2012-04-21

Libri i fluturave të Veton Surroit


BESNIK MUSTAFAJ


Veton Surroi shkruan mirë. Thënë ndryshe, ai ka stil. Sipas grekëve të vjetër, stili është vetë njeriu. Kush ka pasur dëshirë apo kureshtje ta lexojë gjatë më shumë se njëzet e pesë vjetëve të fundit, në shtypin shqiptar apo të huaj, ka mundur të vërejë se ai shkruan thjesht dhe qartë. Dhe kjo, pavarësisht nëse pajtohesh apo jo me çfarë thotë ai. Thjeshtësia e stilit të tij është shprehje e një zotërimi të mirë të gjuhës dhe sidomos e një vetëdijeje të lartë intelektuale për qëllimin pse ka marrë penën. Kam lexuar, besoj, pjesën dërrmuese të botimeve të tij nëpër vite. Kurrë nuk kam vënë re midis rreshtave të shkrimit të tij ndonjë shenjë kapardisjeje prej autori “mendjendritur”, që halli e çon te ca lexues “mendjemykur”. Ai shkruan natyrshëm thjesht, sepse të thjeshtë e përjeton me sinqeritet subjektin që synon të shprehë. Ai, domethënë autori Veton Surroi, beson me ndershmëri se po ngre një hall që e ka të përbashkët me lexuesin. Ai shkruan qartë, po ashtu, jo pse është ushtruar gjatë me sintaksën. Madje, sintaksa e tij vende-vende paraqitet e shkujdesur. Qartësia e tekstit të tij është paraprakisht pjekje e idesë në kokën e autorit. Kurrë shkrimet e Veton Surroit nuk më kanë lënë përshtypjen e ndonjë spontaniteti apo improvizimi. Në këtë kuptim, do të thosha, në vetvete akti i shkrimit te Veton Surroi përbën një sjellje nga ana e tij ndaj publikut.
Në këtë hulli, por me një cilësi të re, shfaqet ai edhe te “Libri i fluturave”, botuar në Prishtinë nga “Koha” në fund të vitit të kaluar. Domethënien e titullit lexuesi do ta gjejë të shprehur nëpërmjet një parabole në faqen e fundit të librit. Veton Surroi merr përsipër të rindërtojë nga brenda një nga ngjarjet më të ndërlikuara përsa i përket mënyrës si u zhvillua dhe njëherësh më të rëndësishme përsa u përket rrjedhimeve në historinë e botës shqiptare të shekullit të fundit, e që është edhe shekulli i mëvetësimit të tyre nga Perandoria Otomane. Fjala është për Marrëveshjen e Ohrit, nëpërmjet së cilës shqiptarët e Maqedonisë përmbushën de jure shumë nga të drejtat themelore, të garantuara në legjislacionin ndërkombëtar, por të harruara, të mohuara ose të nëpërkëmbura në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë. Në dijeninë time, ky është deri më sot rasti i vetëm në literaturën tonë ku gjejmë përshkrimin kronologjik dhe analitik të një negocimi qysh në zanafillë e deri në përmbyllje. Është një negocim pa precedent në historinë e gjatë të përpjekjeve të shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre kombëtare apo politike. Përvoja e krijuar tre vjet më parë ndër shqiptarët me kurorëzimin e luftës në Kosovë nuk mund të shërbente në këtë rast për shumë e shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja posaçërisht kontekstin kur zhvillohen ngjarjet, shumë i ndryshëm nga ai i Kosovës së periudhës 1998-1999 në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. UÇK kësaj here dukej sikur kishte hyrë në një qorrsokak dramatik, çka e shtyn Veton Surroin të mërmërisë plot ankth me vete se rebelimet e tilla kanë vetëm njërin nga dy përfundimet: ose udhëheqësi vritet dhe merren me mend pasojat mbi mbështetësit e tij, ose rebelët përfshihen sinqerisht në bisedime për ta përmbyllur me zgjidhje politike rrugën e nisur me pushkë. Duhej çelur medoemos rruga për të mbërritur në përfundimin e dytë.
