2012-04-25
Trafikimi i femrave shqiptare dhe prostitucioni.
Ngacmuesit e fëmijëve. Dhuna në familje-problem madhor për drejtësinë. Trafikimi i femrave shqiptare dhe prostitucioni.
1. Molesterët-ngacmuesit e fëmijëve.
Molesterët ose ngacmuesit e fëmijëve janë objekt hetimi për zbatimin e ligjit nga ana e nëpunësve të ngarkuar me të. Identifikimi i tyre paraqet një nga format më profesionale për mbrojtjen e fëmijëve të shfrytëzuar seksualisht. Më poshtë do shqyrtojnë disa nga:
• strategjitë e vlefshme për hetim,
• tiparet e pedofilit dhe
• vështirësitë që ndeshen në identifikimin e rasteve të shfrytëzimit seksual.
Tipologjia më e zakonshme klasifikuese për ngacmuesit e fëmijëve që njihet e përdoret ende, është ajo e ndërtuar nga Dr. Grothi. Ai klasifikoi krimet ndaj fëmijëve në dy grupe, nisur nga fakti nëse përfshirja në këto veprime është një metodë të qëndrueshme ose mani, apo shfaqet si ndryshim regresiv në orientimin seksual e jetësor të personit. Për dr.Grothin ngacmuesi i fiksuar pas fëmijëve (molester) është ai “që ka orientimin e vet kryesor seksual, pikërisht, ndaj tyre”, ndërsa ngacmues i regresuar është ai që “përfshirjen seksuale me një fëmijë e ka si pikënisje, qartësisht e ndikuar nga stresi ose nga një orjentim kryesor seksual kundrejt bashkëmoshatarëve”
Kohët e fundit flitet edhe për një tipologji klasifikimi të zhvilluar nga Raymond A. Knight & Robert A. Prentky. Ata klasifikojnë ngacmuesit e fëmijëve bazuar në pesë dimensione: në kompetencën ligjore të subjekteve, në shqetësimin seksual që u shkaktohet fëmijëve, në kontaktet jo-sulmuese ndaj tyre, në dëmtimet fizike që u bëhen dhe në sadizmin. Kjo tipologji është përpunuar empirikisht përmes analizash statistikore dhe është referuar teknikisht si faktor taksonomik me përfundime analitike, disa prej të cilave do trajtohen më poshtë:
1.1. Përshkrimi tipik i abuzuesit seksual të fëmijëve.
Duhet pohuar që në fillim se nuk është aspak i lehtë identifikimi i tyre. Këtu përshihen nga të gjitha klasat sociale, racat dhe profesionet. Megjithatë, janë evidentuar shtatë prirje tipike të abuzuesve në fjalë janë, së pari, ata zakonisht janë meshkuj nga adoleshenca - tek e mesme, të cilët mund të gjenden në tre nëngrupe: pedofilët që joshin fëmijët me përkujdesje e dhurata, ata që i urrejnë ose sociopatë dhe përfituesit nga pornografia ose prostitucioni me ta. Së dyti, në më shumë se 1/3 e rasteve ata janë edhe abuzues substancash. Së treti, në pikëpamje numerike, meshkujt e njohur si abuzues, dominojnë, duke ua kaluar femrave në raportin 8 me 1, megjithëse shumë abuzues janë të panjohur, kështu që raporti mund të jetë edhe ndryshe.
Së katërti, shumica e abuzuesve janë të njohurit e viktimave të tyre. Së pesti, brenda familjes, ngacmuesit më të shpeshtë janë baballarët, njerku, xhaxhai, kushërinjtë dhe vëllezërit. Së gjashti, vajzat pëlqehen më shumë se djemtë për t’u ngacmuar nga pjesëtarët e familjes. Prirja e shtatë tipike, dhe e së fundi, është se shumë raste inçesti baba-fëmijë shfaqen si ngacmime stresi dhe humbjeve që kërcënojnë mashkulloritetin e babait. Në raste të tjera, ajo shpjegohet me inatin apo zemërimin e shprehur prej tij.
1.2. Specifikat e recidivizmit të molesterisë.
Nga ana e tyre, Hanso, Steffy & Gauther në vitin 1993 tregon se përmes gjinisë së viktimës mund të parashikohet, deri diku, me saktësi natyra e sulmuesve recidivistë. Kështu, kriminelët që zgjedhin si viktimë fëmijët meshkuj tregojnë një nivel të lartë rreziku recidivizmi, madje më të lartë edhe se ata që orientohen tek viktimat fëmijë-femra. Sa për kriminelët që parapëlqejnë viktima të të dy gjinive, meshkuj ose femra, sipas këtyre autorëve, nuk duket të shfaqin ndryshime të rëndësishme në raport me dy grupet më sipër. Megjithatë, duhet pohuar se mungojnë të dhënat e plota e të qarta për të mbështetur përfundimet e mësipërme
Një studim tjetër i Langevin et.al. nxjerr që sulmuesit e së njëjtës gjinie kanë një numër të ulët akuzash kriminale, shifër që shkon nga 8 - 22%, ndërkohë që mungojnë të dhënat e plota e të sakta mbi numrin e femrave të sulmuara nga femrat dhe meshkujt nga meshkujt. Sidoqoftë, ky është një pohim shqetësues për drejtësinë dhe një faktor plus për recidivizëm, ndonëse ka argument faktin që viktimat e të njëjtit seks, kryesisht meshkujt, mund të përballen me probleme e shkaqe të ndryshme nga ato të viktimave me gjini të kundërt. Kjo mund të vijë si për shkak të rritjes së stigmës sociale ashtu dhe sikletit që mund të jetë i pranishëm tek viktimat në fjalë.
Sidoqoftë, klasifikimet e ofruara nga studiues të ndryshëm, ndihmojnë sidomos në lidhje me dy variabla plotësues që përdoren për parashikimin e recidivizmit. Sipas Lee ato janë numri i krimeve të mëparshme dhe intensiteti i fiksimit të një ngacmuesi fëmijësh janë parashikues shumë të mire për mundësinë e përsëritjes të këtij krimi më pas.
Po kështu, fiksimi i ngacmuesit është bërë e mundur edhe të matet me anë të një instrumenti të quajtur pletismografik, që konstaton ndryshimet e niveleve të lëngjeve të penisit, të shkaktuara nga luhatjet e presionit të gjakut. Megjithatë, përdorimi i instrumenteve të tilla në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe atë të korrektimit në veçanti, mundet që të krijojnë edhe disa probleme etike të kuptueshme.
2. Dhuna në familje-problem madhor për drejtësinë.
Dhuna në familje është sjellje abuzive mes njerëzve që jetojnë së bashku në një moment të caktuar, ose që kanë jetuar së bashku prej kohësh, të cilët mund të kenë ose jo fëmijë. Shkollimi dhe trajnimi tradicional i ka mësuar punonjësit të policisë se dhuna në familje është një çështje private e “brendshme”, se përgjithësisht, është e pranueshme kur një person dominon apo ushtron kontroll nëpërmjet kërcënimeve, forcës dhe dhunës fizike, ndaj një ose disa personave më të dobët. Ky tashmë është mentalitet në kapërcim e sipër, megjithëse efektet afatgjatë të dhunës tek viktima mund të vazhdojnë, duke u transmetuar edhe tek brezat pasardhës.
Kështu p.sh: një djalë, dëshmitar i abuzimeve të babait ndaj nënës së vet, ka shumë mundësi të ushtrojë edhe vetë dhunë në të ardhmen. Ndërsa vajza e ndodhur në të njëjtën situatë, ka shumë mundësi ta shohë dhunën si pjesë integrale të lidhjeve të tilla të ngushta, siç janë ato bashkëshortoret, duke kërkuar dhe vetë për një partner të dhunshëm. Pra mjedisi familjar, me nënë e babë të dhunshëm, mund t’i çojë fëmijët në marrëdhënie abuzive, në të ardhmen. Prandaj, ndërhyrja institucionale dhe ligjit është përcaktuese për të ndalur tmerre të tilla në familje. Statistikat flasin se në SHBA, numërohen rreth 1500 gra që vriten në vit nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët ose të dashurit e tyre.
