2012-04-24

KOHA E TYRE...POR, NE ISHIM...

Nga Flori Bruqi



Naim Sali Kelmendi lindi më 10.09.1959 në Ruhot të Pejës.Rrjedh nga një familje e njohur për tradita patriotike në Rrafshin e Dugagjinit.Ëshë biri i nacionalistit të mirënjohur Salih Ramë Kelmendi nga Haxhaj -Rugovë. Për të parët e familjes së tij është shkruar edhe në “Lahutën e Malësisë” së Gjergj Fishtës duke përmendur të parin e kësaj familje -Rrustëm Ukën…Babai i Naimit,Salihu ishte i ndjekur dhe i burgosur nga shovenistët serb në kazamatat jugosllave.Deri më vdekje babai i tij mbeti konsekuent ndaj çështjës kombëtare. Naimi,për disa vjet ka punuar si gazetar i gazetës “Bota sot”,kurse gjatë luftës çlirimtare në Kosovë,ishte reporter lufte në betejën famoze të Kosharës( 1999)prej nga lexuesi shqiptar njoftohej për luftën heroike të vashave dhe djemëve shqiptarë. Poashtu ai njoftonte opinionin mbarëkombëtarë për të bëmat e lavdishme dhe heroizmin e kësaj beteje të lavdishme,por më vonë Naim Kelmendi shkroi edhe mjaftë radhë,artikuj ,intervista etj,për një tjetër betejë të lavdishme-Betejën e Loxhës në gazetën “Pavarësia Neës” etj.Naim Kelmendi tërë jetën e tij e deri më sot ia kushtojë çështjes sonë kombëtare gjegjësisht penda e tij nuk pushojë kurrë së shkruari poezi e prozë për Kosovën dhe popullin e robëruar shqiptar, dhimbjet e të cilit do t’i përjetojë rëndë në shpirt, njësojë sikur mallin për babanë e tij, ngrohtësinë dhe zërin e ëmbël të të cilit nuk e shijoi kurrë në jetë.
Naim Kelmendi edhe tash vazhdon të shkruan poezi, të këndojë dhe t’i thurë këngë lirisë së fituar me aq shumë gjak, do të këndojë bashkë me popullin e tij të cilit i thuri aq shumë vargje, dhe për lirinë e të cilit ishte i gatshëm të sakrifikohet në çdo çast.Poetët janë zëri më i bukur i një populli, janë këngëtarët më të mëdhenjë që i këndojnë lirisë, janë bilbilat më të bukur të botës që ia thonë këngës në çastet më të vështira kur të tjerët vajtojnë, vetëm e vetëm që ta mbajnë të gjallë shpirtin e popullit kur ai kërcënohet me zhdukje, siç ishte rasti para një decenie me popullin të cilit i takonte Naimi. Për këtë ai deri më tani ka botuar mbi 12 përmbledhje poezish, ka shkruar me dhjetra punime publicistike dhe gazetareske, është marrë me aktivitete të shumta kulturore, qoftë në Kosovë(Pejë,Ruhot,Prishtinë) në Zvicër,Shqipëri etj.Naimi ishte redaktor i disa revistave shqipe në diasporë si “Top-Kultura” , “Mërgimtari”, etj. ka organizuar me dhjetra takime dhe mbrëmje letrare, promovime librash, ishte reporteri i parë i gazetës “Bota Sot” që arriti të raportojë nga fronti i luftës në Koshare, ishte bashkëpuntor i shumë botimeve në gjuhën shqipe…Ishte pra gjithmonë ndër të parët në front, në ate intelektual dhe ate të luftës, nuk i frikësohej as vdekjes, sepse trimërinë ia kishin lënë trashëgim të parët e tij nga Rugova, gjysh e stërgjysh, denbabaden deri në ditën e kijametit.Veprimtaria letrare e Naim Kelmendit , siç na është e njohur mirë përveç vlerave të larta letrare, stilistike, ka edhe vlera pozitivisht të theksuara gjuhësore. I lindur e i rritur në Ruhot, ai si një fëmijë e më vonë si një djalë e veçmas më vonë si nxënës dhe student vërejti se të folurit e Rugovës ka një veçori të vetën e cila po të mbledhet e të ruhet, jo vetëm që do të jetë një thesar i paçmuar për gjuhësinë, por edhe burim e leksik i pashterrshëm për letërsinë, posaçërisht për poezinë.
