Mbi librin më të ri me 65 proza të shkurtra të
shkrimtarit.
Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi.Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C..
Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave.
Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe./Flori Bruqi/
“Në këtë libër gjej qelizat më themelore, të cilat ndërtojnë letërsinë e re”
Libri më i ri i Moikom Zeqos, “Klepsidra” (botim i TOENA-s, 2011), plotëson koleksionin e librave të këtij autori me proza të shkurta, si “Adami i fshehur”, “Gjumashet e Efesit” “Shitësit e kaosit”, “Njeriu jeshil”, “Perëndia I”, “Refuzimi i shkrimit”. Një strukturë e tërë që plotësohet, pasurohet, ku konceptualizimi i rrëfimit fokusohet në optikën e krijimit dhe të misterit pa përmasa të “fiction”-in letrar. Moikomi bën përherë sfidën e papritur, ndryshon nga libri në libër, qoftë si substancë, qoftë si formë. Në një kuptim të abstraguar, është shkrimtari shqiptar “më i pakënaqur me veten, me atributin e arritjeve të reja”. Proza e tij, ashtu si poezia e tij, është krejt origjinale dhe e pangjashme me autorët e tjerë të shprehjes shqipe. Ai i lëviz botët, përfytyrimet, personazhet si një kaleidoskop universal. Vetëm në lëvizje dhe në ndryshueshmëri të pandërprerë. Ky libër ka 65 tregime që mozaikojnë figurën antike të Klepsidrës si simbol qendërzues.
Leximi i “Klepsidrës” së Moikom Zeqos.
Proces mendor i shumëfishtë. Është një libër që të tërheq ndofta më shumë se sa “Refuzimi i shkrimit”. Kjo po ndodh se në këtë libër gjej qelizat më themelore, të cilat ndërtojnë letërsinë e re. Pa dyshim që kemi të bëjmë me një zbërthim të ri jo nëpërmjet parabolave (shkencore) të misterit, por kemi të bëjmë me vetë misterin e parabolave të ndërtimit – e theksoj – të letërsisë që buron nga analiza universale e gjerave të jetës. Vetë shkrimtari, në parafjalën e librit, përmend prapavijat e një palimpsesti enigmatik. Pikërisht kjo është dhe esenca e krijimit të tregimit emblemë “Klepsidra”. Misteri qëndron me parabolat jo vetëm të kohës në matësin me rërë, po në vetë rërën. Rëra është ajo me të cilën bëhet ngjizja e ndërtesave letërsi. Por varet nga teknologjia e përpunimit. Këtë teknologji të re e njeh në thelb Moikomi. Personazhet e këtij libri jetojnë, futen dhe dalin nga labirintet e kohës dhe të hapësirës, lëvizin kostumet, maskat, pantomimat, palët dhe gjuhët e papërputhshme. Lazari biblik që bën vetëvrasje mbas ringjalljes, asketja Maria Egjiptiane, princi Hirtigr, Gjon Buzuku, Eskili, Kaligula, Georg Hahni, Borgesi, Jasques Le Goff, Katerina Viterbo, Jul Cezari dhe Bruti, shqiptari Andrea Manasi që shpallet Mesi, Averroesi, Ibn Kasauni, Pessoa, Hammondi, Migjeni, Kentauri Kiron, që heq dorë nga pavdekësia e tij hyjnore, filozofi Ludwig Wittgenstein, Xhuxhët, që venë në skenë “Hamletin”, gra Keruburini, që zbulon në shekullin XVII në Veriun e Shqipërisë katër shprehjet kabalistike të “katrorit magjik”, polumbari Ropi B., që zhytet në pus për të gjetur florinjtë, Hoiçi, muzikanti i verbër pa veshë, kalorësi Von Harfi që shtegton te Mali i Hënës etj., janë shumësi i figurave që bëjnë sintezën e paradokseve. Interferimi i dijeve të mësuesit dhe të nxënësit në tregimin inteligjent “Concedo nulli” është përplasja e procesit të metamorfozës në lëvizjen në një drejtim të të dyve, por në sens të kundërt. Fundi është përplasja. Është Bing Bengu i konceptualitetit të Kohës Zero. Mësuesi është Erazmi i Roterdamit dhe nxënësi është Aleksandër Steward, djalë ilegjitim i Mbretit të Skocisë. Të futësh personazhe të këtillë në një libër për autorin është veprim ekselent, por që e ndihmon atë të jetë konsekuent në qëllimin e tij të narracionit origjinal. Në tregimin “Sytë”, me subjekt nga zona e Shpatit të Elbasanit, me një stil të zhdërvjellët e komunikues, Moikom Zeqo tregon për një tatuazh që bëhej në shpatullat e banorëve aty. Një rreth me katër sy brendashkruar në cirkonferencë. Mirë, thotë Moikomi, tre nga këta sy janë e shkuara, e tanishmja dhe e ardhmja, po syri i katërt? Ai është forma apokaliptike e hapësirave dhe kohërave që çon në përplasjen e