Nga Leke Tasi
Në polemikat e kohëve të fundit, përvec anës politike (akuza ndaj nacionalistëve si kolaboracionistë, duke heshtur sulmet që u bëheshin menjëherë mbas akordit dypalësh të arritur në Gusht 1943), të bien në sy edhe sulme ndaj fesë e fetarëve (politiko-negative ose miklueso-nënvleftesuese). Argumenti teorik i tyre ësht se filozofia prin, kurse feja ësht në hava, por duhet respektuar në kushtet e reja; kurse argumenti denigrues: përfolja e figurave kulmore si miqsore me pushtuesin. Të dy këto fushata mendojm se e kanë shkakun te pritshmëria për një hyrje të Shqipërisë në gji të Perëndimit me anë të vendosjes së shtetit ligjor, gjë që do të sjellë shkëputjen përfundimtare nga tranzicioni ku kuadri ish komunist nën petka demokrate në dy krahët e spektrit abuzonte me pushtetin duke u pasuruar pa farë gajle. Propaganda pro – LNCl synon të rivendosë unitetin (consensus), pra jo rinovim, gjithshka brënda grupit tonë! Se mos rivlerësimi i krahut të kundërt (klerikë e politikanë të anatemuar dhe të ekzekutuar),do të sillte shvlerësimin e kategoris që trashëgoi pushtetin në 90. Zhurma që bëhet rreth këtyre temave koincidon edhe me joshjet lindore që po marrin një virulencë të re. Në shkrimin e parë folëm për temën e parë ( kolaboracionistë e filokomunistë), këtu po trajtojmë filosofinë dhe fenë. Nuk ësht se filosofia nuk mund ta trajtojë fenë, e kanë bërë shumë mendimtarë sëjashtmi dhe së brëndëshmi saj, ithtarë të saj dhe kundërshtarë të saj, në Mesjetë dhe në kohët moderne, por po të nisesh nga themelet e secilës, filosofi dhe fe, ato janë krejt heterogjene: filosofia ka thelb të sajn mendimin, feja besimin, (e famshmja ‘mos heto por beso’). Feja ndikon mjaft në masat - ndjenja e rrezikut, mendimi i vdekjes, nevoja e vetvetishme për mirësi, i çon ato tek nevoja për t`iu drejtuar me lutje fuqisë së mbinatyrshme, Zotit Krijues dhe administrues i botës, kurse filosofia nuk ndikon direkt tek ato, sepse askush nga masa s` lexon libra filosofie, por ndikon vetëm indirekt. Shembull, fryma e iluminizmit francez (dhe më von evolucionistët darëëëëëëëëëëëëëëëinianë), duke kaluar nga fusha e kërkimit shkencor në atë të filosofis e shvleftësuan fenë në opinionin e kulturuar. Një klasë intelektualësh të rinj, revolucionarët francezë (më të egrit e tyre - Jakobinët) shndërruan gati vetvetiu pakënaqësinë popullore ndaj mbretit dhe klerit të lartë në armiqësi të verbër ndaj vetë shtetit dhe kishës; aristokracia dhe kleri pësoi një valë terrori prej dhjetra mija ekzekutimesh . Monarkia u rëzua dhe bashkë me masakrimin e aristokracis dhe klerit të lartë e të mesëm, u suprimimuan shumë institucione mirëbërëse të kishës (azile pleqsh, jetimësh etj) pa menduar me se ta zëvendësonin këtë rrafshim institucional dhe humanitar. Një Asamble e terrorizuar vetë, dhe Enti Suprem i Arsyeshëm i emruar në krye të fesë së re, ishin provat se sa të shkëputur nga realiteti (nga masat popullore) qenë krerët revolucionarë, dhe ç` tallje i ra në mendje rendit të ri për të zhdukur mijëvjeçarët tue u mbështetur gjoja tek Arsya. I përshtatet kësaj papjekurie bërtitëse vargjet e Ali Asllanit : “Frëng ku vete, ku po vete Frëng o frëng që s`je në vete” Rendi i barazuar me terror, demonstroi boshllëkun e tij tek vrasja mes tyre e protagonistëve të së njejtës mendje, dhe pa proces të mirëfilltë – mos të harrojmë se Feja e quan Djallin njeri-vrasës; si mos t`i kuptojnë atëhere masat besimtare si vepër të tij këto gjëma?. Përfitoi Bonaparti për të