Qysh në përmbledhjen e parë të poezive me titull “Shtreza në fjalë” është hetuar tek ai se adhurimi i tij është shumë i fortë për leksikun autokton rugovas dhe se ato fjalë të vjetra do të mund të shfrytëzohen pafundësisht në poezi. Kjo prirje e tij vazhdoi të thellohet edhe te veprat e tjera, deri tek ajo e fundit. Mund të thuhet se Naim Kelmendi një numër të madh fjalësh të leksikut rugovas e futi me gjeturi në poezi, ia gjeti vendin e përshtatshëm aty dhe ashtu e mbetur ajo u ngulit aty edhe më tej nga bashkëfrymëzuesit e tij, kështu që në saje të meritës dhe të pasuesve të tij, gjuha jonë e ka rinuar një numër fjalësh e shprehjesh të vjetra, ua ka rigjeturur vendin aty dhe aty kanë mbetur e do mbesin përgjithmonë si pasuri edhe e leksikut letrar. Një meritë tjetër e Naim Kelmendit si poet e prozator e ka edhe për gjetjen e neologjizmave (fjalëve të reja), për krijimin dhe formimin e tyre, duke i dhënë një kontribut të madh neologjisë shqiptare.
I dhënë pas letërsisë, ku e ka gjetur strofullën shlodhëse për shpirtin dhe ndjenjat e tij, ai si gjuhëtar tërthorazi ia begatoi leksikun gjuhës së vet, e cila në penën dhe gjeturinë e tij, gjeti një mjeshtër kulmor për ruajtjen e të vjetrave dhe krijimin e fjalëve të reja sipas dhe në saje të mendjes dhe syrit shigjetues të tij(Nyja e Gordit). Nga leksiku popullor Naim Kelmendi ia doli të fusë në përdorimin letrar me dhjetra e dhjetra fjalë, të cilat, jo vetëm që nuk ia ulnin vlerën letrare asaj gjuhe, por, përkundrazi ia ngrisnin, ia larushonin dhe ia mbushnin me poezicitet. Natyrisht se një vlerë të tillë nuk mund ta ketë çdo fjalë e leksikut popullor, prandaj ai arriti mjeshtërisht të zgjedhë ato fjalë që në vetvete kishin bukuri fjale, bukurtingëllim, veçanësi emërtimi ose shënjimi(Pse ashtu Pandorë).Nga sa u tha, Naim Kelmendi në lëmën e leksikut ka sjellur një pasuri leksiku jo vetëm me brumin vetanak por edhe duke e rikthyer në jetë një numër fjalësh të gjuhës sonë, të cilat poezisë i japin hijeshi, gjerësi kuptimi e sidomos melodicitet autokton.Fjalët e reja të qëmtuara nga veprat, shkrimet dhe shënimet e tij mua më kanë hyrë në punë si lëndë e pakapërcyeshme në punën time gjatë hartimit të FJALORIT TË FJALËVE TË REJA. Ndër krijuesit më të frutshëm të fjalëve veçohet i dalluar edhe Naim Kelmendi ashtu si Azem Shkreli dhe Ramiz Kelmendi. Prej pendës së Naimit kam qëmtuar dhe shënuar me dhjetra fjalë të tipit të neologjizmave. Naim Kelmendi këngën e ka ndërtuar me fjalë ngjyrimesh të ndryshme ndër të tjera edhe me përmbledhjen me poezi “Nyja e Gordit” .
Ai me një “daltë fjale” në dorë këndoi edhe kur shkroi përmbledhjen me poezi “Përballje me vdekjën” me atë formën më të bukur që dinë poetët të bëjnë mjeshtërinë e fjalëve (Eklipsi i diellit,Albanoi,Nyja e Gordit,Pse ashtu Pandorë,Kohë për të folur gurët,Sipërfaqja e padukshme etj). Për krijimtarinë letrare e publicistike të shkrimtarit tonë të mirënjohur Naim Kelmendi kanë shkruar:Ramadan Musliu,Sali Bashota,Basri Çapriçi,Iljaz Prokshi,Fatos Arapi,Azem Shkreli,Agim Vinca, Shyqri Galica, Abdullah Konushevci, Rushit Ramabaja,Skënder Buçpapaj,Arbër Ahmetaj,Januz Fetahaj,Elida Buçpapaj,Hasan Mujaj,Sejdi Berisha, Shefqet Dibrani,Shaban Cakolli,Ali D. Jasiqi,Sinan Gashi,Rrustem Geci,Avni Nezaj, Rexhep Elezaj,Nazmi Lukaj,Ndue Ukaj,Prend Buzhala,Shahbaze Vishaj,Sarë Gjergji,Flori Bruqi,Valdet Hysenaj etj.