Me gjithë përpjekjet për të kuptuar më mirë fenomenin e dhunës në familje, pavarësisht progresit të dekadave të fundit, ndryshimet ligjore nuk duket të sjellin zgjidhjen e çështjeve në fjalë, njësoj sikundër veprohet me aktet e tjera kriminale. Studiuesit, media dhe institucionet e tjera të propagandës dhe përpunimit të opinionit publik priren të analizojnë tipare të personave me histori kriminale, si p.sh., vrasësit serial apo përdhunuesit, por pak vëmendje u kushtojnë episodeve të shkurtra të dhunës. Përfaqësues të ligjit, avokatë dhe prokurorë që përballen me viktimat dhe dhunuesit e kësaj natyre duhet të përmirësojnë shkallën e njohjes se fenomenit të dhunës në familje, jo vetëm për të gjykuar drejt por edhe për të kontribuar në parandalimin e tij.
2.1. Llojet e dhunës në familje.
Sidomos punonjësit e policisë, si hetues të dhunës në familje, duhet të kenë një informacion të gjerë për llojet e dhunës që ndeshin në këto raste. Në familje ajo mund të shfaqet në trajtën e dhunës fizike, atë seksuale, dhunës emocionale dhe psikologjike. Dhuna fizike përfshin veprime të tilla si goditjet me mjete të mprehta, mbytje të viktimës, therje apo gjymtim të saj, kafshim apo pickim, tërheqje nga flokët, si dhe qëllim me armë apo kërcënime me anë të saj.
Dhuna seksuale nënkupton përdhunim si goditje fizike në gjoks dhe/ose në organet gjenitale, apo prekje të trupit kundër vullnetit të viktimës. Dhuna emocionale merr formën e degradimit sistematik emocional të viktimës, duke e detyruar atë të kryejë akte që i ulin dinjitetin, shoqëruar me komente poshtëruese, kërcënime për vdekje të viktimës ose familjarëve të saj, me marrje para të saj, apo sjellje që i lenë të kuptojë se ai/ajo ka çrregullime mendore.
Ndërsa dhuna psikologjike përfshin të njëjtat tipare si ato të përmendura më sipër, por në të bëjnë pjesë edhe episode sulmi mbi viktimën, duke e mbajtur atë vazhdimisht nën presion apo në një kërcënim të rreptë psikologjik. Shkatërrimi ose dhunimi i pronës është një lloj tjetër dhune, megjithëse mungon elementi i kontakteve fizik midis agresorit dhe viktimës.
2.2. Karakteristikat e dhunuesve në familje.
Shumë dhunues të kësaj natyre janë mjeshtër të mashtrimit. Ata rrallë shfaqin sjellje agresive ndaj të tjerëve, përveç viktimës, pra e kanë kanalizuar ushtrimin e dhunës tek kategori të caktuara njerëzish, ndërsa në shoqëri shfaqen të sjellshëm madje dhe tërheqës. Zakonisht, pas një akti të dhunshëm në familje, ata përpiqen të bindin policinë e mbërritur në vendngjarje, se viktima vuan nga çrregullime mendore. Prandaj njohja në thellësi e tipareve të kësaj kategori njerëzish të dhunshëm do e ndihmonte punonjësin e policisë të kuptojnë rrezikun e manipulimit të tyre nga ana e dhunuesit.
Identifikimi më i saktë policor i personave të tillë do jetë kur do mund të interpretojnë drejt edhe tipare të tjera të mundshme që ndeshin tek persona të tillë, ku ndër kryesoret mund të përmendim katër prej tyre. Së pari vetëvlerësimi i ulët i shkaktuar nga abuzimet fizike dhe/apo ato seksuale të ushtruar ndaj tyre më parë, apo për shkak të mungesës së kujdesit prindëror gjatë fëmijërisë, si dhe prania e një figure të rreptë e autoritare që i ka keqtrajtuar në fëmijëri. Së dyti ndjenja e pasigurisë dhe paaftësisë për t’u besuar të tjerëve. Kjo i bën ata të krijojnë dhe të kërkojnë veçse një marrëdhënie tepër të ngushtë, duke i shtyrë të jenë tepër kritikë dhe xhelozë ndaj partnerit.
Së treti ata nuk marrin përgjegjësitë për sjelljet që kryejnë, madje nuk pranojnë të kenë kryer aktin konkret, ose e minimizojnë rëndësinë e veprimeve kërcënuese që mund të jetë bërë shkak për incidentin e krijuar dhe që ka acaruar situatën. Së katërti ata shfaqin nevojën për të ushtruar kontroll të tjerët, sidomos anëtarët më të dobët të familjes. Duke dashur t’i kontrolluar ata, viktimizojnë personat përmes përpjekjeve për nënshtrim ndaj urdhrave dhe dëshirave të tyre.
2.3. Stadet e dhunës në familje.
Zakonisht policia ndërhyn në rastet kur situatat është mjaft kritike, por përgjithësish dhuna është e pranishme në tre stade të ciklit. Prandaj ka rrëndësi që punonjësi i policisë të ketë njohuri mbi veçoritë e çdo situate për t’i mundësuar viktimës të kuptojë se dhuna e shfaqur në fillim do ndeshet edhe më tej, se episodet do përsëriten nëse nuk do ndërmerren veprimet e duhura parandaluese. Këto stade janë:
Së pari është stadi i lindjes së tensionit, duke u bërë ai pjesë përbërëse e marrëdhënieve të çiftit. Kjo shoqërohet me përdorim të alkoolit, me xhelozi ndaj partneres, me sëmundje të bashkëshorti apo ndonjë faktor tjetër që mund të çojë në lindjen e konflikteve dhe tensioneve në çift. Tashmë gruaja mund të ndjejë se partneri reagon në mënyrë agresive, është i tensionuar dhe me humor të keq, duke u irrituar nga gjërat pa rëndësi. Shumë gra i shquajnë elementet paralajmëruese të një akti dhune apo kërcënimi, por veprojnë në mënyra të ndryshme. Ato mund ta nxisin më tej atë, ose duke iu kundërvënë dhunës me dhunë, ose nënshtrohen apo e evitojnë duke u larguar nga vendngjarja.
Ndodh që gruaja edhe të justifikojë dhunën e ushtruar ndaj saj, duke marrë mbi vete faktorët që e kanë shkaktuar atë, si pjesë të përgjegjësisë së saj që duhej t’i administronte mire, në mënyrë që situata mos rrëndohej. Ajo gjykon se grindja duhej shmangur nëse ajo do të ishte më e qetë, por dështoi dhe prandaj morri atë që meritonte, dhe që ish rrjedhojë e gabimeve të saj. Kalimi në këtë stad të gjykimit do lindë nevojën e pashmangshme të ndërhyrjes profesionale.
Së dyti është stadi akut i dhunës. Tashmë situata tensionohet dhe dhuna bëhet e pashmangshme. Abuzuesi humb kontrollin fizik dhe emocional të vetes. Shpesh ai nuk dëshiron të lëndojë partneren, por vetëm sa t’i japin “një mësim të mire” dhe të kenë pushtet mbi të. Por megjithatë është një stad me rrezikshmëri të lartë për jetën, ku si viktima ashtu dhe dhunuesi, apo dhe polici që ndërhyn për zgjidhjen e situatës, mund të sulmohen apo të vriten. Kjo ndodh nëse kërcënuesi humb kontrollin e vetes, si fizikisht ashtu dhe emocionalisht. Atëherë pasojat do jenë me rrëndësi jetike.
