2012-04-22

Sabri Godo: I ati i Skënderbeut u quajt Hamza në fund të jetës






Quhej Ivan apo Gjon i ati i Skënderbeut? Sabri Godo jep dhe një alternativë tjetër të emrit të tij. Ai thotë se në fund të jetës, Gjon Kastrioti u konvertua në mysliman dhe u quajt Hamza.
A është e vërtetë se Skënderbeu u kthye në atdhe për t'u hakmarrë ndaj vrasjes së babait të tij, dhe jo për arsye patriotike, se ai ishte një hero që shkaktoi tragjedi për vendin e tij? A po e thyejnë mitin e heroit tonë kombëtar debatet dhe tezat e reja rreth historisë së tij? Pas tezave të ngritura në librin e fundit mbi Gjergj Kastriotin, me autor studiuesin austriak Oliver Schmitte, bëjmë një bisedë me Sabri Godon, autorin e romanit të famshëm historik "Skënderbeu". Godo ka argumentet e tij mbi të gjithë tezat që po hidhen rreth heroit tonë kombëtar.

Z. Godo, në monografinë e re mbi Skënderbeun, të studiuesit austriak Oliver Schmitt, emri i babait të Skënderbeut shkruhet Ivan. Përkthyesi i këtij libri në shqip, Ardian Klosi në një intervistë për "Gazetën", ka argumentuar se emri Ivan ishte emri i vërtetë i tij, ndërsa emri Gjon është një emër i shpikur. Sipas jush, çfarë ka të vërtetë në këtë fakt?

Them se ky nuk është kurrfarë zbulimi. Albanologë të tjerë të hershëm e kanë vënë në dukje këtë fakt, se Gjoni ka ndryshuar emrin. Sipas meje, kronika e ngjarjeve të çon atje. Fillimisht ai ka qenë katolik me emrin Gjon Kastrioti. Por erdhi një kohë kur pa se nuk mund të nxirrte përfitime nga Venediku dhe Vatikani për zgjerimin e pushteti të tij dhe atëherë u kthye në ortodoks.
Më në fund, para vdekjes e spërkati kokën e tij të zbardhur për të tretën herë dhe u bë mysliman, sepse u thye në luftë nga turku, iu morën peng të katër djemtë dhe ai u ngujua në kalanë e Gurbardhës. Atëherë duket se ka vënë emrin Hamza. Por kjo nuk mund të na bëjë të mendojmë se Gjon Kastrioti ishte një turk për nga origjina. Tani na duhet të kujtojmë atë që ka thënë Çabej i madh: se shqiptari e përdorte fenë si gunën për t'u mbrojtur nga erërat dhe ndodhte shpesh që sundimtarët e asaj kohe të kalonin nga një besim te tjetri. Ky ishte Gjon Kastrioti. Dhe të dalësh e të proklamosh sot me zë të lartë se ai e ka pasur emrin Ivan, pra kishte prejardhje serbe, afirmon vetëm një pjesë të së vërtetës. Them dhe njëherë se kjo nuk përbën ndonjë lajm të ri. Kjo është thjeshtë një vogëlsi nga jeta e Gjon Kastriotit, që nuk e ndryshon historinë e tij, si një ndër krerët shqiptar që u ngrit kundër invazionit turk dhe qëndroi kundër këtij invazioni deri në fund. Ky ishte prakticizmi i kohës.

Një tezë ngacmuese e Oliver Schmitt është edhe kthimi në atdhe i Skënderbeut. Sipas tij, ai u kthye për hakmarrje. Schmitt citon një dokument ku i dërguari i Skënderbeut në Romë thotë se Sulltan Murati i II, i ka vrarë të atin dhe kjo është arsyeja që ai ngriti armët kundër osmanëve… A e përligj ky fakt kthimin e tij në atdhe?

Ky për mua është një interpretim naiv. Nuk e kam lexuar librin e zotit Schmitt dhe respektoj çdo diskutim dhe mendim të kundërt, me kusht që të jenë fakte që të ngrenë peshë. Është e ditur se kur një individ përfshihet në një kryengritje, doemos do të ketë dhe një shtysë vetjake. Në këtë rast shtrohet pyetja nëse interesat e këtij individi përputhen me interesat e një shtrese të gjere ose të mbarë një populli. Atëherë nuk mund të vësh si motiv kryesor inatet ose interesat personale. Dhe kjo të shikohet si një materie që ul rolin e individit në shoqëri. Nuk e kuptoj fare një interpretim të tillë. Dhe kjo kurrsesi nuk mund të përbëjë një arsye për të mbajtur një qëndrim kritik ndaj një individi. Mua më duket se këto janë më tepër kritika anësore të stisura që nuk kanë ndonjë qëndrueshmëri. Ose për ta thënë më qartë, nuk duhet të merren fare në konsideratë.

Këto teza dhe fakte janë komentuar nga masa e gjerë e historianëve në Shqipëri si denigruese për figurën e Skënderbeut. A ndikojnë këto në thyerjen e mitit të heroit?

