2012-04-22

Mitologjia skënderbejane dhe të vërtetat historike.



Nga Ardian Klosi

Ndërsa deri 20 vjet më parë mund të pranohej që historiografia e prodhuar në RPSSH ecte në një rrugë tjetër nga ajo që kishin hapur studimet albanologjike e balkanologjike europiane prej mëse një shekulli e gjysmë, - se fundja i gjithë vendi ecte nëpër një rrugë të veçantë dhe të mbrapshtë - sot kjo rrugë këmbëngulëse e historiografisë zyrtare shqiptare, e cila ka arritur skaje të paimagjinueshme, të duket si relikti i fundit kockëfortë i asaj ngrehine absurdi që ishte ideologjia nacionaliste-komuniste në Shqipëri.

Absurdi dendësohet, gjithçka merr trajtat e një sendërgjimi të pashembullt kur kjo historiografi zyrtare trajton Gjergj Kastriotin Skënderbeun – hero kombëtar në të trija shtetet ku është shpërndarë trungu kryesor i shqiptarëve: Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Në fund të një pune të gjatë, por që më dha edhe kënaqësi të veçantë: përkthimit në shqip të monografisë "Skënderbeu" të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, mora të shoh, për kureshtje, disa tekste historie të shkollave tona nëntëvjeçare e të mesme, pikërisht ata kapituj që trajtojnë Skënderbeun.

Ishte e pabesueshme: realiteti që përshkruhej në 20 faqet e njërit prej tyre "Historia 4" (2006) ngjante me realitetin që kthjellonte mes qindra dokumenteve të kohës analiza e mprehtë e Schmittit aq sa ngjan Katallani i përrallave tona me ushtarët katalanë të Alfonsit kur këta zbrisnin në bregdetin e Arbërisë, ose aq sa ngjajnë zanat e malit në Ciklin e Kreshnikëve me malësoret e zonës së Mbishkodrës.

Atëherë kuptova se në vendin tonë kjo dikotomi ose ky dyrrugëtim i sendërgjimit me shkencën, i shajnisë me të vërtetën, ka për të vazhduar edhe për shumë kohë, praktikisht aq sa të kenë jetën përfaqësuesit e historiografisë zyrtare (e kur plaket njeriu, bëhet edhe më kokëfortë, kjo dihet), përveçse po të ketë një ndërhyrje nga lart, deus ex machina, dmth zyrtarë të lartë t'ia ndalojnë historiografisë zyrtare që të jetë zyrtare dhe në të ardhmen.

Prej 1992-shit e këndej janë botuar me dhjetëra libra të mirë për historinë e Shqipërisë dhe të rajonit, sidomos nga Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, nga "Shtëpia e Librit", nga "Dituria", nga "Çabej", nga K&B etj., është krijuar një bibliotekë e vërtetë e albanologjisë në gjuhën shqipe – megjithatë e gjitha pa dobi kur vjen puna për tekstet e shkollave, për presidiumet e akademive, për kongreset e Skënderbeut dhe ato të drejtshkrimit, alles bleibt beim Alten, gjithçka mbetet siç ka qenë dhe bigëzimi i dijeve humane në Shqipëri, sidomos i albanologjisë, i historiografisë, i skënderbejadës i ngjan përherë e më shumë një skizofrenie të frikshme të kujtesës kombëtare.

Por le të shohim më nga afër se çfarë u tregohet nxënësve, të rinjve dhe të rejave shqiptare lidhur me një nga personazhet më të rëndësishëm në historinë e vendit të tyre.

"Më 1443... Skënderbeu iu drejtua Krujës dhe e çliroi" ("Historia 4" f. 58) Skënderbeu nuk e çliroi Krujën, por e mori me një ferman të rremë nga arbëri tjetër që kishte komandën mbi kështjellë, Hasan beu. Këtu shpalli pastaj kryengritjen e tij. "Më 28 nëntor 1443 u shpall zot i principatës së pavarur të Kastriotëve me qendër Krujën".

Kastriotët nuk kanë pasur ndonjëherë ndonjë principatë të pavarur. Është gabim i madh historik t'i quash principata sundimet e familjeve të ndryshme të Arbërisë, pasi të parët e tyre atëherë do të quheshin princa. Në një kohë kur zotërit ortodoksë të Arbërisë kërkonin dëbimin e osmanëve, autoriteti i vetëm që njihnin së largu ishte Bizanti (prandaj dhe Skënderbeu zgjodhi për flamur shqiponjën dykrenore të Perandorisë së lindjes), vetëm ai i shpërndante titujt, dhe askush nuk guxonte ta shpallte veten princ etj., siç vëren me saktësi Schmitti.