Duke iu përmbajtur edhe kësaj here parimit se akti i shkrimit përbën në vetvete një sjellje nga ana e tij ndaj publikut, Veton Surroi i shmanget me kujdes kurthit të protagonistit të Historisë tashmë me penë në dorë, ashtu siç i shmanget si diçkaje të huaj edhe modestisë së shtirur. Ky virtyt i rrallë ndër bashkëkombësit tanë, te Veton Surroi buron nga vetëdija e tij njerëzore dhe politike për të qenë realist. Në terrenin e ngjarjeve Veton Surroi e kalit këtë cilësi te vetja në sajë të bindjes intelektuale se në rrethana të tilla të ndërlikuara e me rrjedhime afatgjata jo vetëm mbi jetët e një numri njerëzish, por mbi krejt paqen e rajonit, ai nuk mund t’ia lejojë vetes as edhe veprimin më të vogël thjesht për t’i pëlqyer dikujt, qoftë ky “dikush” në anën shqiptare, maqedonase, apo në anën e ndërkombëtarëve. Kjo, në të vërtetë, është bindja intelektuale e njeriut që e njeh mirë dëmin që mbart oportunizmi për rezultatin e dëshiruar dhe që po ashtu e ka të qartë kufirin e rreptë që ndan oportunizmin nga kompromisi. Trimi i kohëve moderne është ai që di të arrijë te kompromisi. Jeta dhe përkushtimi i gjatë në Kosovën e pushtuar, me një armik si Millosheviçi përballë, duket e kishin mësuar mjaftueshëm të udhëhiqej nga faktet dhe jo nga hamendjet, përndryshe rrezikon prekjen nga paranojat apo deliret, prej nga dalja është fort e mundimshme, në mos e pamundur. Keqpërdorimet e shtetit deri shpesh kriminale nga ana e politikanëve maqedonas gjatë atyre muajve të “krizës” për shkak vetëm se truri i tyre ishte i turbulluar nga paranojat, ishin, sipas Veton Surroit, pikërisht shembulli që nuk duhej ndjekur nga shqiptarët, të cilët, edhe pse nuk kishin institucione shtetërore, kishin armë dhe motivime me bollëk, që mund të keqpërdoreshin, siç do të kishte qenë, bie fjala, bartja e luftës brenda qytetit të Shkupit, gjë që nuk ndodhi. Mbi faktet duhet vepruar konkretisht dhe me vullnetin e mirë për të zbuluar brenda tyre prirjet pozitive, sado embrionale qofshin ato, për t’i ndihmuar në vazhdim të fuqizohen derisa të bëhen dominuese. Përndryshe rrezikon dëshpërimin, prej nga dalja është po ashtu fort e mundimshme, në mos e pamundur.
Ky libër, pra, duhet lexuar dy herë. Të paktën për veten time unë dy herë e lexova. Së pari si një dëshmi të drejtpërdrejtë për një kapitull nga më të lavdishmit në historinë tonë kombëtare, të cilit vetëm fundin ia njihja mirë: Marrëveshjen e Ohrit. Por nuk dija thuajse asgjë s’i u arrit deri te kjo marrëveshje. Për leximin e dytë u nxita nga një vlerësim sintetik që jep autori kur në përmbyllje të këtij procesi u shkruan një letër të hapur miqve të tij maqedonas, ku u thotë “…qe një fat i madh për Maqedoninë që mes shqiptarëve qenë Xhaferi dhe Ahmeti. Te të dy u ndërtua, në një moment kritik, konsensusi se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të ndërtohen në dëm të maqedonasve etnikë”. Një letër të tillë Veton Surroi shtyhet ta shkruajë kur mëson nga një miku i vet në Shkup se njerëzit e policisë sekrete të Maqedonisë, të cilët e kishin vënë nën përgjim, e përgojonin atë si ideologun kryesor të UÇK-së, këshilltar i Ali Ahmetit dhe i Arbër Xhaferit për çështjet ushtarake dhe politike njëkohësisht, këshilltar i amerikanëve dhe i negociatorëve të tjerë ndërkombëtarë. Ai parashikon, me të drejtë, se këto pëshpëshe “të policisë sekrete mbi njeriun-oktapod do të mbërrijnë me kanalet e veta në mediat maqedonase”. Prandaj, shpjegon ai qëllimin e letrës, “mendoj se do të jetë më së miri që mendimet e mia t’ia jap opinionit publik të atilla siç janë”. Si mik i vjetër i Vetonit, por edhe si një njeri që ua kam kushtuar njëzet vjetët e mia më dinamike marrëdhënieve ndërkombëtare, doja të kuptoja se cili ishte në të vërtetë roli i tij në këtë Histori, e cila bëri të mundur që e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni të jetë thelbësisht tjetër nga e shkuara e tyre dhe, parë më gjerë, u dha njëherazi edhe maqedonasve etnikë një fitore, që ata nuk do të mund ta arrinin kurrë vetë, sepse nuk kishin as lidership vizionar, as opinion publik të pjekur, as ushtri të aftë për të shërbyer si dorë e hekurt në kontroll të situatës. Fitorja e maqedonasve ishte pikërisht Marrëveshja e Ohrit, në sajë të së cilës ky shtet shpëtoi nga shpërbërja përfundimtare, dramatike dhe e turpshme. Kjo, pra, ishte qasja ime ndaj “Librit të fluturave” gjatë leximit të dytë.