Kohëzgjatja e këtij staid mund të jetë nga një çast i vetëm në disa minuta apo me orë të tëra. Madje, edhe pse dhunimet e viktimës janë evidente, një agresor “i regjur” mund që edhe të , mos lerë shenja dalluese tek viktima. Pas një episodi të tillë shumë viktima e konsiderojnë veten me fat, ngaqë nuk e pësuan më keq, pavarësisht nga traumat ose pasojat e shkaktuara. Ato shpesh minimizojnë rëndësinë e dëmtimeve dhe refuzojnë ndihmën mjekësor.
Policia që vjen fill pas episodit të dhunës, mund të ndeshë me një fajtor që shfaqet i qetë dhe racional. Sjellja e tij është manipuluese, pasi në momentin e arrestimit ai ka mundur të transferojë gjithë zemërimin ndaj viktimës, duke u çliruar nga ndjenja e frustracionit. Ai mund t’ia hedhë fajin edhe viktimës, pasi ajo mund të jetë ende e shqetësuar dhe e irrituar, për shkak të abuzimit që ka pësuar. Ndodh madje që viktima të reagojë negativisht edhe ndaj policëve, që tentojnë të ndërhyjnë për zgjidhjen e konfliktit.
Policia duhet të jetë e vetëdijshme se një sjellje e tillë e viktimës është më se e justifikuar. Ajo ndihet e dëshpëruar nga dhuna e pësuar, por ndoshta dhe nga mungesa e mbështetjes financiare apo emocionale që vjen si rrjedhojë e kërcënimeve të abuzuesi. Nuk rekomandohet që t’u bëhet viktimave premtime të rreme, përveç asaj që është korrekte dhe ligjore se strukturat shtetërore do i ndihmojnë ato. Prokuroria dhe hetuesia kanë përgjegjësinë e hetimit profesional, që sistemi i drejtësisë të funksionojë si duhet edhe në këto raste. Ndërsa një hetim i rastësishëm, një mungesë interesi do çonte në lirimin e të akuzuarve, duke mundësuar ushtrimin e ri të dhunës, edhe më të ashpër edhe më të rrezikshëm.
Së treti është stadi i “muajit të mjaltit”. Tashmë sjelljet e agresorit janë mjaft të qeta dhe mirëkuptuese, të shoqëruara me një ndjenjë pendese për dhimbjet që i kishte shkaktuar viktimës. Ai interpreton rolin e bashkëshortit të braktisur dhe përpiqet të bindë partneren se mund ta kontrollojë veten dhe se nuk do e lëndojë më gruan që dashuron. Viktima dëshiron ta besojë se partneri vërtet mund të ndryshojë, çka e bën të fillojë të ndihet pjesërisht fajtore për incidentin.
Është faza kur mjaft gra tërheqin padinë e ngritur ndaj bashkëshortit apo mohojnë të gjitha akuzat e bëra në momentin e agresionit. Nëse prokuroria studion në tërësi çështjen, mund të njoftojë përsëri viktimën, duke i shfaqur fotot me dëmtime nga momenti i dhunës, plagë të mavijosura në trup. Dhe ndodh që viktima të kthjellojë vetëdijen dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë për shqyrtimin gjyqësor të rastit. Prandaj, nëse prokuroria ka dëshminë e viktimës së momentit fill pas incidentit, kjo do jetë një provë e çmuar për paditësen, duke ndihmuar jo vetëm në formulimin e akuzës, por dhe të avokatit për ta bindur viktimën e penduar për padinë, që të vazhdojë procedimin penal kundër bashkëshortit.
Përfaqësuesit e ligjit të familjarizuar me raste të tilla mund t’i shpjegojnë viktimës se qëndrimet e buta dhe afeksioni që po shfaq bashkëshorti më pas janë pjesë e sjelljeve të pritshme, sipas stadeve të ciklit të dhunës. Sipas avokatëve, fakti nëse viktima do e falë agresorin do kushtëzojnë rrjedhën e ngjarjeve, pra nëse procesi do të vazhdojë edhe pa viktimën, si dëshmitare kryesore, apo do të ndërpritet. Qëllimi i mbrojtësve të ligjit, i atyre që u përgjigjen thirrjeve për ndihmë, është të vazhdojnë hetimet edhe nëse viktima është dorëzuar dhe shfaq sjellje jo të dhunshme.
Ka rëndësi që cikli i dhunës të kuptohet drejt. Kështu, nëse disa lloj aktesh të dhunshme vijojnë sipas këtij cikli të përshkruar me tre stade, ka të tjera që nuk evoluojnë në këtë mënyrë. Po ashtu ka disa dhunues që nuk shprehin ndjenja keqardhje, por vazhdojnë me kërcënime e shantazhe ndaj viktimës, për ta dekurajuar atë në gjetjen e dëshmitarëve. Ata nuk mendojnë të kërkojnë falje apo të shfaqin keqardhje. Por në përgjithësi, shumë raste dhune në familje përshkojnë nëpër këtë cikël 3-nivelesh.
Vitet e fundit, me përmirësimet ligjore, është rritur numri i rasteve të evidentuara, duke mundësuar dhe studimin e motivacioneve dhe veçorive të fajtorëve që përfshihen në akte të tilla dhune. Këto zhvillime krijojnë premisa për studime më të sakta për zhvillimin e një kuptimi më të plotë të veçorive të personalitetit agresor në familje. Po kështu “njerëzit e ligjit” duhet t’ia bëjnë të qartë viktimës se sistemi i drejtësisë kriminale i mbron të drejtat e tyre. Por kjo ka nevojë për një hetim të plotë të rastit, pavarësisht nëse viktima heq dorë ose jo nga padija e ngritur.
Në të shkuarën gjykimi i rasteve të tilla “i kishte duart e lidhura”, pasi kodet ligjore nuk ishin të plota, po ashtu dhe normat sociale ishin paragjykuese ndaj dhunës në familje. Këto bënë që dukuri të tilla të pësonin një shtrirje aq të gjerë, sa që sot të paraqesë një nga problemet më të mprehta sociale, sidomos në shoqëritë e pazhvilluara ose ato në zhvillim e sipër, siç jemi dhe ne.
2.4. Dhuna ndaj grave në familjet shqiptare.
Dhuna ndaj grave ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave në botë vazhdon të mbetet më pak e vlerësuara. Është fjala për një problem të thellë shëndetësor që ka pasojë plagosjen, shkatërrimin e dinjitetit dhe vetëvlerësimit deri dhe vdekjen e personave të dhunuar. Tashmë dihet se dhuna në familje është e pranishme në gjithë kulturat. Studimet kanë vërtetuar se abuzimi ndaj grave është problem kompleks dhe shumëdimensional. Shpjegimi duhet parë tek faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë dhe individualë. Që të gjitha ato, në raporte të ndryshme në kohë, vend dhe individ, ndikojnë në mundësinë e viktimizimit të grave.
Dhuna në familjet shqiptare ka historinë e vet. Kështu, për shkak të traditave të forta patriarkale, familja shqiptare ka qenë ë dhunuar nga meshkujt për një kohë të gjatë. Grave u është diktuar t’u binden burrave të tyre, duke pranuar rolin e të nënshtruarës. Deri para 1944 ne ishim një vend kryesisht rural, prandaj vlerat patriarkale dominonin në shumicën e shoqërisë shqiptare, duke përcaktuar rolet dhe marrëdhëniet gjinore që vazhduan edhe gjatë epokës së komunizmit, dhe që deri diku vazhdojnë edhe sot.
