2016-11-23

Në vazhdim të një homaxhi me fakte tronditëse


Image result for eshref ymeri


Në disa faqe interneti të ditës së djeshme, si “VOAL”, “Fjala e Lirë” etj., ishte botuar një artikull i shkrimtares dhe publicistes së shquar, Zonjës Vilhelme Vranari Haxhiraj, me titull:
“Abdyl Sharra, një nga Elitat Kombëtare të mohuara, 70 vjet pa një varr.Në kujtim të kushëririt të tim Eti, inxhinier Abdyl Sharrës!”.
E lexova me shumë kërshëri.Ёshtë një artikull-homazh në nderim të kujtimit të intelektualëve të shquar, inxhinierëve të kënetës së Maliqit, të cilët krimineli Enver Hoxha i vrau barbarisht 70 vjet më parë, pikërisht më 22 nëntor 1946. Aty Zonja Vilhelme sjell mjaft fakte tronditëse për qëndrimin kriminal të diktaturës enverhoxhiste kundër lules së inteligjencies shqiptare, kundër personaliteteve të shquara të nacionalizmit shqiptar, të cilat i masakroi aq mizorisht, duke vënë në vend urdhrat e prera që i vinin nga Beogradi. Me urdhrat që dha për masakrimin, varjen dhe pushkatimin e atyre personaliteteve me emër të madh, krimineli Enver Hoxha i vuri vetes damkën e njeriut më të urryer të vendit tonë, e njeriut më gjëmëndjellës për pjesën më të shëndetshme, më të kalitur dhe më të edukuartë popullit shqiptar me frymën e nacionalizmit.
Zonja Vilhelme i ka njohur mirë dhëmbët e diktaturës enveriste. Asaj i burgosën Babain, pa kryer asnjë krim, por vetëm e vetëm se rridhte nga një familje e mirënjohur, nga një derë e shquar e fisnikërisë kaninjote, nga një vatër e nderuar e nacionalizmit shqiptar. Asaj i mohuan të drejtën e përfundimit të studimeve universitare, duke mos e lejuar të hynte në provimet e shtetit, paçka se ishte një vajzë dhe një zonjë me talent të rrallë, siç e vërtetoi koha pas ndërrimit të sistemit.
Fisi Sharra përfaqësonte jo vetëm nderin dhe dinjitetin e Vlorës dhe të krejt Labërisë, por edhe të mbarë kombit shqiptar. Gjatë viteve 1955-1959, kur vazhdoja studimet në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, kam pasur një shok klase nga fisi Sharra. Ai ishte Elham Sharra. Ishte një djalë model në marrëdhëniet tona si nxënës të atij gjimnazi. I talentuar, miqësor, modest, i gjindshëm dhe me shpirt mjaft fisnik.
Nuk e di nëse ishte mallkim nga Hyjnia që popullit shqiptar t’i vinte në krye një përbindësh me emrin Enver Hoxha, i cili e përvetësoi deri në përsosmëri artin e vrasjes së shqiptarit nga shqiptari, art që ia mëkuan me aq zell emisarët e Beogradit, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi. Jo rastësisht Dushan Mugosha ishte këshilltar i Mehmet Shehut në Brigadën e Parë Sulmuese dhe frymëzues kryesor i tij për pushkatimin e 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar në Lushnjë në tetor të vitit 1943. Prandaj Enver Hoxha, në tehun e krimit të tij vuri ajkën e inteligjencies shqiptare, përfaqësusesit më të aftë të nacionalizmit shqiptar. Tërë ajo ajkë intelektualësh, si Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e shumë e shumë të tjerë, si edhe përfaqësuesit e shquar të klerit katolik, studimet e larta i kishin përfunduar në universitete perëndimore, si në Romë, në Vjenë apo në Paris. Pikërisht këtë shtresë njerëzish të shquar, Enver Hoxha e kishte halë në sy, sepse, para personalitetit të tyre, atë e mundonte kompleksi i inferioritetit: vetë nuk kishte qenë i aftë ta vazhdonte dhe ta përfundonte universitetin në Francë, ku qeveria e Ahmet Zogut e pati dërguar me bursë shteti. Pikërisht njeriu i paaftë në fushën e përvetësimit të dijeve akademike, bëhet shumë i rrezikshëm, nëse një ditë arrin të hedhë në dorë frenat e pushtetit. Pikërisht një njeri i tillë, i paaftë në fushën e dijeve akademike, i duhej Beogradit për ta vënë në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë për realizimin e tre objektivave madhore, siç e ka vënë në dukje bukur mirë dr. Kastriot Dervishi: shndërrimin e asaj partie në agjenturë të Beogradit, futjen e popullit shqiptar në luftë civile dhe shfarosjen e elementit nacionalist.
Prandaj edhe krimineli Enver Hoxha, siç e kam cituar edhe në një artikull të paradokohshëm, vetëposhtërohej deri në atë shkallë, saqë i mburrej ambasadorit serbosllav se si ai, si shqiptar, po vriste shqiptarë dhe po merrte urdhra për vrasje të tjera:
“Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..”. Simbas rrëfimit të grues, ambasadori, diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet, - vazhdoi ai, - si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!
Këto fjalë i kishin rá në vesh Pater Gjonit shi prej të shoqit të zojës përkthyese. Megjithatë ai vazhdonte të çonte meshë, të punonte në shkollë e të pritëte martirizmin…”. (Atë Daniel Gjeçaj. “At Gjon Shllaku, Martir i Fese dhe i Atdheut”. Citohet sipas librit me titull: “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”. Shtypshkronja “At Gj. Fishta”. Tiranë 1993. fq. 36).
Çdo shqiptar, me vetëdije qoftë edhe minimale kombëtare, duhet të ndiejë krupë deri në pështirosje për këtë deklaratë prej servili të fëlliqur të Enver Hoxhës para përfaqësuesit të një shteti tradicionlisht armik të kombit shqiptar.
Zonja e nderuar Vilhelme Vranari Haxhiraj, ashtu si edhe mjaft intelektualë-publicistë dhe autorë të njohur librash, kanë shkruar mbi bazën e fakteve, të nxjerra nga dokumentet arkivore, se si Enver Hoxha hyri në shërbim të serbosllavizmit dhe, përmes luftës së egër të klasave, i bëri gjëmën popullit shqiptar, duke e mbyllur veprën e vet kriminale në vitet ’80, kur familjet shqiptare dhe sidomos fëmijët e tyre, po i kërcënonte degradimi gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit, kur radhët e gjata, që në orën 12:00 të natës, sidomos para shitoreve të bulmetit dhe tëushqimoreve të tjera, qenë shndërruar në një torturë të vërtetë. Por, çuditërisht, një takëm enveristësh të ndërkryer, ose për shkak të varfërisë së trurit, të paaftësisë intelektuale, ose të infektuar rëndë nga droga e politikës enveriste, vazhdojnë të mbrojnëkriminelinEnver Hoxha, duke sulmuar me një leksik të turpshëm të gjithë ata që e kanë demaskuar dhe vazhdojnë ta demaskojnë diktaturën e tij kriminale gati gjysmëshekullore. Me artikullin e vet, zonja Vilhelme i ka vënë në ballë Enver Hoxhës damkën e krimit, çka duhet të shërbejë si një mësim i mirë për të gjithë enveristët, të cilët, me mbrojtjen e figurës së tij, marrin në mbrojtje gjithë krimet e rënda që ai kreu gjatë sundimit të tij të egër.Enveristë të tillë më kanë sulmuar edhe mua me një leksik që i shkon për shtat vetëm sërës së njerëzve të shtresës së vulgut, paçka se unë, në publicistikën time, ashtu si edhe mjaft intelektualë të tjerë, kam pasur dhe vazhdoj të kem si yll karvani vetëm faktet, vetëm të vërtetën. Tërë ai fjalor i pistë (i përcjellë me pseudonime të ndryshme, prapa të cilave fshihet edhe emri i ndojë ish-studentittim të paaftë, vëllait shpirtëror të ish-studentit të paaftë Enver Hoxha dikur në Francë), në të vërtetë, enveristëve ua nxjerr bojën keq, u çjerr maskën dhe zbulon kënetën e ujërave të ndenjura, ku ata vazhdojnë të notojnë, si hedhurina kutërbuese, largpjesës më të shëndetshme të shoqërisë shqiptare.
Për “meritë” të kutërbimit të tyre shpirtëror, aq të pasur me leksikun e vulgut, enveristëve të paemancipueshëmpo u përcjell vargjet që pasojnë, me titullin e mëposhtëm:

