2012-04-19

Kriminaliteti i Serbisë ndaj Kosovës




Shkruan:Mr. Bislim ALIU

Pa dyshim, arrestimi i dy shqiptarëve nga Kosova para do ditësh dhe sidomos ky i fundit, kur u arrestuan dy policë në territorin e Kosovës, është një akt kriminal që Serbia vazhdon t’ia bëjë shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Zaten ky skenar i përgatitur nga ”djali” i Milosheviqit [I.D.] është arrogancë i skajshëm i llojit të vet. Dhe, sigurisht, atë që e pamë në televizionet tona dhe fotografitë e treguara nga MUP-i serb, është e palogjikshme dhe fare nuk do koment. Është, pra, një dhembje shpirtërore dhe besa një nënçmim brutal dhe hezitim jashtë logjikës njerëzore.
Jemi mësuar, tashmë, që sa vite e vite kur Serbia ka bërë çdo gjë ndaj shqiptarëve. Pra, t’i përndjekë, të burgosë e të vrasë, kur të dojë e ku të dojë. Dhe, për shumë vjet këto ”gazepe”, asnjëherë nuk na u hoqën. E, ne qëndruam stabil dhe do të qëndrojmë gjithherë kështu.
Edhe tani Serbia po vazhdon avazin e vjetër dhe mentalitetin primitivë. Ajo, zaten, ”qimen e ndërron, por zanatin asnjëherë nuk e harron”.
Dhe, sidoqoftë dhe ngado që ta marrish, fotografitë e treguara nga MUP-i serb, flet qartë për dështimin e Policisë së Kosovës, për ta ruajtur kufirin e saj dhe sovranitetin e shtetit. E, besa, flet edhe për dështimin e misioneve ndërkombëtare; KFOR-it dhe EULEX-it në ruajtjen e kufirit shtetëror.
Institucionet tona, s’do mend se reaguan me ashpërsi për arrestimin e dy policëve. Ato, më tepër reaguan dhe konstatuan, e fare nuk vepruan. Pra, jemi mësuar dhe na u ka mbushur koka me konstatime, kryesisht shterpe. Mendoj se veprimet e fundit të Serbisë kërkojnë përgjigje politike , vendore e ndërkombëtare.
Serbia, me gjithë mend, Kosovën po e nënçmon dhe po e anashkalon. Dhe, po bën edhe veprime mafioze. E, ne, përkundër kësaj, po e ledhatojmë, duke ua blerë mallrat dhe po bëjmë biznes me të. Po negociojmë duke nënshkrua marrëveshje, e ato asnjëherë ndoshta edhe nuk do të realizohen.

Vetëm deklarimet nuk janë masa konkrete për mbrojtjen e shtetit
Zaten, po e marrim me të mirë dhe po i nënshtrohemi asaj. Po e fusim fusnotën duke e mënjanuar pavarësinë dhe po deklarohemi shpeshherë, se Serbia me këtë fusnotë na e ka njohur pavarësinë e shtetit! Pra, po deklarohemi vazhdimisht si shtet, e në praktikë nuk po veprojmë si shtet.
Pa dyshim shteti do veprim dhe këmbëngulësi, ligjore e njerëzore, në mbrojtjen e sovranitetit. Dhe, gjithsesi, do kushtetutshmëri dhe ligjshmëri. Dhe, fatkeqësisht, kjo po na mungon dhe po na mungon.
Zaten, jemi mësuar tashmë, që institucionet tona, vetëm të japin deklarata dhe të bëjnë konstatime për ndonjë veprim të Serbisë. Dhe, jemi mësuar që të kërkojmë ”lëmosh” nga Brukseli e ndërkombëtarët. Me deklarime e me konstatime nuk mbrohet shteti. Shteti mbrohet me veprime. Kosovës, pra, po i mungon vizioni i qartë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Nëse jemi shtet nuk duhet kërkuar mëshirë, as nga ndërkombëtarët dhe as nga Serbia.
Dihet mirëfilli se që 4 vjet, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka veprua si shtet. E, plot gojën e kemi shtetësi, e në realitet na mungon veprimi për mbrojtjen e kësaj shtetësie. Pra, na mungon dashuria për shtet.
Ndoshta, më në fund u mbushëm mend, kur i pamë këto fotografi të MUP-it serb për arrestimin e dy policëve të Kosovës. Apo, ndoshta, ka ardhur koha, që dikush të japë përgjegjësi institucionale për këtë veprim kriminal. Apo, politikanët tanë janë mësuar që paaftësinë e vet ta mbrojnë vetëm me deklarata.

Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake
Tani, kemi ardhur në një moment, jashtëzakonisht të vështirë. Në një moment degradues dhe nënçmues. Ky degradim shtetëror dhe funksional, nuk duhet ta mbrojmë vetëm me deklarime teorike, por me veprime konkrete.
Ka ardhur koha, që të mendojmë seriozisht dhe të veprojmë me sinqeritet. Serbinë, asnjëherë nuk do ta frikësojmë me konstatime e deklarata, por vetëm me veprime konkrete.
S’do mend se shtetin do ta mbroj uniteti dhe vetëm uniteti. Uniteti partiak dhe institucional. Dhe, të gjithë së bashku ta mbrojmë këtë shtet dhe vend të shenjtë. Dhe, ka ardhur koha, që t’i mënjanojmë ndasitë dhe t’i harrojmë përçarjet në mes veti. Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake. Është momenti i fundit që ta ofrojmë bashkëpunimin dhe ta zhvillojmë dashurinë në mes vete dhe për shtetin. E, shteti do dashuri dhe sinqeritet njerëzor e institucional.
Andaj, kidnapimi i dy policëve të Kosovës në territorin e saj, na preku thellë. Zaten, këtë akt kriminal të Serbisë duhet ta marrim shumë seriozisht. E, nëse e anashkalojmë dhe nuk e marrim me sinqeritet, po supozoj dhe, besa, po frikësohem se në të ardhmen Serbia do të vijë edhe në qendër të Podujevës dhe do të na kidnapojë dhe do të na dënojë, siç di ajo, për nacionalizëm, irredentizëm, secesionizëm, e çka jo tjetër.
Pra, t’i çelim sytë dhe të veprojmë me sinqeritet e me njerëzi për këtë shtetësi.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...