2012-04-22

Heronjtë që vdesin pa humbur mbesin heronj përjetë. Edhe ata që vdesin duke luftuar për liri po të tillë janë.


"Skënderbeu" dhe marramendjet e Schmitt-it

Fjalia e parë e parathënies së monografisë së Oliver Schmitt-it, me titull "Skënderbeu", paralajmëron se vepra është shkruar "për lexues joshqiptarë". Sigurisht që kujdesi i autorit për të bërë të qartë audiencën e synuar prej tij meriton lodhjen përkatëse të lexuesit për ta kuptuar, e pse jo, edhe për ta mirëkuptuar.

Me drojën normale se po hyja në fushën e lexuesve gjermanishtfolës, për të cilët thuhej se ishte shkruar "Skënderbeu" i Schmitt-it, fillova leximin e librit. Por droja u shndërrua në habi, kur vetëm pak rreshta më poshtë, në libër, lexova lajmin shumë interesant se libri ishte përkthyer dhe botuar para se ai t‘u kishte mbërritur lexuesve për të cilët ishte shkruar. Pra, si rrallëherë, përkthimi i një libri botohej përpara daljes së tij në gjuhën origjinale.

Përpara një premtimi të tillë, pra, përpara një gjëje "të rrallë", edhe interesi për të lexuar u ngrit në një nivel jo të zakonshëm. Megjithatë, nga fillimi e deri te faqja e 557-të e librit nuk arrita të kuptoj as bujarinë e autorëve për ndërrimin e rrethit të synuar të lexuesve, as se përse gjermanishtfolësit ende nuk e kanë marrë në dorë veprën e shkruar për ta.

Duke besuar në skrupulozitetin e shkollës së autorit, vijova leximin pa i dhënë rëndësi të tepruar luhatjes së tij fillestare.

Pretendimet e larta, ose guximi i skajshëm i Schmitt-it

Libri i Schmitt-it fillon me një titull që thotë shumë, një emër prej dhjetë germash: "Skënderbeu". Asgjë më shumë e as më pak.

Shpeshherë, në raste të ngjashme, studiuesit, për hir të rigorozitetit shkencor, u vendosin kufij veprave të tyre. Schmitt-i duket se ka vendosur ta shmangë këtë kërkesë metodike dhe të punojë në një fushë pa kufij tematikë, hapësinorë, kohorë apo burimorë. Pra, edhe në këtë këndvështrim duket se autori i ka hyrë një sipërmarrjeje ambicioze. Ai pretendon të trajtojë krejt universin e Skënderbeut, duke filluar nga parahistoria e tij për të mbërritur te ditët e sotme.

Schmitt-i e ka organizuar punimin e tij në pesë pjesë. Pjesa e parë titullohet "Burri nga Dibra". Pjesa e dytë nuk ka titull. Pjesa e tretë titullohet "Një hero i Rilindjes evropiane". Pjesa e katërt i kushtohet luftës dhe duket se nuk mund ta shmangë titullin "Lufta totale". Pjesa e pestë, "Fama Perennis", plotëson skemën organizative të monografisë. Sigurisht që libri i ka dhe aksesorët e tjerë, si: parathënien, përfundimet në trajtë përmbledhjeje të autorit, indekset e ndryshme, bibliografinë etj.

Në përpjekjen e autorit për të organizuar lëndën e tij bie në sy fakti që pjesa e dytë e librit është lënë pa emër. Në fillim kjo mund të konsiderohej si një prej atyre mijëra gabimeve teknike, që shoqërojnë librin pothuajse në të gjitha faqet e tij. Por një analizë më e hollësishme e kësaj pjese jep të tjera rezultate. Në rastin e pjesës së dytë duket se Schmitt-i nuk ka mundur të gjejë një titull për t‘i vënë kufij metodikë shkapërdamjes së tij "të paparë" tematike, e cila në këtë pjesë arrin kulmin e saj. Karizma, sundimi dhe pasuesit, lidhjet e gjakut, paraja, hapësira, armiqësitë, tradhtia, dy sulltanë, komandantët e rajoneve kufitare, renegatët, popujt ortodoksë dhe zhvillimi i luftës janë disa nga nëntitujt e pjesës pa emër. Pra, kushdo e ka të lehtë ta mirëkuptojë pamundësinë e Schmitt-it për t‘i dhënë qoftë edhe të paktën një emër kësaj pjese të librit të tij.

