2012-04-21

Të pathënat e pashallarëve të kuq në "Dosjen K"






"Dosja K" e shkruar nga shkrimtari Ismail Kadare do të jetë shfaqja që sonte pritet të vihet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Sipas drejtorit, Emin Emini shfaqja do ti ketë të gjitha elementët e tjerë tradicionale shqiptare.

Teatrot kombëtarë të dy vendeve kanë arritur në një marrëveshje për të dhënë premirat në skenën e Prishtinës dhe Tiranës.
 

Ndërkohë që në skenën e Teatrit Kombëtar, në kuadër të javës kosovare vjen shfaqja “Nata e Helverit”, me regji të Altin Bashës.

Personazhi i Klarës interpretohet nga aktorja e mirënjohur, Safete Rugova, e cila e konsideron këtë pjesë si një nga sfidat më të mëdha të saj. "Nata e Helverit" e dramaturgut, polak Igmar Villqist, tregon pasojat sociale të luftës së dytë botërore.




Libri i shumëpërfolur i Shaban Sinanit "Një dosje për Kadarenë" ka ngjallur interes në libraritë shqiptare në Tiranë,Prishtinë,Shkup etj.

Në këtë botim, të mbiquajtur shpesh "Dosja K", janë përmbledhur një varg dokumentesh, kritikash e autokritikash, ku në qendër është shkrimtari Ismail Kadare dhe vepra e tij. Autori Shaban Sinani shënon në krye se:

"Synimi i këtij libri nuk është të lartësojë a të nxijë, të zbardhë a të fshijë. Ai është hartuar për një qëllim të vetëm: të certifikojë një proces mjaft të ndërlikuar dhe thuajse të pakuptueshëm për një brez të ri që rritet në kushtet e luksit të lirisë së mendimit, por po ashtu edhe për shoqëritë e lira në Perëndim, të cilat kanë njohur në kohë të ndryshme qëndrimin publik të autoriteteve shtetërore dhe partiake ndaj I. Kadaresë, por ndoshta nuk u ka shkuar në mendje se ka ekzistuar edhe një qëndrim i fshehtë kritik, i panjohur, një mbulim tërësor për shumë sy e veshë, prej nënpunësish të ngarkuar funksionalisht për vigjilimin në fushën e letërsisë". Janë 37 dokumente që ruhen prej vitesh në Arkivin Qendror të Shtetit, shoqëruar edhe me faksimilie, një varg intervistash dhënë në gazetat e përditshme nga autori i këtij libri, si dhe studimi dhe këndvështrimi i autorit mbi këtë vepër dhe ato që autori i quan "të vërteta të heshtura". Nga libri "Një dosje për Kadarenë" kemi shkëputur për lexuesin tre pjesë nga materialet që sillen rreth një çështjeje mjaft të ezauruar, ajo për poemën "Pashallarët e kuq", poemë e cila u zbulua në AQSH dhe u botua për herë të parë në Gazetën Shqiptare. Është një pjesë nga autokritika e shkrimtarit Ismail Kadare, një pjesë nga poema dhe një pjesë nga kritika e partisë.

Kadare në`75: "Pashallarët", vjersha ime armiqësore
Unë kam shkruar dhe kam çuar për botim një vjershë armiqësore, kundërrevolucionare, të drejtuar kundër vijës së partisë, kundër regjimit tonë, kundër diktaturës së proletariatit, kundër popullit tim. Kjo vjershë është e drejtuar kundër gjithçkaje që unë kam dashur në jetë. Duke pretenduar se është një vjershë kundër burokratizmit dhe komplotizmit, ajo në të vërtetë është ndihmësja më e madhe e burokratizmit, dhe në qoftë se do të botohej, ajo do të ishte pjesëmarrëse e komplotizmit. Po të botohej kjo vjershë, armiqtë do ta përdornin si armë për të goditur regjimin tonë dhe gjithçka të shtrenjtë që ne ngremë dhe mbrojmë në vendin tonë. E gjithë vjersha, që nga kreu gjer në fund, është ndërtuar gabim. Ajo është nisur shtrembër dhe ka mbaruar shtrembër. Çdo gjë në të është e keqe dhe armiqësore. Ngatërrimi i burokratizmit dhe komplotizmit, që në fillim m'u duk si gabim i falshëm, ishte fatal. Me një mendjelehtësi të pafalshme unë arsyetova: si burokratizmi, si komplotizmi janë aty-aty; komplotizmi është një stad më i lartë i burokratizmit, pra mund të trajtohen në një plan, aq më tepër që jemi në terrenin e poezisë. Mirëpo ky i ashtuquajtur "gabim i falshëm" më çoi mua në krijimin e kësaj vjershe të zezë.

I ashtuquajturi zemërim imi kundër burokratizmit nuk ishte veçse një ndjenjë e sëmurë tmerri shkaktuar prej tij. Përpara syve tanë ndodhi një nga gjyqet më origjinale të historisë: masa i gjykonte komplotistët duke qenë akoma në pushtet. Këtë gjë madhështore unë nuk e pashë. Në këtë fenomen unë pashë të kundërtën. Pashë komplotistët që shkatërronin pushtetin në sytë tanë, kurse masat i pashë të terrorizuara prej tyre.. Asgjë optimiste nuk pashë unë në këtë luftë, që ishte e gjitha nga kreu në fund një betejë e fuqishme klasore, që tregonte forcën e pushtetit popullor, pastërtinë dhe përjetësinë e tij dhe jo dobësinë, krimbjen, vdekjen e tij. Që në fillim të vjershës, duke shkruar se shtetet nuk prishen nga çatitë, unë e kam spostuar çdo gjë shtrembër, shtrembër nga ana ideologjike, shtrembër nga ana politike. Komplotistët synonin pikërisht prishjen nga çatia. Komplotistët nuk i arrinin dot themelet e shtetit, prandaj ata synonin çatinë. Duke mos e pasur të qartë këtë, duke kujtuar me mendjemadhësi se i dija këto gjëra, e nisa së prapthi këtë vjershë reaksionare. Gabime të tjera të rënda ndjekin njëri-tjetrin, nga vargu në varg. Injorohet lufta e klasave, rrethimi imperialisto-revizionist, ngatërrohet kontrolli punëtor me diktaturën e proletariatit, nxihet realiteti, njolloset gjithçka. Asgjë në vjershë nuk qëndron. Një ndjenjë fatalizmi, makabriteti, një ndjenjë e sëmurë e përshkon atë nga kreu në fund. E gjithë vjersha është armiqësore dhe kundërrevolucionare. Nuk është hera e parë që unë bie në gabime. Qysh në librat e mi të parë unë u kritikova për njëfarë mënjanimi dhe timiditeti, që dëmton tingëllimin e shëndoshë ideor të tyre… Pjesë nga autokritika e shkrimtarit Ismail Kadare pas debateve dhe kritikave të ashpra për poemën "Në mesditë Byroja Politike u mblodh"

"Në mesditë Byroja Politike u mblodh"

Në mesditë Byroja Politike u mblodh:
Vallë ç'ka ndodhur në kufijtë veriorë ?
Në kufijtë e jugut, vallë, ç'ndodh ?
Qielli është re dhe dimri sjell borë.

Mos po lëvizin klasat e përmbysura ?
Mos ka katastrofë në prodhim ?
Vallë ambasadorët mos kanë nisur
Radiograme plot shqetësim ?

Jo, kufijtë e shtetit janë të qetë
Nga ambasadat lajme me alarm s'ka;
Dhe nën diktaturë të proletariatit
Dimërojnë kokulur ish-klasat e mëdha…
(Pjesë nga poema)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...