Skënderbeu u kthye kundër sulltanit për të marrë hakun e babait


"Atë çka nuk mund ta siguronin përmes tregtisë, njerëzit e Skënderbeut shpesh e merrnin me dhunë".




Nga Alma Mile

Ai është sundues, kërkon të arrijë qëllimet e tij me çdo kusht, edhe me dhunë, por është edhe shumë karizmatik. Të thjeshtët e duan, fisnikëria e ka halë në sy. Një këmbyes fesh, nuk është edhe aq i besueshëm. Nga i krishterë u bë mysliman e më tej sërish i krishterë. I pabesueshëm dyfish. Diplomat dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja. Të gjitha këto dëshmohen në librin më të fundit të historianit Oliver Jens Schmitt, "Skënderbeu". I ulur përballë historianëve shqiptarë të Mesjetës, por edhe monumentit madhështor të Skënderbeut në pavijonin e Mesjetës, në Muzeun Historik Kombëtar, 36-vjeçari Schmitt, përmes përkthimit mjeshtëror të Ardian Klosit, sjell një këndvështrim për këtë figurë, të pranuar nga historiografia evropiane, si një nga figurat më të rëndësishme të kohës, bashkë me Huniadin dhe Drakulën. Historiani thotë se nuk është qëllimi i tij të çmitizojë Skënderbeun, por të plotësojë figurën e tij me të tjera dokumente të pashfrytëzuara më parë. Përmes një materiali dokumentar, të bollshëm, të qëmtuar në arkivat e Dubrovnikut, Milanos, Mantovës, Romës, Parisit, Barcelonës, etj., Schmitt na e paraqet Skënderbeun, jo si njeriun që bashkoi rreth vetes princërit shqiptarë e luftoi kundër turqve, por si udhëheqësin, që e kishte të vështirë të bënte pakte paqësore me fisnikët e tjerë të Arbrit. Dokumentet e paraqitura në libër dëshmojnë për mërira dhe armiqësira me familjet më të mëdha, duke nisur që me Aranitët, nga ku mori gruan e tij Donikën, Muzakajt, Topiajt, Balshajt. Shumë i internoi, u mori tokat. Besueshmëria tek Skënderbeu ishte shumë e brishtë. Shumë e tradhtuan, u bashkuan me turqit, ndërsa kishte shumë të pakënaqur. Por ajo që "trondit" më shumë është teza e hedhur mbi kryengritjen e Skënderbeut, arratinë e tij nga Danubi dhe kundërvënia ndaj turqve. Në bazë të një dokumenti, Schmitt argumenton se nuk bëhet fjalë për "çlirimin e mëmëdheut", por për hakmarrje personale. Kur figura e Skënderbeut vazhdon të glorifikohet, materialet që ofron Schmitti, nuk mund të mos ngjallin debate. Ende pa u lexuar libri, historianët shqiptarë e dhanë mendimin e tyre pro dhe kundër.