Prejardhja e familjes dhe emrit Kastriot, ose kastrimi i historisë nga Schmitt-i

Pjesa e parë e librit i kushtohet prejardhjes së Skënderbeut. Schmitt-i shkon rreth një shekull përpara lindjes së heroit për të kërkuar rrënjët biologjike të tij. Lidhur me origjinën e emrit të familjes Kastrioti, autori duket se e ka të lehtë nxjerrjen e përfundimit. Atij i mjafton fakti se në fjalorin e greqishtes ekziston një fjalë, "kastron", e huazuar prej latinishtes, "castrum", që do të thotë kështjellë, për të konkluduar: "Emri i familjes tregon një trajtë greke; ai vjen pa dyshim prej greqishtes ‘kastron‘".

Në argumentimin e mësipërm, ajo që të bën më shumë përshtypje është fjala pa dyshim. Në librin e Schmitt-it kjo fjalë është ndër më fatlumet për sa i përket dendurisë së përdorimit të saj. Pothuajse shumicës së konkluzioneve të tij në libër, Schmitt-i u bashkëngjit në trajtën e patericës këtë fjalë. Shumëkush e ka të qartë se në shkencë kjo është një ndër fjalët më problematike, kur dihet se vetë shkenca është pa dyshim një dyshim i mirëfilltë. Edhe në shkencat ekzakte, madje dhe aksiomat apo teoremat e matematikës kanë njëfarë hije dyshimi dhe marrin trajtë të padyshimtë vetëm në kushte qartësisht të përcaktuara. Në rastin e shkencave humane, dyshimi është rregull e mungesa e tij është përjashtim. Me keqardhje të sinqertë konstatohet se siguria absolute, pra padyshimi, shoqërojnë nga fillimi në fund përfundimet e Schmitt-it në libër. Në qoftë se ekzistenca në fjalorin e greqishtes e fjalës "kastron" është e mjaftueshme për të shpjeguar emrin e familjes shqiptare Kastrioti, mund t‘i lejojmë vetes naivitetin e padyshimtë për të deduktuar se Kastriotët vijojnë epokën e tyre të lavdisë së radhës duke drejtuar Kubën e sotme komuniste. Edhe atje janë disa Castro, të cilët, edhe nëse nuk kanë lidhje me Kastriotët, të paktën emrin e familjes duhet ta lidhin me origjinën greke të kësaj fjale, në qoftë se i besojnë sigurisë së Schmitt-it.

Siguria e Schmitt-it kur trajton probleme të origjinës së familjes Kastrioti duket se lëkundet kur trajton prejardhjen e saj. Duke përjashtuar të gjitha ato që janë shkruar deri më sot, Schmitt-it i mjafton pohimi retorik i një fisniku arbër dhe pohimet e murgjve grekë të Manastirit Hilandar në malin Atos për të konkluduar se "Kastriotët ishin parvëny". Duket se përkthyesi Klosi u drejtohet, me përkthimin e tij, atyre lexuesve shqiptarë që e dinë kuptimin e fjalës "parvëny", ose kërkon t‘i vendosë ata në kontakt me fjalorët. Pra, Schmitt-i me parvëny-në e tij i vendos Kastriotët në malet e Dibrës, duke i shkëputur arbitrarisht e pa argument nga autoktonia, si dhe dinjiteti i fisnikërisë. Me këtë ai i bën Kastriotët ardhacakë, të cilët ishin pasuruar shpejt dhe në mënyrë të paqartë. Për gjithë këtë degradim rangu, Schmitt-i nuk jep asnjë provë. Në vend të provës, edhe në këtë çështje i mjafton hamendja e tij.

Karakteristikë e qartë e librit është preferenca e Schmitt-it për të përmendur në mënyrë krejt specifike emra sllavë, toponime sllave apo për të cituar autorë sllavë gjatë gjithë librit të tij. Sa për ilustrim po jap dy shembuj:

Shembulli i parë: "Pak kohë pas fillimit të veprimeve luftarake, ai (Skënderbeu, shënimi im) dërgoi familjen e vet, në radhë të parë të birin, Ivanin, bashkëshorten dhe motrën e tij, Mamicën, si dhe pasuritë e tij të tundshme në mbretërinë e Napolit".

Shembulli i dytë: "Më 26 tetor 1467 arqipeshkvi i Durrësit dhe i biri i Skënderbeut, Ivani, u paraqitën para Senatit dhe u lutën për furnizimin e Krujës, si dhe për ndihma për përforcimin e Rodonit, ku ishte strehuar Skënderbeu".