Skënderbeu është kthyer në një legjendë dhe me kohë legjendat bëhen mite. Por ka një të vërtetë të madhe rreth figurës së tij, që ai shkriu jetën në luftën kundër invazionit turk dhe bëri çmos që këtë ta kthente në një luftë të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Dhe po të mos ishte kjo rezistencë e madhe e tij, shqiptarët do të qenë kthyer në një popull të robëruar. Do të kishte pasoja deri edhe në ditët e sotme. Sepse ishte epopeja e madhe e Skënderbeut që mbajti gjallë frymën e të qenit shqiptar dhe që ishte burim i madh frymëzimi si për pashallarët shqiptarë që ngritën krye kundër sulltanit, si Karamahmuti, Ali Pasha, etj, por veçanërisht për rilindasit tanë. Them se ishte një frymëzim edhe për luftën nacional- çlirimtare. Një popull mund të thyhet në luftë, por jo të dorëzohet. Dhe pikërisht kësaj ideje i shërbeu Skënderbeu. Me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen, se ç'do të kishte ndodhur me ne dhe si do të ishte zhvilluar historia e Shqipërisë nëse princat shqiptarë të mesjetës do të ishin nënshtruar perandorisë osmane dhe do te ishin njësuar me të?!

Në parathënien e kësaj monografie, shkruhet se Skënderbeu është një hero, por jo një hero që bëri luftë dhe fitoi disa beteja, por si një hero që shkaktoi tragjedi për vendin e tij...

Ajo që thotë zoti Schmitt është plotësisht e saktë. Asnjë vend tjetër në atë kohë nuk pësoi një shkatërrim aq total sa Shqipëria. Asnjë vend tjetër nuk pagoi një çmim aq të shtrenjtë për kryengritje ndaj sundimit turk. Por ç'do të thotë kjo? A mos duhej pranuar më mirë skllavëria, apo duhej luftuar për trojet dhe për lirinë. Nëse në atë kohë Shqipëria vuajti një kalvar të tmerrshëm, shqiptarët me atë që bënë nën udhëheqjen e Skënderbeut fituan të drejtën historike të quhen një popull që është i gatshëm të bëjë sakrificat më ekstreme në mbrojtje të të drejtave të tyre. Ky është trashëgimi më i madh moral që na mbeti nga epoka e Skënderbeut. Ne treguam se ç'është në gjendje të bëjë një popull i vogël duke u ngritur kundër fuqisë më të madhe të kohës dhe kjo na jep të drejtën të themi se ne kemi qenë këtu që nga kohët më të lashta dhe se kemi qëndruar me krenari kundër të gjithë evazioneve.

Kjo monografi e Oliver Schmitt servir dhe një varg dokumentesh, që sipas vlerësimit të përkthyesit të kësaj vepre, Ardian Klosi: "monografia është shumë bindëse, sepse është e mbështetur në dokumente, dhe dokumentet që ka gjetur Oliver Schmitt janë të rralla..." A janë mjaftueshëm këto dokumente për të ndryshuar historinë?

Ai që bën eksplorimin në histori gjithnjë do të ndeshet me një dokument që kundërshtohet nga një dokument tjetër. Unë nuk do të bëja kurrsesi gabimin që të humbisja mendjen nga përshkrimi i bisedës së dy ambasadorëve dhe ta merrja një gjë të tillë si një dokument që hedh themelet e historisë së një individi. Tani më bie në mend se kur sulltan Mehmeti sulmoi për herë të dytë Shqipërinë, i dërguari i Venedikut në Durrës, që ndiqte ngjarjet në afërsi imediate (dihet distanca ndërmjet Durrësit dhe Krujës), ky i dërguar pra, i raportonte senatit se turku i madh kishte arritur në Shqipëri me 300 mijë ushtarë, që do të thotë gjithë fuqia e perandorisë osmane. Një shifër e tillë duket padyshim e ekzagjeruar, sepse në kohën e atëhershme ishte e pamundur të përfytyrohej një përqendrim prej 300 mijë trupash në një vend të vogël si Shqipëria dhe para Krujës, me të vetmin synim për të marrë qytetin. Mund të përmenden dokumente të tjerë të tillë me shumicë, që na vijnë drejtpërdrejt nga koha e atëhershme, por që kurrsesi nuk mund të merren si e vërteta e fundit, për shkak të subjektivitetit dhe rrethanave të tjera. Prandaj them edhe njëherë, së duke zbuluar diku një dokument s'mund të ngrihesh në këmbë e të thërrasësh "Eureka", sepse e vërteta gjithnjë ka disa nënshtresa dhe siç thashë në fillim, njëri dokument djeg tjetrin, dhe për të gjetur disi gjurmët e së vërtetës, duhet t'i shtrosh që të gjithë në tryezë. Unë shoh një prirje te disa autorë që kapen pas disa "zbulimeve", për të dalë në treg me një lloj origjinaliteti të tyre, por në raste të tilla duhet pasur shumë kujdes për të mos e ekzagjeruar dhe sidomos për të mos denigruar pa baza. Me aq sa kam mundur, kam lexuar gjithçka që është shkruar për Skënderbeun, nga një numër i madh albanologësh. Por sipas meje, sintezën më të vërtetë rreth Skënderbeut e ka bërë Tivarasi dhe pas tij, Fan Noli e ndonjë tjetër. Megjithatë, nuk është e ndaluar që të bëjnë kërkime të mëtejshme, përkundrazi duhet konsideruar si një kontribut çdo gjë e re që del në shesh nga hulumtimi në arkiva. Veçse në këtë rast merr shumë rëndësi interpretimi dhe të qenit objektiv.

