2012-04-19
Politika kosovare, e vonuar
Shkruan: Arlind A. Bajra
Fillet e politikës kosovare, rrënjët e së cilës na shfaqen aty diku në vitet 90-ta, kanë pasur një domethënie të posaçme jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet politike të asaj kohe, por edhe për zhvillimet dhe proceset e ardhshme politike që do të krijoheshin në vazhdimësi me rrjedhën e kohës, e që do të përcilleshin me shumë “furtuna” e oscilime dhe të cilat në njëfarë mënyre sfiduan sistemin më të egër që njeh historia jonë, atë të regjimit serb. Që nga ajo periudhë e gjerë më sot, ka pasur lëkundje të herëpashershme politike, duke bërë kështu që të ketë edhe lëkundje në sferën ekonomike, kulturore e sociale, lëkundje këto të cilat kishin ndikuar në kufizimin e të drejtave të qytetarëve kosovarë. Ishte ndier nevoja e formimit të një konglomerati idesh të bashkërenduara me një strategji ushtarake në kontekstin e ballafaqimit me realitetin e hidhur që mbizotëronte në atë kohë për të promovuar faktin që do ta justifikonte dhe legjitimonte të vërtetën e kthyer mbrapsht si pasojë e etnocentrizmit serb.
Rruga deri te shteti, me sakrifica
Me gjithë çarjet e thella që ndodhën në politikën kosovare gjatë këtyre viteve, në rrugën e formimit të strukturës së shtetit kosovar, më në fund përsiatjet për një gjë të tillë ia dolën ta jetësojnë idealin e kamotshëm të shtetbërjes me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Domethënien e kësaj rruge të zgjatur e përplot sakrifica, për të ardhur deri këtu ku jemi sot, mund ta kuptojmë vetëm duke i dhënë kuptim këtij shteti nga kujtimi që ne kemi për vlerat morale, intelektuale e kombëtare të brezave të tërë që këta i dhanë në drejtim të faktorizimit të çështjes së Kosovës nëpërmjet Diplomacisë Ndërkombëtare dhe luftës çlirimtare të Kosovës, për inicimin e largimit të Serbisë nga “supet” e Kosovës, ku një gjë e tillë e bëri edhe më të suksesshëm kanalizimin e veprimtarisë diplomatike e ushtarake, me qëllim që kosovarët dhe Kosova të mos mbeteshin nën rrezikun e një katastrofe të rëndë humane që do të mund të ndodhte për tërë popullatën. Derisa sot kemi ndryshim të rrjedhave dhe proceseve politike kosovare, e të cilat po tregojnë efikasitet të dobët në aspektin e modernizimit politik të shoqërisë po lënë të kuptojmë se aktualisht kjo politikë ka mbetur pothuajse e konsumuar brenda margjinave të saj dhe njëkohësisht është duke shfaqur impotencë në kuptimin e konsolidimit të institucioneve në tërë territorin e vendit. Politika kosovare, relativisht e re edhe si koncept, por edhe si një lloj “pushteti shtetëror”, shënon kështu një periudhë të re në historinë e ndryshimeve të vendit, e cila, për fat të keq, nuk po arrin progres, ose më mirë me thënë po mbetet e vonuar. Shumë probleme të pasluftës, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën e përditshme të qytetarëve në përgjithësi, janë të lidhura me dështimin e veprimeve politike në mënyrë të duhur dhe racionale. Në përgjithësi kjo politikëbërje po i thellon problemet në shoqërinë tonë dhe po e rrezikon kohezionin social të vendit, duke mbetur kështu në sipërfaqe një varg çështjesh të rëndësishme pa u zgjedhur. Kur them kjo politikë e kam fjalën për moskoordinimin e përbashkët politik ndërmjet pozitës dhe opozitës tash e sa vjet, duke mbetur e copëtuar madje edhe dominuar nga shfrytëzimi për pazarllëqe të nivelit më të ulët, me gjithë faktin se ka edhe të tillë që edhe prej njërës edhe prej tjetrës punojnë me përkushtim për avancimin e politikës kosovare për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, po që këta individë janë të rrallë, për të mos thënë fare.
Sfidat e shumtatë politikës kosovare
Politika kosovare aktualisht gjendet para sfidave të shumta, tejkalimi i të cilave kërkon resurse njerëzore, materiale e morale dhe potencial të mjaftueshëm strategjiko-politik në kërkim të asaj se çfarë mund t’i bëjë qytetarët e këtij vendi me një standard të të jetuarit mirë dhe që të krenohen me vendin e tyre ku ata jetojnë e punojnë. Problemet reale, me të cilat ata ballafaqohen nga dita në ditë, diktojnë një shqetësim të rëndë për të ardhmen e vendit dhe të nesërmen e tyre se gjendja mund të bëhet akoma edhe më keq nëse nuk u kushtohet vëmendje urgjente zgjidhjes së problemeve të tilla, të cilat po e kthejnë jetesën e qytetarëve të këtij vendi dhe të kësaj shoqërie në një makth. Me gjithë këto vite rrugëtim të tranzicionit politik, tradita politike kosovare nuk ka sjellë ndonjë risi në kuptimin e reformimit dhe për vite po tregon se është e paaftë që ta kapërcejë këtë çrregullim në kuptimin e mosnormalizimit të jetës ekonomiko-shoqërore, si dhe në kuptimin e një kaosi që do të mund ta karakterizojë këtë vend nëse vazhdohet me këtë trend të moszhvillimit për t’i dhënë kuptim më të mirë këtij shteti, gjegjësisht për t’i inkurajuar qytetarët e saj për perspektivën reale që do t’ua ofronte atyre. Në të vërtetë, ky cikël apo “zinxhir” i problemeve po bëhet edhe më i komplikuar kur ato sa vijnë e shtohen, duke u fragmentuar në probleme politike, ekonomike, sociale e çka jo tjetër. Thënë më qartë kosovarët me gjithë faktin e kapërcimit të periudhave të vështira historike kanë mbetur të vonuar në arritjen e identitetit të përbashkët evropian, pikërisht si rezultat i stagnimit dhe mosshkuarjes para në shumë segmente, që lidhen kryekëput me organizimin dhe zhvillimin politik.
A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?
Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...