Në të dy shembujt e mësipërm bie në sy fakti që Schmitt-i përpiqet të theksojë emrin "Ivan" të të birit të Skënderbeut. Po përse u dashka ta besojmë Schmitt-in për emrin e djalit të Skënderbeut, "Ivanit". Mirë babai i Skënderbeut quhej Ivan, se u dashka bërë medoemos ortodoks e sllav gjashtëqind vjet pas vdekjes, po pse u dashka që edhe djali i një njeriu të lidhur ngushtë me besimin katolik, sikurse ishte Gjergj Kastrioti, të quhet prapë Ivan?! Duket mjaft interesant kujdesi i Schmitt-it për ta shkruar emrin e djalit të Skënderbeut në çdo rast, ndërkohë që mjaftohet, për shembull, të thotë thjesht gruaja e Skënderbeut, por jo Donika, apo arqipeshkvi i Durrësit dhe jo Pal Engjëlli. Nuk kuptohet kujdesi i Schmitt-it për t‘i lënë pa emër ata që rreshton në fjalitë e tij përkrah "Ivanit". Megjithatë, sado të përpiqet Schmitt-i për t‘i lënë pa emër si nënën Donikë të "Ivanit" të tij, apo arqipeshkvin Pal, çështja nuk zgjidhet në favor të Ivanit. Sipas të gjitha rregullave, aty ku është një Gjergj, një Donikë apo një Pal, në mënyrën më të natyrshme gjendet një Gjon. Schmitt-it i duhet që të gjejë prindër të tjerë për Ivanin e tij.

Marramendja Kanunore

Schmitt-i nuk humbet shumë kohë për të zbuluar një ndër misteret e tij. Qysh në fillim të librit të tij, krejt "padyshim" ai pretendon të zgjidhë "rebusin" e librit, nëpërmjet interpretimit të një dokumenti arkivor të datës 10 janar 1454 nga arkivi i Milanos, në të cilin diplomatë milanezë raportojnë se Skënderbeu i kishte transmetuar Papës informacionin për përfshirjen e tij në vrasjen e një vëllai të Sulltan Mehmetit.

I entuziazmuar nga ky dokument, Schmitt-i, me një lehtësi të rrallë, nxiton të pohojë përfundimin më të rëndësishëm të librit të tij. Ai "zgjidh rebusin" dhe shpjegon motivin e kryengritjes së Skënderbeut. Gjakmarrja!

Së pari, është e nevojshme të theksohet se dokumenti i cituar është mjaft i mjegullt për të marrë atë vlerë që i jep Schmitt-i. Vetë autori shkruan se një fragment i dokumentit, pikërisht ai që e konsideron Skënderbeun të pafé, është korrigjuar më vonë nga vetë shkruesit e tij. Por ky fakt nuk luhat aspak besimin e Schmitt-it te pjesa tjetër e këtij dokumenti. As fakti se hartuesit e dokumentit nuk kanë asnjë ide për kë shkruajnë, se ata shkruajnë për njëfarë zoti Xandrebech, fakti se e gjithë kjo padije e diplomatëve milanezë është e vitit 1454 dhe se ajo kontraston me famën e jashtëzakonshme që gëzonte ndërkohë Skënderbeu jo vetëm në Itali, por në gjithë Evropën e asaj periudhe, nuk e bëjnë aspak dyshues Schmitt-in rreth dokumentit të tij të dashur. Schmitt-in duket se nuk e ka shqetësuar aspak padituria e thellë e hartuesve të dokumentit të tij të preferuar. Vetëm katër vjet më parë, Skënderbeu kishte thyer rëndë në Arbëri Sulltan Muratin dhe ushtrinë e tij të stërmadhe. Lajmi i kësaj fitoreje kishte marrë dhenë, ndërkohë që diplomatët milanezë ende nuk dinin se kush ishte ky "njëfarë zoti Xandrebech". A thua janë aq të besueshëm këta diplomatë, saqë raporti i tyre të mund të hyjë pa koment në qendër të trajtimit të Schmitt-it?!

Por megjithëse dokumenti i përdorur nga Schmitt-i, në vetëm pesë rreshtat e botuar lë shkak për shumë dyshime, atij i është dhënë statusi i një fjalëkalimi për te "rebusi" i një prej periudhave më të lavdishme të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përdorja e gjakmarrjes si argument bazë duket më shumë se romantike. Schmitt-i pretendon se e drejta zakonore shqiptare, që sipas tij "gjëllonte në mesjetë", ia pamundësoi Skënderbeut jetën normale dhe e detyroi atë t‘u nënshtrohej rregullave të gjakmarrjes. (Shënim: lexuesi lutet t‘i japë vetë fjalës "gjëlloj" kuptimin e përshtatshëm, pasi autori i këtyre radhëve nuk arrin në tjetër përfundim të saktë, përveç hamendjes se fjala mund të jetë për "gjalloj".)