pashmangshme. Tregimi “Klepsidra” është jo më kot në krye të librit. Ai merr autoritetin e pasaportës për të hyrë në botën konceptuale të narracionit të Moikomit. Në shumicën e tregimeve që pasojnë “Klepsidrën” ndjehet rrjedhja e rërës alternativisht lart poshtë e anasjelltas, pikërisht në këtë rrjedhë pa mbarim Moikomi luan me metamorfozën e tij origjinale. Kështu, në tregimin “Të fjeturit e shpatës” flitet për një ngjarje tipike shqiptare. Në një shpatë të vitit 1813 janë gdhendur nga një shqiptar prej Leskovikut shtatë emrat e djemve që u zgjuan në një shpellë pas 309 vjetësh, e kjo shpatë ndodhej në një Institut të Kulturës Popullore në Tiranë. Por, në befasi të plotë, Moikomi na sjell dhe gjashtë histori të ngjashme me këtë legjendë, e ato ndodhin në vende të ndryshme e në kohë të ndryshme. Në rrjedhën indiferente të “Rërës – Kohë” kalojnë emra, emra pa fund, duke marrë nga njëri-tjetri ngjashmërinë e transformohen derisa formatohen në tekstin fillestar të shtatë Djemve të Fjetur të Shpatës. Koha është magma e metamorfozës që e bën librin si model të kësaj mënyre narrative origjinale. Kështu ndodh me shumë subjekte të tjera të këtij libri interesant. Moikomi i ka quajtur tregimet e tij si parabola misteri. Më saktë: udhëtime të imagjinatës për zbulimin e realiteteve të dukshme dhe të padukshme. Te “Tregim me përralla për Dardanën”, e shkruar më 1985-n, janë dhjetë parabola përrallore si kapituj të ndërthurur romani. Tregimet e Zeqos janë potencialisht fillesa romani. Te “Paraardhësi i Don Kishotit”, Zeqo shkruan për një personazh antik që futet në teatër kur s’ka as aktorë e as shikues dhe përjeton shfaqje mahnitëse. E, pra, shumë shekuj përpara se të lindte Servantesi i madh. Parabola misteri. Në ç’kuptim? Vetë autori shkruan në “Post Scriptu” të librit: “Klepsidra është Saga e Sizifit, lëvizja lart-poshtë si dhe poshtë-lart, që janë e njëjta gjë në pambarim. Më shumë se formë e kalimshmërisë së brishtë, e matematikës së thërrmijave të lëvizshme është amshim i pamatshëm dhe një absolute e vetëmjaftueshme. Karakteri klepsidor i librave nuk vihet dot në dyshim. Origjinaliteti është pikërisht te lëvizja, te vullneti i paepur i shkrimtarëve sizifian. Pa këtë lëvizje zhduket, pra edhe vetë Klepsidra reale ose si simbol. ”Klepsidra” i kalon caqet e mendimit letrar ose më mirë të themi të kritikës së sotme letrare, qoftë dhe hipotetike. Kjo ndodh sepse në këtë libër që ka brenda misterin e vazhdueshëm rrjedhës në çdo tregim Moikomi e kthen të njohurën në shkencë dhe të panjohurën e kthen në filozofi – siç thotë mendimtari Osho. Por Moikomi shkon më tej, duke ndjekur fijet metafizike thur tiset mistike që mbështjellin pothuaj të gjitha tregimet e këtij libri. E kjo ndodh edhe me tregimet e shkurtra, edhe me ato të gjata. Tiset u japin tregimeve të Moikomit ndjenjën e mistikes, çka ekspozohet fuqishëm te tregimi “Gra mistike”. Artificat e gjalla, organikisht të kompozuara, e bëjnë narracionin moikomian konkrete brenda abstraktes. Në tregimin “Klepsidra” elementet konkrete si rëra dhe pluhuri njerëzor, ena e matjes së kohës dhe Arka biblike e Moisiut ndërthuren e vijnë para syve tanë në pamje tredimensionale. Kështu, rrëfimi brenda tekstit të tregimit e tejkalon vetë mënyrën e rrëfimit. Duke u vendosur në platforma të tjera, ato që fluturojnë drejt së panjohurës. Paragonizmi i enës Klepsidra me Arkën e Moisiut nuk është gjë tjetër veçse metafizika e tij që e sjell kohën biblike në kohën tonë. Por, veç këtyre, në artin narrativ të Moikomit është futur dhe procesi i metamorfozës. Metamorfoza është lëvizje, ndërrim i roleve, ambiguiteti i personalitetit. Te “Princi Hirtigr” flitet për dr. Ostvald, drejtor i Bibliotekës së Kopenhagës që zbulon në sagat nordike emrin e një princi shqiptar, bëhen debate për Borgesin, shfaqet fantazma e Borgesit në bibliotekën e reve të qiellit, Jacques Le Goff diskuton për kohën biblike, vetë princi Hirtigr udhëton në Kostandinopojën e shekullit XII dhe takohet me Florimontin dhe me vetë… Hamletin. E njëjta situatë surrealiste është edhe te tregimi “Katerina” dhe “Fantazma e detit”.
