2012-04-20

JETA DHE VEPRA HISTORIKE E ISMAIL QEMALIT NË NJË ALBUM PËRGATITUR NGA AKADEMIKU KRISTO FRASHËRI

NGA FLORI BRUQI



Kristo Frashëri lindi më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, Turqi dhe është një historian shqiptar. Ishte djali i parë i patriotit dhe rilindasit Anastas Frashëri dhe i Evdhoksi Tole-Ogrenit dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e asaj që njihet si Dera e madhe Frashëri. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli.



Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare.


 Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit.

Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).

Botime

E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit (2010)
Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike) (2009)
Skënderbeu i shpërfytyruar (2009)
Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809) (2009)
Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore) (2008)
Historia e të majtës në Shqipëri (2006)
Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve (2005)
Historia e Tiranës (2004)
Skënderbeu - jeta dhe vepra (2002)



Skënderbeu - jeta dhe vepraSkënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke në shek. XV vëll. I




Histori e mirëfilltë e Skënderbeut, mbështetur në dokumente dhe materiale të shumta arkivore. Ndryshe nga historitë e tjera të shkruara për Skënderbeun, kjo është më e kompletuar dhe e sheh Heroin jo vetëm si udhëheqës të luftës çlirimtare, por edhe si nismëtar të shtetit shqiptar.


Me këtë përmbledhje, fillon seria e burimeve dokumentare për historinë e Skënderbeut dhe të luftës shqiptare-turke që ai udhëhoqi gjatë shek. XV. 


Ky është i pari nga 9 vëllimet që janë duke u përgatitur për shtyp. Në to janë përmbledhur burimet historike dokumentare, kancelareske, diplomatike, epistolare, kronikale në origjinalin e tyre në latinisht, italisht, spanjisht, turqisht, greqisht, sllavisht dhe në përkthimin shqip, të shkruara gjatë jetës së Skënderbeut, nga i ati, ai vetë dhe bashëpunëtorët e tij./Floripress,Flori Bruqi/



http://www.firstpost.com/topic/place/albania-kristo-frasheri-qytetar-nderi-i-tiranes-top-channel-alb-video-Rot0n6mntxA-3430-1.html

------------------




Shkruan Akademik Prof.Dr.Emil Lafe

JETA DHE VEPRA HISTORIKE E ISMAIL QEMALIT NË NJË ALBUM PËRGATITUR NGA AKADEMIKU KRISTO FRASHËRI



Prof. im Kristo Frashëri, ndryshe nga mjaft historianë të tjerë, ka pasur fatmirësisht që në rini pasionin e dokumentimit të ngjarjeve e të figurave të historisë sonë kombëtare. Kështu ai ka mbledhur një arkiv të pasur dokumentesh e fotografish, që dëshmojnë kur dhe kush mori pjesë në këtë ose atë ngjarje, çfarë u tha ose çfarë u bë atje dhe ç’jehonë patën të thënat e të bërat. Këtë pasion të tij ai ka ditur ta vërë në shërbim jo vetëm të studimeve të shumta që ka shkruar, duke i dokumentuar ato më së miri. Këtë pasion të tij ai ka ditur ta kthejë në vepra të veçanta me vlerë të madhe për qindra mijëra qytetarë të thjeshtë shqiptarë, të etur për të njohur më mirë ngjarjet dhe figurat e historisë kombëtare, për të përshkuar nëpërmjet dokumenteve dhe fotografive rrugën historike të popullit e të vendit të vet, të përpjetat e mundimshme dhe tatëpjetat e frikshme, kthesat e njëpasnjëshme dhe, mbi të gjitha, për të njohur më mirë njerëzit që mbajtën peshën e përgjegjësive historike, ata që e bënë këtë vend dhe që nuk e lanë të zhbëhej.

Albumi “Ismail Qemali” është i katërti që na jep prof. Kristo Frashëri. Në vitin e 50-vjetorit të Pavarësisë, më 1962, kur ende ishin gjallë jo pak nga protagonistët e asaj ngjarjeje madhështore, ai përgatiti albumin “Rilindja Kombëtare Shqiptare” me 120 faqe të formatit të madhe dhe me dokumentacion shumë të pasur, por dhe me kufizime, kuptohet, jo për faj të tij. Albumi u prit me interesim jashtëzakonisht të madh dhe me gjithë tirazhin prej 5 mijë kopjesh, nuk arriti të qëndronte në vitrinat e librarive!