Në argumentimin e vet Schmitt-i vijon luhatjet e tij kur zhvendos të drejtën zakonore shqiptare në një hapësirë kohore të mesjetës, pa pasur në favor fakte të pranuara për këtë. Për më tepër, Schmitt-i etiketon si aplikim të së drejtës zakonore shqiptare të gjithë epopenë e Skënderbeut kundër Sulltanit. Për hir të së vërtetës, edhe nëse do të pranohej "padyshim" teza e Schmitt-it se Skënderbeu vepronte nën parimet e gjakmarrjes, logjika na kërkon që të pretendojmë prej Skënderbeut respektimin e rregullave të këtyre ligjeve të kësaj gjakmarrjeje. Nëse Skënderbeu i Schmitt-it ishte i detyruar të mbronte nderin e tij duke marrë gjakun e babait, ai nuk mund t‘i lejonte vetes dy gabime trashanike:

Së pari, gjakmarrja, pra vendosja e nderit në vend, nuk bazohet mbi komplotin e fshehtë, por mbi efektin publik të saj. Pra, Skënderbeu i Schmitt-it nuk do të mund të kishte përfituar asnjë kompensim për nderin e tij të dhunuar, nëse gjakmarrja e tij ndaj Sulltanit nuk do të ishte bërë publike. Përderisa princi i kurorës osmane ishte vrarë nga Kara Hidr Pashai, Skënderbeu nuk mund të kishte përfitim. Sipas rregullit elementar të gjakmarrjes, Skënderbeu do të duhej t‘i kishte "çue fjalë" Sulltanit. Pra, do të duhej që akti të ishte bërë publik. Përndryshe, akti nuk vlen, nuk sjell nder, të paktën sipas së drejtës zakonore shqiptare.

Së dyti, Skënderbeu nuk mund të vijonte që për njëzet e pesë vjet të shkelte në përmasa astronomike të drejtën, që Schmitt-i i ka dhënë nëpërmjet së drejtës zakonore. Sipas kësaj të drejte, Skënderbeu do të kishte shpaguar gjakun e babait të vrarë me vrasjen e sulltanit ose të ndonjërit prej meshkujve të afërt të tij, por kurrsesi të fëmijëve ose grave. Mijëra osmanë të tjerë, që lanë jetën në tokat e Arbërisë në dekadat që pasuan nuk parashikohen në asnjë paragraf të së drejtës zakonore shqiptare. Aq më tepër që ata nuk kishin lidhje gjaku me sulltanët osmanë. E gjaku nuk merret as te shërbëtorët, as tek ushtarët, as te fqinjët e gjakësit, por vetëm te rrethi i tij i afërt i gjakut.

Mund të vazhdohej me radhitjen e dhjetëra argumenteve të tjera, që e rrëzojnë përpjekjen e Schmitt-it për ta shpjeguar epopenë e Skënderbeut me ndihmën e kriminalistikës apo gjakmarrjes shqiptare.

Mbështetja e gjithë monografisë mbi një argument kaq të dobët u ngjan atyre defekteve në lindje, të cilat zor se riparohen gjatë jetës. Kështu, vepra e Schmitt-it, pas shuarjes së intrigës fillestare, bie në konfuzion të thellë dhe në vijimin e saj është e vështirë të ndiqen linja konsekuente të trajtimit.

Përpjekje për një përfundim

Edhe pse ka shkruar një libër prej 557 faqesh, Schmitt-i ende mbetet i munduar nga fakti se "do të mbetet e hapur pyetja nëse ai (Skënderbeu, shënimi im) do të kishte ngritur krye sikur sulltani të mos ia kishte vrarë babanë". Sigurisht që mund të ndiesh keqardhje për një harakiri të kësaj përmase. Kushdo mund ta përfytyrojë mundimin që do t‘i jepte vetes një shkencëtar, sikur të përpiqej t‘i përgjigjej pyetjes: A do të kishte pasur atë fat tragjik Pirroja i Epirit nëse gjyshja e tij do ta kishte kuptuar gravitetin më parë sesa Njutoni?!

