Instituti Hidrometeoroligjik i Kosovës ka bërë me dije se gjatë kësaj fundjave do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga te dobëta të shiut.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndersa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-10 gradë Celsius”.
“Java e ardhshme parashihet të jetë më e ftohtë, e përcjellur me ulje të temperaturave dhe kushte për riga të dobëta shiu”.
“Mëngjeset do të jenë me ngrica të dobëta, kurse shtypja atmosferike pritet të ketë ngritje të dukshme mbi vlerat e normales”.
Ndotja e ambientit në Kosovë nga termocentralet vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët e Kosovës.
Ata thonë se po rrezikohen nga një ambient i ndotur, ndërkaq kërkojnë nga autoritetet kompetente marrjen e masave urgjente në përmirësimin e kësaj gjendje.
Pasojat i bartin qytetarët
“Edhe kozmosi mund të rrezikohet këtu, mund të rrezikohen edhe lulet, sepse edhe luleve i nevojitet oksigjen i pasur, e jo me vetura. Ky qytet ka marrë formën e një vendi ku ndoshta në ndonjë planet tjetër ekziston, krejt beton, beton”,Fatlum Hasani.
Ngjashëm mendon edhe Ramadan Ibrahimi...
“Ambienti në Kosovë është shumë i ndotur. Nga këndvështrimi im artistik e perceptoj si një krim në harmoninë e gjithësisë, veza kozmike ka filluar të krimbet”, thotë ai.
Ndërkaq, Rasim Thaçi, gjendjen e ambientit në Kosovë e quan alarmante.
“Jo i rrezikuar, por shumë i rrezikuar. Vetëm fjala është ambient, por ambienti këtu nuk ekziston. Së shpejti e gjithë popullata do të fillojmë të shëtisim me gaz-maska, nëse nuk ndërmerret diçka në përmirësimin e kësaj gjendjeje”, shprehet ai.
Edhe Teuta Rexhepi thotë se është e pakënaqur me iniciativat e autoriteteve kompetente për të ndërmarrë diçka konkrete në mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
“Sigurisht se mund të ketë rrezik nga ndotja e ambientit. Në Kosovë ka shumë papastërti, shumë vetura që ndotin mjedisin, dhe nuk shoh diçka që ndërmerret nga institucionet për rregullimin e këtij problemi”, thekson ajo.
Çështjen e ndotjes së mjedisit nga termocentralet e ka ngritur në vazhdimësi Partia e të Gjelbërve në Kosovë.
Kryetari i kësaj partie, Daut Maloku thotë se ndotja e ambientit nga termocentralet në Kosovë është shumë e madhe dhe sipas tij, ndikimi i dëmshëm në shëndetin e popullatës është mjaft shqetësues.
Problemi i termocentraleve është një ndër problemet më të mëdha mjedisore në Kosovë.
“Problemi i termocentraleve është një ndër problemet më të mëdha mjedisore në Kosovë. Autoritetet kosovare duhet të ndërmarrin masa urgjente. Qytetarët janë të rrezikuar nga pluhuri që lirojnë tymtarët e që përmban elemente të rrezikshme kimike, gazra dhe materie tjera, që barten përmes erës në kanalet e frymëmarrjes dhe shkaktojnë sëmundje malinje dhe kardiovaskulare”, thekson Maloku.
Sipas projeksioneve qeveritare, mbyllja e termocentralit “Kosova A”, është paraparë të bëhet në vitin 2017.
Ndryshe, ndotja e ambientit në Kosovë i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që rezultatet të cilat i posedon Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, tregojnë se vetëm në Prishtinë këto vlera tejkalohen për 3 deri në 6 herë më shumë, sesa ato të lejuarat.