Familja rurale patriarkale kultivon idenë e një gruaje të nënshtruar e pasive, të bindur ndaj babait dhe më pas ndaj burrit. Superioritetit i burrit ishte thelbësori i kësaj tradite, prandaj rrënjët e keqtrajtimit të femrës datojnë nga shek XV-të dhe lidhen me kodin zakonor të njohur si Kanun. Sipas rregullave të tij, burri ka të drejtë të rrahë dhe poshtërojë gruan në publik nëse ajo nuk i bindet, ka të drejtë t’i presë flokët, ta zhveshë, ta përzërë nga shtëpia dhe ta fshikullojë me kamzhik nëpër gjithë fshatin. Kanuni përcakton se burri mund edhe ta vrasë gruan për dy arsye 1) për pabesi dhe 2) për tradhti. Ai e ndalonte të fliste me mysafirët që vinin për vizitë, ose të hynte në dhomën e burrave, pa lejen e burrit.
Në komunitetin shqiptar marrëdhëniet tradicionale vazhduan të kenë një ndikim më të lartë se në çdo grup tjetër etnik të Ballkanit. Kanuni vazhdon të jetë i rëndësishëm dhe të ndikojë në mënyrë domethënëse në përjashtimin social të grave. Shumë burra, veçanërisht nga zonat verilindore, akoma i binden këtij kodi zakonor, sipas të cilit gruaja konsiderohet si plaçkë tregu. Aty është ende e pranishme rrëmbimi i vajzës për nuse dhe martesat me mblesëri.
Në këto kushte, shumë prej femrave e shohin ende veten brenda kornizës së këtij kodi zakonor. Megjithëse pozicioni i tyre në familje ka ndryshuar në vartësi të klasës ose moshës së tyre, janë ende të shumta ato që vazhdojnë të mendojnë se duhet t’u shërbejnë familjeve, të mbajnë fëmijët dhe të ruajnë traditën kulturore shekullore. Qëndrimet kulturore në lidhje me nderin e burrave gjithashtu shërbejnë për të justifikuar dhunën ndaj grave dhe për të përkeqësuar pasojat e saj.
Por Kanuni është vetëm njeri nga faktorët që ndikon në pozitën inferiore të grave në shoqërinë shqiptare. Të tjerë faktorë influencues janë niveli i ulët ekonomiko-social, niveli i lartë i varfërisë, shkollimi i ulët dhe mungesa e kulturës demokratike. Fakti që burrat vazhdojnë të kenë dominim absolut mbi gratë edhe sot e kësaj dite, e radhisin Shqipërinë në një kategori të veçantë të vendeve evropiane.
Doktrina komuniste nxiti formalisht një lloj barazie të grave. Ato kishin mundësi punësimi, por veç retorikave egalitariste, natyra paternialiste e rregullave dhe frymës komuniste përforcoi qëndrimet dhe praktikat patriarkale. Shteti riprodhoi e nxiti më tej marrëdhëniet tradicionale të vartësisë brenda familjes. Kështu, si në gjithë vendet e ish-bllokut komunist edhe tek ne, emancipimi ishte në teori, ndërsa të praktikë u shkatërrua përmbajtja e parullës së barazisë së burrit me gruan.
Rënia e thellë ekonomike që karakterizoi tranzicionin drejt kalimit në ekonominë e tregut, pati ndikime të mëdha në jetën tona sociale. Në vitin 2001 shifrat tregonin që 46,6% jetojnë nën nivelin e varfërisë, ndërsa 17,4% e tyre janë në varfëri të skajshme. Po kështu papunësia ishte 14,6%, por niveli i lartë i papunësisë tek meshkujt po i jepte goditje shkatërrimtare modelit tradicional të burrit si “shtylla mbrojtëse” e familjes. Ata po përballen me një tendencë të re, atë të grave që po siguronin më shumë të ardhura për familjen. Është i vështirë të pranohet ky fenomen i panjohur deri para disa dekadash, sepse kërcënon rëndë identitetin tradicional të burrit.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, grave u jepen të drejta të barabarta me burrat në gjithë sferat e jetës, por realisht ato nuk përfshihen në shumicën e të drejtave që u jep ligji. Madje dhe ato të zënat me punë nuk paguhen mirë dhe këtë diskriminim e bëjnë për arsye të detyrimeve familjare që ato kanë. Po kështu, gjithnjë e më shumë ato po marrin rolin e kryefamiljarit, për shkak të migrimit dhe emigrimit. Bazuar në ligj dhe në standardet e vendeve të përparuara edhe tek ne gratë nuk përjashtohen nga ndonjë post, por megjithatë nuk përfaqësohen si duhet në nivelet më të larta të profesionit që kanë, sepse në zhvillimin e karrierës përballen me forma të ndryshme të diskriminimit gjinor.
P.sh., sipas një studimi të vitit 2001, megjithëse ato bëjnë 62% të mësuesve me arsim 8-vjeçar dhe 38,7% të atyre me arsim të mesëm, vetëm 5,8% e profesoratit në universitete janë të tilla. Pra, është e zakonshme që gratë e shkolluara të punojnë në punë më pak të kualifikuara ose jashtë fushës së tyre të kualifikimit. Sipas një raporti të organizatës “Save the children” e 2001 rezulton që nga rritja e prostitucionit apo trafikimit të vajzave dhe grave ka bërë që në shumë zona rurale rreth 90% e adoleshenteve të braktisin shkollat e mesme nga frika e rrëmbimit.
Tek ne mesatarja e pagës së grave është sa 70% e asaj të burrave, ato përfaqësojnë 51% e popullatës dhe zënë vetëm 10% e vendeve në qeverisjeve të të gjithë niveleve, 5,7% ishin në parlament, shifër që është rritur në këtë legjislaturë, por që nuk kapi objektivin e 30%. Deri në 2002 kish vetëm 5 kryetare bashkie, një prefekt e dy ministre. Barra e trefishtë e tyre si punonjëse-si nëna-si bashkëshorte trashëgohet nga mendësitë e vjetra komuniste dhe vazhdon ende të ekzistojë.
Migrimi i popullatës nga fshati në qytet ka qenë një veçori dramatike e tranzicionit shqiptar. Kjo popullatë e shpërngulur në qytete nga viti 1991 mbarti me vete zakone, tradita, mendësi dhe stilin e jetës së zona të ndryshme të vendit. Papunësia, varfëria dhe ankthi për të ardhmen sillte një nivel të lartë stresi, por dhe probleme psikologjike që mund të bëheshin shkak për provokime dhe reagime agresive ndaj të tjerëve. Përqindja e vdekjeve nga shkaqe jo natyrore u shtua ndjeshëm, në 1998 pati tre herë më shumë vdekje se në 1994, nga të cilët 95% si pasojë e vrasjeve dhe aksidenteve me makinë. Nga burimet policore del që vrasjet kanë qenë krimi më i përhapur në vitin 1999.
2.4.a. Komente të një studimi mbi dhunën në familje
Sa për qëllimin e këtij studimi, përmendim që në Shqipëri nuk janë bërë studime për një kohë të gjatë lidhur me dhunën në familje. Si një hap i parë në drejtim të rritjes së njohurive në këtë drejtim, ky studim synonte identifikimin e gamës së formave më të zakonshme të dhunës së ushtruar në familjet shqiptare, të evidentonte sjelljet abuzive më prezent, sipas perceptimit të grave dhe rrethanat që kryheshin ato, të zbulojë strategjitë që përdorin gratë për t’i dhënë fund dhunës dhe për të zvogëluar pasojat e saj, si dhe të dokumentoheshin pasojat jo vetëm tek gratë por edhe tek fëmijët, familja dhe shoqëria në përgjithësi. Synohet gjithashtu të identifikohen qëndrimet e grave ndaj abuzuesve dhe marrëdhënieve abuzive, si dhe të përcaktohen kufizimet sociale që privojnë shumë gra nga barazia me burrat.