Publicisti Naim Kelmendi ka shumë libra dhe vlejnë t’i veçojmë disa prej tyre:

1.Shtreza në fjalë,poezi,Prishtinë ,1984.
2.Albanoi,poezi,Prishtinë,1986.
3.Nyja e Gordit,poezi,Prishtinë,1987.
4.Ç’ të bëj me dhembjen,poezi,Prishtinë,1987.
5.Pse ashtu Pandorë,poezi,Prishtinë,1989.
6Përballje me vdekjën,poezi,Prishtinë,1993.
7.Eklipsi i diellit,poezi,Prishtinë,1993.
8.Vrasja e deputetit,monografi,Prishtinë,2003.
9.Shqiptari vdes duke kënduar,poemë për Adem Jasharin,Prishtinë,2003.
10.Kohë për të folur gurët,poezi,Prishtinë 2004.
11.Sipërfaqja e padukshme,poezi,Prishtinë 2005.
12.Beteja e Kosharës,monografi,Prishtinë,2008.
13.Pikëpamje dhe reagime ,2008.
14.Në një jetë pas Krishtit,2010
15.Esenca,2010
16. Shqiptari vdes duke kënduar,botim i dytë,2010


Etj.


Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter lufte në Koshare.Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate.Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz. Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t’i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e “re” e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës. Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë.Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së “re” të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj. Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt 2008.Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia neës” etj. gjatë viteve të pasluftës.Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta. Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë në Shqipërinë Etnike . Themi Hero për faktin se t’i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i “hante” atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm.T’ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s’e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës. Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë.Shkrimet e publicistit ,shkrimtarit ,gazetarit dhe patriotit Naim Kelmendi do ju shërbejnë gjeneratave te ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë…








Poezi  nga Naim Kelmendi


 



POR, NE ISHIM

Pa dritat e mendimit…
jemi thjeshtë pjesa e pjesës të pjesëve
diçka që s’do ta shpjegoj assesi
nga erdhëm e kah shkojmë
mor askush s’do ta ndryshojë ligjin
e heshtjes bizare pasi tradhtojnë
dhe veten në fund të fundit

deri këtu kemi ardhur
duke u kapur për një fije t’mendimit
pas betejave të gjëllimit ofshajmë thekshëm

në tërë rrugëtimin tonë vetmitar
ekziston ana e errët që ne s’e shohim
pikërisht aty kemi kurthën
e shpirtit të lënë vishkull

s’është e rëndësishme
nga na vjen gjykimi
ne edhe vetëgjykohemi
për ato që s’ia arritëm qëllimit

tash qetësia ime vajton papajtueshëm


por, ne ishim…
pikëllim fatesh nëpër kohë


E PAMUNDSHMJA


Mësa një fije bari
që mund ta dijë për një fije bari tjetër
që ekziston dikund larg në botë

aq e pamundshme është ta dijë
dikush e dikund se ekzistojmë
ti dhe unë në këtë çast, pra

po flas, ja për çka po flas
për të pamundshmen
dijmë vetëm për raca njerëzish e popuj

kufij, luftëra, dhe tragjedi jetësh
por ne s’e dijmë biografinë e secilit

prandaj ne s’e dijmë as pse jemi këtu
e dikush tjetër e atje dikund
dijmë vetëm se jemi dhe në këtë formë

