Nga Fatbardha Aziri (Kondakçiu)
Tek ecën rrugës me plepa të gjatë, plaku i heshtur e i vetmuar, hedh sytë verdallë mos dëgjon ndonjë zë të njohur, ose sheh ndonjë fytyrë të parë. Ulet në stol, vetmija i bën shoqëri. Mbyll sytë dhe ca lotë malli përplasen në breg të syve të lodhur, që të trembin atë të pamëshirshmen, „vetminë në pleqëri“. Plaku me duart që i dridhen shtërngon bastunin .
Ah ky kurbeti i shkretë…! Nuk ka me kë shkëmben dy fjalë.
Një jetë të tërë ka punuar plaku me flokët e thinjur, tani është koha të clodhet. Bën të ngrihet po këmbët nuk e dëgjojnë më. Nga kjo romatizma e shkretë, i cajnë kockat, po nuk ankohet. Nuk mban mend as tespijet ku i ka lënë. Kërkon nëpër xhepa dhe fillon t`i numërojë rruazat një e nga një, si vitet që i ikën e nuk vijnë më. Ato që kanë mbetur janë vetëm kujtimet.
Rritur në një fshat të vogël, në një familje me shumë fëmijë, kujtonte shtëpinë, rrugën e tatëpjete, nënën që ishte vetë burrë e vetë grua. Babai rrinte i larguar. Nëna punonte tokat, pastronte, gatuante. Kur nuk kishte bukë u bënte lakra me pak miell misri sipër. Binin të flinin një herë me bukë, e një herë pa bukë. E shkreta mundohej t`i qetësonte fëmijët që qanin se nuk i zinte gjumi nga uria. Me zë të ulet fillon të këndoj:
„ Ne dy javë shëndre
ti Nëne më le
ç`u trete moj nëne
seç u bëre dhe…“
I kujtohet nëna e vet, ishte rritur jetime, në mëshirë të Zotit, po ishte grua e fortë, 97 vjet kishte jetuar. Ne je plak, apo i rri, shpirti kur vuan thote: “ ah moj nënë!”
Po si vuajtjet e këtij plaku, kështu kanë vuajtur gjeneracioni i tretë në atë kohë, kush me pak e kush më shumë, ja dinë hallet njeri – tjetrit. E përmendin zërat e disa fëmijëve që ngasin bicikletat me shpejtësi. I vjen ne mend bicikleta e vet, një nga ato kinezet 28, sa vite e kishte perdorur” duhet dekoruar kjo bicikleta ime” – u thoshte fëmijeve të vet.
Jeta të ve para shumë sfidave. Kur je i ri nuk të bie në mend se do plakesh një ditë, e kur je plak mendon „ah, sikur te isha edhe nje here i ri.“ Ndoshta një herë e një kohë nuk kanë pasur kaq shumë gjera, një televizon bardhë e zi „Dajti“, po të paktën prindërit, motrën, vellanë, fëmijet i kishe afër. Tani janë shpërndarë, njëri në Itali, tjetri në Gjermani, ose ne Amerikë dhe prindërit e shkretë që s`dinë ku të venë më parë. Dhe fatin e tij e ndajnë shumë e shumë prindër të tjerë.
Kur është në Shqipëri, i mungojnë fëmijet, nipër e mbesa, e kur është tek ata, i mungon ajo e shkreta tokë. I ndërgjegjshëm që atje nuk do ishte më mirë, prapë ndjen mall. Kur marrin më gruan pensionin, së pari do heqin parët për ujin, dritat, telefonin, ilacet që u duhen të dyve për muajin. Dhe ajo që u mbetet, për të ngrënë. Ky është bilanci i atyre pridërve që kanë mbetur vetëm, dhe nuk janë të paktë.
Indiferenca ndaj moshës së tretë nga ana e politikës shqiptare është e paparë. Te mendosh që një jetë të tërë kanë punuar dhe s`kanë pare në xhep sikur te pinë një kafe, është me të vërtetë për të ardhur keq. Ah më falni zotërinj politikanë, ju keni prindër…!?
