2012-04-19

Përkujtohet 13 vjetori i rënies së heroit Sali Çekaj


Sali (Beqir) Çekaj

(22.06.1956 - 19.04.1999)

Me 19 prill të vitit 2012, u mbushën plot 13 vjet mungesë e më të dashurit tonë
Ishe dhe do të mbetesh engjëll mbrojtës i të gjithë neve, unik dhe i papërsëritshëm. Të kujtojmë me dhembje dhe me mall, jo vetëm si vëlla, por edhe si shok. Moralin dhe virtytet e larta njerëzore që i kishe na bëjnë të ndihemi krenar për ty që të kishim, andaj prehu i qetë dhe pusho në botën e përhershme.
Me mall të pashuar të kujton vëllai Smail Çekaj me familje.






























Në 13-vjetorin e Betejës së Koshares dhe rënies së Heroit të Kosovë, Sali Çekaj, sot në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore, në të cilën foli edhe Sabri Hamiti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetar i LDK-së. Në vijim po japim tekstin e plotë fjalës së zotit Hamiti.

“Ibrahim Rugova, më 14 korrik 1994, theksonte: Ky popull rezistent, me kurajo të fortë civile e kombëtare, pasi të bjerë muri shqiptar i Berlinit, do të thotë së shpejti "Kosova është e lirë".

Sali Çekaj bie dëshmor më 19 prill 1999 në Betejën e Koshares, duke thyer murin e Berlinit në mesin e shqiptarëve.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 19 prill 2005, e dekoron dëshmorin e kombit Sali Çekaj me Urdhrin Hero i Kosovës, për meritat e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot kujtojmë Sali Çekajn, Heroin e Kosovës, në trembëdhjetëvjetorin e rënies së tij, tashmë si monument trashëgimie e atdhesie të historisë nacionale. Në këtë kujtesë e në këtë histori, ne ripohojmë identitetin politik, nacional e kulturor të Kosovës.
Në këtë ditë, nuk do të flasim vetëm për heroin si mit, por për heroin si njeri dhe për bëmat e tij të mëdha në mesin e njerëzve.

Adhurojmë veprën e tij si dëshmi e trashëgimi. Jetojmë kurorën e veprës së tij, lirinë, që u bë kurorë shqiptare e Kosovës.

Sali Çekaj duke hyrë në LDK, me gjithë vrullin dhe dijen e vet, u bë veprimtar për pavarësinë e Kosovës, duke bashkërenduar veprimtarinë e vet politike, shtetërore dhe ushtarake në lëvizjen pavarësiste të Ibrahim Rugovës.

I pari në Kosovë, hartoi Statutin e Komunës së Deçanit në frymën e Kushtetutës së Kaçanikut.

Si nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani, u bë organizator i shkëlqyeshëm i shqiptarëve për të ndihmuar materialisht e politikisht pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, punoi dhe organizoi lëvizjen çlirimtare të Kosovës, duke vepruar në Kosovë, Shqipëri e në Evropë.

Sali Çekaj ishte kryengritës në rezistencën politike, u bë luftëtar në rezistencën e armatosur, mbaroi si dëshmor në luftën çlirimtare të Kosovës dhe u bë hero i Kosovës si sublimim i dhuntive të njeriut të madh që jep jetën për vendin e vet.

Saliu, burrë trim e i urtë, mbante në kujtesë fjalët programore të Mithat Frashërit: Në robëri puna jonë është lufta, në liri, lufta jonë është puna.

Tani le të më lejohet të përmend një kujtim personal për njeriun që njoha në punët e përbashkëta. Fliste pak dhe punonte shumë. Ulej leht e çohej leht e shpejt.

Kur i thoshe: ‘po lëviz si ushtar’, buzëqeshte pa thënë asnjë fjalë. Më vonë kuptova që shkruante ditar. Ata që punojnë shumë, si dhe ata që shkruajnë, flasin pak.

Duke përballuar plagët e atentatit, kam komunikuar me Saliun, atëherë kur ai me luftëtarët e tij po thyente kufirin, murin e Berlinit ndërmjet shqiptarëve. Në përballje me armikun dhe me moskuptimet shqiptare, herën e fundit tha shkurt: "Nëse mbetem gjallë, do të shihemi e do të kemi për çka të flasim".

Tani të gjithë flasin me një zë: Ra dëshmor në Koshare Burri i madh i Kosovës.
Kush jep jetën për atdhe nuk ka vdekë po ka lé”.

Në vazhdim po ju sjellim të plotë fjalën e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi të paraqitur me këtë rast.

I nderuari Baca Rifat,
E nderuara familje Çekaj,
I nderuari Kryetar i LDK-së, Z. Mustafa,
Të nderuar deputet,
Komandant Berisha,
Zonja dhe Zotërinj,

Jam jashtëzakonisht i nderuar që mund të flas në këtë akademi për një betejë dhe për një hero që janë pjesë e historisë së vendit dhe popullit tim. I vetëdijshëm se betejat si ajo e Koshares dhe trimat si Sali Çekaj nuk mund të përfshihen në një fjalë e as nga një përshkrim, por vetëm nga një histori.