Sa për metodologjinë e studimit përmendim që u kryen intervista të thelluara me 55 viktima të dhunës, si kampion me prejardhje të ndryshme sociale dhe tipare të ndryshme demografike. Udhëzuesi i intervistës përfshinte një numër pyetjesh të hapura për përvojën gjatë abuzimit. Të dhënat u regjistruan në kasetë e më pas u shkruan, analiza e të dhënave u bë sipas teknikës së zbërthimit tematik, kryesisht analizës fenomenologjisë dhe atë bashkëbiseduese. Për gjetjet, përpunimin dhe kodimin e të dhënave u përdor programi kompjuterik “The Atlas ti”.
Si përfundim doli që tek rrëfimet e grave u evidentuan shtatë grupe temash, të lidhura me njëra tjetrën. Së pari çështja e ëndrrës për martesë. Shumica e grave e kuptojnë martesën si qëllim të jetës, megjithëse disa prej tyre shpreheshin se dëshira e tyre ishte largimi nga shtëpia e prindërve, varfëria apo dhuna. Nga të intervistuarat martesa përshkruhej si një normë dhe gjendje e dëshirueshme për statusin social të grave. Ende dukej të kish martesa me shkuesi, por ato prisnin t’u krijoheshin mundësi për një jetë më të lumtur, ndërsa shpesh ajo rezultonte në një tablo poshtërimi, tensioni, kërcënimi e konflikti dhe jo në mundësi për plotësimin e ëndrrave.
Së dyti përballimi me realitetin martesor për shumë prej të intervistuarave ishte krejt ndryshe nga ëndrra e martesës ideale. Rastet treguan se burrat e dhunshëm janë pro roleve dhe përgjegjësive tradicionale familjare, ata janë imponues në marrjen e vendimeve, ndërkohë që gratë duhet të mbajnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët dhe t’u binden atyre. Nëse ato nuk binden që gruaja po i kryen si duhet detyrat, apo i kalon kufijtë e të drejtave të saj, duke ndërhyrë në kompetencat e tij, atëherë ai mund të reagojë në mënyrë të dhunshme. Gratë supozohet se duhet të kënaqen me rolin e tyre si bashkëshorte e si nëna, të pranojnë për sakrifikim deri dhe të jetës së tyre, për hatër të martesës.
Së treti ishte tema e dhunës së ushtruar. Nga rrëfimet doli që dhuna shfaqej si një fenomen kompleks e i formave nga më të ndryshmet, që shkojnë nga poshtërimi, kërcënimi, izolimi social, sekse i dhunshëm dhe rrahja. Dhuna bëhet e vazhdueshme dhe shpesh thellohet nga më e lehta tek aktet brutale tepër serioze. Fillon me një shpullë deri tek goditjet me armë. Shumë prej tyre jetonin më frikën jo vetëm të jetës së tyre por edhe të fëmijëve dhe familjes.
Përvoja e grave të dhunuara seksualisht vërteton se dhuna bëhet e vazhdueshme dhe lëviz nga format jo-fizike, si tallja, kërcënimi, fjalët poshtëruese dhe presion për ta detyruar të kryejë seks pa dëshirë, deri tek rrahja dhe përdhunimi. Dhuna fizike shpesh shoqërohet me tentativë për të kontrolluar ndërveprimin shoqëror të grave dhe lëvizjet e tyre jashtë shtëpie. Disa burra i ndalojnë gratë të shkojnë në punë, madje të intervistuarat përmendin si formë abuzimi edhe abuzimin ekonomik. Kontributi financiar i grave në familje nuk ndikon ose nuk e zvogëlon pozitën dominuese të burrave të tyre në familje.
Së katërti të qenit grua e abuzuar. Dhuna e vazhdueshme fizike e shoqëruar me abuzime emocionale, seksuale dhe ekonomike shkaktojnë efekte shumëfishe tek gratë. Disa fillojnë e mendojnë për vetëvrasje, pra pasojat nuk janë vetëm fizike si mavijosje, plagë e fraktura, apo gjymtime fizike, dështime e lindje të parakohshme, por shpesh ato kanë e shqetësime emocionale. Kanë ankth, depresion, lodhje, nervozizëm, dhimbje koke e probleme të mos përqendrimit apo të pagjumësisë. Përmendet edhe një lloj ftohje emocionale, pasi abuzimi i partnerit shkakton dëmtim të vetëvlerësimit, apo edhe një lloj inkopetence si njeri, si nënë e bashkëshorte, apo punonjëse. Disa nga të intervistuarat i konsideronin pasojat emocionale më serioze se ato fizik. Me kërkesën e partnerëve, gratë i rrallojnë aktivitete sociale. Këtë e bëjnë nga turpi, ose për të mbrojtur fëmijët dhe miqtë.
Së pesti është shqetësimi për fëmijët. Edhe fëmijët janë tejet të ndikuar nga jetesa në mjedise të dhunshme, kanë frikë e ndihen të kërcënuar, pavarësisht se dhunohen vetë apo jo fizikisht. Kjo u krijon probleme emocionale, njohëse dhe sjelljeve. Nënat dëshmojnë se fëmijët e tyre kanë rezultate të ulëta në mësime, janë të turpshëm, u shmangen kontakteve sociale, kanë ndjenjë faji, acarohen dhe shfaqin sjellje agresive. Disa madje kanë dhe ankesa psikosomatike, si dhimbje koke apo barku, duke shfaqur sjellje regresive, si urinim në krevat gjatë natës dhe pagjumësi. Nënat janë tepër të shqetësuara se fëmijët e tyre do përsërisin të njëjtat sjellje të dhunshme kur të rriten, si baballarët e tyre.
Së gjashti është tematika e përballimit të dhunës. Nga intervistat del që përballimi kushtëzohet nga faktorët socialë, kulturore dhe personalë për të përdorur strategji që i nxjerr nga situata kritike. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është procesi i njohjes së shkaqeve të dhunës ndaj tyre. Gratë i shpjegonin ato, kryesisht, me ndryshimet e mëdha sociale që kanë ndodhur në vend. Shkak tjetër ishte përdorimi i alkoolit dhe xhelozia e burrave, por ajo krijohej edhe nga problemet emocionale të burrave si depresioni ose mungesa e vetëvlerësimit. Disa gra i konsideronin burrat si qenie njerëzore agresive nga natyra, megjithëse 30 nga 55 të intervistuarat besojnë akoma që duhen sakrifikuar nevojat personale për të rindërtuar marrëdhëniet e për të mbajtur familjen e bashkuar, ndërsa 19 prej tyre i kanë lenë parterët.
Së shtati është thyerja e heshtjes. Ndërgjegjësimi për të kuptuar se heshtja është një gabim dhe mundësitë që ato kanë për të ndërmarrë hapa që përmirësojnë situatën, janë dy strategjitë kyçe për zhdukjen e dhunës. Rrëfimet e grave evidentojnë një lloj kulture të tolerancës ndaj dhunës në familje, çka reflekton besimin se dhuna mes njerëzve të afërt në familje është thjeshtë një çështje private.
Kudo në Botë shkaku kryesor i vdekjes dhe plagosjes së grave është dhuna e partnerëve (Mills 1996), ndërsa tek vendet në tranzicion, problemi mbetet pothuaj se i padukshëm dhe shpesh nuk pranohet ose nuk raportohet. Ndryshe nga dhuna e rrugës, që përgjithësisht konsiderohet si krim, dhuna në familje ndaj grave dhe fëmijëve është parë si e ligjshme, e pranueshme, nganjëherë dhe e dëshirueshme, ose injorohet si dukuri private familjare.