Natyrisht të gjithë ne, që jemi në emigrim nuk do t`i lëmë prindërit tanë të vuajnë. Na kanë bërë kokën, na kanë rritur me mund e vështirësi. Po mendoni për ata që nuk kanë njeri. Ti deputet që merr rrogën, je a s`je në parlament, merr pensionin e një te moshuari dhe jeto vetëm një muaj, atëherë do t`a kuptosh c`krim bën.
Ne mund të apelojmë në zemrat e atyre që kanë një, të trokasim ne dyer që janë mbyllur, të flasim për ata që s`duan të na dëgjojnë. Nuk mohojme ato që keni bërë, po ajo që keni bërë nuk mjafton për krijimin e mekanizmave institucionale dhe ligjore, për problemet dhe kërkesat e moshës së tretë.
Ndërsa ne Gjermani ka „Pflegeheim“ ose „Shtëpi përkujdesjeje“ për moshën e thyer, sa të tilla ka në Shqiperi? Nuk them se duhet të kopjojmë cdo gjë që bëjnë të tjerët, po të gjendet një mënyrë zgjidhjeje, në përshtatje me kushtet aktuale sociale e demografike të vendit. Sistemi shëndetsor duhet të ketë në vemëndje të vecantë sidomos pensionistat, dhe këtu nuk mendohet vetëm impulsimi i ilaceve apo qëndrimet në spitale, por të mendohet që të arsimohet nje kuader i vecante për përkujdesjen e moshës së tretë, si personel përkujdeses, në një ndërthurje të sektorit privat e shtetëror.
Zotërinj politikanë dhe ju që keni në dorë për të ndryshuar diçka, mos keni bërë ndonjë vaksinë kundër pleqërisë e keni fituar imunitet?
Mos harroni se do vij një ditë që edhe ju do bëheni si ky plaku i thinjur me një bastun ne dore, dhe atehere do pendoheni që nuk ndryshuat dicka, atëherë kur duhej. Për ne shqiptarët familja është e shenjtë. Në radhë të parë është dashuria dhe respekti qe kemi për gjyshin, gjyshen, prindërit, që duhet të na bëjë të mendohemi dhe të ndryshojmë këtë situatë. Cdo parti që vjen në pushtet premton të ndryshojë sistemin e pensioneve dhe të ndihmojë këtë shtresë të shoqërisë. Këta të moshuar nuk janë vetëm të lodhur nga jeta, por dhe nga premtimet.
Po të rrinë me orë të tëra në radhë për të marrë pensionin? Nuk mund t`a besoj, sa poshtë kemi rënë…A na ka mbetur pak dinjtet? Si mund të vemë në vend imazhin e kësaj shtrese të shoqërisë që ka bërë shumë për këtë vend. Nuk mjafton vetëm të shkruhet nëpër letra(vetëm Dokumenti i politikave ndersektoriale per moshen e trete, per 2009-2013 ka rreth 50 faqe)po ato që kanë rëndësi janë rezultatet, dhe unë shpresoj të keni sa më shumë të tilla.
Një eksperiencë shumë pozitive në Mynih janë dhe qëndrat e shumë gjeneratave, ”Mehrgenerationenhaus”. Në këto qëndra një pjesë e mirë e atyre që punojnë në mënyre vullnetare janë të moshuar që ndihmojnë fëmijët në detyrat e shtëpisë, lexojnë e luajne me ta.Pra ata e ndjejnë veten të nevojshëm në këtë shoqëri.
Zoti kur krijoj njerinë na dhuroj dhe nënën e babanë, me dashurinë e dhimbshurinë e tyre. Po jeta pa fjalët e dashura te nënës nuk do kishte kuptim, pa kurajon që të jep babai nuk do kishe forcë. Prandaj secili duke u nisur nga ne, cdo individë i kësaj shoqërie duhet të ndryshoj dicka, qoftë kjo dhe e vogël.Te gjithe së bashku të arrijm qëllimin që jeta e këtyre të moshuarve të jetë sa më e këndshme duke i hequr ca halle nga supet dhe duke i integruar ata në mënyrë aktive në shoqëri.
„ Gjyshi, gjyshi“- thërret djali i vogël dhe i hidhet gjyshit në qafë. Tek e përqafon me mall mendon:“për këto momente ja vlen gjithë mundimi i rrugës“. Mbas disa ditësh do kthehet përsëri në Shqipëri me shpresën që atje do të bëhet më mirë.