NGA ROBERT MARTIKO
Falë edhe një predispozicioni që buron prej kohësh të egra, izolimesh të përbindëshme brenda Perdesh të Hekurta, me duhet të pranoj qysh më parë se nga aktiviteti i gjithashëm shkencor, shoqëror e politik i Mirela Bogdanit, pjesën me pikante për mua e përbën aktivizimi i saj aktual, i suksesshëm në radhët e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar: një Legjendë e Vërtetë!
Dhe jo më kot…
Një prej tyre është padyshim Mirela Bogdani.
Duke iu referuar biografisë së mjaft individëve të veçantë e të talentuar, ne jo pak raste ndryshimet e profesioneve janë regjistruar të suksesëshme kudo në botë…Përfaqësuesin më human e njëkohësisht më ekspresiv të arratisjes profesionale e ka përbërë shndërrimi i mjekut në shkrimtar ose politikan. Mbasi, thuhet se mjaft prej tyre, të pajisur nga natyra me një shpirt të ndjeshëm, duke u ndodhur në trysninë e dhimbjeve të pacientëve që vuajnë, e shtrijnë profesionin e tyre në mënyrë krejt të natyrshme, drejt dy profesioneve të mësipërme. Jam i bindur se pikërisht kështu duhet të ketë ndodhur edhe me Mirelën si mjeke e suksesshme stomatologe, kur përpos drejtimit në nivel kombëtar të këtij sektori të shëndetësise, jepte edhe mësime si pedagoge në Universitetin e Tiranës me titullin Doktore Shkencash. Dhe ndërkohë zhvillonte dijen dhe ekspertizën si studente pasuniversitare e kërkuese shkencore, duke bërë artikuj e libra, traktate, mastera e disertacione në mjaft universitete prestigjioze të botës, si fjala vjen në Universitetin “George Washington” apo atë të Bostonit në Amerikë, Universitetin e Londrës në Angli etj…Ashtu si shumë të rinj idealistë ne vitet ’90, Mirela u përfshi ne politikë (me forcat e djathta) dhe kjo erdhi pikërisht në vitin e mbrapshtë të kaosit të piramidave.
Jam i bindur se politikania e njëkohësisht akademikja në fjalë ka karakter e shpirt që i përkasin më tepër të tjera shkollave… Mjaft më dinjitoze nga ato që ofron ekzistencializmi i mjeruar në lidhje me modelet e tij njerëzore!…Mirela nuk është aspak një tip i varur nga të tjerët. Për të janë të huaja fenomenet masive të larjes e të lyerjes me furça servilësh të eprorëve apo shefave, më shqip: të sahanlëpirjes së rëndomtë, banale, përherë të mirënjohur e pandryshuar prej trajtës së saj historike, klasike…Mendimet Mirela i thotë drejt dhe hapur. Pa zbukurime! Mbi të gjitha zotëron një kurajo mjaft të lartë. Aq sa, në mjaft raste ua kalon edhe burrave…Eshtë diçka, që si fenomen i rrallë femëror, më habit. Në shumë gjëra që kanë të bëjnë jo thjesht me inteligjencën dhe ambicjen, po edhe në karakter, ajo ka mjaft cilësi të perbashketa me heroinën e saj Margaret Thatcher, e cila thoshte “Nuk jam një politikane pragmatike, po një politikane me parime e bindje” (I am a conviction politician, not a pragmatic politician). Dhe ashtu si heroina e saj, Mirela i mbron dhe lufton për bindjet e saj, kur mendon që kjo është e drejta, bile edhe kur kjo involvon risk.
