm hyri në gastare
Duke m’i spërkatur sytë
Ndoshta me kripën e detit

4.
Tash
Shishes ia vura tapën
E hodha në det
Edhe më tutje
Kështu le ta shëtisë botën
Sa shumë më kishin kapluar djersët
Për shishen-varr
Dhe për një letër aty brenda saj
Çfarë nuk ishte shkruar
Në letrën e vjetër ngjyrë dylli

5.
Shishja
Kështu prapë vazhdoi rrugëtimin e saj
Unë sërish ktheva
Tek vargu im
Tek Trirema e Poezisë Joniane
Ku këndohet në të gjitha gjuhët...

(25 shtator 2016)


NJË PASQYRË...!

Tri herë jam hedhur nga qielli
Dhe drejt në tokën time kam rënë
Tri herë jam fundosur në dete
Dhe rënë kam në thellësitë
E fshehtësive të atdheut
Tri herë jam djegur në flakë
Dhe shndërruar jam
Në hirin e vatanit
Sa herë që jam gëzuar
Pragun e derës së shtëpisë
Puthur e kam
Tri herë rrast jam hidhëruar
Dhe shumë vuajtje
Më kanë kapërthyer
Sa herë nënën e kam uruar
Që ndoshta kur nuk duhej
Më solli në jetë
E heroizmin e babait
Gjithnjë me qëndresë e kam praruar
Ç’është kjo
Asgjë
Pos reliev i jetës sime
Dhe një pikëpyetje e atdheut
E unë rri
Duke qeshur e duke qarë
Duke i shprushur
Dhe duke i ledhatuar shekujt
Këta hileqarë të historisë...


...2012...!


I kam do rrugë të vjetra
Mos m'i dëmtoni
I kam do gëzime
Mos m'i shëmtoni...
I kam do kallëzime
Mos m'i pluhuroni
I kam do plagë
Mos m'i lëndoni
I kam do dhembje
Mos m'i trazoni
I kam do hidhërime
Mos m'i rëndoni
I kam do këngë
Mos m'i shtrëmbëroni
E kam një etje
Më leni të etur
I kam do kujtime
E acari mbi letër
S'më lë ta shkruaj
Vetëm edhe një varg
Në vend të vargut
Lë të jetë numri 2012...
Ndoshta takohemi diku
Në përqafimin e kombit
Në lumturimin e atdheut...

DUDI PLAK NË PATRIKANË

(Kushtuar Dudit në Patrikanë të Pejës të lashtë afro tre shekuj)

Sa puthje si kurorë dielli në qafë i ke varur
Gjinjtë e drenushave pa mëshirë i ke përvëluar
Sa thyerje zemrash ke përjetuar
E shkrumb tek kroi i akullt
Nën Ty lindjet i kanë vendosur dashnorët e kësaj toke
Edhe tradhtitë janë prehur nën flladin tënd
Asgjë e re
Kështu me ditë javë e vite ishte
Kështu me decenie
E, Ty as sot s’të ha palla
S’lëviz fare
Vetëm murosë histori
...Të kam lakmi
Që nga barrët kërrusur je
Që sipër mendjes ngarkuar t’i kanë
Pse heshtë tash e tre shekuj e as shpirt nuk japë
Vetëm degëzohesh e trungun nuk e dorëzon
Ndoshta je duke pritur diellin e diellit
Kot pret ashtu
Edhe në pritje të kanë tradhtuar
Të kam lakmi... edhe zili
Sa njeriu është dashuruar nën kurorën tënde
Sa rrenat janë thyer për historinë përbri trungut thatak
E Ti, edhe tash heshtë e nuk flet
Në trupin tënd e nën kurorën e hapur
Ka rrëke lotësh, ethe e trishtim
Për jetën, o Dudi Plak
Çfarë të bëj...
Ma jap barrën e peshën tënde
E të kërrusëm fortë e fortë
M’i jap sytë e tu e të flasë pa gjuhë
M’i jap veshtë e të flasë pa zë
Atëherë...
Nën kurorën time le të vërshojnë lulet
Le të ndizen zemrat e etjeve të Kosovës
Lindjet le të presin damarin e pritjeve

NDOSHTA SOT VJEN KUJTIMI...