Enveristëve për kujtesë!

Juve, or mjeranë, truri ju është tretur,
Skllevër keni lindur, skllevër keni mbetur.
Ju pashë kur m’u turrët, si ujq të uritur,
Me inat të rëndë, me dhëmbë të skërmitur.
Ju njoha, or ujqër, ujqër të ndërkryer,
Nga fjalët e pista, nga gojët përlyer.
Dhe u vutë në garë, si të egrit buaj,
Duke nxjerrë në pah krejt mjerimin tuaj.
Shumë ju ka pëgërë enverdiktatura,
Ndaj s’shpëtoni dot as nga vetëcensura.
Nuk ju shuhet malli për liderin e vjetër,
As në këtë botë, as në botën tjetër.
Në atë botë do shkoni pa asnjë maraz,
Viktimat e tij do ju ndjekin pas.
Urrejtjen në gjak e paskeni me okë,
E mbani me vete, si mikeshë për kokë.
Nuk ju do as mortja, se do gjë të zgjedhur,
Sepse ju veç jeni mbeturinë e hedhur.
Rrini strukur, fshehur, porsi sojë pisi,
Me pseudonime, porsi minj gjirizi.
Enverdiktatura ju ka robëruar
Edhe keni mbetur mendjeskllavëruar.
Ndaj po ju vë damkën, mbajeni mend mirë:
Servilzvarranikë, diktaturëlëpirë!!!

Sinsinati, Ohajo
22 nëntor 2016

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...