Sidoqoftë këto mund të quhen lajthitje nomenklature, sepse shumë më serioz është rrëfimi mbi Kuvendin e Lezhës. "Këtu morën pjesë Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia me dy djemtë, Gjergj Strez Balsa, Nikollë e Pal Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me 4 djem etj." (po aty).

Përmenden edhe djemtë e fisnikëve më të vegjël, e nuk thuhet që në kuvend mori pjesë edhe Stefan Crnojeviqi, zot i Maleve të Zeza. Bëhet përpjekje për t'i dhënë ngjyrime kombëtare një lidhjeje që nuk ishte aspak etnike e aspak kombëtare, por thjesht një bashkim i përkohshëm strategjik i disa sundimtarëve që kërkonin kthimin e gjendjes së vjetër, ku kishin liri të plotë në territoret e tyre, ku nuk qenë të detyruar të paguanin haraçe, taksa, të linin peng djemtë etj.

"Vendimet e Kuvendit të Lezhës shënuan një hap të madh përpara drejt bashkimit politik të vendit" (f. 59)

Cilit vend? Qytetet e Shqipërisë ishin ose në sundim venedik ose, sikurse Berati, Vlora e Gjirokastra, nën sundim të konsoliduar osman. Skënderbeu në atë kuvend u caktua vetëm komandant i përgjithshëm i forcave të Lidhjes, pa kurrfarë atributi politik. Sidoqoftë fantazia e autorëve vazhdon në kapitujt pasardhës, ku arrin të ngrenë pa asnjë vështirësi Shtetin fantazmagorik të Skënderbeut: "Shteti i Skënderbeut kishte territorin e vet.

Në vitet '60 ky shtet përfshinte krahinat që shtriheshin nga lumenjtë Devoll e Seman në jug, deri në Malësinë e Dukagjinit në veri; nga brigjet e Adriatikut në perëndim, deri në luginën e Drinit të Zi në lindje" (shih hartën e riprodhuar këtu, krahasojeni atë me hartën që boton në librin e tij Schmitt, ku shënohen territoret stinore të Skënderbeut).

Kurrë asnjë fisnik nga dyert e mëdha të Arbërisë nuk pranoi t'i nënshtrohej Skënderbeut. Përkundrazi: Dukagjinët, Balshajt, Muzakajt, Araniti, Topiat i shihnin Kastriotët si më të ulët në rangun fisnik, pasi ishin zgjeruar vetëm kohët e vona. Vetëm martesat e zgjuara të Ivanit, babait të Gjergjit, si dhe martesa e këtij me vajzën e Gjergj Arianitit, Andronikën, bënë që Kastriotët të pranoheshin dalëngadalë si të sërës.

Kurse autoritetin e të parit Skënderbeu e pati vetëm për një kohë të shkurtër, sa mund të quhet se ekzistoi Lidhja e Lezhës, prej 1444 deri e shumta në dështimin e fushatës së përbashkët me Johan Huniadin në tetor 1448. Me Dukagjinët, Muzakët, Aranitin ka pasur vetëm fërkime ose dhe konflikte të hapura.

Edhe gjatë kësaj periudhe Lidhja humbi energji dhe luftëtarë të shumtë në beteja me Venedikun, të cilat i bënte mënjanë pse Skënderbeu kërkonte të zgjerohej drejt fushave të pasura të perëndimit, më anë tjetër se fisnikët shqiptarë ishin kthyer në zgjatime të konfliktit midis Mbretërisë së Napolit dhe Venedikut, sikurse vëren përsëri saktë Schmitti.

Por autorët e librave tanë të historisë ecin të papenguar nga njohja historike për të ngritur më tej shtetin e tyre të sendërgjuar skënderbejan. "Shteti i Skënderbeut ishte i organizuar në formën e monarkisë feudale. Skënderbeu ishte monarku". Në qoftë se ka qenë vërtet monarku, kush ia vuri kurorën? Se atëherë kurorë mund të të vinte vetëm perandori i Bizantit. Ose papa. Po vasalët e tij kush ishin? Po oborri, oborrtarët? Po kryeqyteti? Kruja nënkuptohet, mirëpo autorët nuk e thonë gjëkundi që Skënderbeu Krujën ua dorëzoi napolitanëve më 1451, pasi bëri betimin e vasalit ndaj mbretit Alfons.

Edhe që ishte vasal i këtij mbreti nuk përmendet me asnjë fjalë. Beteja e Beratit, apo më mirë katastrofa e Beratit, ku luftëtarët e Skënderbeut, Gjergj Aranitit dhe Muzakë Topiajt bashkë me trupat napolitane të Alfonsit lanë me mijëra të vrarë, përshkruhet kështu: "Skënderbeu iu drejtua Beratit... Por Moisi Golemi në frontin lindor lejoi një ushtri prej 40.000 vetash të kalonte nëpër fushën e Korçës..." etj.