Marrëveshja e Ohrit do të mbetet si një rast-shkollë në analet e Diplomacisë botërore për shumë arsye. Po përmend disa prej këtyre arsyeve, që më duken më kryesoret: nisma për të çelur bisedime për paqen nuk u ndërmor as nga ndërkombëtarët, siç kishte ndodhur dekadën e mëparshme në Bosnjë, në Kroaci e në Kosovë, pjesë përbërëse këto të ish-Jugosllavisë për të mos e hedhur vështrimin më larg në zonat e tjera të nxehta të planetit tonë; nuk u mor as nga shumica etnike maqedonase, e cila zotëronte shtetin dhe pushtetin siç do e donte skema klasike e konflikteve të tilla. Nisma për të mbërritur te paqja u mor pikërisht nga shqiptarët dhe jo në një moment të lodhjes së rebelimit të tyre, por kur ata ishin në kulmin e sukseseve ushtarake, gjë që normalisht shkakton nga ato eufori, të cilat nuk lënë hapësirë veprimi për politikën e as për diplomacinë. Këtë nismë, sigurisht, nuk mund ta ndërmerrte udhëheqësi politik i shqiptarëve, Arbër Xhaferi, i cili, pavarësisht kthjelltësisë, me pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës, ishte tashmë pjesë e sistemit, kundër të cilit ishin ngritur bashkëkombësit që ai përfaqësonte në Parlament. Shkurt fjala, në rrethanat e radikalizmit të gjendjes, për shkak të bilancit premtime-arritje në përmbushjen e të drejtave të atyre që i kishin besuar, Arbën Xhaferi kishte tashmë një autoritet moral dhe politik të dëmtuar rëndë. Rrjedhimisht, fjala e tij nuk kishte më peshën e nevojshme për të prirë. Çdo protagonizëm i tij për të negociuar paqen do të merrej si përpjekje për të ruajtur pushtetin. Arbën Xhaferi ishte i pari që e kuptonte pafuqinë e vet. Këtë nismë po ashtu nuk mund ta ndërmerrte as Ali Ahmeti nga ana e tij. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rrëmbyer armët duke marrë në sy edhe sakrificën më sublime pikërisht pse kishin humbur besimin te politika. Çdo thirrje e tij ndaj autoriteteve maqedonase për t’u ulur në tryezë do të keqkuptohej rëndë më së pari nga bashkëluftëtarët e tij dhe më gjerë, nga mbarë bashkëkombësit e tij, për të drejtat e të cilëve kishte nisur lufta. Ai do të humbte pashmangshëm legjitimitetin dhe do t’i shkaktonte, sigurisht, një dëm të madh vetes, por të keqen më të madhe do t’ia shkaktonte kauzës që udhëhiqte. Një lëvizje guerile me veprimtari luftarake në zgjerim të shpejtë dhe me simpati popullore në rritje po aq të shpejtë, duke humbur befas besimin te udhëheqësi i vet themelues, i ka të gjitha gjasat të shndërrohet sakaq në një bishë të verbuar, që nuk di më ku e zbraz tërbimin. Me gjithë dëshirën e mirë për ta shënuar kthesën drejt paqes, Ali Ahmeti nuk gjente derë të çelur as te ndërkombëtarët. Presidenti Bush e kishte renditur atë në listën e terroristëve.
