Akademiku Myzafer Korkuti
Ndërsa reklamohet me të madhe viti jubilar i Pavarësisë, në Akademinë e Shkencave presin për botim një sërë veprash që lidhen me këtë ngjarje të madhe. Por nuk ka fonde. Nënkryetari i Akademisë, Myzafer Korkuti, ngre një sërë problemesh që lidhen me 100-vjetorin, që nga monumenti i pavarësisë, te mungesa e një busti për Ismail Qemalin dhe kalendari i aktiviteteve ende i pa miratuar.
Kur prezantuat albumin kushtuar Ismail Qemalit thatë se është “diletanteske” ideja e ngritjes së një monumenti pavarësie në Tiranë. Përse?
Sa herë që ka një përvjetor, ne kërkojmë të bëjmë një monument. Këta thonë se do ndërtojnë një monument të pavarësisë. Ai është bërë në Vlorë dhe nuk lëviz nga Vlora. Është një monument madhështor, kompleks, 17 metra i lartë (K. Rama, M. Dhrami, Sh. Hadëri). Kjo është një e vërtetë historike. Është si të lëvizësh Dodonën apo Apoloninë nga atje ku janë e t’i vendosësh në një vend tjetër. Pra i takon shtetit, qeverisë, institucioneve që të realizojnë të tjera monumente, edhe më të shkëlqyera dhe me përmbajtje historike.
Si për shembull një monument kushtuar Ismail Qemalit?
Tirana ka rreth 25 monumente për 25 figura të shquara, që i meriton kryeqyteti, por nuk ka asnjë për themeluesin e shtetit shqiptar. Nuk ka asnjë vend për Ismail Qemalin dhe është një padrejtësi që i bëhet kësaj figure.
Ka një tendencë për të zbehur figurën e Ismail Qemalit?
Kjo është qartë, por historia është ajo që është dhe nuk mund ta ndryshojmë. Ismail Qemalin duhet ta gjykojmë për atë kohë që punoi dhe veproi. Më vonë filloi Lufta Ballkanike, Lufta e Parë Botërore. Nuk kishte mundësi Ismail Qemali që mes këtyre ujqërve të vepronte. Shqipërinë e bën copa-copa dhe nuk mund të fajësojmë Ismail Qemali.
Albumi për Ismail Qemalin është mbështetur nga sponsorë të huaj. Nuk i përballon dot vetë Akademia e Shkencave?
Ky album është botuar me sponsor të huaj, nga një dashamirës i Shqipërisë, ambasadori Silvano Pedrollo. Momentalisht kemi tri vepra madhështore në pritje për t’u botuar, por nuk kemi financa. Njëra është e Kristo Frashrit për Lidhjen e Prizrenit. Është një vepër voluminoze 600 faqe, të cilën ai e ka ripunuar dhe pret ta botojë. Po kështu, akademiku Arben Puto ka bërë një vepër po kaq monumentale, “Shqipëria ’12-’39″, gati për botim. Një tjetër vepër për Kosovën e ka gati Kristaq Prifti, me dokumente origjinale të pabotuara më parë. Pavarësia nuk mund të kuptohet pa Lidhjen e Prizrenit e pa Kosovën. Si mundet shkenca shqiptare të tregojë historinë kur nuk ka as të ardhura financiare.
Mos ndoshta kjo vjen për shkak të statusit “honorifik” të Akademisë së Shkencave?
Është evidente. Për t’ju bindur për këtë do t’ju sjell një shembull konkret. Shoqata “Vatra” në Amerikë ka 100-vjetorin e saj dhe qeveria shqiptare ka dhënë 30 milionë lekë për këtë rast. Një miku im studiues në Nju Jork, sa e merr vesh, më dërgon një mesazh: “Si është e mundur që ju t’i jepni 30 milionë Vatrës? Vatra është në gjendje t’ju ndihmojë ju për botime”. Ky është një paradoks i qeverisë shqiptare. Është e papranueshme…
A i keni ngritur në rrugë zyrtare kërkesat tuaja?
Kryetari i Akademisë është anëtar i Komisionit Kombëtar të Festimeve të 100-vjetorit. Ka marrë pjesë në disa mbledhje dhe ka paraqitur me shkrim të gjitha kërkesat tona. Po mbaron prilli dhe nuk është dhënë asnjë mjet financiar.
Me se do të realizohen këto vepra? Nuk ju duket si fushatë shpallja e gjithë këtyre konkurseve brenda të njëjtit vit, me rastin e 100-vjetorit?
Nuk mund të flasësh sot për 100-vjetorin, të bësh plane e projekte. Kur flasim për projekte shkencore, vepra serioze, ato fillojnë 3-4 vjet përpara. Vetëm 6-7 muaj kanë mbetur dhe ne nuk kemi një plan konkret se çfarë do të bëhet. Të gjithëve na lind pyetja se si do të nderohet figura e Ismail Qemalit në këtë 100-vjetor. Vlora do të vizitohet nga mijëra bashkatdhetarë, por atje Muzeu i Pavarësisë i ndërtuar në vitin 1962 është i pavizitueshëm. Po shkatërrohet dhe nuk ka asnjë mbështetje financiare, që të paktën të kthehet në gjendjen e mëparshme. Ç’do të bëhet nga Muzeu Historik Kombëtar? Deri tani asgjë.
Prej kohësh është njoftuar shpallja e një kalendari aktivitetesh, por ende nuk është bërë asgjë publike. A është marrë ndonjë vendim?
Asnjë gjë zyrtare. Janë bërë disa mbledhje, por asgjë nuk është miratuar.