Aksioni i Beratit ishte angazhim i mirëfilltë vasalësh (Alfonsi kërkonte të thyente pushtetin osman në Jug të Shqipërisë), i planifikuar dhe i kryer keq. Të gjitha këto mund t'i mësosh me hollësitë më të mëdha në një monografi si "Skënderbeu" i Oliver Schmittit dhe mund t'i çmësosh në një nga tekstet tona të historisë.

Por le të vazhdojmë me shtetin virtual: "Ai kishte aparatin e vet administrativ, veçanërisht atë të financave dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Si komandant i ushtrisë, ai drejtonte vetë operacionet ushtarake, emëronte ose shkarkonte kuadrot e luftës. Skënderbeu ka ushtruar edhe funksione gjyqësore. Pranë tij vepronin disa organe: Kuvendi i Princave Shqiptarë, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës".

Mund të themi pa asnjë ngurrim se çdo fjalë e çdo fjali në 4 kapitujt që i kushtohen Skënderbeut dhe luftërave të tij (po sigurisht edhe në kapitujt pararendës e vijues) është e pasaktë, shpikje, shtrembëruese e të vërtetave historike.

Si ka mundësi të mblidhen kaq shumë shajni në kaq pak vend? Shpjegimi i vetëm është që Akademia shqiptare me institutet e saj të historisë etj. ka vepruar prej dhjetëvjeçarësh praktikisht e pakontrolluar, si nga autoritete të tjera shkencore, ashtu dhe nga ndonjë autoritet i arsyeshëm shtetëror.

Dhe këtë liri, që në fakt është anarkia që sundon prej kohësh në shkencat tona, të ashtuquajturit historianë e kanë keqpërdorur, duke e përdorur Skënderbeun si syprinë për gjithfarëlloj konstruksionesh, dëshirash të lindura që nga Rilindja kombëtare e këndej, historish me mbret e me shtet.

Duket ata kanë vepruar edhe më fort edhe më me zemërim kështu, sa më shumë vepra shkencore që janë botuar në këtë fushë, sa më shumë përkthime që janë bërë prej historianëve të vërtetë të çështjeve shqiptare e ballkanase: nga Fallmerayeri te Hahni, nga Bue-ja te Ippeni, nga Shufflay te Babingeri e Schmitti.

Është e pamundur të rrëzosh me një shkrim konstruktet e sendërgjuara të historiografisë shqiptare. Ato nuk janë thjesht 40 e 50-vjeçare. Ato janë së paku 100-vjeçare: Mitologjia për Skënderbeun zuri fill me Rilindjen tonë kombëtare. Të etur siç ishin patriotët dhe intelektualët shqiptarë për një shtet që do t'i bënte ballë rrezikut të aneksimit prej fqinjëve sllavë jugorë e grekë, ata u kapën fort pas një figure që, i humbur siç ishte në katër shekuj harresë, pranonte tani të quhej edhe hero etnik-kombëtar edhe kryetar i një shteti thjesht shqiptar.

Ai i gjori, që edhe eshtrat i humbën, pranonte gjithçka. Oliver Schmitt vëren (pasi ka shtjelluar se në shek. 19 Skënderbeu ishte frymëzues edhe për lëvizjet kombëtare të fqinjëve tanë joshqiptarë): "me kthimin e kultit të heroit në Ballkanin perëndimor shqipfolës në fund të shekullit 19, ai u kthye në atë dukuri ekskluzive shqiptare, që aktualisht është mbizotëruese dhe shumë e larguar nga figura historike".

Për një mbret ishte i dëshiruar edhe Imzot Noli në biografinë e tij "Historia e Gjerq Kastriotit Skënderbeut, mbretit të shqiptarëve" (Boston 1921), aq sa iu errën sytë para sajesës "Anonimi i Tivarit" të priftit falsifikator Biemmi dhe e ndërtoi Skënderbeun e tij praktikisht mbi këto fantazi. Por siç e vëren, me shumë detaje, Schmitti, kulti i Skënderbeut do të merrte përmasat e veta më irreale nën pushtetin komunist, si projeksion në Mesjetë i vetizolimit të Shqipërisë dhe simbolit të kështjellës anë Adriatikut që u bën ballë gjithë sulmeve të botës armiqësore.

Urojmë që botimi i kësaj monografie, me vështrimin e saj depërtues dhe shumëplanësh, me dokumentacionin jashtëzakonisht të pasur që sjell (bashkë me një numër dokumentesh të panjohura), me analizën kritike të biografëve të parë dhe atyre modernë të Skënderbeut, me zbërthimin e skënderbejadës nacionaliste-komuniste, të sjellë dalëngadalë në vendin tonë një Skënderbe që hyn e rri brenda figurës reale si shenjë e hapjes sonë të vërtetë drejt vetvetes dhe fqinjëve, si vajtje në vend e kujtesës historike.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...