Me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit K. Frashëri përgatiti dy albume. Një album i posaçëm, që i kushtohet drejtpërdrejt kësaj ngjarjeje, shumë i pasur, me 255 faqe, risjell dhe dëshmon për publikun e gjerë më qartë se referatet e kumtesat e një konference, veprimtarinë e vrullshme të Lidhjes në ata tre vjet (qershor 1878 – maj 1881), flakën e luftës çlirimtare që ndezi ajo dhe që nuk u shua derisa Shqipëria u bë. Albumi tjetër “Tre vëllezër pishtarë” i kushtohet veprës së ndritur e të pavdekshme të Frashërllinjve të mëdhenj Abdyl, Naim e Sami Frashëri. Dhjetë mijë kopjet e këtij albumi me 95 faqe, gjithashtu format i madh, u përpinë nga kureshtja historike e lexuesve dhe nga dëshira e qytetarëve të thjeshtë për t’i pasur përherë në vatrat familjare këta pishtarë të atdhetarisë, të diturisë e të mirësisë njerëzore.


“Ismail Qemali” është albumi i katërt i prof. Kristo Frashërit. Me këtë përurim Akademia hap sot simbolikisht programin e veprimtarive të saj kushtuar 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Një album historik është një udhëtim në histori. Në këtë rast është udhëtimi në histori i Ismail Qemalit, i cili bashkë me veprën e tij monumentale, shpalljen e Shqipërisë “të lirë dhe të mosvarme”, përbëjnë boshtin e albumit. Dihet se një film historik, siç është p.sh. “Nëntori i Dytë”, mbështetet në ngjarje të vërteta e në fakte, por ka edhe sajime, se ndryshe nuk bëhet filmi.




 Ndryshe nga filmi, një album është historia vetë, ashtu siç ka ngjarë, siç është fiksuar në fotografi. Në album flet në radhë të parë fotografia dhe fotografitë e këtij albumi në shumicën e tyre tregojnë Ismail Qemalin në ngjarje historike dhe në faza të njëpasnjëshme të jetës së tij si veprimtar politik, po edhe si njeri familjar. Një numër fotografish tregojnë Ismail Qemalin në rrethet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për çështjen kombëtare, se, siç thotë fjala, “Trimi i mirë me shokë shumë!” Në albumet historike zakonisht shpjegimet e fotografive dhe të ngjarjeve i bën përgatitësi. Këtu përgatitësi ka lënë të flasë “të zotin e punës”, d.m.th. Ismail Qemalin dora vetë, duke përzgjedhur me kujdes e durim pjesë të ndryshme nga kujtimet dhe shkrimet e tij si shpjegim e si koment për fotografitë. Kristo Frashëri ka shkruar vetëm parathënien e albumit. Dhe kjo parathënie ka një gjë të veçantë: është shkruar e botuar plot 50 vjet më parë! Autori nuk i ka luajtur asnjë fjalë, për të mos thënë asnjë presje.


 Kjo do të thotë se ai, si historian “prej race”, po të përdorim një shprehje të Fan Nolit, kishte arritur që atëherë të vlerësonte drejt rrethanat e brendshme e të jashtme të vendit në vitet e luftës për pavarësi, thelbin e figurës e të veprimtarisë politike të Ismail Qemalit, atdhetarinë, mençurinë, kthjelltësinë, vendosmërinë dhe shkathtësinë e tij diplomatike, aftësinë e veçantë për të mbledhur rreth idesë së tij përfaqësues nga gjithë trojet shqiptare në Kuvendin historik të Vlorës, në një situatë tepër të ndërlikuar e dramatike.

Albumi historik ka një veprim të drejtpërdrejtë e një ndikim të fortë në opinionin shoqëror. Këto vepra e bëjnë historinë më konkrete, më të rrokshme dhe kanë një dobi të veçantë, sidomos për shkollën. Janë një material i shkëlqyer për të konkretizuar mësimin, për të ngulitur në kujtesë ngjarje dhe figura. Për fat të keq kjo gjini botimesh nuk është e zhvilluar. Mijëra fotografi e dokumente të shpërndara andej-këtej ose dhe të panjohura presin të mblidhen nga një dorë e kujdesshme dhe të renditen rreth një teme a ideje qendrore për të dokumentuar më mirë historinë tonë, veçanërisht të periudhës së Rilindjes dhe të shekullit XX. Albumi i Rilindjes Kombëtare i Kristo Frashërit meriton të ribotohet i plotësuar dhe me një cilësi të denjë për veprimtarët e shkëlqyer të Rilindjes, për ata që e bënë Shqipërinë. Akademia e Shkencave nuk duhet të vonohet për këtë. Profesor Kristo Frashërit i shprehim mirënjohjen më të thellë që i ngriti një përmendore intelektuale me këtë album themeluesit të shtetit shqiptar dhe i urojmë jetë të gjatë e shëndet që t’ua dalë mbanë, faqebardhë si gjithnjë, punëve që ka nëpër duar dhe të tjerave që ka në mendjen e tij gjithnjë aktive.



Emil Lafe



18.04.2012

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...