2012-04-19

Kur Serbia është në siklet



Shkruan:Faton ABDULLAHU

Sa më shumë që mund të jenë të pakënaqur qeveritarët e Beogradit me zhvillimet e fundit në Kosovë, sa më shumë që këto zhvillime mund t'i përdorin opozitarët radikal atje kundër Tadiqit dhe politikave të tij nacionale, aq më shumë ky i fundit është i shtrënguar të bëjë diçka në raport me Kosovën, për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që thonë opozitarët dhe për t'i amortizuar sulmet, sidomos të radikalëve serbë, por jo vetëm të tyre, por edhe të shtresave të gjëra, të cilat ende duket se ushqehen me shpresën se Kosova nuk është e humbur dhe se duhet bërë diçka që ajo, nëse jo si dikur të bëhet pjesë e Serbisë, atëherë së paku të mos jetë shtet i pavarur dhe stabil. Nëse nuk shihet nga kjo prizëm gjendja aktuale në Serbi, konkretisht raportet Kosovë-Serbi, nëse nuk kuptohet nacionalizmi serb edhe te Tadiqi edhe te shtresat e gjëra të popullsisë, sidomos asaj rurale, nuk mund të kuptohet drejt, për më keq mund të interpretohet jo mirë dhe gabueshëm, arrestimi i dy policëve shqiptarë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Por, le ta shpjegojmë gjithë këtë ndodhi nga kjo qasje në të cilën po aludoj.
Kohëve të fundit ka indikacione të forta se Serbia nuk do t'i mbajë zgjedhjet në Kosovë, të cilat më parë askush nuk i ka penguar që ajo t'i organizojë ato, disa përfaqësues evropianë kur erdhën në Prishtinë por edhe nga Brukseli thonë se tani pas fusnotës së pranuar nga Kosova, që ishte një kompromis i madh dhe goxha problemor, do të punohet seriozisht në atë që edhe pesë vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Në anën tjetër, fusnotën e pranuar, e të cilën Tadiqi e konsideron fitore të tij e refuzoi një mekanizëm i rëndësishëm, Parlamenti Evropian, kurse ditë më parë Daçiq nuk u kthye i entuziazmuar nga vizita në Moskë, ku ishte ditë më parë, sepse nga atje nuk pati ndonjë premtim konkret nga ana e kryediplomatit rus për ndonjë ndihmë, përveç asaj se Moska do ta ndihmojë Serbinë në zbulimin e rastit të asaj që ata e konsiderojnë shitje e organeve të brendshme njerëzore gjatë kohës së luftës. Të gjitha këto janë minuse politike për qeveritarët aktualë në Beograd, në krye me Tadiqin, të gjitha këto janë zhvillime të cilat opozita në Beograd po i përdor suksesshëm kundër politikave të Tadiqit. Për të gjitha këto, kryetari serb është shumë i vetëdijshëm. Në një vend me traditë të gjatë antiperëndimore, në një vend me identitet të fortë nacionalist, sidomos të lidhur me çështjen e Kosovës të perceptohesh se ke bërë lëshime ndaj trysnisë së europerëndimorëve dhe të bësh lëshime sidomos ndaj çështjes së Kosovës (në rastin konkret mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në veri do të konsiderohet e tillë) mund të të kushtojë shumë për shumëçka. Është jashtë çdo dyshimi se për këtë janë të vetëdijshëm qeveritarët në Beograd, Tadiqi posaçërisht. Prandaj, duke i pasur parasysh këto zhvillime, për Beogradin zyrtar imponohet në mënyrë të domosdoshme veprimi aktiv. Thjesht, pas kësaj dhe sidomos duke pasur parasysh se zgjedhjet janë në prag, Beogradi duhet të ndërmarrë diçka, diçka që sadopak do ta amortizonte, e nëse është e mundshme edhe do ta ndryshonte këtë perceptim jo të mirë për Tadiqin që të ndryshojë shpejt pas përfitimeve që ai voli me vendosjen e fusnotës në emrin Kosovë. Dhe këtë diçka Beogradi është duke e kërkuar tash e sa ditë. Së pari me arrestimin e disa biznesmenëve nga Kosova. Por, si duket, ato nuk ishin të mjaftueshme. Prandaj, u zgjodh diçka tjetër, diçka më spektakulare, diçka që bie në sy më shumë, diçkaje që plaku serb me 'shajkaq' në kokë nga Shumadia do t'i duartrokasë frenetikisht. Dhe, zgjidhja u gjet u bë edhe koreografia, me qëllim që të jetë mbresëlënëse të perceptohet si fitore. Dy policë nga Kosova të shtrirë për gjynah në tokë ma armët e dorëzuara dhe superpolicët serbë me maska të mëdha e të fortë, të armatosur gjerë në dhëmbë me tyta automatiku të drejtuar kundër tyre. Ky është thelbi, kjo ka qenë më e rëndësishmja dhe jashtë çdo dyshimi se e gjithë kjo është bërë për konsum të brendshëm. Tadiqi do që të fitojë, do që të vazhdojë edhe për disa vite si kryetar i Serbisë. Për këtë ai e ka përkrahjen edhe të evropianëve, dhe jo vetëm të tyre. Arrestimi i dy policëve shqiptarë nga Kosova është bërë për këtë qëllim. Janë kalkuluar edhe efektet e tjera anësore të këtij arrestimi, por është parë e udhës apo, thënë ndryshe, është konsideruar se pas gjithë kalkulimeve, për pushtetarët aktualë në Beograd, më të mëdha do të jenë përfitimet e brendshme me rastin e zgjedhjeve, sesa ndëshkimet dhe vërejtjet e mundshme që mund të vijnë nga Brukseli, që vazhdon ta konsiderojë Tadiqin politikanin më të përshtatshëm aktualisht në Serbi, për planet që ka në Serbi dhe në gjithë rajonin. Nëse është kështu, Prishtina zyrtare, me gjithë reagimet e shpejta e të ashpra të pushtetarëve, me gjithë vërejtjet e dërguara me arsye dhe të justifikueshme te ndërkombëtarët, me gjithë faktin se Kosovës i është shkelur integriteti, me gjithë faktin se i është nënçmuar shtetësia dhe korrektësia, nuk do të mund të nxjerrë shumë përfitime politike nga ky veprim gati terrorist i Beogradit, sidomos jo të atilla që do ta ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian apo të atilla që do ta pengojnë Beogradin në këtë rrugëtim, sepse Brukseli do të ketë konsiderata të mëdha ndaj sëkëlldisë politike në të cilën gjendet Tadiqi. Është punë tjetër dhe temë tjetër nëse do të mund të nxjerrin nga e gjithë kjo përfitime partitë opozitare në Prishtinë kundër qeveritarëve aktualë, të cilët me vlerësimet e tyre i kritikuan ashpër edhe qeveritarët.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...