A mendoni se është bërë portretizimi i saktë i Skënderbeut?

Unë për vete mendoj se kam arritur të shoh me qartësi të mirë figurën e Skënderbeut, ambientin në të cilin jetoi, dhe të kuptoj shpirtin e kohës. Megjithatë, e thashë edhe më lart se kurrë ndonjëherë nuk duhet të thuash se ke arritur në shtresën e fundit të së vërtetës. Fakti që Skënderbeu diskutohet ende dhe për të ka kontribute të reja, tregon qartë se në epokën e tij ai ishte një figurë e madhe e kontinentit, duke shtrirë ndikimin e vet edhe në shekujt që erdhën më pas. Duhet mirëpritur çdo kontribut i ri që na sjell vërtet diçka të re dhe jo të stisur.

Skënderbeu dhe diktatura komuniste. Si kanë bashkëjetuar?

Në kohën e diktaturës Skënderbeu u përdor për një lloj nacional-socializmi të Enver Hoxhës. Për të u shkruan vepra dhe figura e tij u lëvrua në gjini të ndryshme të arteve. Megjithatë, gjithnjë bëhej kujdes që Enver Hoxha të mbetej i pari dhe Skënderbeu të vinte pas tij. I është lënë rrugë e lirë trajtimit të figurës së tij në shërbim të ideologjisë së kohës për inspirim patriotik, sidomos në periudhat kur Shqipëria mbetej e izoluar. Por në çdo rast duhej të bëhej kujdes për të nënkuptuar se si figura më e madhe në tërë historinë tonë duhej të shihej Hoxha.

Fan Noli i është rikthyer dy herë veprës së tij kushtuar Skënderbeut dhe ka bërë disa korrigjime në të. Një prej tyre lidhet me datën e lindjes. Në historiografinë tonë njihet si datëlindje e Skënderbeut viti 1405. Por Noli shkruan se e ka korrigjuar këtë datë të botimit të parë. Ai ka poseduar më vonë fakte që dëshmojnë se data e saktë është 1400. E megjithatë, ne ende njohim 1405 si datë të lindjes së tij... Pse?

Albanologu i madh, Shuflaj thotë se është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo që ishte e shkruar u dogj nga turku. Nisur nga kjo duhet të pohojmë se ne nuk kemi një dokument kishtar apo të një lloji tjetër që të na japë datëlindjen e saktë të Skënderbeut. Ashtu si nuk kemi një datë të saktë për kthimin e tij në Krujë. Unë besoj se Fan Noli pati mendimin e bukur të vinte 28 nëntorin si datë të kthimit të tij në Krujë, duke dashur ta lidhë këtë me 28 Nëntorin e 1912 dhe që koincidon pastaj me 28 Nëntorin e 1944 të Çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi. Kështu krijohet një kombinim i shkëlqyer i këtyre tri ngjarjeve të mëdha në historinë e kombit tonë. Pra, 28 Nëntori. Për mua data ekzakte ose dita ekzakte e lindjes së Skënderbeut ashtu si edhe saktësia precize e ndonjë date tjetër, nuk kanë më një rëndësi të veçantë. Rëndësi kanë ngjarjet.

Noli kritikon edhe shumë teza dhe të dhëna nga ai që quhet biografi i Skënderbeut, Marlin Barleti. A duhet të vazhdojnë historianët ta kenë bazë historinë e Skënderbeut të Barletit?

Barleti na ka lënë një vepër monumentale. Por ai nuk i ka shpëtuar frymës romantike të kohës, duke e lënë të lirë fantazinë e tij. Brenda asaj rryme, ai diku edhe trillon. Për shembull, mund të quhet si krejt e shpikur letërkëmbimi i Skënderbeut me Sulltanin, që nuk vërtetohet me asnjë burim tjetër dhe që diku ndofta thuhet me të drejtë se është huazuar nga Tuqididi, megjithatë si një kronikan i kohës, ai jep shumë të dhëna të tjera që konfirmohen edhe nga burime te mëpasshme, dhe si i tillë Barleti mbetet gjithnjë i çmuar, aq më tepër sepse ishte ndër të parët që shkroi për Skënderbeun.

Dhe në fund i kthehemi edhe njëherë veprës së Schmitt. Ardian Klosi i fton historianët ta lexojnë fillimisht veprën e mandej të debatojnë. Më thatë se as ju nuk e keni lexuar…?

Unë e kam kërkuar këtë libër dhe ende nuk e kam gjetur. Sigurisht s'mund të marr përgjegjësinë për ta gjykuar pa e njohur. Por ju përgjigja pyetjeve tuaja, duke u nisur nga disa fraza dhe citate që duket se vijnë drejt nga libri. Kështu që ruaj të drejtën të korrigjoj veten në një kohë të dytë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...