vendosur regjimin e tij personal. Po ky terror u përsërit në Paris më 1871 dhe pastaj Rusi më 1917 : Urrejtja dhe zilia vepruan posI në Francë si faktorë historikë ( a mos ndofta Enti suprem i Arsyeshëm ësht ziliqar?..), por të vrarët në Rusi qenë me miliona, u instalua një ekonomi e kontrolluar krejt shterpe me rezultat miliona vdekje nga uria, dhe fenë e zëvendsoi Ateizmi zyrtar (pa Arsye fare në këtë rast) gjë që s`ngjiste fare te populli rus prej natyre besimtar, me rezultat manifestimin e hipokrizisë si sistem bazë jete dhe superstructure (Realizmi Socialist që lëvdon gjënë e përbashkët në një popull me barkun bosh, ose martesa civile solemno-qesharake para nëpunsit të gjendjes civile etj). Por në Rusi periudha e marrëzisë vrasëse mbajti shumë më gjatë, për t`iu kthyer mbas 70 vjetësh ekonomis së tregut në baza shumë më ilegale nga ç` u bë në Francë (ku ekonomia ndërroi natyrshëm nga feudal-kapitaliste në thjesht kapitaliste ),dhe te Kisha më me nostalgji. Franca mbajti edhe më pas një karakter illuminist dhe antiklerikal, thjesht për shkak të qefit që ka për debat, veçse ky pozicion mohues ka përballë tij atje një pol fetar të fuqishëm. Kurse në Rusi, komunizmi ka lënë pas më të thellë rrënimin e shoqërisë, me pasoja më tepër të natyrës kriminale, mbasi ndër të tjera, krerët e tij tiranë-burokratë mbas kolapsit të sistemit, nuk mund të krahasohen me Bonapartin, krijues të një shkolle teknologjike moderne dhe te Kodit solid napoleonian në Drejtësi. Përkundrazi Orthodoksia me rezervat e saj të mëdha në shpirtin dhe kulturën ruse vazhdoi të kishte dhe rifitoi një vend të padikutueshëm në shoqëri , por hekatomba në kler dhe harlisja e krimit gati legal ia vështirëson shumë punën. Në këto kushte, del edhe më e qartë pse Feja është krejt e ndryshme, e pabashkëmatshme me filosofinë. Nuk diskuton, por vetëm pohon. Denigruesit e saj nuk kuptojnë se të falësh ekzekutuesin ësht një lloj force që s`mund t`i bësh ballë, qëndron dhe vepron përmbi dhe e pavarur nga koha.Të vësh përmbi shpresën dhe besimin Dashurinë, do të thotë, të zhdukësh qysh tani mëdyshjen ekzistenciale, pra një forcë që i zbut problemet (jo thjesht se i transferon në të ardhmen, por se ndikon direkt në të sotmen duke ndërgjegjësuar njeriun për efemeritetin e lakmive e për pasojë të konflikteve) kurse problemet janë buka e filosofisë. Kërkon t`i zgjidhë, por ka përballë natyrën njerzore, të ciën nuk e ndryshon dot, mbasi nuk ka mjetet e duhura.Kurse të jetuarit me besim , edhe nëse nuk arrin zbutjen e grindjeve, i përballon paqësisht dhe pa kërkuar shpërblim ( forca e madhe e shembullit!). Pra e tija ësht një dinamikë shumë prodhuese , e kundërta e zgjidhjes me racionalitet të ftohtë (mënyra filosofike) që shpjegon dhe propozon reforma, por pa prekur unin , i cili e percepton zgjidhjen më tepër te tjetri, pra duke zgjatur qarkun vicioz. Veç kësaj, edhe një aspect tjetër kontrastues i të dyjave: shpresa nga njera anë (karakteristike për fenë) që krijon siguri dhe shpirtmadhësi, dhe nevoja për njohje (karakteriste për filosofinë) që i kërkon zgjidhje të vështirësive këtu ku jemi, gjë shumë e vlefshme, por edhe me urgjencë për qëllimet personale. Shohim që feja, ashtu si edhe arti, të bëhen prodhimtarë pikërisht mes vështirësive jetsore, madje vuajtjeve, kurse filosofia që kërkon zgjidhjet e saj tek arsya dhe e shumta e gjen tek drejtësia dhe tek ekuilibri i interesave, në fakt nuk sjell fort përparim, madje degë të saj eksperimentojn gabimin. Përparimi