Në librin “Klepsidra” ka shumë tregime, të gjata e të shkurtra, por çuditërisht të gjitha të personalizuara e me rëndësi konceptuale. Nëse libri hapet me tregimin “Klepsidra”, për mendimin tim mbyllja është me tregimin “Thithësi i librave”. Në këtë tregim promemorie është historia e një shqiptari nga Kanina e Vlorës, i cili përfundon murg në malin Athos. Ky personazh e ka emrin Nifon dhe ka vetinë të thithë çdo germë të çdo lloj libri apo dorëshkrimi. Mbasi lexoi (thithi) pa fund me mijëra e mijëra libra e dorëshkrime, këto të fundit mbetën bosh, pa germa. Murgjit bibliotekarë të Athosit shkruanin mbi tekste të reja. Por, me kalimin e kohës, germat e thithura nga Nifoni dilnin përsëri e gjithçka ngatërrohej. Nifoni fryhet nga germat e shumta, bëhet 300 kg dhe vdes duke u shpërthyer. Moikomi në këtë tregim thotë: “Ai kishte thithur kulturat që nuk mund të humbnin. Pastaj kishte shpërthyer që çdo gjë e paeliminueshme dot, të rikthehej përsëri”. Pra nën këtë konceptim me të cilin përfundon tregimi shohim edhe një herekonceptin e Klepsidrës, d.m.th. rrugën sizifiane të rërës që sillet lart poshtë e poshtë lart. Germat brenda trupit të njeriut Nifon nuk janë gjë tjetër veçse rëra e Klepsidrës, përndryshe kjo rërë paragonohet me dorëshkrimet e fshira-thithura që rishfaqin germat e para alias kokrra rëre! Pra kemi përpara nesh tablonë e plotë të një palimpsesti që ka emrin e “Klepsidrës” e që magma e saj është metamorfoza. Tregimi “Thithësi i librave” është shpotia e madhe që Moikomi i bën historisë së kulturave botërore e, për fat, i vendos shpesh në personazhe shqiptare. Në këtë libër autori jep dhe përkufizimin e guximshëm të “një ligji të letërsisë e të arteve ku secila palë është subjekt i vetëm dhe i shumëfishtë”. Por duhet theksuar se ky ligj përdoret vetëm nga Moikom Zeqo pikërisht në këtë libër të bukur që lexuesin e vë në udhëkryq për vetë ekzistencën. E vë lexuesin në mendime, i tendos imagjinatën, i mpreh instinktin kundër vulgares, së rëndomtës, kundër subkulturës dhe librave të pafund dhe të kotë. Po e ritheksoj se origjinaliteti moikomian është në konceptualitetin e rrëfimit letrar. Ai e dekonstrukton rrëfimin linear pa mëshirë dhe me inteligjencë vetjake, duke e lidhur letërsinë moderne shqipe me bashkësinë e letërsisë së madhe botërore. Ky është një synim fisnik. Është një vizion që i hap horizontet, nuk i mbyll. Është merita artistike e përpjekjeve shumë të mëdha dhe e talentit të veçantë të Moikomit.
FATMIR MINGULI
(* kritik letrar)
(* kritik letrar)