Kur shikon websitin e Mirela Bogdanit (http://mirelabogdani.com/bogdaniAlbanian/index.htm ), që hapet me fjalën Welcome të shoqëruar prej një buzëqeshjeje të ëmbël gruaje serioze e të pashme, impresionohesh duke lexuar për arritjet e saj, backgroundin e saj, eksperiencen e suksesshme në dy kariera, e më pas gjen rastin të shikosh fotografi të shumëllojshme me mjaft personalitete politike, shoqërore e akademike të botës perëndimore…Dallon midis tyre Margaret Thatcher (te cilën Mirela e ka takuar dy herë), Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, Kryetarin e Partisë Konservatore Britanike David Cameron, Kryetarin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Kryetarin e Parlamentit Europian Hans Gert Poetering, europarlamentarët Doris Pack e Jonathan Evans, Lordin britanik John Taylor, Komisionerin për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn, Presidentin e Universitetit të Oxfordit Chris Patten, ish Kryeministrin spanjoll Jose Maria Aznar, kandidatin për President të Rusisë Gary Kasparov, studiuesen britanike Miranda Vickers e mjaft të tjerë… Pastaj, humbet, me plot kuptimin e falës, në xhunglën amazonike të diplomave, artikujve, universiteteve, disertacioneve, kolegjeve, seminareve, çertifikatave, departamenteve, masterave, projekteve, programeve, strategjive, anëtarësimeve, kandidaturave, leksioneve, kërkimeve shkencore, përfaqësive në organizma politike, akademike e profesionale ku Mirela është zgjedhur në saje të inteligjencës, aftësive, shpirtit fisnik dhe natyrës së saj energjike e dinamike.
E pranoj: porsa shkarkova një mori elementesh të shumëllojëshme natyrash më tepër akademike. Kjo më bën të ndërgjegjshëm, sepse nuk e teproj me fjalën e mësipërme: xhungël… Ndofta ka ndodhur, ngaqë historikisht, kam parasysh gjendjen fillestare të ndërtesave të Univeriteteve të Oksfordit apo Kembrixhit përbri shkurreve e pemëve të paprera në fillimet e shekullit të dymbëdhjetë…Ku një ditë prej ditësh, një student në sezon provimesh, ndërsa ishte duke studiuar në natyrë, goditi një derr të egër me një libër të trashë në kokë duke iu hakërruar gjithë mllef: “This is Greek to me!” (“Kjo është e pakuptueshme për mua!”) Me sa dukej, personi i mësipërm vështirësohej në mësimin e greqishtes se vjetër edhe nga ambienti përreth, qe siç u përmend më lart, gjëndej i mbuluar me drurë, bar e shkurre…Një xhungël e vërtetë! Të më falin të gjithë…Nuk mund të flitet për xhungël në hapësirat e universiteteve më prestigjioze të botës, fjala vjen si ai i Oksfordit apo Kardifit… ku Mirela jo vetëm ka studjuar por edhe ka dhene edhe leksione…
Ndërsa zgjedhja e modeleve humane merr rëndësi të jashtzakonëshme në jetë, mungesa e tyre përbën një tragjedi të vërtetë për njeriun. Në rastin konkret, figura e Mirela Bogdanit në mënyrë koncize tregon se si aktiviste e politikës reale ajo përpiqet te ndodhet sa më larg praktikave demagogjike, që janë mësuar të përkëdhelin e njëkohësisht mashtrojnë, bastisin e vjedhin turmat e pambrojtura popullore…
Ndërkohë, të gjithë bijtë e ndershëm e të talentuar, do ti qëndrojnë Shqipërisë si gurë të çmuar kurore mbretërore në kokë…Pak a shumë, si diamantët e Imperial State Crown në Tower të Londrës. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë shkrim me moton e Universitetit të Uashingtonit, ku Mirela ka studiuar: “Per veritatem vis”… Eshtë mjaft kuptimplotë jo vetëm për atë, por për gjithë intelektualët që përparojnë në jetë në saje të zotësivë të tyre personale. Dhe jo prej lançimeve të diktatorëve dhe gjakut të derdhur të bashkatdhetarëve…
Motua e mësipërme ka kuptimin se forca buron nga e vërteta! Dhe Mirela Bogdani përbën një nga shembujt më tipikë…