Në këtë kontekst të pashpresë për paqen, shfaqet Veton Surroi, i cili ngjitet në skenë krejt siç hyhet në një ëndërr. Ai nuk ka asnjë mandat për t’u bërë ndërmjetës. Nuk është qytetari i Maqedonisë që shqetësimi i tij të mirëkuptohet në emër të interesit madhor për paqtimin e vendit të vet. Por është shqiptar dhe, si i tillë, nuk ka asgjë nga fuqia ndikuese e një “ndërkombëtari”. Është njëherësh shtetas i Kosovës dhe i Shqipërisë, por nuk mund të ushqejë as edhe një fije shprese për të pasur mbështetjen e makinës shtetërore të Kosovës apo të Shqipërisë. Zaten, nga fillimi në fundin e kësaj historie fantastike, Veton Surroi duket se nuk shpreson asgjë. Ai vetëm dëshiron dhe, ditë pas dite, sado që i përshkuar nga një mjegull dëshpërimi, ai dëshiron fort e më fort që ngjarjet të kthehen drejt horizontit të paqes. Ndër të gjithë aktorët, ai ka miqësi vetëm me Arbën Xhaferin. Por, në terrenin e veprimit praktik, miqësia me Xhaferin i vlen aq sa i vlen. Ali Ahmetit nuk ia ka dëgjuar kurrë emrin më parë për mirë as për keq. Udhëheqësit e lartë maqedonas, me një pjesë të të cilëve ka njëfarë njohjeje, flasin tashmë, për fatin e keq, një gjuhë krejt të kundërt me gjuhën e tij. Personalisht Veton Surroi ka shumë miq të mirë në Uashington, në Bruksel, në Londër, në Berlin, në Paris. Por, institucionalisht përgjigjen për përpjekjet e tij ai e merr nga ambasadori britanik në Shkup, Mark Dickinson, njëherësh edhe kryesues i radhës i BE në Maqedoni, i cili thotë: “… duhet të jem absolutisht i qartë. Nuk ka vend për terroristë në asnjë proces negociator. Ky është qëndrimi i qeverisë sonë, ky është qëndrimi i qeverisë amerikane, nëse nuk e keni ditur, ky është qëndrimi i NATO-s, ky është qëndrimi i të gjithëve”. Kështu i vetëm, me të gjithë kundër, Veton Surroi lëviz nëpër skenë vërtet si nëpër një ëndërr. Nevojitet një shpuzë e jashtëzakonshme morale brenda vetes për të mos u pushtuar nga ndjesia e kotësisë. Për fatin e mirë të atij vetë, por, mbi të gjitha, për fatin e mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, qofshin ata shqiptarë, maqedonas etnikë apo të tjerë, Veton Surroi duket se e kishte një forcë të tillë. Bota shqiptare po e po, por edhe i gjithë rajoni i ka në këtë rast një borxh të madh mirënjohjeje Veton Surroit.
Procesi i arritjes te Marrëveshja e Ohrit do të mbetet sui generis në analet e Diplomacisë botërore, sipas gjykimit tim, kryesisht në sajë të rolit që luajti në të Veton Surroi. Një njeri fillikat, pa asnjë lloj mandati, pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë të fatit të tij si qytetar e as të karrierës së tij me dramën që po ndodhte në atë shtet, pa një grimë buxhet përveç parave të xhepit të tij, pa kurrfarë aparati profesional mbështetës dhe me shumë “pa” të tjera, arriti të bëhet brenda një pranvere strumbullari i një kthese historike për ekzistencën e Maqedonisë si një shtet multietnik. Nuk po them se e solli ai paqen. Ai thjesht ka meritën e pashembullt se e kuptoi i pari rrugën nëpër të cilën duhej ecur për të arritur te paqja dhe pati fuqi ta besojë se ishte e mundur të ecej nëpër atë rrugë kur askush nga ata që kishin “vulë” brenda e as jashtë Maqedonisë nuk e përfytyronte një gjë të tillë. Kjo quhet kauzë. Veton Surroi dëshmoi se ishte i aftë të shtrydhte nga vetja një kauzë, kishte durim dhe përkushtim t’i shërbente kauzës së vet, duke dhënë, vetëm duke dhënë nga vetja pa kursim, pa pritur kurrfarë shpërblimi nesër, pa u vënë me anësi në shërbim të asnjërës palë në konflikt, i bindur se te kauza, vetëm te kauza ishte vendi për t’u bashkuar si të barabartë edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, pa asnjë kompleks inferioriteti ndaj ndërkombëtarëve, por me mendje të kthjellët se pa ndërhyrjen e tyre nuk mund të përmbushej kauza; me një vlerësim gjakftohtë për veten, për të mos marrë përsipër në asnjë rast përgjegjësi që nuk përputhen me zotësitë e tij e as me motivin përse gjendet në atë mesele, siç ishin ato të këshilltarit politik apo ushtarak për UÇK-në, të këshilltarit politik apo diplomatik për Arbër Xhaferin, të këshilltarit patolog për ndërkombëtarët, cilësi këto që u përpoqën t’ia veshin mendjeshkurtrit e policisë sekrete maqedonase. Ai shfaqet gjithë kohën i vetëdijshëm se nuk mund të ishte madje as ndërmjetës në negociata, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ai shfaqet, megjithatë, kudo dhe hap pas hapi dhe kudo si një ndihmës i pazëvendësueshëm i vullnetit të mirë. Si i tillë, natyrshëm që ai nuk do të dukej në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Çelja e kësaj ceremonie shënonte përmbushjen e kauzës së tij, domethënë edhe tërheqjen e tij të pabujshme në qoshen e vet në Prishtinë apo në Qerret, ku edhe e ka shkruar “Librin e fluturave”, me nxitjen këmbëngulëse të motrës së tij, Flaka. Faleminderit, Flaka!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...