2012-04-19

Deri kur kështu servil, o popull?!




Shkruan:Adnan Abrashi


"Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën. Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur. Adrian Gjini (AAK) e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci (PDK) vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar". Ismet Beqiri (LDK) i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë. Xhavit Haliti (PDK) thoshte se është mirë që këtu janë edhe përfaqësuesit e "Vetëvendosjes", që ta shohin edhe këta se çka është presioni", janë këto disa nga pasuset e cituara nga një gazetë e jona ditore, të bartura gati në të gjitha portalet informative shqiptare në internet dhe më gjerë. Ngjarja e asaj situate aq poshtëruese, përulëse, tragjike, të pamoralshme dhe joparimore e përzgjedhësve tanë të popullit para presioni të një diplomatit të huaj, e përshkruar aty, fatkeqësisht, nga shumëkush, ishte kuptuar si një dukuri tanimë e ditur dhe e zakonshme e sjelljeje së elitës sonë politike në raport me ndërkombëtarët. Konkretisht, fjala është për atë takim të jashtëzakonshëm dhe skandaloz, në mes të Kryesisë së Parlamenti të Kosovës dhe përfaqësueseve të grupeve parlamentare të subjekteve politike, pasi që LDK-ja, VV-ja dhe AAK-ja, të pakënaqur me futjen për aprovim si rend dite të disa ligjeve të papranueshme, kishin bojkotuar pjesëmarrjen në seancat e ardhshme të Parlamentit (derisa këto ligje të hiqen nga rendi i ditës për aprovim). Ky bojkot, fillimisht pati sukses. Rezultatet e para të presionit dhanë fryte. Për shkak të mosekzistimit të kuorumit të duhur, pozita nuk ishte në gjendje të vazhdojë më tutje me aprovimin e këtyre ligjeve kontestuese.

Më pas, dihet se çka ndodhi! Pas gjithë kësaj situate tragjikomike të asaj dite të kobshme dhe rrënuese për demokracinë edhe ashtu të dyshimtë kosovare, LDK-ja dhe AAK-ja, më parë unike në kundërshtim, duke u kthyer në Parlament, u mposhtën lehtë nga ky presion paprecedent i një përfaqësuesi ndërkombëtar, apo sikur ne parapëlqejmë t'i quajmë ata me atë shabllon - zhargon grotesk - "miku ndërkombëtar". Sipas bindjes sime, ky gjest i këtyre dy partive tona opozitare, nuk ka se si të qortohet ndryshe, veçse me fjalën TURP! Turp për këta të përzgjedhurit me votën e lirë të popullit.
Nga ana tjetër, përballë këtij veprimi përulës ndaj presionit ndërkombëtar të këtyre dy partive opozitare të asaj dite, kishte edhe diçka të këndshme. Për një lexues të zakonshëm dhe neutral, sa reflektonte krenari dhe dinjitet ajo pjesa e fundit e atij lajmi me një përmbarim kështu: "...një pjesëmarrës i emocionuar nga atmosfera e pakëndshme që ishte krijuar në atë takim (duke pretenduar të jetë anonim) kishte deklaruar kështu: "për herë të parë në jetë kam lakmuar që të jem në vend të anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosje", të cilët nuk janë frikësuar nga amerikani (ndërkombëtari)".

Shpresa për një brez tëpolitikanëve të rinj që po krijohet

Edhe pse, sado-kudo, në analizat e mia të gjertanishme, përherë kujdesesha të jam sa më neutral dhe sa më pak të jap shkas për ndonjë dyshim të mundshëm rreth animit tim kah ndonjë subjekt politik, qëndrimi gjithnjë konsekuent dhe i palëkundur i përfaqësuesve të lëvizjes "Vetëvendosje", e veçanërisht të treguar në atë takimin e cekur, më bëri optimist dhe entuziast se diçka pozitive po lëviz për të mirë në këtë drejtim. Shpresa për një brez të politikanëve të rinj që po krijohet po forcohet. Do të jetë pra ky një brez i ri, i cili patjetër me kohë do t'i neutralizojë këto dhe shumë të këqijat tjera të papranueshëm të mentalitetit tonë politik të instaluar si shprehi dhe të formësuar gjatë si nënshtruese ndaj të huajve.

Edhe pse ndonjëherë ne nuk shohim, apo qëllimisht bëhemi të verbër para kësaj të vërtete, ky brez i ri në krijim, moti po na FTON të kemi vetëbesimin dhe të jemi të sigurt në vete; kaherë ajo po apelon që si popull të jemi përherë ballëlartë, krenarë, të pamposhtur, duke u mbështetur kryesisht në forcat dhe inteligjencën tonë të pashtershme kombëtare; moti ajo zëshëm po trumbeton se pa ushtruar ta duash veten nuk mund të jesh i sinqertë në dashurinë e treguar ndaj të tjerëve...se miqtë tanë ndërkombëtarë janë vërtet miq, por njëkohësisht ata janë edhe miq të armiqve tanë... Mbase, këto dhe shumë të vërteta tjera, ne ia kemi nisur t'i kuptojmë nga pak, tek tani.
Ani! Kurrë nuk është vonë...!

E vërteta, para hunde

E kam cituar shpesh në artikujt e mi këtë urtësi të Ajnshtajnit gjenial, kështu që, besoj se nuk do të jetë e tepërt që edhe me këtë rast ta përsëris atë: "Kjo botë nuk është e keqe pse në të ka njerëz të këqij, por pikërisht për shkak të neve të mirëve, të cilët nuk ndërmarrim asgjë ndaj atyre". Andaj, pas gjithë kësaj maskarade që përgjithësisht po ndodh me mentalitetin tonë të ultë moral-politik në Kosovë, me ëndje në vazhdim do ta shpalos një "mesele", e cila, figurativisht si porosi, aspak nuk i dedikohet elitës sonë aktuale politike, por popullit të Kosovës, apo qytetarëve të zakonshëm të saj:
"Në kërkim të së vërtetës, jam i gatshëm të nisem kudo qoftë ajo", i tha një ditë nxënësi mësuesit të vet shpirtëror.
Kjo vendosmëri e vartësit të tij iu duk interesante mësuesit dhe e pyeti:

"E kur ke ndërmend të nisesh në këtë rrugë"?

"Menjëherë, sapo të më tregosh se kah duhet të shkoj".

" Propozoj të nisesh në drejtim të hundës sate".

"Dakord! - pajtohet i entuziazmuar nxënësi. - "Por, nuk më the ku duhet të ndalem"?


"Ku të duash vetë".

"Dhe...a do të jetë sigurisht aty e vërteta e kërkuar? - e pyet sërish nxënësi kureshtar mësuesin. - Patjetër! - Gjegjet me buzëqeshje mësuesi. "Ajo do të jetë aty! Saktësisht para hundës sate dhe përball syve tu, që nuk shohin asgjë".

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...