real qëndron tek ajo pabarazi që i lëviz gjërat drejt harmonisë e integrimit, prerogativa të fesë, jo të spekulimit arsyetues. Për të kuptuar padobinë e debatit filosofik, besimtarëve u vlen thënia e Krishtit “Të falënderoj a At, që ua zbulove të thjeshtëve dhe ua fsheve të mençurve”, ose “ Do t`i turpëroj të diturit e kësaj bote”. Tani, mendjet më kureshtare s`mund të durojnë pa e praktikuar filosofinë, sidomos ata shkencëtarë që kapërcejn kollaj murin e tyre, për të hyrë në kaosin jashtë tij, pra e nisin shpjegimin nga mesi, jo nga kreu ( si Laplace Me Bonapartin). Vec kësaj serioziteti kërkon të mbahet parasysh si gur paragoni qëndrimi i Atij që thëniet e tij të thjeshta i mbështeti me shembullin e vet deri në vetflijim. Shumë të pakët prej filosofëve kanë demonstruar këtë koherence mësim-shembull, dhe rendimentet e dy rasteve as krahasohen. Nuk duhen arsyetime pra, por duhet mirësi, solidaritet , dashuri në çdo rast, dhe mënjëherë! Ky ësht momenti kur bota po kalon pasojat e stërhollimit të së keqes prej stërhollimeve filosofike, si e si të kënaqen dëshirat e njerzve, të grupeve sociale, të shteteve, të blloqeve, pra ekuilibër egoismash, dhe ende pak gjeste ndihme për të papajisurit. Megjithatë gremina mes kontinenteve do të ishte edhe më e madhe nga ç`ësht, po të mos ishin përpjekjet e një pakice tërë kohërat, të organizuar posaçërsht për të ndihmuar, plus mirësia spontane në raste të panumurta që ndodhin përdit dhe kudo, aq sa të con të mendosh se Dashuria (jo materiale) ësht në themel të botës materiale, dhe fati i saj varet nga ajo. Këto gjeste mirësie kanë vlerë se nuk janë të natyrës perspektive,”largpamëse”( për të mbrojtur indirekt veten për refleks) por spontane, thjesht për empati. Prandaj Europa e Bashkuar, qoftë edhe e paqëndrueshme siç ësht, duhet ruajtur e fuqizuar. Ajo i krijoi problemet vetë dikur falë pjesës së saj grabitëse, dhe tani po kthehet e i a gjen remedin krizës ndërkontinentale kryesisht me anë të shtresës së vet të varfër, që vazhdon të votojë pro mirëpritjes së të varfërve të ardhur. Kur të pushojnë ta bëjnë këtë, do jemi në rrezik, do jetë shenjë se masat po arsyetojnë në kohë, filosofojnë, pra kanë hyrë në rrugë pa krye. Nëse mirësia e tyre ka burimin te besimi në Zot, dhe voluntarizmi ekzistues ësht një nga provat, dhe ai duhet zgjeruar në maksimum, atëhere historiografia që e shihte me dyshim fenë, (duke ia tepëruar fajet të shkaktuara prej përbërësve njerzorë të saj), dhe ngrinte lart filosofinë ( nënkupto iluminizmin materialist - shkaktar indirekt dhe i pjesshëm por këmbëngulës i dy shekujve më tragjikë) , do ta kthente opinionin në favor të saj. Islami gjithashtu, i ndodhur aktualisht në konflikte te brëndshme, e ka po të njejtën rrugë: të marrë prej Librave të tij normativë, pjesën themelore që afirmon mirësinë, mëshirën , solidaritetin, dhe ta aplikojë sëpari brënda popujve myslimanë (rezervë e pashfrytzuarende si duhet), kurse pjesën që trajton ndëshkimet e të pabesëve , sot e degjeneruar në veprime absurde, ta konsiderojë si një gjë historike, duke quajtur si themelore dhe eskluzive porosinë :”Në besim nuk ka dhunë” . Në këtë mënyrë, me një veprim të përbashkët, shumë kontraste mes feve, të acaruara nga fanatizmat, gjejnë zgjidhje , dhe kjo zgjidhje nuk do t`i detyrohet thuajse aspak debateve filozofike, por frymës që sundon besimtarin e vërtetë kudo në botë,dhe që ësht në pjesë të madhe i pashkolluar: fryma miqësore dhe e gatshme me e mirëkuptue të ndryshmin.