Schmitt-i përpiqet të bindë lexuesit se Skënderbeu ishte një figurë tragjike, që nuk arriti të fitojë, që u mposht prej sulltanit, që vdiq i vetmuar në një vend të shkretuar. Mund të listoheshin shumë prej barrëve që Schmitt-i i lëshon mbi supe Skënderbeut. Megjithatë, disa prej fakteve bazë janë përjetësisht të stampuara në histori. Skënderbeu luftoi dhe fitoi, duke u ndeshur me superfuqinë e kohës së tij. Ai, në krye të ushtrisë së tij, mbeti fitimtar. Vetëm vdekja natyrale arriti të sundojë mbi heroin e madh. Për sa i përket Schmitt-it, mbetet për të pyetur se si e përkufizon ai humbjen në luftë? Me sa kuptohet nga analiza e tij, duket se Schmitt-i pretendon se në vitet e fundit, pasi osmanët kishin kuptuar mirë strategjinë e Skënderbeut dhe kishin zhvilluar strategjinë e re, që bazohej në një fushatë të pandërprerë, e cila mbështetej te kryerja e re ushtarake osmane në Elbasan, shanset e Skënderbeut për një tjetër fitore kishin mbaruar. Ndoshta Schmitt-i ka të drejtë, ndoshta Skënderbeu kishte mbërritur në limitin e rezistencës së tij, ndoshta... Por askush nuk na jep të drejtën ta konsiderojmë atë si të humbur, përderisa kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Skënderbeu ndërroi jetë si hero fitimtar. Pas vdekjes ky status nuk mund të ndryshojë prej asnjë lloj studimi apo studiuesi. Edhe kriminelët që vdesin pa marrë një verdikt gjyqësor, që i shpall të fajshëm, sigurojnë, të paktën de jure, një pafajësi formale të përjetshme.

Heronjtë që vdesin pa humbur mbesin heronj përjetë. Edhe ata që vdesin duke luftuar për liri po të tillë janë.

Vetë Schmitt-i, pasi shpall të pavlerë pothuajse gjithçka që është publikuar prej shqiptarëve për Skënderbeun, thotë se "Numri i biografive të Skënderbeut është një legjion i vërtetë, megjithatë sasia e jetëshkrimeve nuk i përgjigjet aspak cilësisë së tyre shkencore e as nuk mund të thuhet që veprat më të reja përfaqësojnë përparësi në zgjerimin e njohurive krahasuar me paraardhëset e tyre".

Ky pohim duket se është ndër më të saktët nëse edhe librin e Schmitt-it e konsiderojmë si "një ndër veprat më të reja", ose veprën më të re në këtë fushë.

Ashtu siç thotë Schmitt-i për të tjerët mund të konkludohet edhe për veprën e tij. Ajo nuk sjell asnjë kontribut esencial për zgjerimin e njohurive për Skënderbeun. Schmitt-i nuk arrin të na japë asnjë fakt të ri me peshë që të mund të ndryshonte njohuritë tona për heroin. Ajo që sjell Schmitt-i është përpjekja për të relativizuar faktet e mëdha, siç janë betejat e Skënderbeut, dhe përpjekja për t‘u dhënë statusin e faktit "padyshimeve të tij". Po ashtu mund të thuhet, ndoshta me dhembje, se numri i konsiderueshëm i fletëve të librit të Schmitt-it është në përpjesëtim të zhdrejtë me saktësinë shkencore të përmbajtjes së tyre. Do të mjaftonte vetëm ushtria e stërmadhe e gabimeve në argumente, në fakte, në fjalë, në fjali, në data, në shifra etj., për të justifikuar klasifikimin e librit të Schmitt-it si një ndër kampionët absolutë të pasaktësisë dhe mungesës së korrektësisë e të seriozitetit ndër radhët e "legjioneve" të botimeve rreth Skënderbeut. Puna më e mirë që mund të bënin autori, përkthyesi dhe botuesi i librit do të ishte tërheqja e tij nga tregu, me qëllim rishkrimin e plotë të tij ose lënien në magazinë. Analiza e mësipërme do të mund të plotësohej vetëm pas shqyrtimit edhe të versionit gjermanisht të librit. Por duket se deri atëherë do të duhet të presim gjatë. Padurimi ynë për këtë do të ndeshë patjetër në rreptësinë e botuesve gjermanë, të cilët, të mësuar me standarde të tjera në drejtim të rigorozitetit, do ta kenë të vështirë t‘i japin publikut të tyre një vepër kaq problematike. Megjithatë, i mbetet Schmitt-it sfida për ta shkurtuar kohën tonë të pritjes.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...