Por në dekadat e fundit, organizata e institucione të ndryshme kanë pranuar dhe mund të luajnë një rol kyç në trajtimin e problemeve të dhunës, një synim i të cilës është dhe studimi për të mbledhur informacion mbi qëndrimet, perceptimet dhe ushtrimin e dhunës ndaj grave në familjet e shoqërisë shqiptare
Si konkluzion, ky studim eksplorues e paraqet problemin në një kontekst familjar me kulturë patriarkale, marrëdhëniet gjinore të të cilave u kushtojnë shtrenjtë grave. Përfundimet e studimit hedhin poshtë mitin se dhuna në familje është një problem i njerëzve të varfër e të pashkolluar. Ai vërteton se pas abuzimit gratë kanë vështirësi të bëjnë jetë të pavarur, duke i penguar të shkëputen nga marrëdhënie të tilla të dhunshme. Ndërsa i nënshtrohen dhunës, ato fitojnë një lloj aftësie për mbijetesë të shfaqur në shpresën, në shmangien arsyetimeve për abuzimin dhe duke e parë situatën nga një këndvështrim kompromisi. Gratë e ndara përpiqen maksimalisht të gjejnë vendin e tyre në shoqëri, si për të zbuluar mundësi të reja për jetën.
2.4.b. Rezultatet e studimit”Dhuna ndaj gruas në familjet shqiptare”
U realizuar me 55 të intervistuara nga Shkodra, Berati dhe Tirana. Informacioni u regjistruara në audio kasetë dhe më pas u transkriptua me rreth 5000 faqe kompjuterike, pati dhe 2 intervista me burra, ndërsa të dhënat u përpunuan sipas programit ATLAS-T.
Ndër të veçantat e studimit përmendim përshkrimin e opinioneve që dhanë gratë e dhunuat, ofrohet sfondi i kulturës shqiptare ku ndodhin abuzimet, ngaqë ai nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por gjinor dhe ndërkombëtar, shpjegohen pa shifra, por në thellësi, shkaqet, faktorët, pasojat e abuzimit ndaj grave dhe strategjitë e daljes nga situata. Tregohet gjithashtu që dhuna nuk është tipar i njerëzve të varfër e të pashkolluar, por ka faktorë socialë, ekonomikë, kulturorë e ndër personale, ka lidhje me traditat gjinore dhe se gratë kanë motive dhe dëshira për t’i rezistuar kësaj dhune.
Gjetjet janë lidhur me ëndrrën e tyre për martesë, pra të intervistuarat shprehen se martesa për to nuk ishte vetëm një qëllim i rëndësishëm dhe ideal, por sidomos një ëndërr, megjithëse rreth 35% e tyre ishin martuara me shkuesi. Martesa idealizohet si mjet për arritjen e identitetit të femrës, për të krijuar kushte më të mira sociale, për t’i dhënë kuptim dhe vlerë jetës, për t’u larguar nga varfëria e familjes prindërore, si dhe për të shmangur abuzimet e babait.
Por ajo që rezultonte në fakt nga martesa ishte një status i ulët social dhe abuzime më presente. Sidomos kur burri mbarte qëndrime tradicionale për rolet gjinore, ata janë dominues në procesin e vendimmarrjes, madje edhe kur gruaja ka status të lartë social e profesional, përgjegjësitë e saj mbeten në punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve. Kultura tradicionale e detyron të luajë rolin e nënës dhe të gruas, duke sakrifikuar ëndrrat e martesës.
Në shumë çifte shqiptare mungon partneriteti në përballimin e problemeve familjare, pra gratë ende duhet të veprojnë sipas normave të përcaktuara nga burrat. Dhuna fizike dhe psikologjike ndaj grave ndodh kryesisht kur ato kundërshtojnë rolin tradicional. Kështu që dhuna shfaqet më shumë si pjesë e një modeli sjelljesh abuzive dhe kontrolli dhe më pak si akte të veçuara agresioni fizik. Format më të përhapura të abuzimit janë ato verbal, emocional, fizik, seksual dhe ekonomik, duke qenë të rrezikuara jo rrallë edhe nga akte te dhunshme me pasojë vdekjen.
Dhuna seksuale shprehet në rrahje, përdhunim, keqtrajtim, kërcënim, poshtërim verbal e marrëdhënie seksuale kundër dëshirës. Një strategji për të shmangur dhunën e mëtejshme është pranimi i seksit kundër dëshirës, pra pavarësisht nga dëshira, gratë e quajnë detyrë të përmbushin nevojat seksuale të burrit. Një dhunë e kësaj natyre bën një grua të heshtur, të kontrolluar dhe të nënshtruar.
Dhuna emocionale shprehet në poshtërimin e manipulimin emocional, në izolimin social për të shtuar kontrollin e për të hequr mundësinë e largimit apo rezistencës ndaj dhunës. Disa burra nuk i lejojnë gratë e tyre të marrin pjesë në vendimet për shpenzimin e parave, nuk u japin as parat për të plotësuar nevojat e shtëpisë. Madje rritja e kontributit ekonomik të grave në fondin e familjes nuk e pakëson dominimin e kësaj kategorie burrash mbi gratë e tyre.
Pasojat e dhunës ndaj gruas shfaqen në probleme të shëndetit fizik e mendor, në plagosje, depresion, ankth, shqetësime të stresit për shkak të traumave që pësojnë, pagjumësia, vetëvlerësimi i ulët, mendime për vetëvrasje, aborte, shtatzëni e padëshiruar, lindje e parakohshme, paaftësi për punën e përditshme dhe aktivitete shoqërore etj.
Pasojat psikologjike të abuzimit janë më serioze se ato fiziket. Ato shfaqen në demoralizim, rënie në kurthin e marrëdhënieve abuzive dhe pranimin e tyre, ndryshim i mendimit për veten, inferioritet e mungesë pretendimesh në familje, nuk kërkojnë as vendin e dëshiruar dhe që u takon në shoqëri. Ndërsa pasojat e dhunë tek fëmijët janë defiçite në aftësitë sociale, rezultate të dobëta në mësime, ankthi, acarimi, sjelljet agresive, dhimbje të kokës, urinim në shtrat, shqetësime në gjumë, përdorim në shoqëri i rolit të dhunshëm sipas modelimit të sjelljeve të babait në shtëpi.
Shkaqet e dhunës, sipas komenteve të vetë grave të dhunuara që u intervistuan, janë problemet sociale që vijnë nga tranzicioni me konflikte të shumta sociale, sidomos ai midis traditës dhe modernes në jetë, varfëria që shkakton stres tek burrat dhe ndjenja e paaftësisë për rolin e tyre në sigurinë ekonomike, abuzimi i burrit me alkool, xhelozia, çrregullimet emocionale të tij, vetëvlerësimi i ulët, mos kontrolli i vetes, të qenit nga natyra qenie agresive, ndërsa disa gra fajësojnë veten që nuk janë të afta të luajnë rolin e nënës e të bashkëshortes.
Abuzimet vazhdojnë se pse ato pranojnë që kanë përgjegjësinë kryesore për suksesin e martesës, edhe pse pranojnë të sakrifikojnë të drejtat e tyre për hatër të fëmijëve, edhe pse aplikojnë strategji të shpresës, të shmangies, apo pranojnë kompromisin, duke racionalizuar dhe shfajësuar abuzimin me to.
Strategjitë për të luftuar me efektivitet dhunën në familje janë ndërgjegjësimi për gjendjen e gabuar në të cilën ndodhen gratë e dhunuara dhe vetëdija se mund dhe duhet përmirësuar jeta e tyre. Megjithëse shkurorëzimi nga burrat parapëlqehet prej tyre si mundësia më efektive për zgjidhjen e problemit. Gratë në fjalë shfaqin avantazhe në zgjedhjet e tyre të reja, ato fitojnë dinjitet personal, rritin vetëvlerësimin, kontrollin personal mbi jetën e tyre, motivohen e përpiqen për të realizuar veten dhe interesat e tyre.