Ndoshta
Tash vesa e vjeshtës
I tradhton gjethet
E rrugët u ngjajnë
Kurorave me lule të vyshkura
Lisat duken si përcjellës të amaneteve
Degët e tyre mashtrues të stinëve

Ndoshta
Sot gështenjat
Do t’i braktisin boçat me gjemba
E ketri do t’i mbulojë lënat
Për ushqim dimëror

Ndoshta
Sot trenat ndërrojnë itinerarin
Edhe binarët t’i kthejnë kah atdheu

Ndoshta
Sot do të lindet një fëmijë
Me emër të ri
Se njerëzit janë plakur
Duke jetuar me këngën e etjes
Duke kërkuar urtësinë
E duke pritur pritjet

Ndoshta
Sot vjen kujtimi
Asgjë për të mos harruar...

Ndoshta...


NDOSHTA NË JUG...

(Brenda hidhërimit të Sarandës)

1.
Atje diku në fund të Sarandës
Aty ku deti ka aromë toke
Aty ku ka ngrohtësi dielli
Atje buzë detit
Me pak valë dhembjeje
Mu buzë dallgëve të serta
E gjeta një shishe të vjetër
Të përlarë shekujsh
Të mbyllur me tapë
Që marinarët
Kushedi
Në luftëra të pakuptimta
Në det e kishin hedhur
Ndoshta atje diku
Në veri të tokës
Ndoshta në oqeanet e mëdha
Ndoshta edhe në jug të globit
Në jug të atdheut

2.
E mora atë shishe
I lakmoja madhështisë së saj
Edhe errësirës në te
Që i ishte shtresuar ndër mote
Edhe misterit që e mbante brenda
Të fshehur e të ndrydhur
Ia hoqa tapën
Nga shishja doli një zë
Jemi eshtra njerëzish
Tha duke fluturuar si zog në qiell
Nuk di se nga jemi
E shikova shishen
Si mallin e njeriut pa atdhe
Si lotin në syrin e vashës
Si hartën e moçme
Të historisë pa data

3.
Sërish ai zë
Si dihamë u kthye
Qëndronte pranë grykës së shishes
Ngujohu  brenda i thash
Furishëm hyri në gastare
Duke m’i spërkatur sytë
Ndoshta me kripën e detit

4.
Tash
Shishes ia vura tapën
E hodha në det
Edhe më tutje
Kështu le ta shëtisë botën
Sa shumë më kishin kapluar djersët
Për shishen-varr
Dhe për një letër aty brenda saj
Çfarë nuk ishte shkruar
Në letrën e vjetër ngjyrë dylli

5.
Shishja
Kështu prapë vazhdoi rrugëtimin e saj
Unë sërish ktheva
Tek vargu im
Tek Trirema e Poezisë Joniane
Ku këndohet në të gjitha gjuhët...


TREGONI KUR TREGONI...

...Kur tregoni
Edhe qiellit i tregoni
Edhe tokës i rrëfeni
Tregoni kur tregoni
Se shekujt janë rënduar
Edhe vitet janë moçnisur
Tregoni kur tregoni
Më mirë është
Rrugët dritë për t'i bërë...


SI VENDLINDJE E MOHUAR...!

Në atë këndimin e rapsodëve
E kisha zënë dhembjen
Edhe dashurinë fshehurazi
Vetëm lirinë gjithnjë të zvarrur
Dhe ninullat në djep
Kurrë deri në fund nuk i përjetova
As nuk i kuptova
Nuk e kuptova
As këngën e zjarrtë të gjelit
Mbi grumbullin e plehut
Edhe pse ma krijonte
Një idil të pashlyer fshati
Ma ngacmonte dashurinë
Për vendlindjen e mohuar...
Me këto gjëra
Vjeshta çdo gjë ma përcëllon
E pranvera tërësisht më trenon...


DIELLI EDHE NË PIKTURË KA ETJE...

Po po
Do lind e lind dielli
Dikush ngrohet
E dikush akull bëhet
Ky diell
Sa madhështor...
Edhe në pikturë
Ka etje...


NJË PASQYRË...!