pra, ja për çka po flas
për të pamundshmen e njohur

E PANDRYSHUESHMJA

Ekziston diçka e paarritshme
për ta njohur deri në fund

në botën e kujtesës
qiriu i mendimit rri ndezur
në mua, përreth meje ekziston
e reziston deri në paskajësi

e mjegullt e panjohur
që rrjedhë përditë çdo çast
Panta Rhei, dhe

një ditë që s’do të jemi
më kështu në këtë ajër

po si luan teatër me ne
e padukshmja
e paprekshmja dhe hija
e atij që rrënon dashuritë

ne mbesim veç hijesim, shenja
për t’na çajtur mjerueshëm
pasaktësia nëpër hirin e asgjësë


KORI I KORBAVE

Amen, mos ua kopjoni krrokamën
s’thonë gjë prej gjëje
që i duhet bardhësisë
pos zhurmës së korbët

në shumës janë bërë të zhurmshëm
kor i mërzitshëm deri te retë

kur ta vajtojnë fatin e atdheut
janë duke ia sqepuar mëlqitë
pasi ia kanë shtjerrur
tërë qumshtin e nënës

posi, i dalin zot në secilën krizë
së bashku në kor me gjuhën e korbët


NË FOLTORE

Si po djersijnë fjalëve
fytyrave nuri i bardhë

si po ushtojnë kërcëllimës
për t’parin e radhës
askushët sërish te vargu

betohem në verën e kallirit
të thatë, në stinën e verdhë
dyll do të na dalin

veç një herë do t’i shohin
fjalë të zbrazëta prej asgjëje

paskëtaj do t’i takojmë heras
n’peshoren e ndërgjegjes së vrarë

askushët sërish në krye të vargut


NËN DIELLIN TIM

Ecjen e bëj të flashkët
me thirrjet në vetvete

dhe ngrohem
ashtu si di vet
në botën time të vogël

vetëm poezinë e kam
dashnoren më besnike
që s’më lë të vetëm

edhe atëherë kur s’më shohin

edhe atëherë kur s’ më njohin

o ati ynë, bota dhe njerëzit
qenkan një reklamë e madhe
të mërdhijnë hipokrizitë
kur ndeshesh ballëpërballë
me intrigat, laviret e demonët

kujt t’i qahem e kujt t’i besoj
veç poezisë që më mbetet afër
një pikë helmi në dhembje fjalësh


PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine

plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine

në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm

në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë

 

RISANI

Aty, vetëm pluhuri
i Ilirisë së madhe

një dhembje
për t’humburën
po ma brente shpirtin

askund mbretëresha
Teutë,
unë - askushi aty
dhe askund
fjala e bukur shqipe

veç kthimi në kohë
dhe një dritë në kujtesë
për luftërat, tmerr i njerëzimit

ika për ta shëruar plagën
atje te lumi Shkurd


PERASTI

Perasti ishte dikur
një pikë në Iliri

tash detit iu kthye
mendimi se është
dikund përsëri si pikë
me bokelët vendas
nga rrënja ilire

me vetëm dy fije emri
ballabanët dhe Lindi

a thua do të Ri-lindin


LUMI SHKURD

Lum shkurti,
po të thellë burimin
po të shkurtër rrugën
po të lashtë rrjedhën

më thuaj kah i del
më shkurt, për t’jetuar
shqip me detin

                                
Ulqin-Risan,2002


HARRIM U BËMË

Koha kaq e shurdhër
e spo na e zë as fjalën
as zëri s’na dëgjohet kund

hapësira sa e gjerë
i vie era pis
nga myk i mendimeve

e s’e shohim njëri-tjetrin
nga hipokrizia e vetvetes

amen mor si ia dalim
kështu drejt Bregut

e ai na pret në maje
me shpatën e njëjtë

ne ngjitemi rrugëjetës sonë
mugët dhe bëjmë sehir
me jetët tona e lavdet
e fitorët e minjve

harrim u bëmë kaq kohë
e s’po e kuptojmë asnjëherë
as n’fund as n’fillim Dhembjen

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...