Ajo që shpresojnë gratë e intervistuara është sidomos ndërgjegjësimi i opinionit shoqëror për gjendjen tyre, ndryshimi i normave të kulturës, angazhimi për të luftuar vetë, pa pritur zgjidhje shtetërore, këshillimi profesional dhe ndryshimi i politikave sociale që mbrojnë të drejtat e grave.
3. Trafikimi i femrave shqiptare dhe prostitucioni.
3.1. Ç’e “ushqen” këtë fenomen?
Rekrutimi dhe mënyra e realizimit të trafikimit është një detyrë parësore që duhet dokumentuar nga organet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Nga një vështrim “tangent” i këtyre të dhënave të publikuara del që mënyra kryesore e përdorur për trafikim është mashtrimi, kryesisht duke premtuar punë dhe martesë. Por nuk përjashtohen as premtimi për shkollë, specializim apo vizitë turistike. Më i shpeshtë është mashtrimi i kombinuar me rrëmbimin e dhunshëm, apo peng marrja, por dhe rekrutimi direkt, duke u bërë i ditur motivi, apo blerja nga të afërmit, deri tek rekrutimi me dëshirë apo kërkesën për të ushtruar profesionin e prostitutës. Me përjashtim të rastit kur ekziston vullneti i lirë i femrës, në të gjitha rastet e tjera, subjektet janë viktima të trafikut për të ushtruar prostitucion.
Sidoqoftë, për çdo viktimë ka një rast (histori) të veçantë. P.sh., një vajzë nga Librazhdi u shit tek trafikantët nga babai i saj, disa vajza nga Berati u shitën nga “të fejuarit” e tyre, një nga Fieri u detyrua nga bashkëshorti të prostituojë, etj. Në gjithë këto raste motivi ka qenë ai i fitimit, por çuditërisht kjo ka ndodhur edhe për shifra mjaft të vogla, madje qesharake. Vitet e fundit janë vërejtur dhe tentativat për të perfeksionuar rekrutimin, nëpërmjet krijimit të agjencive të ndryshme legale turistike, specializimit dhe fshehjes së trafikut nëpërmjet aktiviteteve legale të këtyre firmave.
Statistikisht, mënyrat e rekrutimit, nga burimet zyrtare del se në vitin 2001, 17% e tyre janë mashtruar me premtime për punë, 21% me martesa të rreme, kryesisht në Itali, ndërsa 8% janë shitur nga familja për nevoja ekonomike. Rreth 40% e tyre u përkasin zonave rurale, ndërsa rreth 80% janë mbi moshën 20 vjeçare. Për shkak të problemeve sociale dhe ekonomike, punës së vështirë në bujqësi, jetës së vakët kulturore, largimit të një mase të madhe të rinjsh në emigracion, mundësitë më të mëdha për mashtrim mes premtimeve të gënjeshtra, zonat rurale mbeten dhe aktualisht furnizueset kryesore të këtij trafiku. Madje rekrutimi me dëshirë i përket pikërisht këtyre zonave, ku 40% janë minoren, pra që kanë marrë një vendim pa qenë aspak të vetëdijshme mbi pasojat në të ardhmen.
3.2. Si realizohet trafiku i femrave për prostitucion?
Përtej rekrutimit, fazat pasuese e këtij procesi është përgatitja psikologjike dhe fizike për të ushtruar profesionin e prostitutës, lëvizja drejt destinacionit, mbërritja dhe fillimi i aktivitetit. Pavarësisht nga mënyra e rekrutimit, synohet kalimi në këto faza për të realizuar përgatitjen graduale të femrës për të ushtruar profesionin e ardhshëm. Si mjete ndihmuese për arritjen e këtij qëllimi janë përdorimi i drogës dhe vartësia prej saj, përfshirja në aktivitete seksuale të dhunshme e në grup, përfshirja në vepra të lehta penale, apo të pamoralshme, dhuna fizike, apo psikike, etj. Është ky një proces që trafikantët e quajnë degjenerim, për ta pasur më të lehtë përdorimin e viktimës së trafikuar si mjet shfrytëzimi dhe pasurimi për ta.
Lëvizja për qëllim trafikimi parakupton marrjen e femrës nga vendbanimi dhe përgatitja e kushteve për të realizuar mbërritjen në destinacion. Këtu hyjnë angazhimet për të siguruar dokumentet më të domosdoshme, si vizat, lejet e qëndrimit dhe vend-qëndrimet, duke i siguruar dhe mbajtur ato nën kontroll, nëpër baza të sigurta. Me mbërritjen në destinacion sigurohet vend-qëndrimi, “vendi i punës” dhe detyrimi për të ushtruar profsionin.
Gjithë veprimet e përmendura janë direkt, prandaj edhe që “lenë gjurmë” ose prova në mjedisin ku kryhet. Kjo mundëson parandalimin apo zbulimin nga ana e organeve kompetente dhe vënien e tyre para drejtësisë. Duke njohur format dhe metodat e përdorura nga trafikantët gjatë këtij procesi, shoqëria dhe sidomos vetë femrat, por edhe të afërmit apo kujdestarët e tyre, i kanë të gjitha mundësitë e kontrollit dhe vetëkontrollit, për mos lejuar viktimizimin përmes këtij lloj trafiku. Megjithatë, kultura e nevojshme në këtë drejtim ende është e mangët, prandaj në kurthet e trafikimit vazhdojnë të bien viktimat e rastit.
3.3. Karakteristikat e femrave të trafikuara
Sa i përket tipareve social - gjeografike, përgjithësisht, mund të themi sa ato janë me arsim fillor ose tetëvjeçar, por jo se mungojnë edhe ato me arsim të mesëm e të lartë. Niveli kulturor i tyre, pavarësisht nga arsimi, është i ulët dhe shumica kanë jetuar në mjedise familjare me probleme sociale, si p.sh., në familje të paqëndrueshme, me mungesë të njërit prind, me probleme ekonomike të rënda, me dhunë fizike apo seksuale etj,. Pra përgjithësisht, rezulton që familje e tyre nuk kanë qenë në gjendej të realizojnë funksionet e tyre themelore.
Mosha mesatare e femrave të trafikuara rezulton 21 vjeç, gati 95% e tyre kanë qenë të pamartuara më parë, ndërsa jetën seksuale e kanë filluar herët. Ka pasur edhe ndonjë rast kur janë braktisur familje të rregullta për të ushtruar këtë profesion. Tirana është në krye të listës së të trafikuarave, pastaj renditet Fieri, Vlora, Elbasani, Durrësi etj, por nuk mungojnë as rrethet e vogla si Gramshi, Kukësi, Dibra, Pogradeci e Përmeti. Fluksi i të trafikuarave ka pasur një ecuri konstante gjatë gjithë viteve, me një mesatare të përafërt prej 30 në vit. Madje, pas kthimit të tyre masiv nga policia italiane, e disi më pak nga ajo greke, në vend që ky numër të pësonte ulje, u rigjallërua, gjë që tregon se mjaft nga të rikthyerat u ricikluan nga rekrutuesit apo tutorët e tyre.
Në sistemin e tregtisë së seksit përfshihen personat që “gjurmojnë” kandidatët e përshtatshëm e që do planifikohen për rekrutim. Pastaj janë dhe personat që ndihmojë direkt apo indirekt në këtë qëllim, ku hyjnë rekrutuesit, bashkëpunëtorët ndihmës, si transportues, shoqërues, strehues, rojet, kujdestarët, tutorët etj, mbi të cilët qëndron “kapua/kreu” apo “kupola”, që përgjithësisht është një person i padukshëm.