Tri herë jam hedhur nga qielli
Dhe drejt në tokën time kam rënë
Tri herë jam fundosur në dete
Dhe rënë kam në thellësitë
E fshehtësive të atdheut
Tri herë jam djegur në flakë
Dhe shndërruar jam
Në hirin e vatanit
Sa herë që jam gëzuar
Pragun e derës së shtëpisë
Puthur e kam
Tri herë rrast jam hidhëruar
Dhe shumë vuajtje
Më kanë kapërthyer
Sa herë nënën e kam uruar
Që ndoshta kur nuk duhej
Më solli në jetë
E heroizmin e babait
Gjithnjë me qëndresë e kam praruar
Ç’është kjo
Asgjë
Pos reliev i jetës sime
Dhe një pikëpyetje e atdheut
E unë rri
Duke qeshur e duke qarë
Duke i shprushur
Dhe duke i ledhatuar shekujt
Këta hileqarë të historisë...


TE NJË GUR SI ISHULL...

Në mëngjes
Ama shumë herët
Diku thellë në det
Një gur si ishull
Mbi te qëndronte ulur
Një plak
Ama shumë i moçnisur
Dhe
Vetëm vështronte detin
E murmuriste:
Deri ku e ka hudutin
I tërë ky ujë
Deri ku e ka kufirin
Toka ime
Plaku
Vetëm vështronte
Por të njëjtën pyetje
Gjithnjë e përsëriste
Plaku
Me mjekër të bardhë
Si Heminguei dukej
Ndoshta edhe rebel si ai...

(Sarandë, 02 tetor 2016)


MUZE I TRADITËS, THANË...!

1.
Në një mulli fshati
Mulli që bluante...
Tash nuk punon
Po hyre brenda tij
Era vjen histori
Kundërmon edhe baltë
Në dritare
Rrjetë merimangash
Në lugun e ujit
Asnjë pikë nuk rrjedhë
Por nga pak
Shija e miellit hetohet
Edhe pesha e misrit
Që kujtojnë ujemin e mullisit
Thasët plotë arna
Të mbërthyer me kunja thane

2.
Çdo gjë
Mendjen në shekuj ma shndërroi
Që shtresojnë e shpalosin kallëzime
Tmerre, dhembje e trimëri
Ndoshta askush nuk i di
Nuk i heton
Në të çarat e murit
Ne letrat e grisura të dashurisë
Të fshehura
Nëpër bira dërrasash

3.
Pyesja
Po çfarë është kjo terrinë
Është muzeu i traditës
Si në sarkazëm
Më tha lëkura e një miu
Që trupi i ishte tharë
Miell duke vjedhur

4.
Ky mulli fshati
Muze i traditës, thanë...


TE AJO DARDHA HASI...

Në atë bahçen e vjetër
Të babait tim
Kishte plotë pemë
Që i kishin qëndruar kohërave
Në vend buke
Fëmijët ishin ushqyer
Me mollët lalçe
Edhe me ato vizejke

Në atë qoshkun e vogël
Te gardhi kurorë
Që fortë e kishte thurë gjyshi
Ende qëndron kryelartë
Ajo dardha me kokrra të vogla
Dardhë hasi i thoshin
Ishte shumë e dashur për fëmijët
Sepse
Deri vonë në vjeshtë
Në kurorën e saj
I ruante nga disa kokrra dardhe
Të pikëluara nga vesa
Që vetëm sa ua shtonte shijen

Ndoshta pse isha fëmijë
Dardhat hasi
Shumë i adhuroja
Rrënjët e trungun
Edhe kurorën e saj
Përherë i bekoja
Për madhështinë e bereqetit
Për amanetin e gjyshit...


VETËM NJË GOTË UJË PEJE...

Sot
Vetëm një gotë ujë Peje
Që freskon kur bën vapë
Që shkrumbon kur kam mall
Që madhështon
Kur kujtimet rëndojnë
Dhe, shkruaj histori
Me ujin e kthjelltë
Kurse ditët e rinisë
Më sillën vërdallë rreth meje
Duke m'i përkëdhelur thinjat
Duke m'i thelluar rrudhat
Në lëkurën time
Ndoshta të trashë...
Sot
Në këtë mëngjes
Në këtë ditë vjeshte
Vetëm një gotë ujë Peje
Dhe asgjë tjetër...

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...