Skënderbeu sipas Oliver Jens Schmittit

Hakmarrja
"Më 10 janar të vitit 1454 dy diplomatët milanezë Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio i shkruajnë zotërisë së tyre, dukës Francesco Sforza të Milanos, për pritjen që i kishte bërë papa Nikollë V një bajlozi të Skënderbeut. Kjo ndodhi pak më shumë se gjysmë viti pas rënies së Kostandinopojës, kur krejt Italia ishte si në ethe dhe fuqitë, që si zakonisht veç grindeshin me njëra-tjetrën tani po punonin për një "ligë italiane", e cila u realizua me të vërtetë në paqen e Lodit po atë vit. E pra në këto rrethana erdhi para papës i dërguari i Skënderbeut dhe njoftoi se "për arsye të urrejtjes personale që ai (Skënderbeu) ushqen kundër turkut, meqë ky Turk ka vrarë babanë e zotërisë, ky zotëri (Skënderbeu), ka vënë të vrasin një vëlla të Turkut (Mehmeti II)". Kështu zgjidhet edhe rebusi, shpjegohet mosbesimi i sulltanit, kryengritja e Skënderbeut. Ivan Kastrioti pra, më 2 maj 1437 nuk pati vdekur nga një vdekje e natyrshme, por ishte vrarë me urdhër të Muratit II. Si shkak mund të hamendet që urëtrazuesi i vjetër do të kishte përgatitur ndonjë rebelim të ri, e me të vërtetë ai vazhdonte të mbante lidhje të ngushta me Venedikun, kishte kërkuar gjithashtu të drejtën e qytetarisë venedikase, për të bijtë Stanisha dhe Gjergj, këtë qytetari e kishte kërkuar edhe në Raguzë. Me mëkëmbësin venedikas të Lezhës, Pasquale Gradenigo, ai pak para se të vdiste kishte pasur marrëdhënie tejet të përzemërta; venedikasit e quanin "një mik të shkëlqyer". Nga këndvështrimi i osmanëve kjo përbënte arsye të mjaftë për ta hequr qafe këtë njeri të rrezikshëm një herë e mirë. I biri, Iskënderi, i cili në sy të osmanëve nuk ishte i ngatërruar drejtpërdrejt në ndonjë përbetim, u largua menjëherë nga atdheu i të parëve. Është e paqartë nëse Skënderbeu e mori vesh vrasjen aty për aty, apo ndoshta më pas. Por sidoqoftë së shpejti do të mendonte për hakmarrje. Po të keni parasysh se e drejta zakonore e arbërve gjallonte qysh në mesjetë, ai s'kishte tjetër rrugë përveçse të ruante nderin e tij. I duhej të merrte gjak nga ajo familje që kishte derdhur gjak: kjo ishte dera e Osmanëve. Në vend që të rrëmbehej në ndonjë veprim të pamenduar, Skënderbeu luajti në mjeshtërinë e kamuflimit, e cila ishte mjaft e përhapur në oborrin e Osmanëve, me të krishterët e shumtë që ishin shtrënguar të ndërronin fenë e tyre. Biografë të më vonë janë të një mendje në pohimin e tyre, se ai ishte mjeshtër për t'i fshehur mendimet e tij të vërteta. Kështu Iskënderi i ashtuquajtur besnik shkoi në Danub dhe priti me durim derisa të vinte çasti i volitshëm....

Deri më sot mbetej e panjohur për ç'arsye ishte vrarë në mënyrë kaq të llahtarshme, së bashku me fëmijët e vet, biri i dashur i Muratit. Bajlozi i Skënderbeut në Romë ishte i vetmi njeri, që ka folur ndonjëherë për këtë gjë: Alaeddin Ali Çelebiu kishte rënë viktimë e një përbetimi, ku fijet kryesore i luante Skënderbeu. Por a mundej vallë një mëkëmbës në Nikopojë ta drejtonte i vetëm vrasjen e një princi trashëgimtar, i cili për më tepër ndodhej në Anatoli, ndërkohë që Kara Hidr Pasha pa dyshim ka vepruar pas një urdhri nga oborri? Kjo është me pak gjasë e i dërguari i Skënderbeut u shpreh edhe që zoti i tij kishte vënë të vrisnin vëllanë e padishahut, e pra komplotin nuk e kishte udhëhequr ai vetë. (fq 58-60)


Taktikë lufte?
"Atë çka nuk mund ta siguronin përmes tregtisë, njerëzit e Skënderbeut shpesh e merrnin me dhunë. Shumë prej tyre ishin malësorë të mësuar me mungesat, por që sipas zakonit të vjetër, zbrisnin poshtë në fusha për të furnizuar familjet e tyre me grabitje. Këto doke u ruajtën deri në fillimet e shekullit 20. Kalorësit e shpejtë nga malet i kishin qejf shpeditat grabitëse, ku mund të vinin përpara bagëtinë e rrëmbyer. Grabitjet bëheshin kryesisht kundër territoreve osmane, por edhe ato venedikase nuk u kursyen. Pak javë pas fillimit të kryengritjes banorët e Lezhës njoftonin se "njëfarë Jeorgius Castriot ka kryer shumë grabitje e vazhdon të grabitë bagëtitë e tyre e të marrë rob gratë dhe fëmijët e tyre" (Acta Albaniae Veneta) (fq 159).