Nëse ekzistojnë elementet e mësipërm, në të gjitha rastet kemi të bëjmë me bashkëpunim të cilësuar kriminal, pa folur pastaj për nivelin më të lartë të organizimit kriminal. Si rregull, rrjetet e trafikut të “mishit të bardhë” përbëhen nga elemente me prije kriminale, që krahas prostitucionit kanë kryer edhe vepra të tjera kriminale, si trafikim droge, vrasje, peng marrje, grabitje etj. Shtrirja gjeografike e elementëve të tillë është e pranishme në gjitha rrethet e vendit. Mosha mesatare e tyre varion nga 20-25 vjeç, me formim arsimor e kulturor të kufizuar ose të mangët, që shquhen për agresivitet dhe ashpërsi mendimi e veprimi. Qoftë dhe për sa më sipër, janë të gjitha shanset që këta të jenë evidentuar dhe kontrolluar nga policia, pavarësisht inefiçencës aktuale të sistemit të drejtësisë në luftën ndaj tyre.
Sidoqoftë, statistikat flasin për një optimizëm të përmbajtur. Kështu, gjatë vitit 2001 janë konstatuar 113 raste trafikimi të femrave për prostitucion, janë shpëtuar 192 femra, nga të cilat 57 të huaja (moldave, rumune, ukrainase etj). Në vitin 2002 janë evidentuar 492 vepra penale të trafikimit të paligjshëm me 778 autorë, ndërsa trafikim femrash për prostitucion janë evidentuar 203 raste me 298 autorë. Në vitin 2003, në dhjetor të këtij viti, policia organizoi disa operacione në shkallë të gjerë, kryesisht në qarqet bregdetare të vendit për të parandaluar dhe goditur trafikimin, operacione që vazhduan edhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2004.
Sa për rolin e gjykatës, për trafikim me qëllim prostitucioni janë identifikuar 126 raste, janë marrë nën përgjegjësi penale 223 autorë, nga të cilët 36 janë arrestuar, 100 janë ndaluar, 6 ndiqen në gjendje të lirë dhe 81 janë në kërkim. Si shfrytëzimi me qëllim prostitucioni në rrethana rënduese janë identifikuar 23 raste, me 35 autorë, nga të cilët 14 janë arrestuar, 11 janë ndaluar, 1 ndiqet në gjykim të lirë dhe 9 janë shpallur në kërkim. Mbajtja e lokaleve për prostitucion është konstatuar në 5 raste me 10 autorë, 9 të arrestuar, 1 i ndaluar, ndërsa ushtrimi i profesionit të prostitucionit është vërtetuar në 11 raste, me 19 autore, nga të cilat 19 janë arrestuar, 3 janë ndaluar, 3 janë në gjykim të lirë dhe 2 në kërkim.
3.4. Konteksti ligjor i këtij fenomeni tek ne.
aktualisht, legjislacioni ynë përmban nene të veçanta mbi trafikimin e qenieve njerëzore dhe sanksione të rënda për autorët e veprave të tilla penale. Por para vitit 2000 nuk ka pasur ndonjë nenë të veçanta ku të përmendej termi “trafik”. Në janar 2001, duke u parë si problem i mprehtë dhe duke u ballafaquar me përvojën e vendeve të zhvilluara, u vendos të bëhen ndryshime në legjislacion. Kështu, më 24 janar 2001, në Ligjin nr. 8733 u bënë një seri ndryshimesh legjislative, u ndryshua neni 110, pika A e Kodit Penal për “Trafikimin e njerëzve”, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, tek neni 114 dhe 114 A, ”Trafikimi i femrave për prostitucion”, neni 114B, ”Trafikimi i fëmijëve” është tek neni 128 B, dhe në fund “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” në nenin 115B
Termi “trafikim i femrave për qëllime prostituimi” konsiderohet vepër e rëndë penale, me dënim maksima 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Si term “trafikimi” është një përkufizim ndërkombëtar detyrues ligjor, i adaptuar në dhjetor 2000 edhe nga legjislacioni ynë. Neni 3 i ligjit përkatës shprehet prerazi dhe pa asnjë ekuivok, pra që nuk lejon asnjë shteg për keqinterpretime se: “Rekrutimi, transportimi, transferimi, strehimi dhe pritja e personave me anë të kërcënimit ose përdorimit të forcës dhe formave të tjera të rrëmbimit, mashtrimit, gënjeshtrës, abuzimit me pushtetin, pozitën, ose duke dhënë apo marrë pagesë e përfitime për të arritur marrëveshje e një personi, duke pasur kontroll mbi personit për qëllime shfrytëzimi”.
Ndërsa termi “shfrytëzim” përfshin shfrytëzimin e të tjerëve për qëllime prostitucioni dhe forma të tjera shfrytëzimi seksuale, si shërbime për punë të detyruar, skllavërim ose praktika të ngjashme me të, zëvendësimin ose heqjen e organeve etj. Edhe ky përkufizim është bënë në legjislacionin tone, madje pranë MB janë ngritur njësi të specializuara policore, si ajo e antitrafikimit, Policia Kufitare, ajo e antikrimit të Organizuar etj, ka edhe zyra rajonale apo organizma ndërkombëtare që bashkëveprojnë për koordinim dhe shkëmbin e informacionit në luftë ndaj trafikut.
3.5. Roli i medias në këtë proces.
Media spikat në sensibilizimin e opinionit mbi këtë fenomen të komplikuar. Megjithatë, nga sondazhet e bëra del që 77% e femrave dhe 73% e meshkujve mendojë se “media vazhdon të bëjnë shumë pak për demaskimin e fenomenit”. Të gjithë të intervistuarit mendojnë se propaganda është e joefektive, por janë 71% e të intervistuarve nga qyteti përkundrejt 79% që janë nga fshati. Kjo diferencë tregon që banorët e fshatit janë më indiferentë ndaj informacionit dhe se infrastruktura le ende shumë për të dëshiruar edhe në këtë drejtim.
Megjithatë është fakt që në median e shkruar ndeshim çdo ditë me tituj që prekin problemin e trafikimit. Shkruhen histori të rrëfyera nga vetë vajzat, histori që përmbajnë nga mashtrimi për t’u futur në rigën e prostitucionit deri tek tortura dhe vrasjet çnjerëzore. P.sh., gazeta “Ballkan” e dt.26 dhjetor 2003, faq 5, shkruan:”Pse dështoi dërgimi i 16-vjeçares në Itali?” ose “Peripecitë e të miturës që u përdhunua nga pjesëtarët e bandës së pesë dyqaneve –Korçë”. Një tjetër shkrim tek “Koha Jona” e dt. 9 janar 2004 me titull:”Mua më shiti halla”, që i rrëfehet historia e një vajze fshati, pjesëtare e një familje ku sundonte kultura patriarkale e me shumë fëmijë, që halla e shiti për qëllime fitimi.
Gazeta “Albania” 14 nëntor 2003:”Motrat Lleshi të trafikuara dhe të vrara” ku lexojmë:”Një ditë, sikundër në shumë histori të tjera të ngjashme, 16-vjeçarja vendosi të shkojë në Itali…”. Atje bëhet preh e një rrjeti trafikimi dhe tragjedia përfundon me masakrimin e vajzës tjetër të familjes Lleshi, e cila guxoi të denonconte në polici trafikantët e motrës së saj. Pak javë pas kallëzimit, ajo gjendet e masakruar buza lumit të Fanit. Disa fëmijë e gjejnë trupin e saj të ndarë më dysh, gjysmën të future në një thes dhe pjesën tjetër të lidhur me litar. Pas ekspertizës rezultoi se në trupin e saj ishin ngulur më shumë se 60 thika.”
Mbas një monitorimi të të gjitha gazetave që botohen në vend, rezulton që pothuaj se të gjitha ato përfshijnë në faqet e tyre kronikat e zeza të kësaj natyre. Aty ka ngjarje, raste, arrestime të trafikantëve dhe tutorëve, të rrjeteve që trafikojnë jo vetëm njerëz, por edhe drogë e armë, etj. Ato janë bërë objekt i interesit edhe të analistëve, psikologëve, sociologëve, apo vetë gazetarëve, si një krim i rëndë dhe problem i madh social.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...