Veprën e burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare, të Adem Jasharit, të trimave të UÇK-së dhe të Koshares, të Heroit Sali Çekaj secili nga ne e ka dëgjuar.

Dikush i ka parë dhe të gjithë janë përjetësuar në veprën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Beteja e Koshares i ka dhëne kuptim luftës dhe betimit të UÇK-së, kësaj lufte dhe kësaj beteje i kanë dhënë kuptim mitik heronjtë e rënë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahu e 111 dëshmorë tjerë të rënë si dhe luftëtaret e saj të gjallë.
Në historinë e luftërave për liri ka raste kur emrat gjeografikë dhe emra vendbanimesh, pavarësisht madhësisë së tyre, shndërrohen edhe në emra historikë.

E tillë është Kosharja, një vendbanim i Alpeve Shqiptare, që hyri në historinë moderne të Kosovës 13 vjet më parë, duke përjetësuar momentin e thyerjes së piramidës jugosllave në kufirin e dhunshëm midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo thyerje e piramidës kufitare paralajmëronte ardhjen e një epoke të re, kur kufiri shekullor po relativizohej.

Në vend të ndalimit dhe izolimit, po vinte koha e lirisë së lëvizjes, koha e komunikimit dhe e hapjes.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës kështu po hapte kapitullin e marrëdhënieve të reja në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Deri tek ditët e Betejës së Koshares, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe sfida të shumta operacionale dhe politike.

Nën drejtimin e Shtabit të Përgjithshëm, UÇK-ja ishte bërë forcë reale, që i jepte kahen zhvillimeve politike në Kosovë.

Ajo ishte zgjeruar dhe strukturuar në tërë territorin e Kosovës.

UÇK kishte përballuar me sukses të gjitha ofensivat e ushtrisë dhe policisë serbe, duke dëshmuar karakterin e saj gjithë popullor demokratik dhe properëndimor.
Edhe pas Konferencës së Rambujesë dhe fillimit të Bombardimeve të NATO-s Ushtria Çlirimtare nuk e ndali për asnjë moment luftën e saj të drejtë dhe të vendosur.

Dëshmi e vendosmërisë për të luftuar më heroizëm dhe sakrificë të lartë ishin ushtarët dhe drejtuesit e Brigadës 138 në ditët e betejave të Koshares.

Në Brigadën 138 u rikonfirmua kualiteti i veçantë i drejtuesve të UÇK-së, rënia e prijësve dhe komandantëve të Brigadave të UÇK-së.

Në betejën e Koshares ranë oficerët e lartë, prijësit e saj: Agim Ramadani, Sali Çeku dhe Xhemajl Fetahu.

Ata janë krenaria dhe nderi i luftë së lavdishme çlirimtare.

Ata janë pjesë e lirisë së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Në trembëdhjetë vjetorin e rënies e kujtojmë me krenari komandantin Sali Ceku.
Komandanti Sali Çeku tërë jetën ishte i identifikuar me fatin e vendit të tij.
Aktiviteti i tij ishte në mbrojtje të të gjitha veprimeve që kundërshtonin sundimin e administratës serbe të Kosovës, deri tek mobilizimi i diasporës dhe kontributi në organizimin e strukturave ushtarake në kuadër të UÇK-së.

Organizimin dhe masivizimin e UÇK-së veçanërisht në Betejën e Koshares ishte kurora e lavdisë së jetës dhe veprës së tij.

Komandanti Sali Çeku pati fatin të vepronte në Brigadën 138, që shquhej jo vetëm për numrin e madh të luftëtarëve, por edhe për pjesët e atdheut që ata kishin sjellë në këtë Brigadë.

Sali Çeku efshte emër qe lidhet me lirinë dhe drejtësinë është emër që nocioni i tij identifikon lirinë për pavarësi, por edhe drejtësi për ta fituar lirin, dhe sot jo rastësisht çmimi për drejtësi ne Republikën e Kosovës nis me emrin e heroit Sali Çeku, dhe sot këtë titull e mbajnë punëtorët dhe aktivistët të drejtësisë së Kosovës të rënë dhe të gjallë, të cilët po e ndërtojnë shtetin dhe te cilën e synonte edhe Sali çeku.
Nuk ka qytet dhe fshat të Kosovës por edhe të viseve tjera shqiptare që të mos ketë pasur luftëtarë në këtë Brigadë.

Prandaj edhe dëshmorët që ranë në këtë betejë ishin dëshmorë nga të gjitha pjesët e atdheut.

Sot me krenari dhe nderim më të lartë shtetëror dhe institucional kujtojmë Betejën e Koshares dhe rënien e komandantit Sali Çeku.
Idealet për të cilët ra komandanti Sali Çeku dhe bashkëluftëtarët tjerë, janë bërë realitet.

Kosova është pjesë e botës së lirë dhe një shtet me rend dhe ligj me perspektivë të qartë euroatlantike.

Lavdi jetës dhe veprës së komandantit Sali Çeku!
Lavdi të gjithë dëshmorëve kombit!

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...