Marrëdhëniet me fisnikërinë
"Ai mëtonte të bëhej zot në të gjithë vendin", ankohej Joan Muzaki.
Shkruante Joan Muzaki: "Ai zuri rob zotin Joan dhe zotin Gojka Balsha dhe i dërgoi ata te mbreti ferronte Plaku në Napoli, që ky t'i mbante robër, e pastaj ua mori sundimet që ndodheshin midis Krujës dhe Lezhës, dua të them tokën e Misias"

Muzakajt dhe Topiajt, Skënderbeu i fyeu keqas, pasi e detyroi kreun e Topiajve, Muzakë Topinë, që të dëbojë gruan e tij të parë, nga familja Muzaka, e në vend të saj të martohet me Mamica Kastriotin. Për një familje e cila, siç njofton Demetrio Franko (Dhimitër Frëngu) e quan veten Karloviçi, "e cila në sllavisht do të thotë lavdiplotë, apo djemtë e Karlit, pasi e kishin prejardhjen nga dera mbretërore frënge", ky ishte një turp i padëgjuar. Kronisti fisnik Musachi ankohej: "Ai nuk druhej as para Zotit, as para ndonjë gjëje tjetër, as para djemve që kishin ata". Për fisnikërinë, Skënderbeu kishte thyer rendin hyjnor, nderin dhe emrin e dyerve të moçme. E drejta e vjetër përballej me padrejtësinë e këtij homo novus të dhunshëm. (fq 193)

Tradhtia
Më 1457 bajli venedikas i Durrësit njoftonte: "Atë e kanë lënë të gjithë komandantët e vet, të cilët kanë kaluar te Turku". Nëntë vjet më vonë "Skënderbeu, kur mori lajmin e nisjes në marshim të armiqve, nuk u besonte më komandantëve të vet të kështjellave, pasi e dinte se ata do t'i nënshtroheshin të nipit; ndaj dhe i shkarkoi, duke i zëvendësuar me të tjerë, të cilëve ua mori pronat e gratë e fëmijët i dërgoi si pengje në Kalabri. Mirëpo komandantët e kështjellave, të cilëve u ishin marrë kështjellat e tyre e siç thuhet për shkak të frikës nga turqit, që kishin mbërritur në vend, ishin arratisur, Turku, kur pa dështimin e vet, dha urdhër t'i ekzekutonin. Nipin e Skënderbeut, atë që kishte treguar rrugën dhe e kishte këshilluar, ai urdhëroi ta shkonin në hu...". Kjo letër e Agostino Patrizi Piccolominit e vitit 1466 zbulon, se sa e dobët ishte lidhja e besnikërisë me Skënderbeun, sidomos te fisnikët, mbas më shumë se dy dhjetëvjeçarësh luftë. Vetëm marrja peng dhe shantazhet i siguronin ende besnikëri Kastriotit, edhe shpronësimi që u bënte pronave të rebelëve i shërbente si shembull tmerrues. Ndërsa në familjen e vet ai nuk ishte në gjendje të mbante këtë trysni. Përsëri iu desh të shihte tradhtinë e një burri nga rrethi më i ngushtë. Tradhtarët gjendeshin në mjedisin më të afërt të Skënderbeut. (fq 220-221)

Fati i heroit
Jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh dhe me kthesa të papritura të fatit. Pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitur do t'u ishin nënshtruar herët osmanëve. Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit. Sfidës së padëgjuar të ish-oficerit të tyre dezertor sulltanët i ishin përgjigjur me një ashpërsi të panjohur më parë. Kushtu, jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua dhe u shpopullua nga osmanët. Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i t'et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh vetëm mbi rrënojat e veprës së tij.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit